Komuniteti Shqiptar në Xhenova

Komuniteti Shqiptar në Xhenova

Dr. Alban Daci
Xhenova-Itali


Qyteti i Xhenovës, ka një numër të konsiderueshëm me shqiptarë që prej vitesh
jetojnë dhe punojnë në sektor të ndryshëm dhe vijnë pothuajse nga të
gjitha zonat e Shqipërisë. Disa prej tyre posedojnë lejet e qëndrimit
dhe kanë bërë të mundur bashkimin familjarë, kurse një pjesë tjetër po
aq e konsiderueshme, kanë ardhur në formë klandestine ( fshehur) dhe në
tre vitet e fundit nuk kanë pasur fatin dhe mundësinë të marrin lejet e
qëndrimit (në këto tre vjet në Itali nuk ka dalë asnjë fluks
gjithëpërfshirës për legalizimin e emigrantëve, por vetëm disa flukse
të punës sezonale me kuota fare të vogla pranimi në numër).

Ato emigrantë që kanë lejet e qëndrimit, kanë përfituar disa “privilegje” si:
1)
kanë mundësi më të mira për të gjetur punë, sepse mund të lëvizin
lirshëm, pa pasur frikë nga autoritet e ruajtjes dhe rendit publik.
2) mund të punojnë në rregulla me siguracione shoqërore për jetën
3) mund të shkojnë në Shqipëri për festa dhe festime të ndryshme familjare
4) kanë mundësinë të marrin dhe familjarët e tyre duke aplikuar për procedurën e bashkimit familjarë
5) e kanë më të lehtë të marrin me qira apo të blejnë shtëpi

Pra, nga rreshtimi që bëmë më sipër, mund të shprehemi se: kjo kategori e
emigrantëve shqiptarë është me fat dhe në një mënyrë apo në një tjetër
përpiqet të integrohet më shpejt dhe më lehtë në shoqërinë vendase.
Megjithatë integrimi i tyre është jo i njëtrajtshëm dhe uniformë.

Integrimi ekonomik

Normalisht integrimi ekonomik i punëtorëve shqiptarë që emigrojnë në formë
individuale është shumë i shpejtë dhe realizohet në një periudhë kohe
të shkurtër, falë edhe ndarjes në segmente të tregut të punës këtu në
Xhenova, sepse emigrantët zënë vende pune që janë pak të paguara dhe të
pa pëlqyera nga vendasit.
Emigrantët shqiptarë, jo vetëm kanë
arritur të bëjnë integrim të shpejtë ekonomik, por mund të themi se
kanë arritur të zënë edhe pozicionin e liderit në këtë fushë, sepse
janë bërë sipërmarrës në aktivitete të ndryshme punësimi .
Shqiptarët
zënë vendin e parë, për sa i përket fushës së sipërmarrjes, për nga
komunitet e huaja të pranishme në qytetin e Xhenovës, ku pothuajse në
çdo ndërmarrje pune në sektorin e ndërtimit janë pronarë ose
bashkëpronar.
Punët që shqiptarët (gjinisë mashkullore) kryejnë në
fushën e ndërtimit janë ndihmës punëtorë, punëtorë, mjeshtër, artixhan
dhe imprezar (sipërmarrës).
Ndërsa, në fushën e hoteleri-turizmit.
ushtrojnë profesionet e njohura si: ndihmës kamerier, kamerier, ndihmës
kuzhinier, kuzhinier. Në kooperativa të ndryshme solidariteti, kryejnë
kryesisht rolin e ndërmjetësuesit kulturor, kurse në bujqësi punojnë në
vreshta me rrush si dhe në ferma me pemë frutore. Këto janë profesionet
më kryesore dhe më të dukshme që kryejnë shqiptarët e gjinisë
mashkullore në qytetin e Xhenovës.

Roli i gruas shqiptare në mërgim

Femra shqiptare lidhur edhe me paragjykimet tradicionale të marra me vete nga
Shqipëria, në hapat e para të emigracionit, nuk ka qenë angazhuar
drejtpërdrejtë në asnjë formë punësimi, përveç shtëpiakes së mirë që
kujdeset për fëmijët, për shtëpinë dhe për burrin.
Me kalimin e kohës, burrat (bashkëshortët) shqiptarë e kanë parë se: është shumë e
vështirë, thuajse e pamundur që vetëm me një burim të ardhurash të
kënaqin nevojat e gjithë familjes. Prandaj, më shumë për nevojë
ekonomike dhe mbijetese, se sa sensibilizimi, burri shqiptar, ka
filluar t’i jap më shumë hapësira bashkëshortes së tij, duke e lejuar
të përfshihet me të drejta të plota në tregun e punës.
Prandaj, kohët e fundit edhe pozicioni i femrës shqiptare në shoqërinë e
komunitetit shqiptar në Xhenova po ndryshon, sepse sot, femra shqiptare
nuk është vetëm një shtëpiake e mirë, që kujdeset vetëm për burrin,
shtëpinë dhe fëmijët, por po bëhet gjithmonë e më aktiveve edhe jashtë
mureve të shtëpisë, duke ushtruar profesione të ndryshme si: Badante
(përkujdesjes për moshën e tretë), kameriere, shitëse në super markete
etj.
Në disa familje që kanë zgjedhur të jetojnë këtu në Xhenova, me
të cilët unë kam marrëdhënie miqësore, kam vënë re se: gruaja shqiptare
jo vetëm jep një kontribut të rëndësishëm për familjen, sepse ushtron
një profesion dhe sjellë të ardhura ekonomike, por ka marrë në dorë
timonin e drejtimit të familjes, duke i qëndruar pranë bashkëshortit që
të dalë nga situata e vështirë e pesimizmi (për shkak të vështirësive
të shumta që një emigrant has në jetën e përditshme si dhe për
hapësirat e vogla që disponon për ti kaluar, kalon në faza të vështira
edhe pesimizmi) dhe të besoj seriozisht tek vetja dhe tek familja se
një e ardhme më e mirë e pret atë dhe familjen e tij.
Prandaj, mendoj se femra shqiptare, meriton të ketë një pozicion më të fortë dhe
më të rëndësishëm në shoqëri, duke pasur parasysh iniciativën e
sakrificës dhe guximit që ka marrë mbi supe për të bërë një jetë më të
mire si dhe në aftësitë intelektuale që ajo mbart.

