Seksioni II Mashtrimet

Neni 143 Mashtrimi

(Shtuar paragrafi II me ligjin nr.  8733, datë 24.1.2001, neni 42)

Vjedhja e pasurisë me anë të gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga tre gjer në  dhjetë vjet dhe, kur ka sjellë  pasoja të rënda, me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 143/a Skemat mashtruese dhe piramidale

(Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 43)

Organizimi dhe vënia në funksionim  e skemave mashtruese dhe  piramidale të huamarrjes, me qëllim fitimi material, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur ka sjellë  pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 143/a/1 Manipulimi  i tregut

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 20)

Paraqitja jo e saktë, me dashje, e vlerës së një malli, shërbimi apo paraje, me qëllim çrregullimin e funksionimit të lirë dhe të drejtë të  tregut, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në katër vjet.

Neni 143/a/2 Përdorimi i paautorizuar dhe përhapja  e informacionit të privilegjuar

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 20)

Personi, i cili, në mënyrë të autorizuar  ose të paautorizuar, vihet në dijeni të informacionit të privilegjuar, për të cilin publiku nuk ka dijeni e  që mund ta përdorë me qëllim fitimi material për vete, për një palë të tretë apo në dëm të kësaj  të fundit, në njërën nga mënyrat e mëposhtme:

a) për të blerë ose për të shitur  tituj të tregtueshëm  në territorin e Republikës së Shqipërisë ose të tregtuar nga një emetues, me seli në Republikën e Shqipërisë;
b) duke ditur natyrën e privilegjuar të informacionit, ia komunikon, pa autorizim, një pale të tretë;
c) duke ditur  natyrën e privilegjuar të informacionit, këshillon një palë të tretë për të blerë ose për të shitur tituj të tregtueshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë apo të tregtuar nga një emetues, me  seli në Republikën e Shqipërisë, dënohet  me burgim nga gjashtë muaj gjer në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim, më shumë se  një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 143/a/3 Manipulimi  i çmimeve dhe përhapja e informacionit të rremë

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 20)

Veprimi apo mosveprimi i personit që:

a) nënshkruan një kontratë fiktive për shitjen apo zëvendësimin e titujve;
b) kryen porosi për blerje ose shitje të titujve, për të cilët është kryer porosia me të njëjtin çmim, apo nëse ai i përdor këto tituj si kundërporosi;
c) përhap informacion apo fakte të tjera të rreme për rritjen ose rënien e çmimit të titujve apo krijimin e një tregtimi fiktiv aktiv të tyre, me qëllim  përfitimi personal për vete, një palë  të tretë apo në dëm të kësaj të fundit, dënohet me burgim  nga gjashtë muaj gjer në tre vjet.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim, më shumë se  një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dy gjer në pesë vjet.

Neni 143/a/4 Paraqitja e të dhënave të rreme dhe  shpërndarja e paautorizuar e tyre

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 20)

Personi që, si  anëtar i drejtorisë apo i këshillit  mbikëqyrës të një emetuesi, lejon ose mundëson shpërndarjen e një prospekti, të ndryshëm nga ai  që përcaktohet nga ligji, apo lejon ose mundëson paraqitjen e të dhënave të rreme ose paraqitjen e rreme të fakteve me vlerë materiale në një prospekt, dënohet me burgim nga gjashtë  muaj gjer në tre vjet.  Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim, më shumë  se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 143/a/5  Regjistrimi i titujve në bursë në mënyrë të paautorizuar

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 20)

Personi që, si anëtar i drejtorisë së bursës, lejon regjistrimin në kuotimin një, kuotimin e shoqërive anonime publike apo në kuotime të tjera të  titujve, të cilët nuk i plotësojnë kushtet e ligjit për titujt, dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në tre vjet.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim, më shumë  se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda dënohet me burgim nga dy gjer në pesë vjet.

Neni 143/a/6  Fshehja e pronësisë

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 20)

Personi, i cili me dashje nuk i jep të dhëna për pronësinë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, sipas ligjit për titujt, dënohet me gjobë ose burgim gjer në një vit.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim, më shumë  se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda dënohet me burgim nga dy gjer në pesë vjet.

Neni 143/a/7 Tregtimi i paligjshëm i titujve

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 20)

Personi që merret me ndërmjetësim të paautorizuar  për blerjen ose shitjen  e titujve dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim, më shumë  se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda dënohet me burgim nga dy gjer në pesë vjet.

