Në Jugosllavinë e Versajës, shqiptarët nuk njiheshin si komb.
Politika kolonialiste e Beogradit dhe e Shkupit, mbi shqiptarët në Maqedoni vazhdoi edhe pas vitit 1945, përkundër demagogjisë politike dhe ideologjike të LKJ-së (Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë), e cila thoshte se ndërton politikën e barazisë së kombeve dhe të kombësive.
Maqedonasit nuk trashëgojnë shtetësi, as nga Mbretëria Jugosllave, e as nga RSFJ-ja. Ata, më parë se shtetësi, trashëgojnë aparatin shtetëror represiv, ideologjinë totalitariste, konceptet unitariste, paragjykimet antishqiptare, albanofobinë dhe projektet e Vasa Çubriloviqit për shfarosjen e shqiptarëve. Maqedonasit trashëgojnë një status kolonial ndaj shqiptarëve, ndonëse edhe vetë kanë qenë koloni serbe apo serbosllave. Në vitin 1991, faktori politik maqedonas synonte që statusin politik të shqiptarëve ta ruante të pandryshuar. Nën trysninë e faktorit shqiptar, pala maqedonase ishte e detyruar të
bënte ca ndryshime. Me ndryshimet që pasuan, çështja shqiptare në Maqedoni, nuk lëvizi nga vendi. Ndryshimi ishte ky: Në monizëm shqiptarët ishin popull i shtypur, ndërsa në pluralizëm u shndërruan në popull të dorës së dytë, d.m.th. në pakicë.
...