Shqiptarët e duan punën

Zonat më të populluara me shqiptarë këtu në qytetin e Xhenovës janë në
Sampiederena, Korniliano, Peli, Principe, Dinegro, Brinjole, në qendrën
komerciale Fiumara etj.
Mjafton të vizitosh këto vende për kuptuar
botën e komunitetit shqiptar si dhe hallet, vështirësitë, aspiratat,
dëshirat, ëndrrat, zhgënjime e tyre.
Shqiptarët njihen si njerëz që
e duan punën, që punojnë shumë (thuajse gjithmonë punojnë nga 10 deri
në 11 orë në ditë), qoftë edhe të dielave duke mos njohur ditë pushimi.
Megjithatë,
pavarësisht nga dëshira që shqiptarët kanë për të punuar, jo gjithmonë
arrijnë ta gjejnë dhe ta kenë atë në formë të vazhdueshme. Nuk mungojnë
rastet, që emigranti shqiptar të mbetet pa punë edhe me periudha edhe
relativisht të gjata.
Nëse emigranti gjendet papritur papunë, mund
të themi me plot kuptimin e fjalës se kemi të bëjmë më një periudhë të
zezë për atë, sepse komplikohen një seri problematikash si: pa mundësia
me paguar qiranë ose këstin e shtëpisë (në rast se e ka blerë me
kredi), pa mundësia me ushqyer veten dhe familjarët e tjerë (nëse ka
bërë bashkimin familjarë) etj.
Zakonisht, në rastet, kur një
emigrant humb vendin e punës dhe nuk arrin të gjej një të re, nga
depresioni, mërzia, largësia me vendin dhe familjarët e bën të ndjehet
keq në aspektin psikologjik dhe të mbyllet në vetvete, duke e konsumuar
periudhën e vështirë në shoqërinë e duhanit, shishes së birrës, gotës
së konjakut, kafesë së zezë dhe meditimit personal.
Po si fillon dhe zhvillohet dita e një emigranti që punon?
Zgjohet zakonisht rreth orës pesë të mëngjesit, merr në telefon punëdhënësin me
të cilin vendos vendin se ku do të takohen, pastaj hynë në një barë për
të bërë mëngjesin.
Mëngjesi i një emigranti është një kafe makiato e
shoqëruar me një ëmbëlsirë, me një gotë raki, apo konjak. Nga
kurioziteti që kisha, i kam pyetur: pse para se fillojnë punën, pinë
një gotë raki apo konjak? Më janë përgjigjur se: një gotë raki të bën
mirë për stomakun, sepse ta mbledh dhe nuk e ndjejnë bosh, plus pastaj
në mëngjes gjatë dimrit të ngroh dhe të bën më të fortë për të punuar.
Pasi
bën mëngjesin, nuk harron të blej paketën e duhanit ( nëse e pinë) dhe
bashkë me punëdhënësin hypin në makinë për ikur tek vendi i punës.
Nëse distanca është relativisht e madhe, gjatë udhëtimit mes punëdhënësit
dhe punëmarrësit, zhvillohet vetëm dialog pune, ku punëdhënësi i bën
lavdërime ose kritika punëtori për punën që ka bërë një ditë më parë si
dhe i jep urdhra për punën e re që do të kryej.
Nga ora tetë e mëngjesit, fillon rutina e punës, sepse punëtori ndërron rrobat e
udhëtimit me ato të punës dhe fillon të bëj atë që i thotë punëdhënësi
i tij. Kjo rutinë vazhdon kështu, me pushime të vogla nga pesë minuta,
derisa vjen ora një e drekës, kur lan duart dhe fillon të haj bukën që
ka marrë me vete, ose nëse nuk ka pasur mundësi të marr me vete, shkon
aty afër në ndonjë market, ku blen bukë, domate, proshutë dhe nuk
harron të marrë birrë ose ujë sipas mundësive dhe kur mbaron së ngrëni,
shfrytëzon ato pak minuta që i kanë mbetur në dispozicion ( pushimi i
drekës nuk është më shumë se një orë) për tu shtri që të çlodhet.
Pasi mbaron pushimi i drekës, i rikthehet përsëri punës deri nga ora pesë e
gjysmë, gjashtë ( ka edhe raste deri në tetë të darkës) që është edhe
koha, kur punëtori shqiptar mbaron ditën e punës, ndërrohet duke veshur
përsëri rrobat e udhëtimit dhe pret të vij ta marrë përsëri punëdhënësi
i tij për ta çuar në shtëpi.
Duhet theksuar se: jo gjithmonë
punëdhënësi i garanton udhëtimin punëtorit të tij, në shumicën e
rasteve punëtori, duhet të përdorë shërbimin publik të transportit për
të vajtur në punë dhe për tu kthyer në shtëpi.
Dita e diel është
dita e pushimit dhe rrugët e qytetit të Xhenovës mbushen me shqiptarë,
që më në fund edhe ata si të tjerët mund të pushojnë, të dalin të
shëtisin, të bëjnë shoping dhe të takojnë ndonjë shokë.
Të dielave shqiptarët grumbullohen më shumë tek qendra komerciale Fiumara, ku
qëndrojnë ulur gjithë ditën në baret e saja, duke parë ndonjë gocë të
bukur që kalon aty pranë, duke ngacmuar me shikim ndonjë tjetër që mund
të jetë ulur aty përballë si dhe qajnë hallet e njëri- tjetri.
Pse shqiptarët zgjedhin qendrat komerciale për të kaluar të vetmen ditë
pushimi që kanë? Sipas analizës time mendoj se: ditët e punës për
shqiptarin janë tepër monotone, sepse nuk ka asnjë hapësirë tjetër
përveç punës.
Ai është thjeshtë një robot pune, që nuk ka mundësi të
takohet me njerëz, të shkëmbej biseda. Pra, ai ndjehet në një farë
mënyre i braktisur nga bota njerëzore, dhe mezi pret të vij dita e diel
për të shkuar tek qendra komerciale, ku ka shumë njerëz, zhurma etj.
Kjo ditë e vetme pushimi i jep shpresën se edhe ai është pjesë e jetës
urbane së qytetit dhe i largon qoftë edhe për një ditë idenë e
stamposur në kokë se nuk është robot pune, që merr vetëm komanda për ti
zbatuar, por qenie njerëzore që për nga natyra ka nevojë të jetë në
marrëdhënie reciproke me njerëzit e tjerë.

