Kreu IV Vepra penale kundër mjedisit

Neni 201 Ndotja e ajrit 

Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave  dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive e bërë tej kufirit të normave të lejuara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet. 

Neni 202 Transportimi i mbeturinave toksike 

Transportimi tranzit apo depozitimi në territorin shqiptar të mbeturinave toksike dhe radioaktive, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet. 

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. 

Neni 203 Ndotja e ujërave

Ndotja e ujërave të deteve, lumenjve, liqeneve apo burimeve të rrjetit grumbullues e shpërndarës të ujërave me lëndë toksike, radioaktive apo substanca të tjera, që prishin ekuilibrin ekologjik, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet. 

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet. 

Neni 204 Peshkimi i ndaluar

Peshkimi në kohë, me mjete, vende dhe mënyra  të ndaluara  përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj. 

Peshkimi i kryer me mjete të rrezikut të përbashkët si eksploziv, lëndë helmuese etj,. përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. 

Neni 205 Prerja e paligjshme e pyjeve 

Prerja apo dëmtimi i pyjeve pa leje apo në kohë dhe vende të ndaluara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje  penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.  

Neni 206 Prerja e drurëve dekorativë dhe frutorë

Prerja e drurëve dekorativë dhe dëmtimi i  lulishteve dhe parqeve nëpër qytete përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë. 

Prerja e drurëve në pemëtore, ullishta e vreshta,  pasi është refuzuar më parë leja e prerjes nga organet kompetente, përbën kundërvajtje penale e dënohet me burgim gjer në tre muaj. 

Neni 206/a Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor 

(Shtuar me ligjin nr. 10 023, datë 27.11.2008, neni 22; ndryshuar fjalët në paragrafin  e parë, dytë dhe të tretë me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 38

Shkatërrimi apo dëmtimi  me dashje, me pasoja të  rënda materiale, i fondit pyjor, i fidanishtes pyjore, i grumbullit pyjor ose i çdo njësie të ngjashme me to, me zjarr, dënohet me burgim nga pesë deri në tetë vjet. Po kjo vepër, e kryer me qëllim ndryshimin e kategorisë dhe destinacionit të tokës, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve  apo shkakton dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit apo zonave  të mbrojtura, dënohet me burgim nga dhjetë deri në  njëzet vjet.  

Neni 206/b Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor 

(Shtuar me ligjin nr. 10 023, datë 27.11.2008, neni 22; ndryshuar fjalët në paragrafin e  parë dhe të dytë me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 39)

Shkatërrimi apo dëmtimi nga pakujdesia, me pasoja të rënda materiale, i fondit pyjor, i fidanishtes pyjore, i grumbullit pyjor ose i çdo njësie të ngjashme me to, me zjarr, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve  apo shkakton dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit apo zonave  të mbrojtura, dënohet me burgim nga  tre deri në tetë vjet.

Pjesa e posaçme

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!