Kreu VII Vepra me qëllime terroriste

(Ndryshuar titulli me ligjin nr.  9686, datë 26.2.2007, neni 14)

Neni 230 Vepra me qëllime terroriste 

(Ndryshuar me ligjin nr. 9686, datë  26.2.2007, neni 15; ndryshuar  me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 27) 

Kryerja e veprave të mëposhtme, me qëllim  përhapjen e panikut në popullatë ose për të detyruar organe shtetërore, shqiptare ose të huaja,  të kryejnë ose të mos kryejnë një akt të caktuar, ose për të shkatërruar apo destabilizuar, në mënyrë serioze, struktura thelbësore politike, kushtetuese, ekonomike ose sociale të  shtetit shqiptar, të një shteti tjetër, institucioni apo organizate ndërkombëtare, dënohet me burgim jo më pak se  pesëmbëdhjetë vjet ose me  burgim të përjetshëm. 
Veprat me qëllime terroriste përfshijnë: 

a) veprat kundër personit, të cilat mund të shkaktojnë vdekjen ose plagosjen e rëndë; 
b) rrëmbimin e avionëve, të anijeve, të mjeteve të tjera  të transportit apo të platformave fikse ose ushtrimin e paligjshëm të kontrollit mbi to, me  dhunë ose nëpërmjet kanosjes për përdorimin e dhunës apo me anë të çdo forme tjetër kanosjeje; 
c) kryerjen e akteve të dhunës kundër një personi  në bordin e një avioni në fluturim, në bordin e një anijeje ose në bordin e një platforme fikse, kur  këto akte mund të rrezikojnë sigurinë e avionit, të mjetit të lundrimit ose të platformës fikse; 
ç) shkatërrimin e një avioni në funksionim,  të një anijeje apo të një platforme fikse ose shkaktimin e dëmeve të tilla avionit, anijes a ngarkesës së saj ose platformës fikse, që e bëjnë  të pamundur ose rrezikojnë a mund të rrezikojnë sigurinë e fluturimit, të lundrimit ose të platformës fikse; 
d) vendosjen, me çdo mjet, në një avion në shërbim, në një anije ose në një platformë fikse, të një pajisjeje a substance që mund të shkatërrojë avionin, anijen a platformën fikse ose që mund t’i shkaktojë dëme avionit, anijes a ngarkesës së saj  ose platformës fikse dhe që rrezikon a mund të rrezikojë sigurinë e fluturimit, lundrimit të anijes ose të platformës fikse; 
dh) shkatërrimin ose dëmtimin e pajisjeve të fluturimit apo të pajisjeve  të lundrimit detar ose ndërhyrjen në funksionimin e tyre, kur nga një akt  i tillë mund  të rrezikohet siguria e avionit apo e anijes; 
e) përhapjen e informacioneve që dihet se janë të  pavërteta, duke rrezikuar sigurinë e një avioni në fluturim apo të anijes në lundrim; 
ë) vrasjen ose rrëmbimin e një personi të mbrojtur ndërkombëtarisht, sipas nenit 9 të këtij Kodi, ose çdo sulm tjetër ndaj tij ose lirisë së tij; 
f) sulmin e dhunshëm ndaj zyrës, banesës private ose mjetit të transportit të personit të mbrojtur ndërkombëtarisht, sipas nenit 9 të këtij  Kodi, kur prej këtij sulmi  rrezikohet personi ose liria e tij;
g) pengmarrjen ose rrëmbimin e personit dhe kanosjen për të vrarë, për të plagosur ose për të vazhduar mbajtjen e tij peng; 
gj) marrjen në dorëzim, posedimin, përdorimin, transferimin,   tjetërsimin, disponimin ose përhapjen e materialit bërthamor, me dashje dhe pa  qenë i autorizuar ligjërisht, kur i shkaktohet ose mund t’i shkaktohet vdekja ose dëmtime të rënda çdo personi ose të dëmtohet rëndë prona; 
h) vjedhjen, përvetësimin ose përfitimin nëpërmjet mashtrimit të materialeve bërthamore; 
i) kërkimin e  materialeve bërthamore, duke përdorur shtrëngimin, dhunën ose çdo formë tjetër kanosjeje; 
j) prodhimin, mbajtjen, blerjen, transportin apo tregtimin e lëndëve plasëse, të armëve të zjarrit, biologjike, kimike apo bërthamore, si dhe kërkimin  shkencor për prodhimin e  armëve të shkatërrimit në masë; 
k) kryerjen e akteve të dhunës, duke përdorur çdo  pajisje, substancë  ose armë, kundër  një personi në një aeroport të aviacionit civil ndërkombëtar, kur këto akte  shkaktojnë ose mund  të shkaktojnë dëmtime të rënda ose vdekjen e personave; 
l) shkatërrimin ose dëmtimin e rëndë të mjediseve  apo të pajisjeve në një aeroport të aviacionit civil ndërkombëtar ose në një avion të vendosur në këtë aeroport që nuk është në fluturim ose ndërprerjen e shërbimeve të  aeroportit, duke përdorur çdo pajisje ose  armë, kur nga ky akt rrezikohet  a mund të rrezikohet siguria e aeroportit; 
ll) përhapjen,  vendosjen, shkarkimin ose shpërthimin e lëndëve plasëse  ose të pajisjeve të tjera vdekjeprurëse, në mjedise publike, në zyrat e një shteti ose qeverie,  sistemin e transportit publik ose në infrastrukturën publike, si dhe shpërndarjen në  mjedis të substancave të rrezikshme, shkaktimin e zjarreve, të përmbytjeve,  shpërthimeve, me qëllim  shkaktimin e vdekjes ose dëmtimeve të rënda trupore ose me qëllim shkaktimin e shkatërrimeve masive të  vendeve,  mjediseve ose sistemeve të lartpërmendura, kur ky shkatërrim sjell a mund të  sjellë humbje  të mëdha ekonomike; 
m) shkatërrimin e  rëndë  dhe në  përmasa të mëdha  të pronës publike,  të infrastrukturës publike, të sistemit të transportit, të sistemit  të informacionit e të pronës private, duke rrezikuar jetën e personave; 
n) shkaktimin e ndërprerjes së furnizimit me ujë,  energji elektrike ose çdo burim tjetër të rëndësishëm; apo çdo vepër tjetër që synon të shkaktojë vdekjen ose plagosjen e rëndë të civilëve ose të çdo personi tjetër që nuk merr pjesë aktive në veprimet luftarake  në një situatë konflikti  të armatosur, e kryer për qëllimet e përcaktuara në paragrafin e  parë të këtij neni.
Veprimet që  shkaktojnë ndërprerjen e një shërbimi  të rëndësishëm, një sistemi, një veprimtarie publike ose private, si rezultat i  protestës, i mosbindjes civile, ose  i grevës, nuk do të konsiderohen vepra me qëllime terroriste  në kuptimin e  këtij neni. 