Shqiptarët shfrytëzojnë shqiptarët

Punëdhënësi mund të jetë italian ose shqiptarë, ku ndryshimi mes tyre është mjaft i prekshëm dhe radikal.
Nëse e pyet një emigrant shqiptar se me kë punon dhe ai të përgjigjet gjithë
gëzim se punon me italian dhe në të kundërt shprehet me gjysmë zëri me
shqiptar. Pse ndodh kjo? Italianët zakonisht janë më njerëzorë në
sjellje dhe në komunikim, sepse të lënë të punosh brenda aftësive
fizike që ke pa të bezdisur shumë me kërkesa të tepërta, me qëllimin se
edhe nëse nuk ke ç’të bësh, duhet të harxhosh patjetër energji qoftë
edhe pa dobi, sepse po të paguan dhe nuk të kam marr të bësh “Qejf”.
Kjo nuk nënkupton se italianët janë engjëj, por se në krahasim me
shqiptarët, janë shumë më të sjellshëm si për nga natyra, qoftë edhe
nga frika që kanë kundrejt shqiptarëve. Me shqiptarin mjafton të dish
të komunikosh, të dish të sillesh, dhe nuk është e nevojshme t’i thuash
të punoj, ti japësh urdhra në rolin e eprorit, sepse punën e don dhe
nuk bën dredha.
Ndërsa nëse punon me shqiptarë do të thotë se je me
të vërtet pa fat dhe se ti edhe pse po punon në kohë moderne,
trajtohesh (në pjesën më të madhe të rasteve) si një skllav i vërtetë i
rendit skllav-pronar.
Ajo që kam vënë re me keqardhje në shumë raste
është se: shqiptarët shfrytëzojnë njëri- tjetrin këtu në mërgim. Si
ndodh kjo? Po ja një kategori e emigrantëve shqiptarë, që kanë ardhur
shumë kohë më parë këtu në Xhenova dhe janë sistemuar me punë stabël,
përpiqen të përfitojnë nga kategoria tjetër e sapoardhur, e pa
ambientuar, me pa mbështetje që nuk njohin askënd dhe kanë nevojë të
fillojnë të punojnë menjëherë.
Atëherë këta të mjerët e sapoardhur,
duke mos ditur mirë edhe gjuhën italiane e kanë pothuajse të pa mundur
të komunikojnë me vendasit si dhe për rrjedhojë të gjejnë punë. Kështu,
përpiqen të vihen në kontakt me bashkëkombësit e tyre që kanë ardhur më
parë, me shpresën se do i ndihmojnë për t’i i marrë në punë.
Të punosh me një bashkëkombës tëndin (nga rastet që kam vënë re unë) do të
thotë se: me të vërtetë do të kalosh një ditë pune me lodhje të
përballueshme dhe me gjendje dëshpëruese psikologjike deri në një
dëshpërim të madh në pritje që kjo ditë ferri të mbaroj sa më parë dhe
me shpresën e venitur, duke ju lutur zotit se dita e nesërme nuk do të
jete po aq e lodhshme sa kjo që sapo mbylla.
Ai që mbart rolin e
ustait apo mjeshtrit e trajton punëtorin e tij tamam si: kafshë që nuk
dinë dhe nuk ka të drejtë të reagoj apo të mbrohet, por thjeshtë zbaton
urdhrat sikur të ishte kalë karroce, që e shikon rrugën vetëm para.
Shqiptari për nga natyra, kanë qejf të madh të jap vetëm urdhra dhe të
bëj rolin e shefit qoftë edhe në realizimin e një diçkaje të vogël, për
të cilën mbart kompetenca të plota dhe të pa kundërshtueshme. Për të
kuptuar më mirë po ju jap një shembull si: ndërtimin e një muri të
thatë.
Kjo është një ndër punët më të lodhshme që asnjë emigrant nuk
do të donte të bënte punëtorin, sepse ka lodhje të madhe fizike.
Punëdhënësi i jep urdhrin punëtorit që gurët të vendosen mbi skele, pa pasur
parasysh se nëse mundet dhe nëse gurët janë tepër rëndë për ti lëvizur,
ta copëtosh gurin me barre, pa menduar aspak se guri mund të jetë shumë
i fortë dhe se nuk thyhet dhe etj. Ka edhe raste të tjera, kur ti je
duke u marrë me diçka dhe në të njëjtën kohë, punëdhënësi të kërkon ti
japësh çekiçin në dorë që e ka afër këmbëve. Këtë e bën për të lënë të
kuptuar se ai është pronari jot, dhe se detyra jote është të punosh pa
pushim dhe nën urdhrat e tija.
Këtë shembull e dhashë thjeshtë për
të pasur një ide se deri, ku shkon shfrytëzimi i shqiptarit nga vetë
shqiptari, që thyen limitet e humanizmit. Shfrytëzimi, nuk është vetëm
i karakterit fizik, ekonomik por edhe shkatërrim psikologjik, sepse
punëdhënësi mund të kaloj gjithë ditën duke e ofenduar dhe fyer rëndë
punëtorin e tij.
Ai mund ta ofendoj deri aty, ku nuk mban më, sepse
kërkon ti plotësoj dhe ti realizoj të gjitha qejfet dhe tekat e tija që
janë jashtë mundësisë njerëzore për tu plotësuar nga forca fizike e një
punëtori të vetëm. Punëdhënësi kërkon të realizoj një fitim të madh,
por duke u përpjekur që punën e njëzet punëtorëve ta bëj vetëm një,
sepse kërkon të fitoj shumë pa investuar aspak në krahun e punës.
Ndërsa
shfrytëzimi ekonomik nënkupton pagesa minimale në krahasim me mesataren
e tregut të punës si dhe vonesa të gjata kohore likuidimi.
Pse dhe si ndodh një shfrytëzim i tillë?
Sepse, zakonisht punëtorët shqiptarë që nuk kanë arritur të mësojnë një zanat
të mirëfilltë në fushën e ndërtimit, mund të kalojnë periudha të gjata
pa pasur punë dhe për rrjedhojë gjenden në vështirësi të mëdha
ekonomike.
Punëdhënësit shqiptarë, shfrytëzojnë pikërisht këto raste
të vështira dëshpëruese nëpër të cilat kalojnë kjo kategori emigrantësh
dhe ju ofrojnë pagesa qesharake (40 euro ditën e punës).
Jo vetëm që
në të vërtet i shfrytëzojnë në aspektin ekonomik, por në pamje të parë,
atyre ju shfaqen me fytyrën e engjëllit, duke ju thënë se ne po ju
ndihmojmë, po ju gjejmë punë dhe po ju trajtojmë si vëllezër.

