Seksioni III Vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike

Neni 261 Pengimi në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar 

Kryerja e veprimeve për të penguar shtetasit për  të ushtruar lirinë e shprehjes së mendimit, të grumbullimit  apo manifestimit, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj. 

Kur veprimet shoqërohen me përdorimin e dhunës fizike, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. 

Neni 262 Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme

(Shtuar paragrafi III me ligjin nr.  8733, datë 24.1.2001, neni 59) 

Organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve  të personave në sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta apo kur nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Pjesëmarrja në një grumbullim apo manifestim  të paligjshëm edhe pas paralajmërimit të bërë për shpërndarje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.  

Po kjo vepër, e kryer më shumë se një herë  ose kur ka  sjellë pasoja të rënda, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë  ose me burgim gjer në dy vjet.  

Neni 263 Organizimi i grumbullimeve dhe  manifestimeve të paligjshme  me pjesëmarrje të personave të armatosur  

Organizimi i grumbullimeve dhe manifestimeve  të paligjshme me pjesëmarrje të personave të armatosur dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 Pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime  të paligjshme e personave të armatosur përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

 Neni 264 Detyrimi për të marrë pjesë ose jo në grevë 

Detyrimi i punonjësit që kundër vullnetit të marrë  apo të mos marrë pjesë në grevë ose krijimi i pengesave dhe vështirësive për të vazhduar punën kur punonjësi dëshiron të punojë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj. 

Neni 265 Nxitja e urrejtjes ose grindjeve (Ndryshuar me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 41) 

Nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve, për shkak të racës, etnisë, fesë ose orientimit seksual, si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja, me qëllim përhapjen e shkrimeve me përmbajtje të tilla,  e kryer me çdo mjet ose formë, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet. 

Neni 265/a Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj 

(Shtuar me ligjin nr. 98, datë 31.7.2014)

Pjesëmarrja në formacione luftarake, organizata  ushtarake ose paraushtarake në një konflikt të armatosur që zhvillohet në territorin e një shteti  të huaj ose pjesëmarrja në çdo lloj  trajnimi të zhvilluar nga këto struktura, pa qenë shtetas në shtetin e huaj, pa qenë  pjesëtar i forcave të armatosura të njërës prej palëve në konflikt ose  misioneve ushtarake zyrtare të forcave të armatosura të një shteti  që nuk është palë në konflikt ose misioneve ushtarake zyrtare të një organizate ndërkombëtare, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet. 

Kur kjo vepër penale kryhet me qëllim përmbysjen  e rendit kushtetues  ose shkeljen e integritetit territorial të një shteti të huaj, dënohet me  burgim nga pesë deri në dhjetë vjet. 

Neni 265/b Organizimi për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj 

(Shtuar me ligjin nr. 98, datë 31.7.2014) 

Nxitja, rekrutimi, organizimi, drejtimi, stërvitja, vënia në dispozicion e pajisjeve, krijimi ose përdorimi i fondeve ose mjeteve të tjera për financimin, mbështetjen materiale të personave, në çdo lloj forme dhe mënyre, për të kryer veprën penale  të parashikuar nga neni 265/a dënohet me burgim nga tetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.  

Neni 265/c Thirrja për pjesëmarrje në veprime luftarake të dhunshme në një shtet të huaj 

(Shtuar me ligjin nr. 98, datë 31.7.2014)

Thirrja në mënyrë publike me çdo lloj forme, mjeti dhe mënyre për të kryer veprën penale të parashikuar nga neni 265/a ose 265/b,  dënohet me burgim deri në tre vjet. 

Neni 266 Thirrja për urrejtje nacionale  

(Shtuar fjalë me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 42) 

Vënia në rrezik e paqes publike duke bërë thirrje për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë, duke i fyer ose shpifur për to, duke kërkuar përdorimin  e dhunës  ose të veprimeve arbitrare kundër tyre, dënohet me  burgim nga dy deri në tetë vjet. 

Neni 267 Përhapja e informatave të  rreme që ngjallin panik

Përhapja e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te  njerëzit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. 

Neni 268 Poshtërimi i Republikës  dhe i simboleve të saj 

(Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 36) 

Dëmtimi i qëllimshëm i flamurit ose i stemës së Republikës, të ekspozuara në institucionet shtetërore, përbën  kundërvajtje  penale dhe dënohet me  gjobë ose me burgim  gjer  në tre muaj. 

