Pjesa IX Gjykatat

Neni 135[1] 

1. Pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata e Lartë, si dhe nga gjykatat e apelit e gjykatat e shkallës së parë, të cilat krijohen me ligj. 
2. Gjykatat e posaçme gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur. 
3. Kuvendi mund të krijojë me ligj gjykata të tjera për fusha të veçanta, por në asnjë rast gjykata të jashtëzakonshme. 
4. Gjyqtarët e gjykatave të posaçme që parashikohen në paragrafin 2, të këtij neni, emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, sipas ligjit. Gjyqtarët e gjykatave të posaçme shkarkohen nga detyra me dy të tretat e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Kandidatët për gjyqtarë dhe nëpunës civilë gjyqësorë në gjykatat e posaçme, si dhe familjarët e afërm të kandidatëve, para emërimit, i nënshtrohen verifikimit të pasurisë dhe të figurës, si dhe japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, sipas ligjit.

Neni 136[2] 

1. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. 
2. Presidenti i Republikës, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, emëron gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, me përjashtim të rasteve kur Presidenti konstaton se kandidati nuk plotëson kriteret e kualifikimit ose kushtet e zgjedhshmërisë, sipas ligjit. Dekreti i Presidentit të Republikës për mosemërimin e kandidatit humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në këtë rast, si dhe kur Presidenti nuk shprehet, kandidati shpallet i emëruar dhe fillon detyrën brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. 
3. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë zgjidhet nga radhët e gjyqtarëve me të paktën 13 vjet përvojë në ushtrimin e profesionit. Një e pesta e gjyqtarëve në këtë gjykatë përzgjidhet mes juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë si avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, juristë të nivelit të lartë në administratën publike ose në fusha të tjera të së drejtës. Kandidatët që përzgjidhen nga radhët e juristëve duhet të kenë gradë shkencore në drejtësi. 
4. Kandidati jo gjyqtar nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike, gjatë 10 vjetëve të fundit para kandidimit. Kritere të tjera dhe procedura e përzgjedhjes së gjyqtarit parashikohen me ligj. 
5. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit, përveç rasteve të parashikuara në nenin 139, paragrafi 3, nënparagrafët “c”, “ç”, “d” dhe “dh””.

Neni 136/a[3] 

1. Gjyqtarë mund të jenë shtetasit shqiptarë që emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tyre, sipas ligjit. 
2. Kritere të tjera për përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve parashikohen me ligj.

Neni 137[4] 

Gjyqtari gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrimin e funksioneve të tij, përveç rasteve të dhënies qëllimisht të një vendimi, si pasojë e një interesi vetjak ose keqbesimi.

Neni 138[5]    

Paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen, përveç rasteve kur:  

a) nevojitet marrja e masave të përgjithshme ekonomiko-financiare për të shmangur situata të vështira financiare të vendit ose emergjenca të tjera kombëtare;  
b) gjyqtari kthehet në detyrën që mbante para emërimit;  
c) i jepet një masë disiplinore ose vlerësohet i pamjaftueshëm profesionalisht, sipas ligjit.  

Neni 139[6]    

1. Mandati i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë mbaron në rastet e mëposhtme:  

a) mbush moshën e pensionit;  
b) përfundon mandatin 9-vjeçar;   
c) jep dorëheqjen;  
ç) shkarkohet sipas parashikimeve të nenit 140 të Kushtetutës;  
d) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit;  
dh) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën. 

2. Mbarimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë deklarohet me vendim të Gjykatës së Lartë.   

3. Procedura për emërimin e gjyqtarit në një gjykatë tjetër pas përfundimit të mandatit rregullohet me ligj.      

Neni 140[7]    

1. Gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit.   

2. Gjyqtari shkarkohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor kur:   

a) kryen shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës;   
b) është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

3. Gjyqtari pezullohet nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor kur:  

a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale; 
b) ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje; 
c) kur fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit.  

4. Kundër vendimit të shkarkimit mund të bëhet ankim në Gjykatën Kushtetuese.   

 Neni 141[8]   

1. Gjykata e Lartë shqyrton çështje lidhur me kuptimin dhe zbatimin e ligjit për të siguruar njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore, sipas ligjit.”.  

2. Për ndryshimin e praktikës gjyqësore, Gjykata e Lartë tërheq për shqyrtim në Kolegjet e Bashkuara çështje të caktuara gjyqësore të vendosura nga kolegjet, sipas ligjit.    