Të jesh klandestin
Një
klandestin realisht nuk gëzon asnjë të drejtë, edhe atë më themeloren,
të drejtën për të jetuar, sepse lëviz gjithë frikë se mos e kapin
forcat e rendit edhe pse në fakt nuk ka bërë asgjë, përveç faktit që ka
thyer sovranitetin e një vendi për një jetë më të mirë.
Ai nuk mund
të punoj me rregulla dhe pagesa shoqërore, por thjeshtë në të zezë dhe
me pagesa qesharake, nuk mund të shikoj të afërmit dhe nuk mund të
kthehet në Shqipëri qoftë si për gëzime ashtu edhe për hidhërime
familjare.
Njohë personalisht një djalë të ri që ka ardhur në moshën
shtatëmbëdhjetë vjeçare, që nuk ka mundur të bëj dokumentet, por nuk ka
reshtur qoftë edhe një ditë duke punuar në të zezë, sepse në të bardhë
nuk mund, pasi për shtetin italian për statusin që mbart nuk ekziston.
Djali tashmë ka 20 vjeç dhe për faktin që nuk ka lejen e qëndrimit nuk e ka
parë familjen e tij gjatë gjithë kësaj kohe, sepse po të shkoj në
Shqipëri nuk mund të kthehet më, kurse në Shqipëri nuk qëndron, sepse
nuk ka punë.
Ai thotë se familjarët e mi kanë, harxhuar goxha para
nga ato pak kursime që kishim që unë të vija këtu të punoja dhe të
ndihmoja familjen time, sepse po kalonte një periudhë krize ekonomike
ngaqë të dy prindërit ishin pa punë dhe nuk kishin mundësi të gjenin
punë të re. Pra, mjafton vetëm ky shembull, për të kuptuar dhimbjen që
kalon një shqiptar klandestin nga jeta që është i detyruar në rrethana
të pa dëshirueshme ta bëj.
Një ditë një miku i im (të gjithë
shqiptarët e mirë që janë në mërgim këtu në Xhenova i kam miq) që është
njeri i mirë, por që për fatin e tij të keq është klandestin, më thirri
të shkoja ta takoja diku në Peli, ku po punonte.
Kishim shumë kohë
që nuk ishim parë, sepse unë i zënë me studime dhe ai i zënë me punë,
nuk kishim pasur asnjë hapësirë kohe për tu takuar dhe përshëndetur.
Për këtë arsye vendosa atë ditë që të shkoja ta takoja edhe përse ishte
pak larg.
Kështu bëra, shkova dhe e takova, e përshëndeta, e pyeta
se si po ja kalonte në punë dhe apo lodhej? Ai mu përgjigj duke
buzëqeshur dhe drejtuar gishtin tek disa porta të blinduara që ishin
mbështetur diku në një faqe muri dhe më thotë se: një derë e tillë
peshon njëqind kile dhe unë duhet ta marrë vetëm në shpinë dhe ta ngjis
në katin e gjashtë. Këtë punë bëj çdo ditë dhe më thuaj ti nëse lodhem
apo jo?! Mua më erdhi shumë keq dhe u gjeta në një pozicion të
vështirë, sepse nuk dija çfarë t’i thosha.
Megjithatë, u përpoqa ti
jap optimizëm, duke i thënë se më mirë do të bëhet, pa mendo të tjerët
që duan të punojnë, por nuk gjejnë punë e kështu me radhë. Fjalët e mia
ishin të kota, sepse realiteti jo vetëm i mikut tim, por i të gjithë të
tjerëve që mbartin statusin klandestin është i hidhur dhe tepër
dëshpërues.

Emigracioni jo individual dhe martesat miske

Emigracioni shqiptar këtu në Xhenova, nuk është vetëm i karakterit individual, por
edhe familjarë, sepse falë lehtësimeve të procedurave dhe vizave për
bashkim familjarë, shumë shqiptarët kanë sjellë edhe familjarët e tyre
si: bashkëshorten, fëmijët, prindërit etj. Pra, mund të themi se
emigracioni shqiptarë këtu në Xhenova, ka kaluar në një fazë të dytë,
atë të pjekurisë, të tipit familjarë.
Nuk janë të pakta rastet, kur
emigrantët e rinj që kanë ardhur në një moshë fare të re dhe kanë
zgjedhur martesa miske, duke zgjedhur bashkëshortë/e që janë qytetare
italiane, apo qytetarë nga komunitet e tjera të emigracionit që janë
vendosur në Xhenova.
Martesa miske nuk funksionojnë dhe nuk zgjasin
shumë, pasi në pjesën më të madhe të rasteve, bëhen për interesa të
njëanshme, dhe jo për hir të dashurisë së sinqertë të shprehur nga dy
palët. Kur, kam pyetur shqiptarët që janë martuar me të huaja
(italiane) se perse kanë zgjedhur të bëjnë një lidhje të tillë? Ato më
janë përgjigjur se: e kanë përdorur martesën për të marrë dokumentet
dhe lejet e qëndrimit. Ka edhe raste të tjera që ndoshta janë të pakta
në numër, kur bëhen martesa të sinqerta miske mbi bazën e dashurisë dhe
respektit reciprokë.
Kalimi i emigracionit shqiptar, këtu në qytetin
e Xhenovës, nga faza individuale e tranzicionit, në atë të emigracionit
familjarë dhe të pjekurisë, ka sjellë disa ndryshime që nuk janë të pa
dukshme, sepse kanë marrë edhe familjarët e tyre, kanë blerë shtëpi, ka
futur fëmijët në shkolla.
Kjo tregon, se po bëjnë investime
afatgjate dhe është e vështirë të besosh se kjo kategori e komunitetit
shqiptar (emigrantët shqiptarë përbëjnë numrin më të madh të
komuniteteve të huaja për numrin e shtëpive të blera) mund të rikthehet
përsëri në vendin e tyre të origjinës.
Në disa raste që kam pasur
mundësinë të takohem dhe të pi kafe me emigrantët të moshës relativisht
madhore, që kanë marrë edhe pjesën tjetër të familjes me vete dhe në
muhabet e sipër i kam pyetur nëse mendojnë të rikthehen përsëri në
Shqipëri? Ato me sy të përlotur më janë përgjigjur se tashmë janë
stabilizuar shumë mirë këtu me punë, me shtëpi dhe se tani nuk e
shikojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.
Pastaj, nuk e kanë shumë të
lehtë të kthehen edhe nëse duan, sepse fëmijët e tyre që frekuentojnë
shkollat këtu dhe që janë integruar plotësisht në shoqërinë xhenoveze
jo vetëm që nuk duan të kthehen përgjithmonë për të jetuar në Shqipëri,
por që as e mendojnë një gjë të tillë.
Shqipëria, për brezin e ri që
po rritet dhe që lind në Xhenova, bëhet gjithnjë më e largët dhe më e
huaj, sepse kjo kategori për fatin tonë të keq jo vetëm që po
integrohet më së mirë në shoqërinë vendase, por më saktë po asimilohet.
Një pjesë e mirë e tyre që kanë ardhur në një moshë fare të re, apo që kanë
lindur këtu, nuk dinë ta shkruajnë fare gjuhën shqipe, dhe e flasim
duke u menduar që të gjejnë fjalët e duhura për të formuar fjalitë.
Mendoj se ky është një ndër problemet kryesore që do të has në të
ardhmen emigracioni shqiptar, atë të humbjes së identitetit.