Poshtërimi botërisht i flamurit ose i himnit kombëtar, gjatë zhvillimit të një  veprimtarie të organizuar nga autoritetet shtetërore, përbën kundërvajtje penale  dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj. 

Neni 269 Pengimi me dhunë i veprimtarisë së partive politike

Pengimi me dhunë i veprimtarisë së ligjshme të  partive, organizatave apo shoqatave politike përbën kundërvajtje penale  dhe dënohet me  gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. 

Neni 270 Rebelimi i të burgosurve  

Përdorimi i dhunës, nga ana e të burgosurve ndaj punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo në shërbim publik, që bëhet për  ta  penguar në ushtrimin  e detyrës apo të shërbimit ose për shkak të veprimtarisë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. 

Kur dhuna ushtrohet nga një grup personash ose shoqërohet me trazira e çrregullime apo me kërcënime e frikësime, dënohet me gjobë  ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Neni 271 Disinformimi i ekipeve të urgjencës  

Disinformimi me dashje  i ekipeve të  urgjencës për të prishur gatishmërinë e tyre,  e bërë me çdo mjet lajmërimi e thirrjeje,  përbën  kundërvajtje  penale  dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. 

Neni 272 Njoftimi i rremë në organet e rendit

Njoftimi  i rremë i bërë në organet  e rendit, për kryerjen e një vepre penale, për t’i vënë ato në gjendje gatishmërie dhe alarmi, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me  gjobë  ose  me  burgim gjer në një vit. 

Neni 273 Largimi nga vendi i aksidentit  

Largimi nga vendi i aksidentit, i drejtuesit të automjetit apo të çdo mjeti të motorizuar, për t’u shmangur nga përgjegjësia penale, civile apo administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. 

Neni 274 Prishja e qetësisë publike 

Hedhja e gurëve apo sendeve të tjera në banesën e shtetasit, krijimi i zhurmave shqetësuese si, me anë të shkrepjes së armëve apo plasjeve të ndryshme, të përdorimit jashtë rregullave të sirenave të automjeteve, apo çdo lloj tjetër sjelljeje të papëlqyeshme, në rrugë, sheshe e vende publike, që cenojnë dukshëm qetësinë e moralin apo tregon mospërfillje të hapët për mjedisin, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. 

Neni 275 Përdorimi me keqdashje  i thirrjeve telefonike 

Thirrjet telefonike keqdashëse që bëhen me qëllim  për të prishur qetësinë e tjetrit, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në një vit. 

Neni 276 Përdorimi pa të drejtë i emblemës së Kryqit të Kuq 

Përdorimi pa  të drejtë i emblemës së Kryqit të  Kuq ose Gjysëm Hënës së Kuqe, kur ka sjellë pasoja të rënda materiale, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. 

Kur nga vepra penale ka ndodhur vdekja apo dëmtimi i rëndë i  shëndetit të njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet. 

Neni 277 Vetëgjyqësia 

Ushtrimi i një të drejte prej personit që i përket ose që kujton se i përket dhe që nuk   njihet nga tjetri pa iu drejtuar organit kompetent shtetëror, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj. 

Neni 278 Prodhimi dhe mbajtja pa leje e  armëve luftarake dhe e municionit 

(Shtuar paragrafi I dhe II me ligjin nr. 8279, datë 15.1.1998, neni 2; ndryshuar paragrafi I, II dhe III,  si dhe shtuar paragrafi IV me ligjin  nr. 8733, datë 24.1.2001,  neni 60; ndryshuar me  ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 43; shtuar dhe ndryshuar me ligjin nr. 98, datë  31.7.2014, neni 5; shtuar dy  paragrafë me ligjin nr. 135/2015, datë 5.12.2015) 

Prodhimi  i armëve dhe i municioneve luftarake,  lëndëve plasëse,  i bombave apo minave, pa lejen e organeve kompetente shtetërore,  dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet. 

Prodhimi, shitja, blerja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë,  tregtimi dhe transportimi  i armëve dhe i municioneve luftarake,  lëndëve plasëse, i bombave ose  minave pa lejen e organeve kompetente shtetërore dënohet me burg nga pesë deri në  pesëdhjetë vjet. 

Falsifikimi ose fshirja,  zhvendosja ose ndryshimi i paligjshëm i  shenjave mbi armët dhe municionet luftarake  dënohet me burgim  nga një  deri në pesë vjet. 