Neni 230/a  Financimi i  terrorizmit 

(Shtuar me ligjin nr. 9086, datë 19.6.2003, neni 7; ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 28; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit  me burgim, shfuqizohet me  ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Dhënia ose grumbullimi i fondeve,  me  çdo mjet, në mënyrë të  drejtpërdrejtë ose të tërthortë, me qëllimin që ato të përdoren  ose  duke ditur se ato do  të  përdoren, plotësisht  ose pjesërisht:

a) për të kryer vepra me  qëllime terroriste;
b) nga një organizatë terroriste;
c) nga një terrorist i vetëm; dënohet  jo më  pak se pesëmbëdhjetë vjet burgim  ose  me burgim të  përjetshëm.

Dispozitat  e këtij neni zbatohen: 

a) për të gjitha fondet, ku përfshihen pasuri të çdo lloji, të trupëzuara ose të patrupëzuara, të luajtshme ose të paluajtshme, pavarësisht nga mënyra e fitimit të tyre, dhe dokumente ligjore ose instrumente të çdo lloji, edhe në formë elektronike ose digjitale, që  tregojnë të drejta  ose interesa  mbi pasuri të  tilla, përfshirë kreditë bankare, çeqet e udhëtarëve, çeqet bankare, urdhërpagesat,  aksionet,  letrat  me  vlerë, bonot, çeqet e garantuara bankare,  letrat  e kreditit, si  dhe çdo instrument tjetër financiar, të ngjashëm me to; 
b) pavarësisht nëse personi që kryen një nga veprat  e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, ndodhet në të  njëjtin shtet  a në një shtet të ndryshëm  nga ai, në të cilin ndodhet organizata terroriste a terroristi i vetëm ose nga  shteti në të cilin është kryer a do të kryhet vepra me qëllime  terroriste; 
c) në rastin  e parashikuar nga paragrafi i parë i këtij neni, pavarësisht nëse  fondet  janë përdorur në fakt për të kryer veprën ose veprat, për të cilat ishin dhënë ose grumbulluar, apo  nëse mund të vendoset një lidhje mes fondeve dhe një apo më shumë  veprave konkrete me  qëllime terroriste.
Dijenia dhe qëllimi, sipas  paragrafit të parë të  këtij neni, nxirren  nga rrethana fakti objektive.