Opinioni i emigrantëve për Shqipërinë

Deri tani folëm për emigrantët shqiptarë këtu në Xhenova, por nuk kemi
përshkruar se çfarë mendojnë emigrantët shqiptarë për vendin tyre
Shqipërinë? Zakonisht në emigracion kanë ardhur persona që kanë qenë
mbushur me plot dëshpërim, vuajtje, zhgënjim, varfëri, stres dhe që nuk
kanë gjetur asnjë rrugë shpëtim për të dalë nga ferri i jetës së gjallë
njerëzore në Shqipëri, por me dhimbje, lot kanë marrë pa kushte rrugën
e emigracionit.
Prandaj, këto person është e vështirë të kenë një
opinion të mirë për vendin e tyre Shqipërinë. Le të bëjmë një dallim të
qartë në të shprehur, kur them “vend” e kam fjalën për klasën politike
që e ka dhe vazhdon ta qeverisë Shqipërinë.
Emigrantët, nuk është se
nuk e duan vendin, ku janë lindur ata dhe të parët e tyre, të cilin e
konsiderojnë me të drejtë si një vend të mrekullueshëm me mjaft pasuri,
por që fatin e këtij vendi të mrekullueshëm e kanë marrë në dorë
persona të papërgjegjshëm që nuk dinë të qeverisin dhe se mendojnë
vetëm për vetën e tyre.
Nëse edhe thjeshtë për të bërë për muhabet,
ose për kuriozitet i pyet emigrantët se çfarë mendojnë për politikën
dhe politikanët tanë? Ato nuk duan të flasin fare, por nëse insiston,
të përgjigjen se: ju ka ardhur në majës të hundës nga politika dhe
politikanët, sepse mendojnë vetëm për xhepat dhe veten e tyre.
Kjo nënkupton se edhe pse në pamje të parë nuk duan të shprehen aspak për
politikën shqiptare, që i varfëroj shpirtërisht, ekonomikisht dhe që i
degdisi nëpër botë, thellë në të vërtetë emigrantët, kanë krijuar
ndoshta një urrejtje të justifikuar mbi politikën shqiptare nga faktet
se si i kanë qeverisur në dy dekadat e fundit, pa llogaritur edhe
periudhën e errësirës së madhe në pesëdhjetë vitet e komunizmit
çnjerëzorë shqiptar.
Gjatë kësaj vere që sapo kaluam u ktheva me
pushime në Shqipëri, pranë familjes time dhe një ditë më merr në tel
një miku im që jeton prej kohësh me familjen e tij në qytetin e
Xhenovës dhe më fton për të pirë një kafe, sepse edhe ai ashtu si unë,
ishte kthyer në Shqipëri për pushime.
Pas telefonatës që bëra, dal
nga shtëpia dhe shkoj ta takoj diku tek Zogu i Zi, ku po më priste në
makinë bashkë me vajzën e tij gjashtë vjeçe.
U takuam dhe u
përshëndetëm dhe pastaj hipëm në makinën e tij dhe u nisem për të
shkuar në një bar diku jashtë Tiranës për të pirë kafen. Gjatë rrugës,
miku im pyet gocën e tij gjashtë vjeç se: ku është më mirë këtu në
Shqipëri, apo atje në Xhenova? Ajo edhe përse e vogël në moshë
përgjigjet si një e rritur se: këtu në Shqipëri duhet të vijnë për të
parë të afërmit tanë, por atje në Xhenova, ku ne jetojmë është më mirë,
sepse rrugët janë të pastra, këpucët nuk të bëhen me pluhur sikur të
ecësh nëpër Sahara, se rrugës, kur kalon afër koshave të plehrave nuk
vjen erë e keqe e kështu me radhë.
Zgjedhja e kësaj vajze që ka
vetëm gjashtë vjeç, tregon se sa i vështirë është bërë realiteti i
përditshëm në Shqipërinë tonë të dashur, ku shumë gjëra vazhdojnë të
jenë shumë larg standardeve evropiane. Gjithashtu, kjo nënkupton dhe sa
dëshirë kanë fëmijët që kanë ardhur të vegjël apo që kanë lindur në
Xhenova për tu kthyer përgjithmonë në vendin e origjinës, Shqipërisë.
Është për të ardhur keq që prindërit e tyre janë larguar të mbushur më
zhgënjime dhe që edhe fëmijët e tyre vazhdojnë të ushqehen me
dëshpërimin e prindërve të tyre, sepse kur bëjnë krahasimin mes jetës
që bëjnë këtu Xhenova, dhe asaj që gjejnë dhe prekin për ato pak ditë
që shkojnë me prindërit me pushime në Shqipëri, është njëlloj sikur të
krahasosh natën me ditën, ose dy standarde me nivele krejtësisht të
largëta.
Duhet të theksojmë se: edhe pse emigrantët shqiptarë janë
larguar nga Shqipëria, kundër dëshirës së tyre, sepse nuk kishin asgjë
të sigurt dhe të garantuar, duke u nisur nga gjetja e një vendi pune
deri tek siguria për jetën .
Ato, përsëri kanë mall dhe nostalgji
shumë të madhe për vendin e tyre, ku janë lindur, janë rritur dhe kanë
të afërmit e tyre, kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribute të
mëdha ekonomike, por irritohen dhe nuk pranojnë dot realitetin që është
krijuar nga një klasë politike që është krejtësisht indiferente
kundrejt halleve dhe problemeve të qytetarëve.