Mbajtja e municioneve luftarake, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, përbën kundërvajtje penale  dhe  dënohet me  gjobë ose  me  burgim deri në dy vjet.  

Mbajtja e armëve në banesë, pa  lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri në  pesë  vjet. 

Mbajtja e bombave, minave ose lëndëve plasëse në  banesë, pa lejen  e organeve kompetente shtetërore,  dënohet me  burgim  nga pesë deri në  tetë vjet. 

Mbajtja e armëve, i bombave apo minave, ose lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve kompetente shtetërore,  dënohet me  burgim  nga shtatë  deri në pesëmbëdhjetë vjet. 

Kur vepra penale kryhet në sasi të mëdha, në bashkëpunim, më shumë se një herë, ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga  pesëmbëdhjetë deri  në njëzet vjet. 

Neni 278/a Trafikimi i armëve dhe i municionit 

(Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 61; shtuar fjalët me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 44) 

Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi, në kundërshtim me ligjin, i armëve dhe municionit luftarak, ose i pjesëve përbërëse të tyre  me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me  burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. 

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më  shumë se një herë ose sjell pasoja të rënda, dënohet me  burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.   

Neni 279 Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta 

(Ndryshuar me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 45) 

Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja, e armëve të  ftohta si shpatat, bajonetat, thikat dhe mjete të tjera të përgatitura e të destinuara posaçërisht për  sulm kundër personave ose për vetëmbrojtje, pa lejen e organeve kompetente, dënohen me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Mbajtja, blerja apo shitja në automjete apo në  çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, e armëve të  ftohta si shpatat, bajonetat, thikat dhe mjete të tjera të përgatitura e të destinuara posaçërisht për  sulm kundër personave ose për vetëmbrojtje, pa lejen e organeve kompetente, dënohen me  burgim nga tre deri në tetë vjet. 

Neni 280 Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive 

Prodhimi, mbajtja, shitja ose blerja e armëve  të gjuetisë ose sportive, si dhe e municioneve të tyre, pa leje të organeve kompetente shtetërore, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. 

Neni 281 Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese 

Shkelja e rregullave të caktuara për mbajtjen, prodhimin, përdorimin, ruajtjen, transportimin dhe shitjen e lëndëve helmuese me  efekt të fortë,  përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. 

Kur nga vepra penale ka ndodhur vdekja apo dëmtimi i rëndë i shëndetit të njerëzve ose kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet. 

Neni 282 Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive  

(Ndryshuar me ligjin nr. 98, datë 31.7.2014, neni 6; ndryshuar  fjalë   me  ligjin  nr.  135/2015,  datë  5.12.2015) 

Shkelja e rregullave të caktuara për mbajtjen, prodhimin, përdorimin, ruajtjen, transportimin dhe tregtimin e lëndëve plasëse, djegëse apo radioaktive, dënohet me burgim nga një  deri në pesë vjet. 

Kur nga vepra penale ka ndodhur vdekja apo dëmtimi i rëndë i shëndetit të njerëzve ose kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.

Neni 282/a Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive 

(Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 62) 

Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi,  në kundërshtim me ligjin i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive, me qëllim fitimi material  ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga shtatë gjer  në pesëmbëdhjetë vjet. 

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më  shumë se një herë ose sjell pasoja të rënda, dënohet me  burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet. 

Neni 282/b Stërvitja për prodhimin dhe përdorimin e paligjshëm të armëve e lëndëve të tjera të rrezikshme 

(Shtuar me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 23) 

Përgatitja, stërvitja dhe dhënia e udhëzimeve, në  çdo formë, edhe në mënyrë anonime apo në rrugë elektronike, në kundërshtim me ligjin, për prodhimin ose përdorimin e lëndëve eksplozive, të armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake, të armëve të tjera  dhe lëndëve kimike, bakteriologjike, bërthamore apo të çdo natyre tjetër, të dëmshme dhe të rrezikshme për njerëzit dhe pasurinë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohen me burgim nga dy deri në shtatë vjet. 

