Seksioni VIII Falsifikimi i dokumenteve

Neni 186  Falsifikimi i dokumenteve

(Ndryshuar me ligjin nr. 9188, datë 12.2.2004, neni 4;  pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas  dënimit me burgim, shfuqizohet  me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Falsifikimi ose përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dënohet me burgim deri në tre vjet.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë  se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me  burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.

Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për  detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me burgim nga një vit deri në shtatë vjet.

Neni 186/a Falsifikimi kompjuterik

(Shtuar me ligjin nr. 10 023,  datë 27.11.2008, neni 18)

Futja, ndryshimi, fshirja apo heqja e të dhënave kompjuterike, pa të drejtë, për  krijimin e të dhënave të rreme, me qëllim paraqitjen  dhe përdorimin e tyre si autentike, pavarësisht nëse të dhënat e krijuara janë drejtpërdrejt të lexueshme  apo të kuptueshme, dënohen me burgim nga gjashtë  muaj deri  në gjashtë vjet.

Kur kjo vepër kryhet nga personi,  që ka për detyrë ruajtjen dhe administrimin e të dhënave kompjuterike, në bashkëpunim,  më shumë se një herë  ose ka sjellë pasoja të rënda për interesin publik, dënohet  me burgim tre deri në dhjetë  vjet.

Neni 187 Falsifikimi i dokumenteve shkollore

Falsifikimi apo përdorimi i dokumenteve shkollore të  falsifikuara  dënohet  me gjobë ose me  burgim gjer  në  tre vjet. Kur falsifikimi bëhet nga personi që  ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me  gjobë ose  me burgim gjer  në pesë vjet. 

Neni 188  Falsifikimi i  dokumenteve shëndetësore 

Falsifikimi apo përdorimi i dokumenteve të falsifikuara shëndetësore dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. 

Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. 

Neni 189 Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave 

(Ndryshuar me ligjin nr. 9188, datë 12.2.2004, neni 5;  pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas  dënimit me burgim, shfuqizohet  me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48) 

Falsifikimi ose përdorimi i letërnjoftimeve, i pasaportave apo i vizave të falsifikuara dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet. 

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë  se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. 

Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për  detyrë të lëshojë letërnjoftimin, pasaportën apo vizën, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet. 

Neni 190 Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve 

(Ndryshuar me ligjin nr. 9188, datë  12.2.2004, neni 6; shtuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 15; shfuqizuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.  47, datë 26.7.2012, pjesa  që parashikon dënimin me gjobë si dënim kryesor) 

Falsifikimi ose përdorimi i vulave,  i stampave  apo i formularëve të falsifikuar  ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore,  dënohet me  burgim nga gjashtë muaj  deri  në katër vjet. 

Kur kjo vepër kryhet në  bashkëpunim ose më shumë se një  herë apo ka  sjellë pasoja të rënda, dënohet  me burgim nga  gjashtë muaj deri në pesë vjet. 

Kur falsifikimi bëhet nga  personi që  ka për detyrë  hartimin e  tyre,  dënohet  me  burgim  nga  tre  deri në shtatë vjet. 

Neni 191 Falsifikimi i akteve të gjendjes civile 

(Ndryshuar me ligjin nr. 9188, datë 12.2.2004, neni  7; shfuqizuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.  47, datë 26.7.2012, pjesa që parashikon dënimin me gjobë si dënim kryesor) 

Falsifikimi apo përdorimi i akteve të gjendjes civile të falsifikuara dënohet me burgim nga tre muaj deri në dy vjet. 

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë  se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me  burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet. 

Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë aktin, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Neni 192 Prodhimi i mjeteve për falsifikim të dokumenteve

Prodhimi apo mbajtja e mjeteve për të kryer falsifikim të dokumenteve përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. 

Neni 192/a Zhdukja dhe vjedhja e dokumenteve 

(Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 53) 

Asgjësimi me çdo mënyrë  i dokumenteve të arkivit ose të bibliotekës, si dhe zhdukja e vjedhja e dokumenteve që janë të një rëndësie të veçantë,  në kundërshtim me kërkesat e ligjit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. 
Vjedhja e dokumenteve të arkivit ose të bibliotekës, që janë të një rëndësie të veçantë, ose eksportimi i tyre në kundërshtim me kërkesat e ligjit, dënohen me gjobë ose me burgim  gjer në pesë vjet. 

Neni 192/b Hyrja e paautorizuar kompjuterike 

(Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 53; ndryshuar me ligjin nr. 10 023, datë 27.11.2008, neni 19) 

Hyrja e paautorizuar apo në tejkalim të autorizimit për të hyrë në një sistem kompjuterik a në një pjesë të tij, nëpërmjet cenimit të masave të sigurimit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. 
Kur kjo vepër kryhet në sistemet kompjuterike  ushtarake,  të sigurisë kombëtare, të rendit publik, të mbrojtjes civile, të shëndetësisë apo në çdo sistem tjetër kompjuterik, me rëndësi publike, dënohet me  burgim nga tre deri në dhjetë vjet. 

Pjesa e posaçme

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!