Integrimi social, kulturor dhe politik i shqiptarëve
në Xhenova


Më i ngadaltë është integrimi social-kulturor dhe ai politik që kërkojnë
disa dhjetëra vjet edhe në vende të hapura si Shtetet e Bashkuara, ku
grupe të ndryshme etnike kanë jo më pak se dy ose breza për një
integrim, që jo gjithmonë është realizuar në këtë kategori.
Shqiptarët, në qytetin e Xhenovës, janë komuniteti më pak i organizuar në forma të
përbashkëta organizative jo qeveritare, për mbrojtur të drejtat e tyre
kolektive. Edhe pse janë të shumtë në numër, deri në vitin 2003, ku për
herë të parë u themelua, organizata e parë shqiptare “Gjenerata Re
Shqiptare”, shqiptarët nuk ishin grumbulluar në asnjë formë
bashkëpunimi apo grupimi të përbashkët në mbrojte të drejtave të tyre
kolektive si komunitet.
Organizata “Gjenerata Re Shqiptare” e
formuar nga një grup të rinjsh që sapo kishin ardhur nga Shqipëria për
të kryer studimet e larta, është përpjekur që përmes programeve të saja
dhe bashkëpunimeve që ka bërë, të ngrejë lartë jo vetëm vlerat dhe
imazhin e komunitetit shqiptar të vendosur në Xhenova, por edhe atë të
Shqipërisë.
Falë iniciativave dhe punës vullnetare që ka bërë
kryetari i kësaj organizate dr. Alban Daci si dhe ndihmës që ka dhenë
dhe vazhdon të jap i nderuari Giuseppe Maria Durazzo, Konsull i Nderit
në Montekarlo për Republikën e Shqipërisë, komuniteti shqiptar në
Xhenova po integrohet edhe në sport.
Për herë të parë në historinë e
Xhenovës, falë iniciativës së dr. Alban Daci dhe mbështetjes personale
që ka afruar Konsulli Durazzo është themeluar një skuadër futbolli
shqiptare, vetëm me djem të ri shqiptarë që jetojnë në këtë qytet dhe
quhet “Reale Durazzo” në nderë të familjes fisnike shqiptare “Durazzo”,
që erdhën si skllevër dhe falë aftësive të tyre kanë qeverisur për
dekada Republikën e Xhenovës.
Sa i përket integrimit politik të
shqiptarëve, për momentin as që nuk mund të flasim, sepse janë disa
kushte formale dhe informale që mund të plotësohen vetëm me kalimin e
kohës dhe me ndërrimin e brezave për të realizuar një integrim të kësaj
natyre. Një ndër kushtet themelore për pjesëmarrje politike, sipas
kushtetutës italiane është të zotërosh nënshtetësinë italiane.
Gjithashtu, një kërkesë tjetër informale po aq e rëndësishme për
pjesëmarrje dhe përfaqësim politik është të kesh një titull lartë
studimesh.
Kjo kërkesë që të realizohet, do të paktën të kaloj edhe
një brez tjetër të bëhet realitet, sepse tani për tani shqiptarët kanë
sfida të tjera më të vështira për të përballur. Integrimi politik mund
të bëhet vetëm, kur të rriten dhe të arsimohen fëmijët e emigrantëve
shqiptarë që janë lindur dhe janë arsimuar këtu në Xhenova.

Opinioni i shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri
mbi emigracionin


Po shqiptarët që ndodhen në Shqipëri që nuk kanë emigruar asnjëherë dhe
nuk e njohin aspak realitetin e të qenit emigrant çfarë mendojnë për
ato që kanë marrë rrugën e mërgimit? Përderisa në Shqipëri ashtu si në
çdo vend të botës, kemi shtresa të ndryshme shoqërore, për rrjedhojë
nuk mund të kemi një opinion uniformë kundrejt emigrantëve që kanë
zgjedhur të jetojnë dhe të punojnë jashtë.

Prandaj, do të përpiqem të bëj disa klasifikime si më poshtë:

familje shqiptare që në mënyrë të drejtë apo të pa drejtë, kanë arritur të
shfrytëzojnë ato pak hapësira që kishte realiteti shqiptarë, jo vetëm
për të siguruar një jetë normale, por edhe për të garantuar të ardhura
aq të mjaftueshme sa mund të klasifikohen si të pasur. Meqë, këto
familje kanë arritur të sigurojnë standarde të mira jetese, nuk kanë
pasur nevojë të emigrojnë dhe ta njohin botë e emigrantit, i bën ata të
jenë plotësisht indiferent për këtë fenomen që e konsiderojnë
krejtësisht të huaj dhe aspak të pranishëm në jetën e përditshme të
tyre.
bota e turizmit shqiptar, i njeh në raportin e klientit në
llogaritjen e përfitimit ekonomik dhe pothuajse nuk krijojnë aspak
marrëdhënie të karakterit social, por vetëm në kuadrin e ofrimit të një
shërbimi të mirë të ofruar gjatë pushimeve, kundrejt përfitimit që
marrin prej emigrantëve në formën e pagimit për shërbimin që kanë
marrë. Megjithatë, duhet të theksojmë se turizmi i lirë privat në
Shqipëri, nuk ka një histori të gjatë dhe nuk pasqyron pjekuri shërbimi
për klientët. Prandaj, edhe emigrantët shqiptar ashtu si qytetarët e
tjerë jo gjithmonë janë të kënaqur për pushimet që kanë kaluar.
familjet
që bëjnë pjesë në shtresën e mesme dhe të varfër të shoqërisë shqiptare
dhe që janë prekur drejtë për së drejti nga emigracioni, ku kanë të
paktët një anëtarë të familjes, e shikojnë emigracionin si: një mundësi
shpëtimi nga varfëria, një opsion të sigurt për zgjidhjen e shumë
halleve që kanë, por edhe si dhimbje të thellë shpirtërore, për faktin
se kalojnë një kohë të gjatë pa u parë dhe pa ndarë emocionet më të
rëndësishme të jetës së tyre.
Shteti shqiptarë, është krejtësisht
indiferent për t’iu qëndruar pranë, kur emigrantët shqiptarë kanë
nevoje dhe shumë vigjilent për të shfrytëzuar të ardhurat e tyre në
mbushjen e boshllëqeve të buxhetit shtetëror. Shteti shqiptar, me plot
kuptimin e fjalës që nga origjina e emigracionit deri më sot nuk ka
bërë asgjë konkrete për emigrantët.

Çfarë opinioni kanë italianët për shqiptarët, a janë ata racistë si dhe a mund të bashkëjetojnë së bashku

