Seksioni I Vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga shtetasit

Neni 235 Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin  nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 54)

Kundërshtimi që i bëhet një punonjësi që kryen  një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën  apo shërbimin sipas ligjit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj. 

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose duke  ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. 

Neni 236 Kundërshtimi i punonjësit të  policisë së rendit publik 

(Ndryshuar paragrafi i II me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 55; ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 20) 

Kundërshtimi që i bëhet punonjësit të policisë së  rendit publik, me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas  ligjit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. 

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose duke  ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet. 

Neni 237 Goditjet për shkak të detyrës  

Goditjet ose vepra të tjera dhune që i bëhen punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore apo të shërbimit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. 

Neni 238 Kanosja për  shkak të detyrës 

Kanosja serioze për vrasje apo për plagosje të rëndë, që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 239 Fyerja për shkak të detyrës

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 56; shfuqizuar me  ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 57)

Neni 240 Shpifja për shkak të detyrës

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin  nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 57; shfuqizuar me  ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 57)

Neni 241 Shpifja ndaj  Presidentit të Republikës 

(Shfuqizuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 57) 

Neni 242 Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë  së rendit publik

Mosbindja ndaj urdhrave të ligjshme të punonjësit të policisë së rendit publik përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj. 

Neni 243 Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit  që kryen një detyrë shtetërore

Goditjet ose vepra të tjera dhune që i bëhen pjesëtarit të familjes së një personi që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik, për të penguar në kryerjen e detyrës apo të shërbimit ose për shkak të kësaj veprimtarie, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.   

Neni 244 Korrupsioni  aktiv i personave që  ushtrojnë funksione publike 

(Ndryshuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 18;  pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas  dënimit me burgim, shfuqizohet  me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48) 

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, personit që ushtron funksionin publik, për vete ose  për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën ose funksionin e  tij, dënohen me burgim nga  gjashtë muaj deri në tre vjet. 

Neni 244/a Korrupsioni  aktiv i nëpunësve të huaj publikë 

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 29;  pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas  dënimit me burgim, shfuqizohet  me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48) 

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt a tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, nëpunësit të huaj  publik, nëpunësit të një organizate publike ndërkombëtare, anëtarit të një asambleje të huaj publike apo anëtarit të një asambleje ndërkombëtare parlamentare, për të kryer ose për të mos kryer një  veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim, nga gjashtë muaj gjer në tre vjet. 

Neni 245 Korrupsioni  aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë 

(Ndryshuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 19;  pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas  dënimit me burgim, shfuqizohet  me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48) 

Premtimi, propozimi ose  dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë, për  vete ose për persona  të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën  a funksionin e tij, dënohen me burgim nga një deri në pesë  vjet. 

Neni 245/1 Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike 

(Shtuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 20; ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 30; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas  dënimit me burgim, shfuqizohet  me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48) 

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të  parregullt, për vete ose për persona të tjerë,  personit që  premton ose  siguron se është në  gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës  dhe marrjen e vendimeve nga personat  që ushtrojnë funksione publike, shqiptarë ose  të huaj, pavarësisht nëse është realizuar ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara, dënohen me burgim  nga  gjashtë muaj deri në  tre  vjet.

Kërkimi, marrja ose pranimi, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të  parregullt,  për veten e tij ose për persona të tjerë,  duke premtuar ose siguruar aftësinë për të ushtruar  ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës nga persona që  ushtrojnë funksione publike,  shqiptarë ose të huaj, pavarësisht nëse është kryer ushtrimi  i ndikimit ose kanë ardhur  apo jo pasojat e dëshiruara, dënohen me  burgim nga gjashtë muaj  deri  në katër vjet. 

Neni 245/2 Përjashtimi nga vuajtja e dënimit

(Shtuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004,  neni 20;  shfuqizuar me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48 ) 

Neni 246 Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore 

Përvetësimi i një titulli apo detyre  shtetërore i shoqëruar me kryerjen e veprimeve që i takojnë mbajtësit të titullit apo të detyrës, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. 

Kur vepra kryhet me qëllim fitimi apo ka prekur  lirinë, dinjitetin apo të drejta të tjera themelore të shtetasit, dënohet me  gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. 

Neni 246/a Ushtrimi i profesionit të ekspertit kontabël dhe i shoqërisë audituese pa qenë i regjistruar 

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 31) 

Përvetësimi i titullit profesional të ekspertit kontabël, ushtrimi i profesionit të ekspertit kontabël apo përdorimi i emërtimeve, si shoqëri audituese, pa  qenë regjistruar më parë në regjistrin publik të ekspertëve kontabël, si dhe përdorimi i çfarëdo titulli, që synon të krijojë  një ngjashmëri ose një konfuzion me këta tituj profesionalë apo emërtime, kur është dhënë më parë  masë administrative, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me  gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. 

Neni 247 Mbajtja pa të drejtë e uniformës  

Mbajtja pa të drejtë e uniformës, e një dokumenti ose e një shenje dalluese, që  tregojnë cilësinë e një punonjësi që kryen një detyrë shtetërore apo  një shërbim publik, shoqëruar me veprime të paligjshme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. 

Kur vepra kryhet me qëllim fitimi ose ka prekur lirinë, dinjitetin apo të drejta të tjera themelore të shtetasit, dënohet me  gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. 

Pjesa e posaçme

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!