Quo vadis Kosova? nga av. Jordan DACI, MA

Nga Av. Jordan DACI, M.A*

           Ky fillim viti, pritet që të jetë vendimtar për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe në të njëjtën kohë edhe një periudhë sfide për Kosovën dhe qytetarët e saj. Është me rëndësi që institucionet vetëqeverisëse, klasa politike dhe e gjithë popullsia, të ndërgjegjësohen për rëndësinë që kanë këto zhvillimet për të ardhmen e Kosovës dhe të ardhmen e tyre. E thënë me fjalë të tjera, statusi përfundimtar i Kosovës dhe e ardhmja ekonomike e sociale e vendit qëndrojnë mbi interesat politike dritëshkurtra. Një rol i rëndësishëm duhet luajtur edhe nga Republika e Shqipërisë, e cila për hir të së vërtetës me paqëndrueshmërinë dhe papjekurinë politike që po tregon nuk e ndihmon aspak çështjen e Kosovës. Një Shqipëri e fortë ekonomikisht dhe politikisht është një faktor i rëndësishëm në lojën e madhe ndërkombëtar nga e cila varet në një pjesë të madhe edhe e ardhmja e Kosovës.

          Pavarësisht nga rrethanat që ndikojnë në zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, praktika e deritanishme ka provuar që çdo zgjidhje e propozuar që do të legjitimizojë ndarjen e pushtetit mbi baza etnike dhe që nuk do të shkëpuste përfundimisht Kosovën nga Serbia, pavarësisht nga emri dhe forma e saj, nuk do të prodhonte stabilitet dhe do të ishte shkak për keqësimin e situatës politike, ekonomike dhe të sigurisë në mbarë Ballkanin. Po ashtu, është me rëndësi të kuptohet nga opinioni publik që integrimi evropian nuk mund të zgjidh problemin e Kosovës, pasi integrimi i plotë i Kosovës dhe i vendeve fqinje do të zgjasë më shumë se dy dekada dhe sigurisht çështja e Kosovës nuk mund të pres edhe disa dekada të tjera për tu zgjidhur. Sigurisht, ky qëndrim nuk cënon faktin që integrimi evropian shërben ndër të tjera edhe si faktor stabiliteti, i cili po të shoqërohet edhe me veprime dhe nisma të tjera, ndihmon fuqishëm shuarjen e konflikteve etnike dhe hedh bazat për një të ardhme të sigurt pa konflikte. Siguria për këtë sukses, sigurisht është dhe do të jetë mirëqenia, e cila edhe në Bashkimin Europian të sotëm është faktori kryesor i unitetit dhe që nxit përparimin drejt një të ardhmeje më të mirë dhe të sigurt për mbarë komunitetin evropian dhe tërthorazi edhe për mbarë botën. Ndërkohë, varfëria dhe mjerimi nuk prodhojnë asgjë tjetër veçse konflikte. Kjo klimë konfliktuale, pasqyrohet edhe në situatën politike dhe cënon ndër të tjera edhe raportet midis qeverisë dhe qytetarëve. Këto të fundit tashmë, presin me padurim përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës.
          Përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës, është një ndër çështjet më të rëndësishme me të cilat përballet Ballkani, BE dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Rëndësia e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës materializohet më shumë në ndikimet që do të ketë ky status në politikën ndërkombëtare dhe veçanërisht në atë Ballkanike. Diskutimet mbi këtë çështje, nuk mund të ndahen nga ose të lënë mënjanë, frymën nacionaliste që ka mbizotëruar dhe vazhdon të mbizotërojë në politikën e Ballkanit dhe atë botërore si dhe interesat ekonomikë dhe ato gjeopolitikë të vendeve të fuqishme të Komunitetit Ndërkombëtar. Për një pjesë të madhe të shteteve, politika e jashtme, bazohet në fuqinë, e cila në shumicën e rasteve është rezultat i aleancave ushtarake dhe ekonomike, shpesh herë edhe jo të deklaruara. Çështja e Kosovës për shumë shtete nuk është asgjë tjetër veçse një numër në llogaritë mbi ekuilibrat e fuqisë politike, ushtarake dhe ekonomike. Sigurisht një fakt i tillë i bën qytetarët e Kosovës të jenë më shumë të shqetësuar për të ardhmen e tyre, e cila për ato sigurisht nuk nënkupton një numër më shumë në llogaritë e aktorëve të komunitetit ndërkombëtar... Në të vërtetë, për të gjithë është më se e qartë që politika ndërkombëtare është një çështje pazari kur “mallrat dhe shërbimet” që shkëmbehen në këtë rast janë interesat ekonomik, gjeopolitik etj. Nga ana tjetër, procesi i përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës, nuk mund të trajtohet si një proces i shkëputur nga proceset dhe politika ndërkombëtare e shteteve më të fuqishme të botës, ndonëse për qytetarët e Kosovës, kjo çështje lidhet në pjesën më të madhe vetëm me të ardhmen e tyre. Po ashtu, një ndikim jo të pakët në përcaktimin e statusit kanë edhe interesat afatgjata të shteteve me ndikim në komunitetin ndërkombëtar.