Duhet të theksojmë se jo vetëm në Xhenova, por në të gjithë Italinë, ka një
numër të konsiderueshëm punësh që janë pak të pëlqyeshme dhe që paguhen
pak- në agrikulturë, në sektorin e ndërtimit, në peshkim, në industrinë
e rëndë, në shërbime të veçanta shtëpiake- që italianët nuk duan ti
bëjnë më, sepse në shumicën e rasteve niveli i tyre i përgatitjes
shkollore si dhe mirëqenia familjare i shtynë ti refuzojnë.
Ndarja
Ne/Ata ( shqiptarë/ italianë), prezantohet si një zbulim i vërtetë i
një gjendje fakti të një realiteti dhe si një ndarje thelbësore,
identiteti, mes grupeve të ndryshme si rezultat i një seri
marrëdhëniesh sociale.
Kjo na fton të mos përqendrojmë vëmendje mbi
karakteristika të supozuara mes Nesh dhe Atyre, të marra si vlera
autonome dhe të izoluara, por me vëzhguar në zona përplasje, përballje,
ndërmjetësimi dhe dialogu. Prandaj, na fton të vëzhgojmë çështjet e
diskriminimit e krijimit të diferencave nga një pikëpamje marrëdhëniesh.
Problemi
i një përkufizimi Ne/Ata dhe një përdorimi shoqërorë i këtyre
kategorive është një çështje që ka të bëj me momente relacionale,
konkretisht rastet e aksionit social, nuk janë çështje që zgjidhet në
të kuptuarin mirë kush jemi Ne dhe kush janë Ata.
Prandaj, duket e
nevojshme jo shumë të pyeten mbi një shembull statuti të identiteteve
respektive, se sa mbi marrëdhëniet që vendosin në lidhje, ndonjëherë në
kundërvënie, këto terma dhe identifikimet që i ndërtojnë.
Një vëzhgim i drejtë dhe racional na fton të lëmë hipotezën se diskriminimi
dhe pengesa përballë diferencave mund të jetë i rikthyer në faktor
“personal”, që është i mundur ti ndaj njerëzit në dy njësi: racistë dhe
jo racistë.
Sikur nënvizon Taguieff se: nëse nuk je racist mund të
bëhesh dhe nëse ke qen mund të mos jesh më. Racizmi i shfaqur nga
sjellja e një aktori social nuk mund të shpjegohet përmes tendencave
dhe udhëzimeve të këtij të fundit. Elementi kryesor i shpjegimit të një
qëndrimi social është situata.
Marrëdhënia që ndërton ndarjen Ne/Ata duhet të analizohet duke pasur parasysh kontekste të veçanta dhe asimetrinë e pushtetit.
Kjo nënkupton se duhet të reflektojmë jo vetëm në ndërtimin e kufijve
social (identitet, diferencë) por edhe mi hierarkinë (pozicionin
social, pushtetin) që nga ndarja Ne/Ata gjejnë legjitimitet dhe mundësi
konkrete manifestimi dhe përdorimi.
Ndarja Ne/Ata nuk mund të jetë e
vlerësuar në një kontest të universalizmi dhe reciprociteti të rremë.
Një reflektim serioz mbi diskriminimin duhet të di të shoqërohet në
reflektim multikulturor dhe interkuluror- një diskutim që kërkon të
mbaj diskriminimet në ballafaqimin e Tjetrit duke celebruar diferencën,
duke favorizuar një njohje të tijën , duke kërkuar të edukoj në
kulturën e të tjerëve për të bërë të mundur ta njohin dhe ta admirojnë
– një reflektim mbi diskriminimin i vënë në jetë nga grupe homogjene që
vlerëson dimensionet strukturale të proceseve përjashtuese , që i kthen
me shumë se të vetëdijshëm anëtarët e grupit dominuese të paragjykimit
të tyre dhe të racizmit të tyre (Anthias e Lloyd, 2002).
Pjesa dominuese që përbën shumicën luan rol qendror që mund të konsiderohet
edhe si problematik. Të reflektuarit mbi modalitetin e marrëdhënieve,
të integrimit të bashkëjetesës mes grupeve që konsiderohen të ndryshëm,
nuk mbarohet - as zgjidhet kryesisht - në një analizë të
karakteristikave dhe aksioneve të grupeve minoritare, por duke
propozuar çështjet e statusit të mazhorancës: marrëdhëniet
ndërkulturore nuk shqyrtojnë karakteristikat e pakicave, mbi të gjitha,
mendimin, identifikimet dhe aksionet e grupit dominues (Tëëne e
Gallagher, 2008; Essed e Trienekens, 2008).
Të pyesësh mbi
bashkëjetesën multikulturore sot në Itali është para së gjithash të
pyesësh mbi idenë e “Italianizmit”, mbi ndërtimin lokal të identitetit,
të kufijve, e mbylljeve dhe të hapjeve të “italianëve”: forma jo të
thjeshta “reagimi” në sjellje, qëndrime ose “karakteristika themelore”
të Tjetrit.
Prej vitesh studiozët theksojnë se transformimet e
thella në retorikë dhe në praktikë të diskriminimit. Termat e ri si
racizëm institucional, kulturor, racizmit simbolik, racizëm ditor
tentojnë të theksojnë që jemi përballë në praktikë dhe retorikë se sa
në biologji dhe në racë gjejnë bazë në kulturë, praktikë që më shumë se
të shfaqen në aksione eksplicite dhe violente përsëriten në mekanizma
anonim të burokracisë, në përtesën për të menduar si zakonisht.
Forma diskriminimi më pak radikal, por në realitet rezultojnë të aftë me
efekte më të përhapura dhe këmbëngulës, sepse fshehin prezencën e tyre
dhe mekanizmat të funksionimit të tyre, prezantohen si “realiteti i
fateve”, mënyrë normale për të bërë gjërat, aksionet që ju mungojnë çdo
kuptimi diskriminues.
Ka të bëj me një racizëm pa racë, me një
diskriminim pa sharje eksplicite, më mbrojtës se fyes, “Racizëm që ka
temë dominuese jo trashëgiminë biologjike, por pamposhtmërinë e
diferencës kulturore: një racizëm që, me pamje të parë, që nuk kërkon
me ngulm superioritetin e disa grupeve ose popujve mbi të tjerët, por
“vetëm” papërshtatshmërinë e njerëzve dhe traditave (Balibar e
Wallerstein, 1991).
Diskutimi mbi diskriminimin bashkëkohor
prezantohet si një racizëm pa racë, propozohet të ruaj diferencat e
grupit dominues duke e konsideruar emigracionin si një rrezik, një
invazion që vë në diskutim unitetin dhe identitetin kombëtar ose lokal.
Deri tani shpjeguam termin diskriminimin në linja të përgjithshme si dhe
formën e racizmit bashkëkohor që shfaqet jo vetëm në Itali, po në të
gjitha vendet e zhvilluara që kanë pritur emigrant në dy dekadat e
fundit. Ky shpjegim ndihmon për të kuptuar dhe analizuar rastin e
emigracionit shqiptarë në Xhenova në raport me popullsinë vendase
(italianët).
Atëherë le të fillojmë me pyetjen se: çfarë opinioni kanë italianët për shqiptarët?
Duhet që qartësojmë se opinioni konsiston në përmbajtjen e ndërgjegjes së një
personi pavarësisht nga gjykimi mbi vërtetësinë e tij ose falsitetin.
Mendoj se italianët këtu në Xhenova mbi shqiptarët shfaqin dy lloj opinionesh:

1. të drejtë duke thënë të vërtetën
Opinioni i drejtë që italianët shfaqin për shqiptarët është se: shqiptarët janë
njerëz që punojnë shumë, që respektojnë ligjin, që dinë të sillen, janë
të zot, kanë prirje për të mësuar shpejt gjuhët e huaja, luftojnë për
të bërë një jetë të mirë dhe që herë- herë me punët e tyre të ndershme
dhe të lodhshme janë bërë më të pasur se edhe vetë italianët.
Një ditë shkova në një bar këtu në Xhenova, për të konsumuar diçka dhe fare
rastësisht hyra në bisedë me pronarin e barit që më pyeti nëse isha
turist i huaj?! Jo i thashë, jam shqiptar dhe kam ardhur për studime
këtu. Kur, e mori veshtë se isha shqiptar më tha shqip “ej Shoku”.
Pronari i lokalit vite më parë kishte punuar në sektorin e ndërtimit
dhe më tha se njihte shumë shqiptarë, me të cilët kishte punuar. Ai u
shpreh se shqiptarët janë punëtorë shumë të zotë, sidomos në ndërtimin
e mureve të thata.
Opinione të kësaj natyre mbi shqiptarët ka shumë,
por janë të rasteve, kur vetë deklaruesit janë të implikuar
drejtpërdrejtë në çështjen që bëhet fjalë. Pothuajse në të gjitha
rastet, kur italianët shfaqin opinion pozitiv mbi shqiptarët, do të
thotë se për arsye pune apo në rrethana të tjera të natyrës sociale,
kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë dhe i kanë njohur personalisht nga
afër shqiptarët.

