Nexhmie Pagarusha - Baresha (Origjinal)

Nexhmije Pagarusha

Artistja shqiptare Nexhmije Pagarusha lindi më 7 maj 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës në Kosovë.
Kur flitet për të, përdoren në një frymë shumë epitete si: Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe,
Primadona e Melosit Popullor, Ema Sumak Shqiptare, Madam Butterfly, Fyti i Kristalte, etj.
Mori shumë çmime, ndër të tjera "Këngëtare e Shekullit".
Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon.
Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera .
Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.
Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më.
Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë.
Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin "Shota" me rastin e një turneu.
"Baresha" është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj.
Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.
Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit,
Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht,
asnjërit nga organizatorët teknikë nuk iu kishte kujtuar që të regjistronte këtë koncert! Për fat të keq,
nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë,
për të vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.
Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj.
Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.
Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën "Për ty" në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea,
i cili e bindi të bëjë këtë.
Ishte në jurinë e festivalit "Kënga Magjike 2005". Aktualisht është këshilltare e lartë për muzikë në Radio Kosovë
dhe në Radio Blue Sky.
Krijimtaria
Disa nga këngët e saj:

* "Baresha"
* "Ani mori nuse"
* "Mora testin"
* "Kur më shkon si zog n'hava"
* "Kur më del në derë"
* "Ke selvitë"
* "Ç'u ngrit lulja në mëngjes"
* "Çil njat zemër plot kujtime"
* "Dallëndyshe"
* "Një lule"
* "Zambaku i Prizrenit"

Interpretoi në filmat dhe shfaqjet teatrore:

* "Dasma e përgjakur", (1967)
* "Jugovizioni" (1973)
* "Gëzuar viti i ri" (1976)
* "E kafshoja terrin" (1977)
* "I ikuri". (1980)
* "Tre vetë kapërcejnë malin" (1981)
* "Lepuri me pesë këmbë"
* "Fluturimi i Micakut"
* "Daullet e të çmendurve",
* "Rexha i nënës në grazhd të kalit"
* "Vrasësit bëjnë dasmë natën" (1997)

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!