          Në këto kushte, lind pyetja çfarë mund të jetë statusi përfundimtar i Kosovës? Sigurisht për Shqiptarët do të thotë pavarësi, ndërsa për Serbët, më pak se pavarësi dhe më shumë sesa autonomi. Nga ana tjetër, Komuniteti ndërkombëtar ende nuk është përcaktuar qartë dhe pritet të fshihet pas propozimeve të Ahtisarit. Ndërkohë, në tryeze të bisedimeve janë hedhur shumë teza, e përbashkëta e të cilave është prania ndërkombëtare për një periudhë të pacaktuar kohe. Sigurisht, nga një këndvështrim logjik, prania ndërkombëtare është më se e nevojshme për një periudhë kalimtare për arsye të nevojës së ruajtjes së rendit, qetësisë dhe mbi të gjitha për të ndihmuar institucionet vetëqeverisëse të perfeksionohen dhe të sigurojnë në zhvillim të qëndrueshëm dhe mbi të gjitha për të bindur Serbët e Kosovës ta shohin shtetin e Kosovës si shtetin e tyre dhe të punojnë së bashku në garantimin e një sistemi qeverisje demokratik dhe funksional. Megjithatë, shtrohet pyetja se cili do të jetë roli i Administratës Ndërkombëtare pas përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës? Sigurisht, kjo është një çështje në diskutim e sipër, por ajo që duhet të shmanget me çdo kusht, është krijimi i një Bosnje e Hercegovine të Re, e cila ka provuar që është jo funksionale dhe i ngjan një kolonie moderne, që ndryshe nga modelet origjinale nuk udhëhiqet nga një shtet, por nga një grup shtetesh apo grup individësh. Çështja më kryesore e përcaktimit të statusit, ka të bëjë me fitimin ose jo të personalitetit ndërkombëtar ose të të qenit subjekt pares inter pares (i barabartë ndërmjet të barabartëve) i të Drejtës Ndërkombëtare, gjë e cila në kuptimin juridik, nuk mund të ndodhë pa ndryshimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit (KS). Megjithatë, duke iu referuar zhvillimeve më të fundit, ndryshimi i kësaj rezolute me anë të një votimi në KS që do të kishte si rezultat pavarësinë e Kosovës, praktikisht duket një mision i pamundur, për shkak të qëndrimit të Rusisë dhe ndoshta edhe i Kinës si anëtare me të drejtën e vetos në KS. Në këto kushte, lind pyetja se si do veprohet? Sigurisht, sipas mendimit tim, mendoj që zgjidhja e vetme, do të jetë një njohje mbi baza individuale e shtetit të ri të Kosovës. Gjëja më e fundit e cila do të tremb qytetarët e Kosovës, është teza e braktisjes së saj nga prania ndërkombëtare, e cila për shumë arsye nuk mund të ndodh... Ndërkohë, është më se e qartë që statusi i ri i Kosovës për shumë shtete çfarëdo qoftë ai, do të jetë për një kohë të gjatë i papranueshëm dhe kjo duhet të jetë një arsye më shumë për komunitetin ndërkombëtar për të qenë më i qartë dhe i prerë në përcaktimin e këtij statusi. Çdo formë e cila do të legjitimonte një pushtet shtetëror i bazuar në ndarjen etnike dhe një pushtet kolonial do të ishte jo funksional dhe nuk do të ishte një faktor stabilizues në Ballkan, por vetëm një konservues i gjendjes aktuale. Zgjidhja më e mirë, do të ishte një Kosovë e pavarur, me të drejta të plota për të qenë anëtare e barabartë e komunitetit ndërkombëtar dhe organizmave ndërkombëtare. Ndërkohë, roli i administratës ndërkombëtare është një çështje me rëndësi të dorës së dytë e cila në çdo rast nuk mund të jetë përveçse e përkohshme. Çdo zgjidhje tjetër, që nuk do të garantonte një personalitet të qartë të shtetit të Kosovës dhe të shkëputur plotësisht nga Serbia, pavarësisht nga roli dhe prania ndërkombëtare do të ishte një status i njëjtë me të sotmin, vetëm se në këtë rast do të kishte një emër të ri, por në thelb do të kuptonte të njëjtën gjë. Shpresojmë, që tashmë komuniteti ndërkombëtar ka kuptuar tashmë, që krijesat artificiale si unioni i Serbisë dhe Malit të zi, apo forma të tjera si Bosnja e Hercegovina, nuk janë funksionale dhe nuk prodhojnë zhvillim dhe stabilitet, por janë thjesht forma të cilat kanë si synim shtyrjen në kohë të zgjidhjes përfundimtare të problemeve...Pa vendosmëria e Komunitetit Ndërkombëtar për t’u përballur siç duhet me problemet nuk mund të jetë shkak për t’i mohuar të drejtën për tu vetëqeverisur një populli të robëruar ndër shekuj...


*Lektor i të Drejtave të Njeriut dhe i të Drejtës Ndërkombëtare Publike, Master për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë, Universiteti i Bolonjës dhe Sarajevës

Publikuar këtu më 17/10/2007

  • 9 vota. Mesatarja e 4.11 të 5.

Komentet

  • free advertising online
    Definitely believe that which you said. Your favorite reason seemed to be on the net the easiest thing to be aware of. I say to you, I definitely get annoyed while people consider worries that they plainly don't know about. You managed to hit the nail upon the top as well as defined out the whole thing without having side-effects , people could take a signal. Will likely be back to get more. Thanks
  • Top Web Hosting
    I can see that you are an expert at your field! I am launching a website soon, and your information will be very useful for me.. Thanks for all your help and wishing you all the success.
  • instant payday loans
    Hello There. I found your blog using msn. This is a very well written article. I'll make sure to bookmark it and return to read more of your useful information. Thanks for the post. I will definitely return.
  • Webmasteri
    • 4. Webmasteri Më 19/05/2008
    Lini komentin a opinionin tuaj këtu !