2. opinion paragjykues duke sfiduar faktet dhe vërtetësinë.
Paragjykim
do të thotë vetëm “gjykim paraprak” ose gjykim që prononcohet para një
provimi të plotë të të gjithë atyre elementeve të rëndësishëm. Nga
periudha e iluminizmit termi “paragjykim” fiton një ngjyrim negativ.
Allport thekson se: paragjykimi përcakton një farë orientimi drejt kategorive
të përgjithshme njerëzore se sa drejt individëve, ose shqyrton
individët jo në individualitetin e tyre, por si anëtarë të një kategori.
Disa italian që për fatin tonë nuk përbëjnë shumicën në numër, por që kanë
në dorë forcën e fjalës (gazetarë jo realist), medien, mjaftojnë të
gjejnë një rast edhe të vetëm, kur një shqiptarë shkel ligjin, apo
devijon ( devianzë quajmë aktin që dhunon normat e një komuniteti dhe
ndëshkohet me një sanksion) dhe të shkruajnë duke deklaruar pa baza
faktesh, por për interesa të caktuar se të gjithë shqiptarët shkelin
ligjet.
Pra, këto gazetarë që mbulojnë kryesisht kronikat e zeza,
paragjykojnë të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe punëtorë, duke
përdorur stigmën dhe stereotipin shqiptarë, qoftë edhe kur kemi vetëm
një rast të asaj natyre.
Ky lloj paragjykimi publik, ndikon tek të
gjithë qytetarët e tjerë italian, që nuk kanë asnjë lloj forme kontakti
me shqiptarët, të forcojnë paragjykimin e marrë nga mediet, duke e bërë
akoma edhe më real e të besueshëm në impaktin e drejtpërdrejtë shoqëror.
Sipas një ndër studiuesve dhe kriminologëve më të mëdhenj amerikanë Edwin H.
Sutherland se: sjellja devijuese nuk është as e trashëguar as e
trilluar nga aktori, por e mësuar përmes komunikimit me persona të
tjerë. Citimi i studiuesi amerikan, gjen aplikim në rastit tonë
konkret, sepse një shqiptarë, kur vjen në një moshë fare të këtu në
Itali, nuk është aspak i prirur për të devijuar, por janë rrethanat që
e detyrojnë në një farë mënyrë për të bërë diçka kundër vullnetit dhe
dëshirës së tij.
Po ju tregoj një histori për të qenë më të qartë se
çfarë dua t’iu them. Kjo është historia e një të riu shqiptar, që sapo
kishte mbushur 19 vjeç, vite më parë vjen këtu në Xhenova, për të
realizuar ëndrrën e tij universitare, por edhe pse kishte një talent të
trashëguar intelektual, nuk kishte mundësi ekonomike të vazhdonte
studimet. I riu i sapo ardhur kishte bërë kërkesën për përfituar
konviktin, po nuk e fiton dot, sepse konsiderohet me të ardhura të mira
familjare (në familje punonte vetëm babai me një rrogë mujore prej 100
eurosh). I riu i vendosur për të realizuar ëndrrën universitare, vendos
të shkoj të takoj personalisht drejtoreshën e konvikteve për ti treguar
se: vjen nga një familje që arsimin e kanë konsideruar gjithmonë si të
rëndësishëm dhe të pa zëvendësueshëm në formimin kulturor të individit
dhe se ëndrra e tij është të mbaroj universitetin dhe të integrohet me
të drejta të barabarta në shoqërinë italiane.
Ai i argumenton drejtoreshës se:
nëse nuk e ndihmon duke i ofruar vetëm një vend fjetje
në konvikte, ëndrra e tij jo vetëm që nuk do të realizohet, por se ai
do të gjendet fare i vetëm në mesin e rrugës, i pa strehë, i pa ngrënë,
i pa mbrojtur dhe pa eksperiencë në një vend të huaj. Në këto rrethana
kundër vullnetit dhe ëndrrës së tij mund të bëhej devijues në kërkim të
mbijetesës dhe të respektimit të ligjit të egër të rrugës.
Pra, jeta e këtij të riu ishte me të vërtetë në duart e kësaj zonje që
përfaqësonte institucionin e strehimit për studentë. Për fatin e mirë,
drejtoresha u tregua zemër mirë, dhe me aktin e ofrimit të vendit të
fjetjes, mbrojti ëndrrën e një të riu shqiptar, që kishte ardhur nga
një realitet ku nuk kishte ëndrra por ankthe.
Falë asaj ndihme, i
riu shqiptar jo vetëm që realizoj ëndrrën e tij universitare, por me
sjelljen e tij kulturore dhe me kapacitetin e tij intelektual vazhdon
të jetë një shembull jo vetëm si shqiptarët ashtu edhe për italianët.
Ky shembull tregon se nëse një shqiptarë devijon, është faji edhe i
vendasve që nuk i kanë ofruar asnjë mundësi që të integrohet dhe të
realizoj ëndrrat e tij, ashtu si qytetarët e tjerë vendas.
Para se të analizojmë se nëse italianët janë racistë apo jo kundrejt
shqiptarëve? E shikoj të arsyeshme të shpjegojmë metamorfozën e
racizmit nga biologjik në kulturor.
Racizmi biologjik (klasik), që
bazohej mbi karaktere trupore për të justifikuar raportet e pa
barazisë, ka humbur besueshmëri. Megjithatë qëndrimet raciste nuk janë
zhdukur, por kanë zënë forma më pak eksplicite, si për shembull ai i
diskutimit mbi ndryshimet dhe mos përputhjet mbi kulturat që
legjitimojnë masa veçimi dhe përjashtimi.

Pra ashtu siç kemi theksuar më sipër kemi kaluar nga racizmi me racat në një “racizëm pa
raca”, që është një formë racizmi shumë evident, sepse fshihet poshtë
veshjeve “pozitive” të diferencës dhe mbron larmi kulturash.
Mendoj se qytetarët italian në Xhenova janë më shumë në fazën e paragjykimit,
se sa të racizmit të mirëfilltë kundrejt shqiptarëve. Pse shprehem
kështu? Sepse, jo të gjithë xhenovezët, kanë qëndrim konstant racist
mbi shqiptarët, por opinioni i tyre është në formën e një cikli, ku në
momente të caktuara shfaqet me kuota të lart
  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!

Komentet