Neni 142  

1.   Vendimet gjyqësore duhet të jenë të arsyetuara. 

2.   Gjykata e Lartë duhet t’i botojë vendimet e saj, si dhe mendimet e pakicës. 

3.   Organet e shtetit janë të detyruara të ekzekutojnë vendimet gjyqësore.    

Neni 143[9]    

Qenia gjyqtar nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër politike ose shtetërore, si dhe veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës, akademik, shkencor, si dhe delegimit pranë institucioneve të sistemit të drejtësisë, sipas ligjit.     

Neni 144 [10]

(shfuqizuar)   

Neni 145  

1.   Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. 

2.   Kur gjyqtarët çmojnë se ligjet vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk i zbatojnë ato. Në këtë rast, ata pezullojnë gjykimin dhe ia dërgojnë çështjen Gjykatës Kushtetuese.  Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha gjykatat.

3.     Ndërhyrja  në  veprimtarinë  e  gjykatave  ose  të  gjyqtarëve  passjell  përgjegjësi sipas ligjit. 

Neni  146 

1.     Gjykatat  i japin  vendimet  në  emër të  Republikës

2.     Vendimet  gjyqësore shpallen  publikisht  në  çdo  rast. 

Neni  147[11] 

1.  Këshilli  i  Lartë  Gjyqësor  siguron  pavarësinë,  përgjegjshmërinë  dhe mbarëvajtjen  e  pushtetit gjyqësor në  Republikën  e  Shqipërisë.   

2.  Këshilli  i  Lartë  Gjyqësor  përbëhet  nga  11  anëtarë,  gjashtë  prej  të  cilëve zgjidhen  nga  gjyqtarët  e  të  gjitha  niveleve  të  pushtetit  gjyqësor  dhe  pesë  anëtarë i zgjedh  Kuvendi,  nga  radhët  e  juristëve  jogjyqtarë.   

3.  Anëtarët  gjyqtarë  përzgjidhen  nga  radhët  e  gjyqtarëve  me  integritet  të lartë  moral  dhe  profesional,  sipas  një  procedure  transparente  dhe  publike  që siguron  një  përfaqësim  të  drejtë  të  të  gjitha  niveleve  të  gjyqësorit.  Anëtarët jogjyqtarë  përzgjidhen  nga  radhët  e  juristëve  të  spikatur  me  jo  më  pak  se  15  vjet përvojë  pune  në  profesion,  me  integritet  të  lartë  moral  dhe  profesional.  Ata  nuk duhet  të  kenë  mbajtur  funksione  politike  në  administratën  publike  ose  pozicione drejtuese  në  parti  politike  gjatë  10  vjetëve  të  fundit  përpara  kandidimit.  Kritere  të tjera dhe  procedura për përzgjedhjen  e  kandidatëve  rregullohen  me  ligj. 

4.  Dy  anëtarë  jogjyqtarë  zgjidhen  nga  radhët  e  avokatëve,  dy  anëtarë  nga trupa  e  pedagogëve  të  fakulteteve  të  drejtësisë  dhe  të  Shkollës  së Magjistraturës,  si  dhe  një  anëtar  nga  shoqëria  civile.  Sekretari  i  Përgjithshëm  i Kuvendit,  bazuar  në  një  procedurë  transparente  dhe  publike,  shpall  vendet vakante,  sipas ligjit. 

5.  Sekretari  i  Përgjithshëm  i  Kuvendit,  jo  më  vonë  se  10  ditë  nga  paraqitja e  kandidaturave,  verifikon  nëse  kandidatët  plotësojnë  kushtet  e  parashikuara  nga Kushtetuta  dhe  ligji,  si  dhe  vlerëson  kriteret  profesionale  e  morale  për  anëtarin  e Këshillit  të  Lartë  Gjyqësor  dhe  përgatit  listën.  Në  rast  se  kandidatët  nuk  i plotësojnë  kushtet  dhe  kriteret  për  t’u  zgjedhur,  Sekretari  i  Përgjithshëm  i Kuvendit nuk i përfshin  emrat  e  tyre në  listë.   

6.  Sekretari  i  Përgjithshëm  i  Kuvendit  pas  përfundimit  të  verifikimeve,  i dërgon  menjëherë  listën  e  kandidatëve  që  plotësojnë  kriteret  formale nënkomisionit,  sipas  paragrafit  7  të  këtij neni.   

