Seksioni II Krime kundër rendit kushtetues
Neni 219 Atentati
(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 79)
Kryerja e vrasjeve, rrëmbimeve, torturave apo akteve të tjera të dhunës kundër përfaqësuesve më të lartë të shtetit, me qëllim për të përmbysur rendin kushtetues, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
Neni 220 Komploti
Marrja e vendimeve dhe krijimi i kushteve materiale nga një grup njerëzish për të kryer atentat dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Neni 221 Kryengritja
(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 79)
Pjesëmarrja në veprime masive të dhunshme, si vendosje pengesash apo barrikadash për të ndalur forcat e rendit, rezistenca me armë apo çarmatosja e tyre, pushtimi me forcë i ndërtesave, kryerja e plaçkitjeve, grumbullimi apo vënia në dispozicion e armëve, municioneve dhe njerëzve, krijimi i lehtësirave në favor të kryengritësve, të bëra për të përmbysur rendin kushtetues, dënohen më burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet.
Marrja pjesë si udhëheqës apo organizator në veprimet e mësipërme dënohet me burgim të përjetshëm.
Neni 222 Thirrjet për armatosje ose marrja pa të drejtë e komandës
Thirrjet për armatosje kundër rendit kushtetues, krijimi apo organizimi i forcave të armatosura në kundërshtim me ligjin, marrja pa të drejtë e komandës së forcave të armatosura për të kryer veprime luftarake, me qëllim për t’iu kundërvënë rendit kushtetues, dënohen me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Neni 223 Thirrjet publike për veprime të dhunshme
Thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Neni 224 Krijimi i partive dhe shoqatave antikushtetuese
Krijimi apo pjesëmarrja në parti, organizata apo shoqata që synojnë përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Rikrijimi i një partie, organizate ose shoqate të shpërndarë si antikushtetuese apo vazhdimi i veprimtarisë në mënyrë të fshehtë ose të hapur, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet.
Neni 225 Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese
Shpërndarja e shkrimeve apo përdorimi i simboleve që i përkasin një partie, organizate apo shoqate antikushtetuese ose që është e shpërndarë si e tillë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Shpërndarja apo futja e materialeve, shkrimeve apo simboleve nga jashtë në Republikën e Shqipërisë, të cilat synojnë përmbysjen e rendit kushtetues a cenimin e tërësisë tokësore të vendit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Pjesa e përgjithshme
Pjesa e posaçme
Shto një koment