STUDENTI I SË DREJTËS “ne jemi nën kushtetutën, por kushtetuta është ajo çfarë gjyqtarët thonë se është”. (charles evans hughes)
STUDENTI I SË DREJTËS

Kreu X Vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve

Neni  325 Pengimi i subjekteve zgjedhore

(Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 45)

Pengimi me anë të kanosjes, dhunës, apo me çdo  mënyrë tjetër i subjekteve zgjedhore apo i kandidatëve  për të zhvilluar veprimtarinë e tyre në  përputhje me ligjin gjatë fushatës zgjedhore, dënohet  me burgim nga tre  muaj gjer në tre vjet.

Neni 326 Falsifikimi i materialit  zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve

(Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni  46; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas  dënimit me burgim, shfuqizohet  me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Falsifikimi, shpërndarja ose përdorimi i fletëve të  votimit, i dokumenteve dhe materialit zgjedhor, me qëllim ndryshmin e  rezultatit të zgjedhjeve nëpërmjet  paraqitjes në to të të dhënave,  që  dihen se janë të pasakta, zëvendësimi i të saktave me  të rreme ose nëpërmjet futjes në kuti të fletëve të votimit në mënyrë të paligjshme dënohet  me burgim  nga  një gjer  në pesë vjet.

Po kjo vepër kur kryhet nga personat që kanë për  detyrë të administrojnë procesin zgjedhor, ose ka sjellë  pasoja  të rënda në  mbarëvajtjen e votimit,  ka  cenuar integritetin  e rezultatit të zgjedhjeve apo ka sjellë pavlefshmërinë e tyre, dënohet me burgim nga  tre gjer në shtatë vjet.

Neni 326/a  Dëmtimi me dashje i materialit  zgjedhor

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 47;  pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas  dënimit me burgim, shfuqizohet  me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Dëmtimi, prishja,  shkatërrimi me dashje, apo zëvendësimi në kundërshtim me ligjin i pajisjeve, vulave, kodeve të sigurisë apo çdo materiali tjetër zgjedhor të parashikuar nga ligji, dënohet me burgim nga gjashtë muaj  gjer  në pesë vjet.

Po këto  vepra kur kryhen  nga personat përgjegjës  për administrimin zgjedhor  ose në bashkëpunim, ose më  shumë se një herë, apo kur kanë  sjellë  pasoja  të rënda në mbarëvajtjen e zgjedhjeve, kanë sjellë pavlefshmërinë e tyre apo kanë cenuar  rezultatin e  votimit,  dënohen me  burgim nga tre  gjer  në tetë vjet.

Neni  327 Shkelja e fshehtësisë së  votimit

(Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 48)

Shkelja e rregullave që garantojnë fshehtësinë  e votimit nga ana e personave të ngarkuar me zgjedhjet, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj gjer në dy vjet.

Neni 327/a   Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 49)

Votimi më shumë se një herë në të njëjtat zgjedhje, votimi për persona të tjerë, duke paraqitur dokumente identifikimi të rreme apo duke përdorur dokumente të zgjedhësve të tjerë dënohet me burgim nga një gjer në tre vjet.

Lejimi me dashje i kryerjes së kësaj vepre nga komisionerët zgjedhorë dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet.

Lejimi me dashje nga komisionerët zgjedhorë i votimit, pa kryer identifikimin e shtetasit sipas ligjit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet  me  burgim nga tre muaj gjer në një vit.

Neni 328 Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve

(Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 50)

Ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale, bërja e premtimeve për vende pune ose për favorizime të tjera në  cilëndo formë, me qëllim që të marrë firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar  në një mënyrë të caktuar  apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet  me  burgim nga gjashtë muaj gjer në dy vjet.

Pranimi i të hollave, të mirave materiale, premtimeve dhe favorizimeve të tjera kundrejt kryerjes së veprimeve të mësipërme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

Neni 328/a Detyrimi për pjesëmarrje në veprimtari politike

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 51)

Detyrimi i shtetasve nën  varësi administrative, kundër vullnetit të tyre apo nën kanosjen e përdorimit të masave administrative, për të marrë pjesë në veprimtari zgjedhore të një subjekti zgjedhor përbën kundërvajtje penale dhe dënohet  me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

Detyrimi apo organizimi për të marrë pjesë në veprimtari elektorale të një subjekti zgjedhor i nxënësve të arsimit parauniversitar nga punonjës që  kryejnë një detyrë shtetërore në arsimin publik, ose detyrë a funksion në arsimin jopublik, përbën  kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj gjer në një vit.

Neni 329 Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje

(Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 52)

Kanosja që i bëhet zgjedhësit për të votuar në  një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet  nga tre muaj gjer në dy  vjet.

Kanosja apo përdorimi i dhunës që i bëhet komisionerit, vëzhguesit, numëruesit si dhe çdo zyrtari tjetër të ngarkuar me zgjedhjet për ta  penguar në kryerjen e detyrës apo për shkak të veprimtarisë së tij në administrimin zgjedhor dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në tre vjet.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet.

Neni 330 Pengimi i zgjedhësit

(Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 53)

Pengimi i zgjedhësit për të votuar në qendrën e  tij  të votimit, duke shkelur rregullat e votimit, duke i marrë  apo dëmtuar dokumentin e tij të identifikimit, apo në çdo formë tjetër, dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në një vit.

Kur kjo vepër kryhet më shumë se një herë, ndaj  më  shumë se  një zgjedhësi apo kur kryhet nga komisionerët zgjedhorë, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet.

Neni 330/a Braktisja e detyrës nga anëtarët  e komisioneve të zgjedhjeve

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 54)

Braktisja e detyrës apo refuzimi për të kryer detyrën nga personat e ngarkuar me administrimin e procesit të votimit dhe të numërimit, përbën  kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në dy vjet.

Kur veprimet e mësipërme kryhen duke marrë me  vete ose duke  zhdukur materialet zgjedhore, ose kur kanë sjellë pasoja të rënda për procesin  e votimit apo kanë çuar  në pavlefshmërinë e zgjedhjeve, dënohet me burgim nga dy  gjer në pesë vjet.

Neni 331 Shkelja e së drejtës së zgjedhjes

(Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni  55; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas  dënimit me burgim, shfuqizohet  me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Mospërfshirja me dashje  në listat e zgjedhësve e personave që  e kanë të drejtën e zgjedhjes ose regjistrimi me  dashje në to  i personave  që nuk e kanë këtë të drejtë, dënohet me  burgim nga një gjer  në pesë vjet.

Po kjo vepër e kryer në  bashkëpunim, kur ka sjellë pasoja të rënda për interesat e  zgjedhësve  apo mbarëvajtjen e procesit zgjedhor  dënohet me burgim  nga  dy  gjer  në  pesë vjet.

Neni 332 Shpërdorimi i autoritetit ushtarak

Shpërdorimi i autoriteti ushtarak nga oficeri ose kuadri ushtarak për të influencuar në votim tek ushtarakët e tjerë që ka në varësi, me dhënie  urdhrash, këshilla apo me çfarëdo lloj propagande, përbën kundërvajtje penale  dhe dënohet me  gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Pjesa e posaçme

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!