7.  Komisioni  i  përhershëm  përgjegjës  për  çështjet  ligjore  në  Kuvend  krijon një  nënkomision  për  vlerësimin  e  mëtejshëm  dhe  përzgjedhjen  e  kandidatëve  jo më  vonë  se  3  ditë  nga  paraqitja  e  listës.  Nënkomisioni  përbëhet  nga  5  deputetë, prej  të  cilëve  3  caktohen  nga  shumica  dhe  2  nga  pakica  parlamentare. Nënkomisioni,  me  të  paktën  katër  vota,  mund  të  përfshijë  në  listën  e  kandidatëve edhe  ata  që  janë  përjashtuar  nga  Sekretari  i  Përgjithshëm  i  Kuvendit  për mospërmbushje  të  kritereve  formale.  Nënkomisioni  përzgjedh  kandidatët  me mbështetjen  e  të  paktën  4  anëtarëve.  Nëse  nuk  arrihet  shumica  e  kërkuar, kandidatët  përzgjidhen  me  short.      
8.  Emrat  e  kandidatëve  të  përzgjedhur  nga  nënkomisioni  përmblidhen  në një  listë  dhe  i  dërgohen  Kryetarit  të  Kuvendit.  Brenda  10  ditëve,  Kuvendi  miraton listën  e  kandidatëve  me  2/3  e  të  gjithë  anëtarëve.  Nëse  lista  rrëzohet,  procedura përsëritet  në  nënkomision  sipas  pikës  7  të  këtij  neni,  por  jo  më  shumë  se  dy herë.  Në  rast  se  pas  zhvillimit  për  herë  të  tretë  të  procedurës  Kuvendi  nuk miraton  listën  e  paraqitur,  kandidatët  e  kësaj  liste  konsiderohen  të  zgjedhur. Procedura e  detajuar rregullohet  me  ligj.    
9.  Kryetari  i  Këshillit  të  Lartë  Gjyqësor  zgjidhet  në  mbledhjen  e  parë  të Këshillit  nga  radhët  e  anëtarëve  jogjyqtarë,  sipas ligjit.   
10.  Anëtarët  e  Këshillit  të  Lartë  Gjyqësor  e  ushtrojnë  detyrën  me  kohë  të plotë  për  një  periudhë  prej  pesë  vjetësh,  pa  të  drejtë  rizgjedhjeje  të njëpasnjëshme.  Në  përfundim  të  mandatit,  anëtarët  gjyqtarë  kthehen  në  vendet  e mëparshme  të  punës.  Gjyqtarit  të  Gjykatës së  Lartë  ose  të  gjykatës së  posaçme  i pezullohet  mandati  si  gjyqtar  gjatë  kohës  që  ushtron  funksionin  si  anëtar  i Këshillit  të  Lartë  Gjyqësor.  Anëtarët  jogjyqtarë  që  përpara  emërimit  punonin  me kohë  të  plotë  në  sektorin  publik,  rikthehen  në  vendet  e  mëparshme  të  punës  ose në  pamundësi,  në  detyra të  barasvlershme  me  to. 

Neni  147/a[12] 

1.  Këshilli  i Lartë  Gjyqësor ushtron  funksionet  e  mëposhtme:   

a)  emëron,  vlerëson,  ngre  në  detyrë  dhe  transferon  gjyqtarët  e  të  gjitha niveleve;   
b) vendos për masat  disiplinore ndaj gjyqtarëve  të  të  gjitha  niveleve;   
c)  i  propozon  Presidentit  të  Republikës  kandidatët  për  gjyqtarë  të  Gjykatës së  Lartë,  sipas ligjit;   
ç) miraton  rregullat  e  etikës gjyqësore dhe  mbikëqyr respektimin  e  tyre;   
d)  drejton  dhe  kujdeset  për  mbarëvajtjen  e  punës  në  administratën  e gjykatave,  me  përjashtim  të  mbarëvajtjes  së  strukturave  të  teknologjisë  së informacionit  në  gjykata,  e  cila  rregullohet  me  vendim  të  Këshillit  të  Ministrave;   
dh) propozon  dhe  administron  buxhetin  e  tij  dhe  të  gjykatave; 
e) informon  publikun  dhe  Kuvendin  për gjendjen  e  sistemit gjyqësor; 
ë) ushtron  funksione  të  tjera  të  caktuara  me  ligj. 

2.  Ligji  mund  të  parashikojë  krijimin  e  komisioneve  vendimmarrëse  pranë Këshillit  të  Lartë  Gjyqësor. 
3.  Ministri  i Drejtësisë  mund  të  marrë  pjesë,  pa  të  drejtë  vote,  në  mbledhjet e  Këshillit  të  Lartë  Gjyqësor  kur  diskutohen  çështje  që  lidhen  me  planifikimin strategjik  dhe  buxhetin  e  pushtetit  gjyqësor.