Neni 230/b Fshehja e fondeve dhe e pasurive të  tjera, që financojnë terrorizmin 

(Shtuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 16; pjesa  që parashikon edhe  dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me  ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48) 

Transferimi, konvertimi, fshehja,  lëvizja ose tjetërsimi i fondeve  dhe i pasurive të tjera, ndaj të cilave zbatohen masat kundër financimit të terrorizmit, për të shmangur zbulimin dhe vendndodhjen e tyre, dënohen me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet. 

Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë  deri në pesëmbëdhjetë vjet, ndërsa kur kryerja e kësaj vepre ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me  burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet. 

Neni 230/c Dhënia e informacioneve nga persona që ushtrojnë funksione publike  ose në ushtrim të detyrës a profesionit 

(Shtuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 16; pjesa  që parashikon edhe  dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me  ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48) 

Vënia në dijeni e personave të shpallur ose e personave të tjerë për të dhënat për verifikimin ose hetimin  e fondeve dhe pasurive të tjera, ndaj të cilave zbatohen  masa kundër financimit të terrorizmit, nga persona që ushtrojnë funksione  publike ose që janë në ushtrim të detyrës a profesionit, dënohet me  burgim nga  pesë deri në dhjetë vjet.     

Neni 230/ç Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur 

(Shtuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 16; pjesa  që parashikon edhe  dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me  ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48) 

Dhënia e fondeve dhe pasurive të tjera, kryerja e  shërbimeve financiare, si dhe e transaksioneve të tjera me  persona të shpallur, ndaj të cilëve zbatohen masa kundër financimit të terrorizmit, dënohen me burgim nga katër deri në dhjetë vjet. 

Neni 230/d Grumbullimi i fondeve për  financimin e terrorizmit 

(Shtuar me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 16;  shfuqizuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 57) 

Neni 231 Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave me qëllimeve terroriste ose të financimit të terrorizmit 

(Ndryshuar me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 17) 

Rekrutimi i një ose më shumë personave për kryerjen e veprave me qëllime terroriste ose të financimit të terrorizmit, edhe kur këto vepra drejtohen kundër një shteti tjetër, institucioni apo organizate ndërkombëtare, nëse nuk përbën vepër  tjetër penale, dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.

Neni 232 Stërvitja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste 

(Ndryshuar me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 18) 

Përgatitja, stërvitja dhe dhënia në çdo formë  e udhëzimeve edhe në mënyrë anonime ose në rrugë elektronike, për prodhimin ose përdorimin  e lëndëve eksplozive, armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake, të armëve  të tjera dhe lëndëve kimike, bakteriologjike apo bërthamore ose të çdo natyre tjetër, të dëmshme dhe të rrezikshme për njerëzit dhe pasurinë, si dhe të teknikave e të metodave të tjera për kryerjen e veprave me qëllime  terroriste dhe pjesëmarrja në veprimtari të tilla, edhe kur këto vepra drejtohen kundër një shteti  tjetër, institucioni apo organizate ndërkombëtare, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohen me burgim jo më pak se shtatë vjet. 

Neni 232/a Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste 

(Shtuar me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 19) 

Nxitja, thirrja publike, shpërndarja e shkrimeve ose propaganda në forma të tjera, që  synon mbështetjen ose kryerjen e një apo më shumë veprave për qëllime terroriste dhe për financimin e terrorizmit, nëse nuk përbën vepër tjetër penale,  dënohet me  burgim nga katër deri në dhjetë vjet. 

Neni 232/b Kanosja për  kryerjen e veprave me qëllime terroriste 

(Shtuar me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 19) 

Kanosja serioze për kryerjen e veprave për qëllime terroriste, që i bëhet një autoriteti  publik, edhe të një shteti tjetër, institucioni apo organizate ndërkombëtare, dënohet me burgim nga tetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 233 Krijimi i turmave të armatosura 

Krijimi i turmave të armatosura për t’iu kundërvënë rendit publik me anë të veprimeve të dhunshme ndaj jetës, shëndetit, lirisë vetjake të personit, pasurisë, me qëllim ngjalljen e  frikës e të pasigurisë në masë, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet. 

Neni 234 Prodhimi i armëve luftarake

Prodhimi, mbajtja, transportimi i armëve luftarake, kimike, biologjike, bërthamore, me bazë helmuese ose eksplozive, me qëllim për të kryer vepra terrori, dënohen me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. 

Neni 234/a Organizata terroriste 

(Shtuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 17) 

Krijimi, organizimi, drejtimi dhe financimi i organizatës terroriste dënohen me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet. 

Pjesëmarrja në organizata terroriste dënohet me  burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 234/b Banda e armatosur 

(Shtuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 17) 

Krijimi, organizimi, drejtimi dhe financimi i  bandës së armatosur dënohen me burgim nga dhjetë deri në  pesëmbëdhjetë vjet. 

Pjesëmarrja në bandën e armatosur dënohet  me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet. 

Pjesa e posaçme

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!