Seksioni IV Vepra penale të kryera në shoqëritë tregtare

Neni 163 Përpilimi i deklaratave të rreme

Përpilimi i deklaratave të rreme, në rastin e zmadhimit të kapitalit të shoqërisë, lidhur me ndarjen e pjesëve të kapitalit themeltar të ortakëve, me shlyerjen e tij apo me depozitimin e fondeve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

Neni 164 Shpërdorimi i kompetencave

Shpërdorimi i kompetencave nga anëtarët e këshillit mbikëqyrës apo administratorët e shoqërisë me qëllim përfitimi apo për të favorizuar një shoqëri tjetër ku kanë interesa, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 164/a Korrupsioni aktiv në sektorin privat

(Shtuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 13; ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 22; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, personit që ushtron funksion drejtues në shoqëri tregtare ose punon në çdo pozicion në sektorin privat, për të kryer ose moskryer një veprim në kundërshtim me detyrën ose funksionin e tij, dënohet me burgim nga tre muaj deri në tre vjet.

Neni 164/b Korrupsioni pasiv në sektorin privat

(Shtuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 13; ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 23; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Kërkimi a marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt a i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi, që vjen nga përfitimi i parregullt, nga personi që ushtron funksion drejtues ose punon në çdo pozicion në sektorin privat, për të kryer ose mos kryer një veprim në kundërshtim me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Neni 165 Falsifikimi i nënshkrimeve

Falsifikimi i nënshkrimeve dhe derdhjeve apo deklarimi i rremë i derdhjeve të fondeve të shoqërisë, apo publikimi i nënshkrimeve dhe derdhjeve për persona fiktivë, apo vlerësimi i kontributit në natyrë me vlerë më të madhe se sa vlera faktike, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 166 Emetimi i parregullt i aksioneve

Emetimi i parregullt i aksioneve bërë përpara regjistrimit të shoqërisë apo kur regjistrimi është bërë në mënyrë të kundërligjshme, apo kur formalitetet e shoqërisë ende nuk janë plotësuar, apo kur ndryshimi i statutit me rastin e zmadhimit të kapitalit ende nuk është bërë ose nuk është regjistruar apo është bërë në mënyrë të kundërligjshme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Neni 167 Mbajtja e padrejtë e dy cilësive

Mbajtja njëkohësisht e cilësive të ortakut dhe ekspertit kontabël përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

Neni 168 Dhënia e informacioneve të rreme

Dhënia e informacioneve të rreme për gjendjen e shoqërisë prej ekspertit kontabël pranë një shoqërie tregtare, apo moskallëzimi në organet kompetente për kryerjen e një krimi, kur nuk 57 ekzistojnë rastet e përjashtimeve nga përgjegjësia penale të përcaktuar në nenin 300 të këtij Kodi, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 169 Zbulimi i sekreteve të shoqërisë

Zbulimi i sekreteve të shoqërisë prej ekspertit kontabël të saj, me përjashtim të rasteve kur e detyron ligji, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 170 Mosbërja e shënimeve të detyrueshme

Mosbërja e shënimeve të detyrueshme nga administratori apo likuiduesi i shoqërisë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

Neni 170/a Punësimi i paligjshëm

(Shtuar me ligjin nr. 8279, datë 15.1.1998, neni 2; ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 47)

Punësimi pa regjistrim në organet kompetente ose pa garantuar sigurimin e të punësuarit sipas rregullave, kur është dhënë më parë masë administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 10 mijë lekë për çdo rast ose me burgim deri në 1 vit.

Moskryerja me dashje ose mbulimi i shkeljeve lidhur me punësimin dhe sigurimin social nga persona të ngarkuar me zbatimin dhe kontrollin e dispozitave përkatëse, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 100 mijë lekë ose me burgim deri në 2 vjet.

Neni 170/b Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës

(Shtuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 14; ndryshuar paragrafi i parë me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 12)

Kryerja, gjatë ushtrimit të veprimtarisë tregtare, e veprimeve të konkurrencës me anë të kërcënimit ose dhunës dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.
Kur veprimet e konkurrencës drejtohen ndaj veprimtarive të financuara plotësisht ose pjesërisht dhe në çfarëdo mënyre nga shteti ose entet publike, dënimi me burgim shtohet me një të tretën.

Pjesa e posaçme

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!