Seksioni V Krime në fushën e doganave

Neni 171 Kontrabanda me mallra të  ndaluara ose të kufizuara

(Ndryshuar me ligjin nr.  135/2015,  datë 5.12.2015)

Importimi,  eksportimi  ose transitimi i paligjshëm i mallrave  të ndaluara ose të kufizuara që hyjnë e dalin në Republikën e Shqipërisë, i  kryer me çdo mënyrë a mjet qoftë,  dënohen me burgim deri në dhjetë vjet.

Neni 172 Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo  të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës

(Ndryshuar me ligjin nr. 135/2015, datë  5.12.2015)

Importimi, eksportimi ose transitimi i mallrave, për të cilat paguhet akcizë, nëpërmjet kalimit jashtë pikave  doganore, fshehjes së  pjesshme ose të plotë,  mosdeklarimit të saktë në  doganë, deklarimit  të rremë  për natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit ose të tjera forma,  që kanë për qëllim shmangien nga detyrimet doganore ose përfitimin pjesor a tërësor të një përjashtimi, rimbursimi ose reduktimi nga tarifat doganore, taksat, tatimet, akciza  ose të një  avantazhi të çfarëdoshëm që ka të bëjë me  importin  ose eksportin e mallrave,  dënohet me  burgim  deri  në shtatë vjet.

Hedhja në konsum e mallrave të vendosura në qarkullim të lirë pasi janë importuar  me pezullim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës, për shkak të destinacionit përfundimtar ose të përdorimit të tyre  përfundimtar, me qëllim shmangien e  detyrimeve doganore,  dënohet deri në pesë vjet  burgim.

Po kjo vepër, kur kryhet në  bashkëpunim ose më shumë se një  herë, dënohet me burgim nga pesë deri në  dhjetë  vjet.

Neni 173 Kontrabanda me mallra të licencuara

(Ndryshuar me ligjin nr. 135/2015, datë  5.12.2015)

Importimi, eksportimi ose transitimi i mallrave, për të cilat kërkohet licencë nga  organi kompetent, nëpërmjet kalimit jashtë pikave doganore, fshehjes së pjesshme ose të plotë, mosdeklarimit të saktë në doganë,  deklarimit  të rremë për natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit ose të tjera forma, që kanë për qëllim shmangien nga detyrimet doganore, dënohen me burgim deri në pesë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose  më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Neni 174 Kontrabanda me mallra  të  tjera

(Ndryshuar me ligjin nr.  135/2015,  datë 5.12.2015)

Importimi, eksportimi ose  transitimi  i mallrave, nëpërmjet kalimit jashtë pikave doganore, fshehjes së plotë ose të pjesshme, mosdeklarimit të saktë në  doganë,  deklarimit  të rremë për natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit ose  të tjera  forma,  që kanë  për  qëllim  shmangien nga detyrimet doganore ose përfitimin pjesor a tërësor të një përjashtimi, rimbursimi ose reduktimi nga tarifat doganore, taksat, tatimet, akciza  ose të një  avantazhi të çfarëdoshëm, që ka të bëjë  me importin ose eksportin e mallrave, dënohet  me burgim deri në pesë vjet.

Po kjo vepër,  kur kryhet në bashkëpunim  ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Neni 175 Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 48)

Kryerja e kontrabandës nga punonjës të doganave  ose punonjës që kanë lidhje me veprimtarinë doganore, qoftë edhe në bashkëpunim me persona të  tjerë, dënohet me burgim  nga tre gjer në dhjetë vjet.

Neni 176 Kontrabanda e vlerave kulturore

(Ndryshuar me ligjin nr.  135/2015,  datë 5.12.2015)

Importimi,  eksportimi  ose transitimi  i  vlerave  kulturore kombëtare në kundërshtim me dispozitat ligjore në lidhje me  to dënohen me burgim  deri në dhjetë vjet.  Po kjo vepër, kur kryhet në  bashkëpunim ose më shumë se një  herë, dënohet me burgim nga pesë deri në  dhjetë  vjet.

Neni 177 Kontrabanda me mallra me  regjim të ndërmjetëm

(Ndryshuar me ligjin nr.  135/2015,  datë 5.12.2015)

Importimi,  eksportimi  ose transitimi  i mallrave, duke  i  paraqitur ato si  mallra  me  regjim të ndërmjetëm, me qëllim shmangien  nga detyrimet doganore ose përfitimin pjesor  a tërësor të një përjashtimi, rimbursimi  ose reduktimi nga tarifat doganore, taksat, tatimet, akciza ose të një avantazhi të çfarëdoshëm, që ka të bëjë  me  importin  ose eksportin e mallrave,  dënohet me  burgim  deri në  pesë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në  dhjetë  vjet.