Neni 282/c 

(Shtuar   me  ligjin  nr.  135/2015,  datë  5.12.2015) 

Importi,  eksporti,  transitimi,  tregtimi, prodhimi, mbajtja,  transportimi ose shpërndarja e substancave kimike bazë ose e substancave të tjera të çfarëdoshme, të teknologjive,  të pajisjeve e materialeve, në rast se dihet që ato përdoren ose do të përdoren  për prodhimin ose trafikimin e  armëve të shkatërrimit në masë dhe armëve kimike e biologjike, dënohet  me burgim nga  tre deri në dhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se njëherë, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Organizimi, drejtimi ose financimi i kësaj veprimtarie  dënohet me burgim nga dhjetë deri njëzet vjet. 

Neni 283 Prodhimi dhe shitja e narkotikëve

(Ndryshuar paragrafi I, shtuar paragrafi II me ligjin nr. 8733,  datë 24.1.2001, neni 63)

Shitja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në  çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi, dorëzimi, si dhe mbajtja, përveç rastit  të përdorimit vetjak dhe në doza të vogla, të substancave narkotike dhe psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, në kundërshtim me ligjin ose në kapërcim të përmbajtjes së  tyre, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet. 

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në  pesëmbëdhjetë vjet.  

Organizimi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet. 

Neni 283/a  Trafikimi i narkotikëve 

(Shtuar me ligjin nr. 8279, 15.1.1998, neni 2; ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 64) 

Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi, në kundërshtim me ligjin, i substancave narkotike ose psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. 

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet. Organizimi, drejtimi ose financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.   

Neni 283/b Krijimi i lehtësirave për marrjen dhe përdorimin e drogës 

(Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 65) 

Krijimi nga ana e personave, që për shkak të detyrës administrojnë substanca narkotike ose psikotrope, i lehtësirave për marrjen dhe përdorimin e këtyre substancave, në kundërshtim me dispozitat ligjore përkatëse, dënohet nga tre gjer në shtatë vjet.

Neni 284 Kultivimi i bimëve narkotike

(Ndryshuar paragrafi I dhe III, shtuar paragrafi II me ligjin nr. 8733,  datë 24.1.2001, neni 66)

Kultivimi  i bimëve, që shërbejnë ose  dihet se  shërbejnë për prodhimin dhe nxjerrjen e lëndëve narkotike dhe  psikotrope, pa leje dhe autorizim sipas ligjit, dënohet  me burgim nga tre gjer  në shtatë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë gjer  në  dhjetë vjet.

Organizmi, drejtimi  apo financimi i kësaj veprimtarie,  dënohen me burgim nga shtatë   gjer  në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 284/a Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale

(Shtuar me ligjin nr. 8279,  datë 15.1.1998, neni 2)

Organizimi, drejtimi  dhe  financimi i organizatave  kriminale me qëllim kultivimin, prodhimin, fabrikimin ose trafikun e paligjshëm të narkotikëve dënohet me burgim  nga 10 deri në 20 vjet.

Krijimi i kushteve apo lehtësirave për veprimtari të tilla nga  persona  me funksione shtetërore, dënohet me burgim  nga 5 deri  në  15 vjet.

Neni 284/b Ndihma në zbulimin e krimeve

(Shtuar me ligjin nr. 8279 datë 15.1.1998, neni  2; shfuqizuar me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013)

Neni 284/c Prodhimi dhe fabrikimi  i lëndëve narkotike dhe psikotrope

(Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 67)

Prodhimi, fabrikimi, nxjerrja, rafinimi, përgatitja  pa licencë ose në kapërcim të përmbajtjes së tij i lëndëve narkotike dhe psikotrope, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se  një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Organizimi, drejtimi  ose financimi i kësaj veprimtarie dënohen me  burgim nga  dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 284/ç Prodhimi, tregtimi dhe përdorimi i  paligjshëm i prekursorëve

(Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 67)

Prodhimi,  importimi,  eksportimi, tranzitimi,  tregtimi dhe mbajtja,  në  kundërshtim me dispozitat përkatëse ligjore, i prekursorëve të treguar me ligj në tabelat përkatëse, dënohet me burgim gjer  në pesë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet  në bashkëpunim ose  më shumë se  njëherë,  dënohet me burgim  nga tre gjer në shtatë vjet.

