Seksioni IV Vepra penale kundër sekretit dhe kufijve shtetërorë

Neni 294 Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar

Tregimi, përhapja dhe informimi i fakteve,  shifrave, përmbajtjes  së dokumenteve apo materialeve që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror,  nga personi që i është besuar ose që  ka mundur  të vijë në dijeni për to për shkak të detyrës, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Po kjo vepër, e bërë botërisht, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Neni 295 Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit

Tregimi, përhapja dhe informimi i fakteve,  shifrave, përmbajtjes  së dokumenteve apo materialeve që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, nga cilido që ka mundur të vijë në dijeni për to, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Po kjo vepër, e bërë botërisht, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 295/a Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete

(Shtuar me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 26;  ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 56)

Zbulimi ndaj të tretëve i të dhënave ose ndihma për të zbuluar të dhënat, të cilat ligji i përcakton si sekret, nga ana e një funksionari publik ose e një  personi të ngarkuar me  një shërbim  publik, në kundërshtim  me  përmbushjen  e rregullt të detyrës ose duke abuzuar me  cilësitë e veta,  dënohet me gjobë ose me  burgim deri në pesë vjet.

Zbulimi ndaj të tretëve i të dhënave,  të cilat përbëjnë sekret tregtar industrial ose profesional, nga ana e personave publikë, që kanë detyrë  ruajtjen  e tyre, dënohet  me gjobë  ose  me burgim deri në tre vjet.

Zbulimi i akteve sekrete ose i të dhënave, që përmbajnë aktet sekrete, nga  prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore, si dhe mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, dënohet me burgim nga një deri  në pesë  vjet.

Zbulimi i akteve sekrete ose i të dhënave të përmbajtura në aktet sekrete nga  persona  të tjerë,   që kanë  dijeni  për  të  dhëna  për procedimin  penal e që janë paralajmëruar nga prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore për moszbulimin e  tyre, dënohet me  burgim deri në tre vjet.

Zbulimi i të dhënave sekrete, që kanë lidhje me identitetin,  procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose për vendndodhjen e dëshmitarëve  e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët përfitojnë mbrojtje të veçantë, sipas ligjeve në fuqi, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet.

Zbulimi i sekretit që ka sjellë si pasojë vdekjen, plagosjen e rëndë ose ka rrezikuar seriozisht jetën apo shëndetin e dëshmitarëve ose të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të  familjarëve të tyre apo të punonjësve të policisë, të ngarkuar me mbrojtjen  e tyre, dënohet me burgim  nga tre deri në tetë vjet.

Neni 295/b Shfrytëzimi i paligjshëm  i të dhënave tregtare

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 39)

Tregtimi i një malli apo ofrimi i një  shërbimi nëpërmjet përdorimit të informacionit ose të dhënave që përbëjnë sekret tregtar ose informacion të privilegjuar nga persona që e kanë ose duhet ta kenë këtë informacion apo të dhënë, dënohet  me gjobë ose me burgim gjer  në katër vjet.

Neni 296 Humbja e dokumenteve sekrete

Humbja e dokumenteve apo materialeve të tjera që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, nga personi që i janë besuar për  ruajtje apo për përdorim, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 297 Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror

(Shtuar me ligjin nr. 8279, datë 15.1.1998, neni 2;  ndryshuar me ligjin nr. 9188, datë 12.2.2004, neni 8)

Kalimi i paligjshëm i kufijve shtetërorë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 298  Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve

(Ndryshuar me ligjin nr. 9188, datë 12.2.2004, neni 9; ndryshuar titulli dhe paragrafi i parë me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 27;ndryshuar me ligjin  nr. 23/2012,  datë 1.3.2012, neni 56; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor,  krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me  ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Strehimi, shoqërimi, vënia  në dispozicion ose përdorimi i mjeteve të lundrimit, të fluturimit  ose  i mjeteve të tjera të transportit apo çdo ndihmë tjetër, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit të Republikës së Shqipërisë ose për hyrjen e paligjshme  të një personi në një shtet  tjetër, pa qenë shtetas i tij ose që  nuk ka  leje  qëndrimi  në atë shtet,   dënohet  me burgim nga  një deri në katër vjet. Kur ndihma jepet për qëllime fitimi, dënohet me burgim nga tre deri  në shtatë vjet dhe me gjobë nga katër milionë deri  në tetë milionë lekë.

Kur kjo vepër kryhet në  bashkëpunim ose më shumë se një  herë, apo ka sjellë  pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet dhe  me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë.

Kur vepra ka  sjellë si pasojë vdekjen e të  dëmtuarit,  dënohet me burgim jo më  pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit  të funksionit shtetëror ose shërbimit publik, dënimi me burgim dhe gjoba shtohen me ¼ e dënimit të dhënë.

Neni 299 Shkelja e rregullave  mbi fluturimet

Shkelja e rregullave mbi fluturimet ndërkombëtare si, hyrja ose dalja nga territori i Republikës së Shqipërisë pa leje fluturimi, mosrespektimi i vijave  të fluturimit, i vendeve të zbritjes, i  korridoreve ajrore apo lartësisë të caktuar të fluturimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. 

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!