Kreu IX Vepra penale kundër drejtësisë

Neni 300 Moskallëzimi i krimit

Moskallëzimi në organet e ndjekjes penale, në  gjykatë, në organet e rendit publik, të pushtetit ose të administratës, i një krimi që është duke u  kryer apo që është kryer, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Përjashtohen nga detyrimi për kallëzim të paralindurit dhe të paslindurit,  vëllezërit dhe motrat, bashkëshorti, adoptuesi dhe të adoptuarit, si edhe  personat që janë të detyruar të ruajnë një sekret të njohur për shkak të detyrës apo profesionit.

Neni 301 Veprime që pengojnë zbulimin  e së  vërtetës

Kryerja e veprimeve për të ndryshuar vendin e  kryerjes së veprës penale duke prishur, ndryshuar apo fshirë gjurmët e saj ose duke lëvizur,  fshehur, asgjësuar, vjedhur, falsifikuar një send apo një dokument me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e veprës penale dhe të autorit të saj, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 302 Përkrahja e autorit të krimit

(Shtuar paragrafi II me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni  25; shtuar paragrafi II me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 28)

Furnizimi i autorit të një krimi me ushqime, me  mjete të tjera për jetesë ose sigurimi i një banese, vendqëndrimi ose me çdo  mënyrë tjetër me qëllim që t’i  shpëtojë kërkimit, kapjes ose arrestimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Po kjo vepër kur kryhet në lidhje me veprat penale, të parashikuara në  nenet 73, 74, 75, 79, 219, 220, 221, 230, 230/a, 230/b, 231, 232, 232/a, 234/a, 234/b,  284/a, 333 e 333/a të këtij Kodi, dënohet me  burgim nga dy deri në shtatë vjet.

Përjashtohen nga përgjegjësia penale të paralindurit dhe të paslindurit, vëllezërit dhe motrat, bashkëshorti, adoptuesit dhe të adoptuarit.

Neni 303 Fshehja ose  asgjësimi i kufomës 

Fshehja ose asgjësimi i kufomës së një personi, viktimë e vrasjes apo të veprave të tjera të dhunshme, e bërë me qëllim për të ndihmuar autorin  e krimit që t’i shpëtojë kërkimit, kapjes dhe arrestimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 304 Detyrimi për të kallëzuar provën

Mosparaqitja menjëherë për të kallëzuar ose dëshmuar para organeve të prokurorisë, gjykatës apo organeve të rendit, për provën e njohur që e bën të pafajshëm një person tjetër që akuzohet ose është dënuar  për një vepër penale, dënohet me  gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Përjashtohen nga detyrimi për kallëzim autori i veprës penale, si dhe personat që vijnë në dijeni të provës për shkak të detyrës apo  profesionit dhe janë të detyruar të mos  kallëzojnë e dëshmojnë për të.

Neni 305 Kallëzimi i rremë

Kallëzimi për kryerjen e një krimi që dihet se  nuk është kryer ose për kryerjen e një krimi nga një person që dihet se nuk e ka kryer atë, si edhe, krijimi i provave të rreme me qëllim që të bëhen ndjekje penale, dënohen me gjobë ose  me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 305/a Deklaratat e rreme përpara prokurorit

(Shtuar me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 29)

Kushdo që, gjatë hetimeve apo procedimeve penale, i pyetur nga një prokuror që të  japë informacionin e duhur lidhur me hetimin, jep të dhëna, me gojë ose me shkrim, që ai e di se janë, tërësisht ose pjesërisht, të rreme apo fsheh fakte ose prova, dënohet me gjobë ose me burgim deri në njëvit.
Dispozitat e këtij neni nuk janë të zbatueshme  në rast se akti është kryer në çdo fazë të procedimit penal nga një person i dyshuar ose i pandehur për veprën penale ose nga dikush, që duhej të ishte përjashtuar nga kërkesa për informacion apo për të dëshmuar, për çdo arsye të ligjshme, ose  që nuk ishte paralajmëruar për të drejtën për të mos dëshmuar apo për t’iu përgjigjur pyetjeve.

Neni 305/b Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore

(Shtuar me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 29)
Kushdo që, gjatë hetimit, i pyetur nga  një oficer  i policisë gjyqësore që të japë informacionin e duhur, jep të dhëna, me gojë ose me shkrim, që ai  i di se janë,tërësisht ose pjesërisht, të rreme apo fsheh fakte ose prova, përbën kundërvajtje penale  dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj. Dispozitat e këtij neni nuk janë të zbatueshme  në rast se akti është kryer në çdo  fazë të procedimit penal nga një person i dyshuar ose i pandehur për veprën penale ose nga dikush, që duhej të ishte përjashtuar nga kërkesa për informacion apo për të dëshmuar, për çdo arsye të ligjshme, ose  që nuk ishte paralajmëruar për të drejtën për të mos dëshmuar apo për t’iu përgjigjur pyetjeve.