Neni 147/b[13]   

1. Mandati i anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor mbaron sipas rasteve të mëposhtme:   

a) mbush moshën e pensionit;   
b) përfundon mandatin 5-vjeçar;   
c) jep dorëheqjen;   
ç) shkarkohet sipas parashikimeve të nenit 147/c të Kushtetutës;  
d) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit;  
dh) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën. 2. Mbarimi i mandatit të anëtarit deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor.  

3. Kur vendi i anëtarit mbetet vakant, organi që ka emëruar anëtarin paraardhës, sipas nenit 147, emëron një anëtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të anëtarit të larguar.  
4. Anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit, përveç rasteve të parashikuara në nënparagrafët “c”, “ç”, “d” dhe “dh”, të paragrafit 1, të këtij neni.   

Neni 147/c[14]   

1. Anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit.   
2. Ai shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese kur:  

a) kryen shkelje të rënda profesionale ose etike;  
b) është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.  

3. Anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor pezullohet nga detyra me vendim të Gjykatës Kushtetuese kur:  
a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale;  b) ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje;  
c) fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit.   

Neni 147/ç[15]  

Qenia anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër politike ose shtetërore, si dhe veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të veprimtarisë mësimdhënëse, akademike dhe shkencore, sipas ligjit.

Neni 147/d[16]    

1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, sipas procedurës së përcaktuar me ligj.  
2. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës edhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë.  
3. Inspektori i Lartë i Drejtësisë zgjidhet me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, për një periudhë 9-vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje, nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe profesional. Ai nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.   
4. Inspektori i Lartë i Drejtësisë zgjidhet nga lista e pesë kandidatëve të përzgjedhur dhe renditur mbi bazën e meritave nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas një procedure transparente dhe publike. Në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej tri të pestave për asnjë prej kandidatëve brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës, kandidati i renditur i pari shpallet i emëruar.   
5. Inspektori i Lartë i Drejtësisë gëzon statusin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.   
6. Procedura e vendimmarrjes nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë rregullohet me ligj. Ankimet ndaj vendimeve lidhur me masat disiplinore ndaj inspektorëve të tjerë shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese.”.   

Neni 147/dh[17]   

1. Mandati i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë mbaron kur:

a) mbush moshën e pensionit;   
b) përfundon mandatin 9-vjeçar;   
c) jep dorëheqjen;   
ç) shkarkohet sipas parashikimeve të nenit 147/e të Kushtetutës;  
d) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit;  
dh) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën.

2. Mbarimi i mandatit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë deklarohet me vendim të mbledhjes së përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.   
3. Inspektori i Lartë i Drejtësisë qëndron në detyrë deri në emërimin e Inspektorit të ri, me përjashtim të rasteve të parashikuara në paragrafin 1, nënparagrafët “c”, “ç”, “d” dhe “dh”.  
4. Pas përfundimit të mandatit, me kërkesë të tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kthehet në detyrën që mbante para emërimit ose në një detyrë të përafërt me të.   

Neni 147/e[18]

1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit.   
2. Ai shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese kur:  

a) kryen shkelje të rënda profesionale ose etike;  
b) është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.   

3. Pretendimet lidhur me shkeljet disiplinore të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë hetohen nga një komision hetimor i Kuvendit, duke respektuar të drejtën e tij për proces të rregullt. Komisioni hetimor, në rast se konstaton shkelje sipas paragrafit, 2 të këtij neni, i propozon Gjykatës Kushtetuese shkarkimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, sipas ligjit.   
4. Inspektori i Lartë i Drejtësisë pezullohet nga detyra me vendim të Gjykatës Kushtetuese kur:  

a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale;
b) ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje;  
c) fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit.  

Neni 147/ë[19]   

Qenia Inspektor i Lartë i Drejtësisë nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër politike ose shtetërore, si dhe veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës, akademik ose shkencor, sipas ligjit. 


[1] Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016
[2] Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016
[3] Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016
[4] Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016
[5] Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016 
[6] Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016 
[7] Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016
[8] Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016
[9] Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016
[10] Shfuqizuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016
[11] Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016,  datë 22.7.2016 
[12]  Shtuar me ligjin  nr. 76/2016, datë  22.7.2016
[13] Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016
[14] Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016
[15] Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016
[16] Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016
[17] Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016 
[18]  Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016
[19] Shtuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016

 

  • 1 votë. Mesatarja e 2.00 të 5.