E Drejta Administrative

Ndërmjet shoqërisë “A” sh.p.k. dhe Bashkisë Tiranë më datë 23.05.2001 është lidhur një kontratë sipërmarrje me objekt sistemimin, asfaltimin, rehabilitimin e ujësjellësit dhe kanalizimeve në rrugën “Punëtorët e Rilindjes”, shtrimin e trotuareve në të dy krahët e Lanës në segmentin nga Ura e Rrugës së “Elbasanit” deri tek ura e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Kontrata e lidhur ndërmjet palëve ka pasur të bashkangjitur dhe projektin përkatës. Sipas përmbajtjes së kontratës çdo ndryshim i kontratës do të akordohej me shkrim nga palët. Me anë të një kërkese verbale Bashkia e Tiranës i kërkoi Shoqërisë “A” të kryej punime edhe për zonën nga “Ura e Lanës” deri tek PTT nr.4, punime të cilat u konsideruan nga ana e shoqërisë si shtesë e punimeve të kontratës së sipërmarrjes.
Në përfundim të të gjitha punimeve Bashkia me anë të procesverbalit 222 mori në dorëzim të gjitha punimet, të parashikuara në kontratë dhe ato të përcaktuara verbalisht.
Pas një periudhe kohe prej 1 viti Bashkia i pagoi shoqërisë “A” vetëm punimet e parashikuara në kontratë duke përcaktuara punimet e tjera si të paparashikuara në kontratë.
Në një kërkesë drejtuar Bashkisë, Shoqëria “A” pretendoi se vlera e punimeve të kryera si punime shtesë të kontratës kanë një vlerë prej 56.916.971 lekë, punime që sipas saj janë pranuar se janë kryer nga ana e Bashkisë, prandaj vlera e këtyre punimeve duhet të paguhet.
Sipas shoqërisë “A” punimet janë bërë mbi bazën e planit rregullues të qytetit, punimet janë ndjekur dhe kontralluar nga ana e Bashkisë, dokumentacioni është nënshkruar nga supervizorët e saj. Nga ana e Bashkisë janë pranuar këto punimepasi në të kundërt do të prisheshin. Kontrata e sipërmarrjes nuk është e detyruar të bëhet me shkrim...
Në përgjigje të pretendimit të shoqërisë “A”, Bashkia argumenton se ndonëse palët e kanë përcaktuar kontratën midis tyre si kontratë sipërmarrje natyra e saj është kontratë administrative dhe si e tillë duhet të zbatohen dispozitat në lidhje me kontratat administrative (neni 6 dhe neni 151 i KPrA).
Shoqëria vendos t’i drejtohet gjykatës për të vënë në vend të drejtën e saj.

Pyetje:
Si avokat i Shoqërisë “A” jepni argumenta në lidhje me natyrën e kërkespadisë dhe pretendimet e shoqërisë “A” në rastin konkret. Përcaktoni palët dhe bazën ligjore të cilës do t’i referoheni. Ndonëse palët e kanë përcaktuar kontratën midis tyre si kontratë sipërmarrje a mundet që natyra e saj të jetë kontratë administrative. Cili është ndryshimi? Mendoni se mosmarrëveshja do t’i referohet mosmarrëveshjeve civile apo mosmarrveshjeve administrative të përcaktuara në KPrC?