Neni 306 Dëshmia e rreme

(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001,  neni 75; shtuar paragrafi III me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 26; ndryshuar paragrafi III me  ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 30)

Dëshmia e rreme e bërë përpara gjykatës përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Kur dëshmia e rreme bëhet me qëllim fitimi apo  çdo interes tjetër të dhënë apo të premtuar, dënohet me  gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Po kjo vepër  kur kryhet në lidhje me veprat  penale të parashikuara në nenet 234/a, 234/b, 284/a 333 e 333/a të këtij Kodi, dënohet me  burgim nga dy deri në gjashtë vjet.

Neni 307 Refuzimi për të dëshmuar

(Ndryshuar paragrafi II, shtuar paragrafi i fundit  me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 31)

Refuzimi për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth dijenisë për kryerjen e një vepre penale apo  të autorit të saj, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet  me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Kur refuzimi  për të dëshmuar bëhet me qëllim fitimi apo çdo interes tjetër të dhënë apo të premtuar, dënohet  me burgim nga një deri në katër vjet.

Dispozitat e këtij neni nuk janë të zbatueshme  në rast se akti është kryer në çdo  fazë të procedimit penal nga një person i dyshuar ose i pandehur për veprën penale ose nga dikush, që duhej të ishte përjashtuar nga kërkesa për informacion apo për të dëshmuar, për çdo arsye të ligjshme, ose  që nuk ishte paralajmëruar për të drejtën për të mos dëshmuar apo për t’iu përgjigjur pyetjeve.

Neni 308 Përkthimi i rremë

Shtrembërimi me dashje i përmbajtjes së një  dokumenti apo shkrimi të dhënë për përkthim nga organet e ndjekjes penale apo gjykata ose përkthimi  i rremë përpara tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Kur përkthimi i rremë bëhet me qëllim fitimi apo çdo interes tjetër të dhënë apo të premtuar, dënohet me  gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 309 Ekspertimi i rremë

Dhënia me dashje e rezultateve të rreme në raportet e ekspertimit të bëra  me shkrim apo me gojë përpara organeve të ndjekjes penale ose gjykatës, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Kur ekspertimi i rremë bëhet me qëllim fitimi  apo çdo interes tjetër të dhënë apo të premtuar, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 310 Mosparaqitja  e dëshmitarit,  ekspertit apo përkthyesit

Mosparaqitja e dëshmitarit, ekspertit apo përkthyesit, pa shkaqe të arsyeshme ose mospranimi prej tyre për të kryer detyrat e caktuara nga organi i ndjekjes penale ose gjykata, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

Neni 311 Kanosja për  të mos kallëzuar

(Ndryshuar me ligjin nr. 9686, datë  26.2.2007, neni 32; ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 56)

Kanosja, që i bëhet të dëmtuarit nga vepra penale, me qëllim që të mos kallëzojë, të ankohet apo të tërheqë kallëzimin ose ankimin e bërë, dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.

Neni 312 Korrupsioni  aktiv i dëshmitarit,  i ekspertit ose përkthyesit

(Ndryshuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 27;  pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas  dënimit me burgim, shfuqizohet  me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tretë, dëshmitarit, ekspertit ose përkthyesit, për të siguruar deklarime ose dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë ose për  të refuzuar kryerjen e detyrimeve të tyre përpara organeve të ndjekjes penale dhe gjykatës, dënohen me burgim deri në katër vjet.

Neni 312/a Kanosja për  deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim  të rremë

(Shtuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 28; ndryshuar me ligjin nr. 9686,  datë 26.2.2007, neni 33)

Kanosja ose vepra të tjera dhune, që i bëhen personit për të siguruar deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë ose për të refuzuar kryerjen e detyrave të tyre përpara  organeve të ndjekjes penale dhe gjykatës dënohet me  burgim nga një deri në katër vjet.

