Seksioni III Shkatërrimi i pronës

Neni 150 Shkatërrimi i pronës

Shkatërrimi apo dëmtimi  me dashje i pronës, kur pasojat materiale nuk janë të lehta, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 151 Shkatërrimi i pronës me  zjarr

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje  i pronës me zjarr dënohet me  gjobë  ose me  burgim gjer në pesë vjet.

Kur nga vepra penale janë  shkaktuar pasoja të  rënda materiale, dënohet me burgim gjer  në dhjetë vjet.

Kur janë shkaktuar pasoja të rënda  për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 152 Shkatërrimi i pronës me  eksploziv

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me eksploziv dënohet me gjobë ose me burgim gjer  në pesë vjet.

Kur nga vepra penale kanë ardhur pasoja të rënda  materiale, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 153 Shkatërrimi i pronës me  përmbytje

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me  përmbytje dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Kur nga  vepra penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 154 Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera

Shkatërrimi apo dëmtimi  me dashje i pronës me  mjete të tjera, që përbëjnë rrezik për mjedisin rrethues dhe jetën e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Kur nga  vepra penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Kur janë shkaktuar pasoja  të rënda për  jetën dhe shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 155 Shkatërrimi i rrugëve

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i rrugëve automobilistike, hekurudhore dhe veprave që lidhen me to,  dënohet me gjobë apo me burgim gjer  në shtatë vjet.

Kur nga  veprat penale kanë ardhur pasoja të  rënda materiale, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Kur janë shkaktuar pasoja  të rënda për  jetën dhe shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 156 Shkatërrimi i rrjetit elektrik

(Shtuar paragrafi i II me ligjin  nr. 10 023, datë 27.11.2008, neni 16)

Shkatërrimi apo dëmtimi  me dashje  i  rrjetit elektrik, telegrafik, telefonik, radioteleviziv apo të çdo rrjeti ndërlidhës, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë, ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me  burgim deri në tre vjet.

Neni 157 Shkatërrimi i rrjetit të ujitjes

Shkatërrimi apo dëmtimi  me dashje  i kanaleve ujitëse dhe kulluese ose veprave që lidhen me to, përbën kundërvajtje penale  dhe dënohet me  gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 158

Administrimi i ujit pa të drejtë, duke kthyer ose  ndryshuar vijën e ujit, duke hapur  pendat, duke ndërtuar apo  mbyllur kanale kulluese apo vaditëse, vija ose vepra të tjera, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 159 Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit

(Ndryshuar me ligjin nr. 10 023, datë 27.11.2008, neni 17)

Lidhja, si dhe çdo  ndërhyrje tjetër e bërë pa  leje në rrjetin e ujësjellësit, për marrjen e ujit të pijshëm, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet  me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Shkatërrimi me dashje i rrjetit të ujësjellësit dënohet me burgim deri në pesë vjet.

Neni 160 Shkatërrimi i veprave kulturore

Shkatërrimi apo dëmtimi  me dashje  i veprave kulturore dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Kur nga vepra penale janë shkatërruar apo dëmtuar vepra  kulturore me rëndësi kombëtare, dënohet me gjobë ose me burgim  nga dy gjer në tetë vjet.

Neni 161 Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia

Shkatërrimi apo dëmtimi nga pakujdesia i pronës, kur ka sjellë pasoja të rënda  materiale, dënohet me  gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 162 Përplasja e mjeteve të transportit masiv

Shkaktimi nga pakujdesia i përplasjes se trenave, anijeve, avionëve, kur  ka shkaktuar rrëzimin, djegien, mbytjen, përmbysjen, daljen nga shinat ose është shoqëruar me pasoja të rënda materiale, dënohet me gjobë ose burgim gjer në pesë vjet.

 

Pjesa e posaçme

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!