Organizimi, drejtimi  ose  financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim nga pesë gjer  në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni  284/d Prodhimi dhe tregtimi  i  barnave  dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të  rrezikshme për jetën dhe shëndetin

(Shtuar me  ligjin nr.  135/2015, datë 5.12.2015)

Prodhimi,  mbajtja për  qëllime tregtimi, shitja ose  ofrimi për shitje, furnizimi, shpërndarja, eksportimi, importimi  i barnave, substancave aktive  ose lëndëve ndihmëse për prodhimin e  tyre, si dhe produkteve e pajisjeve mjekësore,  aksesorëve, pjesëve përbërëse ose materialeve të tyre  të falsifikuara  ose të rrezikshme  për jetën dhe  shëndetin, dënohen me burgim  nga gjashtë muaj deri në  pesë  vjet.

Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, nëpërmjet internetit, në bashkëpunim  ose më shumë se një herë, dënohet  me  burgim nga tre deri në  shtatë vjet.

E njëjta vepër, kur ka  sjellë  pasoja të  rënda në  jetën ose shëndetin, dënohet  me burgim jo më  pak se dhjetë vjet.

Neni 285 Mbajtja, prodhimi dhe transportimi i substancave kimike 

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 68)

Prodhimi, mbajtja, transportimi ose shpërndarja e substancave kimike  bazë ose e substancave të tjera të çfarëdollojshme, e pajisjeve,  e materialeve,  në  rast  se  dihet që  ato përdoren ose do të  përdoren për prodhimin ose trafikimin e paligjshëm të substancave narkotike a psikotrope, dënohet me burgim nga tre gjer  në  dhjetë vjet.

Neni 285/a Përshtatja e lokalit për përdorim droge

(Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 69)

Përshtatja ose lejimi për përshtatjen e lokalit, banesës, mjeteve motorike dhe të çdo mjeti tjetër publik ose privat për grumbullimin e personave me  qëllim që ata të konsumojnë substanca narkotike ose psikotrope, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 285/b Hedhja ose braktisja e shiringave

(Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 69)

Hedhja ose braktisja e shiringave, në vende  publike ose  të hapura  për  publikun,  si  dhe në  mjedise private të përdorimit të përbashkët të shiringave ose instrumenteve të rrezikshëm, të përdorura për marrjen e  substancave narkotike ose  psikotrope, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim  gjer në  një vit.

Neni 286 Nxitja për përdorimin e drogës

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 70)

Nxitja e të tjerëve për  përdorimin e  lëndëve  narkotike  dhe  psikotrope ose dhënia  në  përdorim ose injektimi i tyre te të tjerët,  pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Kur nxitja apo injektimi i  detyruar bëhet ndaj fëmijëve apo në institucione  penale, shkollore, sportive apo të çdo veprimtarie tjetër shoqërore dënohet  me burgim jo më  pak se pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 286/a Përdorimi i paligjshëm i  teknologjisë së lartë 

(Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 71)

Prodhimi dhe përdorimi i sistemeve telematike, mjeteve dhe pajisjeve të teknologjisë së lartë, në rastet e veprave penale të parashikuara në nenet 283 gjer në 286/a të këtij Kodi ose për  të mundësur ose lehtësuar konsumimin e lëndëve narkotike dhe psikotrope ose për të transmetuar a përhapur njoftime publicitare për stimulimin e përdorimit  të tyre, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 287 Pastrimi i produkteve të veprës  penale ose veprimtarisë kriminale

(Ndryshuar me ligjin nr. 9086, datë  19.6.2003, neni 8; shtuar shkronja  “dh” me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 24; ndryshuar shkronja  “a” e pikës 1, shfuqizuar shkronja “ç” me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 24;  ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 37; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas  dënimit me burgim, shfuqizohet  me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nëpërmjet:

a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, me  qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; 
b) fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë, burimit,  vendndodhjes, disponimit, zhvendosjes, pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë,  duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
c) fitimit të pronësisë, posedimit ose përdorimit të  pasurisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
ç) kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave;
d)  investimit  në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;
dh) këshillimit, ndihmës, nxitjes ose thirrjes  publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër;

 - dënohet me  burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

E njëjta  vepër,  kur  ka  sjellë  pasoja  të  rënda, dënohet jo më  pak se pesëmbëdhjetë vjet me burgim .