Neni 178 Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 49)(Ndryshuar me ligjin nr.  135/2015,  datë 5.12.2015)

Tregtimi, tjetërsimi ose  transportimi i mallrave, për të cilat dihet që janë  kontrabandë, si dhe çdo ndihmë tjetër që u jepet personave që merren me këto  veprimtari, dënohen me gjobë ose me  burgim deri në tre vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet me mallra, për të cilat paguhet  akcizë ose që janë të  ndaluara ose të kufizuara,  dënohet me  burgim  deri në pesë vjet.

Kur vepra penale, e parashikuar  në paragrafin e dytë të këtij neni, kryhet në bashkëpunim ose më shumë  se një  herë, dënohet  me burgim  nga pesë deri në dhjetë vjet.

Neni 179 Ruajtja ose depozitimi i  mallrave kontrabandë

(Ndryshuar me ligjin nr.  135/2015,  datë 5.12.2015)

Ruajtja,  depozitimi, mbajtja ose  përpunimi i mallrave, për të  cilat dihet se janë kontrabandë, dënohen me gjobë ose me  burgim deri në tre  vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet me mallra, për të cilat paguhet  akcizë ose që janë të  ndaluara ose të kufizuara,  dënohet me  burgim  deri në pesë vjet.

Po kjo vepër,  kur kryhet në bashkëpunim  ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.”.

Neni 179/a Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve  me vlerë

(Shtuar me ligjin nr. 9086,  datë 19.6.2003, neni 6)

Mosdeklarimi, në hyrje ose dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë, i shumave në të holla, i çdo lloj forme të çekut bankar, metaleve ose gurëve  të çmuar, si dhe i sendeve të tjera me vlerë, përtej vlerës  së parashikuar nga ligji, përbëjnë  kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Neni 179/b Thyerja, heqja, zëvendësimi i shenjave  të sigurisë së autoriteteve doganore

(Shtuar me ligjin  nr. 135/2015,  datë 5.12.2015)

Thyerja, heqja e vulës doganore, zëvendësimi, ndërrimi ose falsifikimi i shenjave të tjera  të sigurisë të vendosura nga  autoritetet doganore për qëllime mbikëqyrjeje ose kontrolli ose për pezullimin e veprimtarisë tregtare në ambientet  ekonomike ose të  vendosura mbi mjetin e transportit  ose mbi mallra ose falsifikimi në çfarëdo mënyre i numrit  të identifikimit të mjetit  të transportit,  me  qëllim  shmangien nga kontrolli doganor, dënohen  me  burgim  deri në tre vjet

Po kjo vepër, kur ka të bëjë  me mallra akcize ose  të ndaluara  ose të kufizuara, dënohet me burgim deri në  pesë vjet.

Neni 179/c Largimi i mallrave nga zonat doganore pa paguar detyrimet

(Shtuar me ligjin  nr. 135/2015,  datë 5.12.2015)

Largimi i mallrave nga zonat doganore pa lejen e organeve doganore dhe pa  paguar detyrimet që duhen paguar ose pa garantuar pagesën e tyre, me përjashtim të rasteve të përjashtimit nga detyrimi për dhënien e garancive, siç  parashikohet nga legjislacioni doganor, dënohet me burgim deri në  pesë vjet.

Po kjo vepër, kur ka të  bëjë  me mallra akcize, dënohet me burgim deri në  shtatë  vjet.

Neni 179/ç Kontrabanda e kapitenit,  pilotit ose  ekuipazhit

(Shtuar me ligjin  nr. 135/2015,  datë 5.12.2015)

Transportimi i mallrave pa manifest  ose mungesa ose refuzimi i  paraqitjes  së manifestit  dhe dokumenteve përkatëse,  ngarkimi,  shkarkimi  ose transportimi  i  mallrave,  udhëtarëve  dhe bagazheve të tyre pa lejen e autoriteteve  doganore, qëndrimi në  vende ku nuk ka zyrë doganore ose ndalimi në afërsi të portit ose aeroportit pa lejen e  autoriteteve doganore,  shkarkimi ose transbordimi i mallrave në kundërshtim me legjislacionin doganor, mungesa në bordin e mjetit të mallrave  që  duhet të gjendeshin aty, në bazë të  manifestit dhe dokumenteve të tjera doganore,  e kryer kjo, sipas rastit, nga kapiteni, piloti ose ekuipazhi, dënohet  me burgim deri në shtatë  vjet.

Po kjo vepër,  kur  kryhet në bashkëpunim  ose më shumë se një herë,  dënohet me burgim nga pesë  deri në dhjetë vjet. 

  • 1 votë. Mesatarja e 4.00 të 5.