Neni 313 Fillimi i paligjshëm i ndjekjes penale

Fillimi i paligjshëm i ndjekjes penale nga prokurori kundër një personi që dihet se është i pafajshëm dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 313/a  Zhdukja ose humbja e fashikullit

(Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 77)

Zhdukja ose humbja me çdo mënyrë  e fashikullit të hetimit  ose të gjykimit,  si  dhe heqja prej tyre e dokumenteve,  shkresave ose të dhënave të tjera që ndodhen të bashkuara me to, kur ka sjellë pasoja të rënda  në dëm  të interesave  të shtetasve  ose të shtetit,  dënohet me  gjobë ose me  burgim  gjer  në  pesë vjet.

Neni 313/b Ndalimi i dhënies dhe i shpalljes së  të  dhënave në kundërshtim me ligjin

(Shtuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 29;  ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 56 )

  1. Bërja publike,  edhe në organe  të medias, në kundërshtim me ligjin e të dhënave me karakter të klasifikuar dhe konfidencial,  që rrezikojnë jetën, integritetin fizik ose lirinë e  personave të mbrojtur,  sipas ligjit nr. 9205, datë 15.3.2004 “Për  mbrojtjen e  dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve  të drejtësisë”, dënohet  me gjobë ose me  burgim deri  në dy vjet  dhe, kur nga kryerja  e kësaj vepre kanë ardhur pasoja të rënda  për shëndetin e tyre, me burgim  nga 6 muaj deri në  tre  vjet.
  2. Kur kjo vepër  kryhet nga njëri  prej  personave që  kanë përgjegjësinë për të  ruajtur karakterin e klasifikuar  dhe konfidencial  të të dhënave, dënohet me gjobë  ose me  burgim deri në tre vjet dhe, kur nga kryerja e kësaj vepre  kanë  ardhur pasoja të rënda  për  shëndetin  e tyre,  me  burgim nga dy deri në pesë vjet.
  3. Kur vepra ka sjellë  si pasojë  vdekjen dënohet  me burgim nga  tre deri në dhjetë vjet.

Neni 314 Përdorimi i dhunës gjatë hetimeve

Përdorimi i dhunës nga personi i ngarkuar me zhvillimin e hetimeve për ta detyruar shtetasin të bëjë deklaratë, të dëshmojë ose të pohojë fajësinë e  tij a të një tjetri, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Neni 315 Dhënia e një vendimi të padrejtë  

(Shfuqizuar me  vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 11,  datë 2.4.2008)

Neni 316 Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit

Kundërshtimi me dhunë, goditjet dhe vepra të tjera dhune që i bëhen gjyqtarit apo anëtarëve të trupit gjykues, prokurorit, avokatit, ekspertëve, çdo arbitri të caktuar për një çështje, për ta penguar në kryerjen e detyrës apo për shkak të saj, dënohen  me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.

Neni 317 Kanosja e gjyqtarit

Kanosja që i bëhet gjyqtarit apo anëtarëve të trupit  gjykues, prokurorit, avokatit ose çdo arbitri të caktuar për një çështje për shkak të veprimtarisë së  tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 318 Fyerja e gjyqtarit

(Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 40)

Fyerja e gjyqtarit apo anëtarëve të trupit gjykues,  prokurorit, avokatit ose anëtarit të arbitrazhit, për shkak të veprimtarisë së tyre në një çështje,  përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Neni 319 Korrupsioni  aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe  i funksionarëve të tjerë të drejtësisë

(Ndryshuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 30;  pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas  dënimit me burgim, shfuqizohet  me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i  çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, gjyqtarit, prokurorit ose çdo punonjësi tjetër të organeve të drejtësisë, për të kryer ose mos kryer një veprim, që  lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga një vit deri në katër vjet.

Neni 319/a Korrupsioni aktiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 42;  pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt a tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, gjyqtarit ose zyrtarit  të gjykatave ndërkombëtare, për të kryer apo për të mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga një vit gjer në katër vjet.

Neni 319/b Korrupsioni  aktiv i arbitrit vendas dhe të huaj

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 42;  pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt a tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, arbitrit vendas  ose të huaj, për të kryer apo për të mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij,  dënohen me burgim nga një vit gjer në katër vjet.

Neni 319/c Korrupsioni  aktiv i anëtarëve të  jurive gjyqësore të huaja

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 42;  pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt a tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për  persona të tjerë, i anëtarëve të jurive  gjyqësore të huaja, për të kryer apo  për të mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin  e tij, dënohen me burgim nga një vit gjer në katër vjet.