Dispozitat e këtij neni  zbatohen edhe kur:

a) vepra penale, produktet e së  cilës  pastrohen,  është kryer nga një person që nuk mund të merret si i pandehur ose që nuk mund të dënohet;
b) ndjekja penale për veprën, produktet e së cilës pastrohen, është parashkruar ose amnistuar;
c) personi që kryen pastrimin e produkteve është  i  njëjtë me personin që ka kryer veprën, nga e cila kanë rrjedhur produktet;
ç) për veprën penale, nga e cila kanë ardhur produktet, nuk është filluar asnjëherë çështja penale apo nuk është dhënë një dënim me vendim penal të formës së prerë;
d) vepra penale, produktet e së cilës pastrohen, është kryer nga një person, pavarësisht shtetësisë së tij, jashtë territorit të Republikës së  Shqipërisë dhe është njëkohësisht e dënueshme, si në shtetin e huaj, ashtu edhe në Republikën e Shqipërisë.

Dijenia dhe qëllimi, sipas  paragrafit të parë të  këtij neni, nxirren  nga rrethana fakti objektive.

Neni 287/a Çelja e llogarive anonime

(Ndryshuar me ligjin nr. 9086, datë 19.6.2003, neni 9;  pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas  dënimit me burgim, shfuqizohet  me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Çelja e depozitave ose e llogarive bankare, anonime ose me emra fiktivë, dënohet me burgim deri në tre vjet.

Neni 287/b  Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin  nga vepra penale ose veprimtaria kriminale

(Shtuar me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 25; ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 38; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas  dënimit me burgim, shfuqizohet  me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Kushdo që blen, merr, fsheh apo, në një mënyrë  tjetër, përvetëson për vete ose një palë të tretë, apo ndihmon në blerjen,  marrjen, fshehjen ose përdorimin e parave apo mallrave të tjera, duke ditur se një person  tjetër ka përfituar këto para apo mallra, si pasojë e kryerjes së një vepre penale ose veprimtarie kriminale, dënohet me burgim  nga gjashtë muaj gjer në tre vjet.

Paragrafi i parë i këtij neni zbatohet pavarësisht ndalimit ligjor për të marrë në përgjegjësi penale personin që ka kryer veprën penale, nga  e cila rrjedh përvetësimi i parave ose i mallrave të tjera.

Neni 288 Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin

Prodhimi, importimi, ruajtja  dhe shitja e ushqimeve, pijeve  dhe lëndëve  të tjera, e barnave të rrezikshme ose të dëmshme për jetën e  shëndetin, si dhe futja në prodhim e kimikateve, materialeve dhe lëndëve shtesë në prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimorë e të  pijeve, kur nga këto vepra ka ardhur vdekja ose dëmtimi i rëndë  i shëndetit të personit,  dënohen me  gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Kur nga  vepra është  shkaktuar vdekja ose dëmtimi i  rëndë i shëndetit të disa  personave,  dënohet me burgim jo më  pak se pesë vjet.

Neni 288/a Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve  dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë

(Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 73)

Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe  mallrave industrialë dhe ushqimorë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me  burgim nga tre  gjer në dhjetë vjet.

Neni 288/b Tregtimi dhe hedhja për konsum e lëndëve djegëse në kundërshtim  me standardet ligjore të cilësisë

(Shtuar me  ligjin  nr.   135/2015, datë 5.12.2015)

Falsifikimi,  tregtimi ose hedhja  për konsum e nënprodukteve të falsifikuara të naftës, që përdoren si lëndë  djegëse, siç parashikohet në legjislacionin  në  fuqi për përpunimin, transportimin dhe tregtimin  e naftës  dhe nënprodukteve  të saj, dënohet me burgim deri në  pesë  vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim,  më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda materiale për shëndetin ose  ka prishur ekosistemin, dënohet me burgim  nga tre deri  në  dhjetë vjet.

Neni 289 Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë

Shkaktimi i vdekjes ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të personit ardhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave që kanë të bëjnë me  punën, prodhimin, shërbimin, të përcaktuara në ligj, në aktet e Këshillit të Ministrave apo në rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike, të mbrojtjes në punë, të higjienës dhe sigurimit nga zjarri prej personave të ngarkuar me respektimin e rregullave dhe marrjen e masave në  zbatim të tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose  dëmtimi i rëndë i shëndetit të disa personave, dënohet me burgim jo më  pak se pesë vjet.

Neni 290 Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor

(Ndryshuar me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 46)

Shkelja e rregullave të qarkullimit  rrugor, kur ka shkaktuar plagosjen  e lehtë  të disa personave, dënohet me gjobë  ose  me burgim  deri në një vit.

Shkelja e rregullave të  qarkullimit rrugor, kur ka shkaktuar plagosjen e rëndë të  një personi, dënohet me burgim  nga një deri në  pesë vjet.

Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, kur ka shkaktuar vdekjen e një personi, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.

Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose  plagosja e rëndë e disa personave, dënohet me burgim nga  pesë deri në njëzet vjet.

Neni 291 Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt

(Ndryshuar me ligjin nr. 144, datë  2.5.2013, neni 47; ndryshuar me ligjin nr. 98, datë 31.7.2014, neni 7)

Drejtimi i automjeteve apo mjeteve  të tjera të motorizuara në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë dënohet me burgim nga dhjetë ditë deri në tre vjet.

Gjykata mund të vendosë zëvendësimin e dënimit me burgim me pagimin e një shume të hollash në favor të shtetit.

Neni 292 Shkelja e disiplinës së punës në transport

Shkelja e disiplinës  së punës në transportin hekurudhor, ujor ose ajror prej punonjësve të këtij transporti, që  ka shkaktuar vdekjen ose dëmtimin e  rëndë të shëndetit të personit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer  në dhjetë vjet.

Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose  dëmtimi i rëndë i shëndetit të disa personave, dënohet  me burgim jo më  pak se pesë vjet.

Neni 293 Pengimi i qarkullimit të  mjeteve të  transportit

Vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e  mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 293/a Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike

(Shtuar me ligjin nr. 10 023,  datë 27.11.2008, neni 23)

Përgjimi i paligjshëm me mjete teknike i transmetimeve jopublike, i të dhënave kompjuterike nga/ose brenda një sistemi kompjuterik, përfshirë emetimet elektromagnetike nga një sistem kompjuterik, që mbart të dhëna të tilla kompjuterike,  dënohet me burgim nga  tre deri në shtatë vjet.

Kur kjo vepër kryhet nga/ose brenda sistemeve  kompjuterike  ushtarake, të sigurisë kombëtare, të rendit publik, të mbrojtjes civile apo në çdo  sistem tjetër kompjuterik, me rëndësi publike, dënohet me  burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 293/b Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike

(Shtuar me ligjin nr. 10 023,  datë 27.11.2008, neni 23)

Dëmtimi, shtrembërimi, ndryshimi, fshirja  apo suprimimi i paautorizuar i të dhënave kompjuterike dënohen me burgim nga  gjashtë muaj deri në tre vjet.

Kur kjo vepër kryhet në të dhënat  kompjuterike  ushtarake, të sigurisë  kombëtare, të rendit publik, të mbrojtjes civile, të shëndetësisë apo në çdo të dhënë tjetër kompjuterike, me rëndësi publike, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Neni 293/c Ndërhyrja në sistemet kompjuterike

(Shtuar me ligjin nr. 10 023,  datë 27.11.2008, neni 23)

Krijimi i pengesave serioze dhe të paautorizuara për të cenuar funksionimin e një sistemi kompjuterik, nëpërmjet futjes, dëmtimit, shtrembërimit, ndryshimit, fshirjes apo suprimimit të të dhënave, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Kur kjo vepër kryhet në sistemet kompjuterike ushtarake, të sigurisë   kombëtare, të rendit publik, të mbrojtjes civile, të shëndetësisë apo në çdo sistem tjetër kompjuterik, me rëndësi publike, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 293/ç Keqpërdorimi i pajisjeve

(Shtuar me ligjin nr. 10 023,  datë 27.11.2008, neni 23)

Prodhimi, mbajtja, shitja, dhënia në përdorim, shpërndarja apo çdo veprim  tjetër, për vënien në dispozicion të një pajisjeje, ku përfshihen edhe  një program kompjuterik, një fjalëkalim kompjuterik, një kod hyrjeje apo një e dhënë e tillë  e ngjashme, të cilat janë krijuar  ose përshtatur për hyrjen në një sistem kompjuterik ose në një pjesë të tij, me qëllim kryerjen e veprave penale, të parashikuara në nenet 192/b, 293/a, 293/b e 293/c të këtij Kodi, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Neni 293/d Shitja e paautorizuar e kartave SIM

(Shtuar me ligjin nr. 98, datë 31.7.2014, neni 8)

Shkelja e rregullave të caktuara për shpërndarjen, shitjen dhe pajisjen me produkte/karta SIM përbën kundërvajtje penale  dhe dënohet me burgim nga tridhjetë ditë deri në gjashtë muaj.

Pjesa e posaçme

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!