Neni 143/b Mashtrimi kompjuterik

(Shtuar me ligjin nr. 10 023, datë 27.11.2008, neni 15; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas  dënimit me burgim, shfuqizohet  me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Futja, ndryshimi, fshirja ose heqja e të dhënave kompjuterike apo ndërhyrja në funksionimin e një sistemi kompjuterik, me qëllim për t’i siguruar  vetes apo të tretëve, me mashtrim, një përfitim ekonomik të padrejtë apo për t’i shkaktuar një të  treti pakësimin e pasurisë, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në gjashtë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, në dëm  të disa personave, më  shumë se një herë ose kur ka sjellë pasoja të rënda materiale,  dënohet me  burgim nga pesë deri  në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 144 Mashtrimi në subvencione

Mashtrimi në dokumentet e paraqitura, duke përfituar padrejtësisht subvencione nga shteti, dënohet me  gjobë ose me burgim gjer në katër vjet.

Neni 144/a Krijimi i skemave mashtruese lidhur  me tatimin mbi vlerën e shtuar

(Shtuar me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 35)

Organizimi dhe vënia në funksionim e skemave mashtruese, me qëllim fitimin material  për vete apo për të tjerët, nëpërmjet mospagimit, apo përfitimit të kreditimit ose rimbursimit të tatimit mbi vlerën e shtuar, dënohet me burgim  nga tre deri në dhjetë vjet.

Neni 145 Mashtrimi në sigurime

Paraqitja e rrethanave të rreme në lidhje me objektin që sigurohet, ose krijimi i rrethanave të rreme dhe paraqitja e tyre në dokumentet duke  përfituar padrejtësisht sigurime, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 146 Mashtrimi në kredi

Mashtrimi në dokumentet e paraqitura, duke përfituar padrejtësisht kredi duke regjistruar në mënyrë fiktive në hipotekë objekte që  nuk ekzistojnë,  ose tej vlerës së tyre reale, ose në pronësi të një tjetri, të bëra me qëllim për të mos kthyer më  kredinë e marrë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.

Neni 147 Mashtrimi për veprat e  artit e të kulturës

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 44)

Vjedhja e pasurisë me anë të mashtrimit, duke paraqitur një vepër të artit dhe të kulturës si origjinale apo të një tjetër autori nga ai që është në fakt, dënohet me  gjobë ose me burgim gjer në katër vjet.

Neni 148 Botimi i veprës së tjetrit me emrin e vet

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 45)

Botimi ose përdorimi tërësisht apo pjesërisht  me emrin e vet të një vepre letrare, muzikore, artistike ose shkencore që i përket një tjetri, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me  gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 149 Riprodhimi  pa të drejtë i veprës së tjetrit

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 46)

Riprodhimi tërësisht ose pjesërisht i veprës letrare,  muzikore, artistike ose shkencore që i përket një tjetri, ose përdorimi i tyre pa  pëlqim  të autorit,  kur kanë shkelur të drejtat vetjake e pasurore të tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 149/a Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale

(Shtuar me  ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 21)

Prodhimi, shpërndarja, mbajtja për  qëllime tregtimi, shitja, ofrimi për shitje, furnizimi, shpërndarja, eksportimi ose importimi për këto qëllime i:

a) produktit ose procesit të mbrojtur nga një  patentë, pa pëlqimin e pronarit të patentës; 
b) produktit që mbrohet nga një dizenjo industriale, pa pëlqimin e pronarit të dizenjos industriale;
c) mallrave ose shërbimeve që mbrohen nga një markë tregtare, pa pëlqimin e pronarit të markës tregtare;
ç) produktit që rrjedh nga një tregues gjeografik,  pa pëlqimin e pronarit të treguesit gjeografik;

të kryera me dashje, përbëjnë kundërvajtje penale  dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Po kjo vepër kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 149/b Shkelja e të drejtave të topografisë së qarkut të gjysmëpërçuesit

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012)

Prodhimi, përdorimi, mbajtja për qëllim tregtimi, shitja, ofrimi për shitje,  furnizimi, shpërndarja, eksportimi ose importimi për këto qëllime i produktit që shkel të drejtat e topografisë së  regjistruar të qarkut, të gjysmëpërçuesit ose të qarkut të integruar, pa pëlqimin e pronarit të topografisë, të kryera me dashje, përbëjnë kundërvajtje penale dhe  dënohen me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Pjesa e posaçme

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!