Neni 319/ç Korrupsioni  pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe  funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë

(Shtuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 31;  numërtuar me ligjin nr. 23/2012,  datë 1.3.2012, neni 41; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit  me burgim, shfuqizohet me  ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt ose i një premtimi të tillë, për vete ose për  persona të tjerë,  ose pranimi i një oferte a premtimi, që vjen nga përfitimi i parregullt, nga gjyqtari, prokurori ose funksionarë të tjerë të organeve të drejtësisë, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e funksionin e tij, dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Neni 319/d Korrupsioni  pasiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 43;  pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas  dënimit me burgim, shfuqizohet  me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt  a tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt  ose i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, apo pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga gjyqtari ose zyrtari i një gjykate  ndërkombëtare, për të kryer apo për të mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij,  dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Neni 319/dh Korrupsioni  pasiv i arbitrit vendas dhe të huaj

(Pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt  a tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt  ose i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, apo pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga arbitri vendas ose i huaj për të kryer apo për të mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me  burgim nga dy gjer në tetë vjet.

Neni 319/e Korrupsioni  pasiv i anëtarëve të  jurive gjyqësore të huaja

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 43;  pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas  dënimit me burgim, shfuqizohet  me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt  a tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt  ose i një premtimi të tillë, për vete a për persona të tjerë,  apo pranimi  i një oferte a premtimi që  vjen nga përfitimi i parregullt, nga një anëtar  i jurive gjyqësore të huaja, për të kryer apo për të  mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga dy gjer në tetë vjet.

Neni 320 Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës

Fshehja, tjetërsimi, konsumimi, dëmtimi apo shkatërrimi i sendeve për të cilat është marrë një vendim prej gjykatës, ose kryerja  e veprimeve të tjera të bëra me qëllim që të mos ekzekutohet ose të pengohet ekzekutimi i vendimit gjyqësor, përbën  kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 320/a Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës

(Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 78)

Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i një vendimi penal ose civil të gjykatës, nga punonjësi i ngarkuar me ekzekutimin  e vendimeve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Kur kjo vepër kryhet me qëllim fitimi ose çdo interes tjetër të dhënë ose të premtuar, si dhe për të favorizuar persona që kanë interes për mosekzekutimin e vendimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 321 Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës

(Shtuar paragrafi me ligjin nr.  23/2012, datë 1.3.2012, neni 44)

Kryerja e veprimeve në kundërshtim me vendimin  e gjykatës në lidhje me detyrimet e lindura nga dënimet plotësuese të dhëna prej saj, përbën  kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Kryerja e veprimeve  në kundërshtim me vendimin  e gjykatës,  në lidhje me  detyrat e lindura nga urdhrat e mbrojtjes të dhëna prej saj, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim gjer në dy vjet.

Neni 322 Prishja e vulave dhe shenjave

Prishja me dashje e vulave dhe shenjave të tjera të vendosura mbi sende të ndryshme nga organet e ndjekjes penale dhe gjyqësore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

Neni 323 Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit

Largimi i të ndaluarit, arrestuarit apo të dënuarit me burgim nga vendi i qëndrimit të detyrueshëm ose gjatë  transportimit  të tij nga  një  vend në  tjetrin, dënohet me burgim gjer  në pesë vjet.

Kur vepra penale kryhet me dhunë  ose me përdorim të armëve, substancave  zjarrvënëse,  eksplozive dhe helmuese dënohet me  burgim nga pesë gjer  në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 324 Dhënia ndihmë një të  burgosuri për largim

(Ndryshuar paragrafi i  parë me ligjin nr. 135/2015, datë 5.12.2015)

Dhënia e këshillave, informatave,  mjeteve të ndaluarit, të  arrestuarit ose të burgosurit, me qëllim për t’u larguar nga vendi i qëndrimit të detyruar, dënohet me burgim  nga tre deri  në shtatë vjet.

Kur dhënia ndihmë bëhet nga i ngarkuari me ruajtjen, mbikëqyrjen apo transportimin, ose që për shkak të funksionit ka të drejtë të hyjë në institucione burgimi apo të ketë lidhje me të ndaluar, arrestuar apo të burgosur, dënohet me  burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Neni 324/a Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në  institucionin e ekzekutimit të vendimeve  me burgim

(Shtuar me ligjin nr. 135/2015, datë 5.12.2015)

Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim, të cilat, sipas legjislacionit në fuqi, janë  të ndaluara, dënohet me burgim nga një  deri në tre vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më  shumë se një herë ose nga personi që ka për detyrë ruajtjen dhe sigurinë fizike ose që për shkak të detyrës ose profesionit ka të drejtë të hyjë në institucione burgimi, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Pjesa e posaçme

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!