Seksioni VI Veprat penale në lidhje me taksat dhe tatimet

Neni 180 Fshehja e të ardhurave

(Ndryshuar me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 36) (Shfuqizuar fjalë në paragrafin e parë me ligjin  nr. 135/2015,  datë 5.12.2015)

Fshehja apo shmangia nga pagimi e detyrimeve tatimore, nëpërmjet mosdorëzimit të dokumenteve ose mosdeklarimit të të dhënave të nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi, dorëzimi i dokumenteve të falsifikuara, apo deklaratave ose informacioneve të rreme, me qëllim fitimin material, për  vete apo për të tjerët, përmes përllogaritjes së pasaktë të shumës së tatimit,  taksës, apo kontributit, përbën vepër  penale dhe  dënohet me  burgim deri në tre vjet.

Kur kjo vepër kryhet me qëllim fshehjen apo shmangien nga pagimi të një detyrimi tatimor me vlerë më të lartë se pesë milionë lekë, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

Kur kjo vepër kryhet me qëllim fshehjen apo shmangien nga pagimi të një detyrimi tatimor me vlerë më të lartë se tetë milionë lekë, dënohet me  burgim nga katër deri në tetë vjet.

Neni 180/a

(Shtuar me ligjin  nr. 135/2015,  datë 5.12.2015)

Moslëshimi i kuptonit tatimor, dëftesës ose faturës tatimore nga personi,  i cili ka detyrimin të lëshojë kuponin tatimor, dëftesën  ose faturën tatimore, kur është marrë më parë masa administrative, dënohet  me gjobë ose  me burgim deri në një  vit.

Ushtrimi i një aktiviteti  tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore, të papajisur me kasë fiskale, sipas dispozitave  ligjore në fuqi, ose dhënia e urdhrave në kundërshtim me ligjin, me qëllim moslëshimin e kuponit  tatimor, dëftesës  ose  faturës tatimore, kur është marrë më  parë masa administrative, dënohet  me  burgim deri në tre vjet.

Neni 181 Mospagimi i taksave dhe tatimeve 

Mospagimi i taksave dhe tatimeve brenda afatit  të caktuar, me  gjithë mundësinë e pagimit të tyre, nga personi ndaj të cilit janë marrë më parë masa administrative  për këtë qëllim, dënohet  me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 181/a Moskryerja e detyrave nga organet tatimore

(Shtuar me ligjin nr. 8279, datë 15.1.1998, neni 2;  Ndryshuar  me  ligjin nr.  135/2015, datë  5.12.2015)

Moskryerja e detyrave që lidhen  me vjeljen brenda afatit të caktuar ligjor të taksave dhe tatimeve nga  punonjësit e  organeve  tatimore  dhe personat e tjerë zyrtarë,  që janë ngarkuar  me  këto  detyra, kur bëhet për fajin e tyre,  dënohet  me  burgim deri në shtatë vjet.”.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Neni 182 Ndryshimi në aparatet  matëse

(Shfuqizuar fjalë me ligjin  nr.  135/2015,  datë 5.12.2015)

Ndryshimi apo ndërhyrja në aparatet dhe arkat  matëse regjistruese e të lëshimit të kuponave, apo përdorimi i aparateve dhe arkave të ndryshuara,  apo lejimi i përdorimit nga të tjerët i aparateve dhe arkave të parregullta,  me qëllim shmangien nga  pagimi i plotë i tatimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim gjer në  dy vjet.

Neni 182/a Prishja e shenjave të bllokimit apo pezullimit të veprimtarisë tregtare

(Shtuar me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 37; Shfuqizuar fjalë me ligjin  nr.  135/2015,  datë 5.12.2015)

Prishja me dashje e shenjave dalluese të vendosura nga administrata tatimore për bllokimin apo pezullimin e veprimtarisë tregtare, apo ushtrimi i veprimtarisë  tregtare pas njoftimit të vendimit të administratës tatimore për bllokimin  apo pezullimin  e saj, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në një vit. 

Pjesa e posaçme

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!