Seksioni I Vjedhja e pasurisë

Neni 134 Vjedhja

(Ndryshuar me ligjin nr. 9275, datë  16.9.2004, neni 12; ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 18)

Vjedhja e pasurisë dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose  më shumë se një herë dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

E njëjta vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda   dënohet me burgim nga katër deri në dhjetë vjet.

Neni 135 Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën

(Shtuar fjalë me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 19; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas  dënimit me burgim, shfuqizohet  me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Vjedhja e pasurisë e kryer nga personi, që ka për detyrë ta ruajë dhe ta administrojë atë, apo duke shpërdoruar detyrën, dënohet me  burgim gjer në dhjetë vjet.

Neni 136 Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit

(Shtuar paragrafi II me ligjin nr.  8733, datë 24.1.2001, neni 37)

Vjedhja e bankave dhe e arkave të kursimit dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se në herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me  burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 137 Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike

(Shtuar paragrafi I me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni  38; ndryshuar paragrafi II me ligjin nr. 10 023, datë 27.11.2008, neni 14; ndryshuar me ligjin nr. 98, datë 31.7.2014, neni 2)

Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike, dëmtimi i matësit, si dhe çdo ndërhyrje tjetër e paligjshme dhe e paautorizuar  në sistemin e matjes apo në rrjetin elektrik ose rrjetin telefonik, e kryer me qëllim përfitimi të paligjshëm, përbën  vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet.

Kur kjo vepër penale kryhet në bashkëpunim,  më shumë se  një herë, ose nga përdoruesit jofamiljarë të energjisë elektrike ose të rrjetit të shërbimit telefonik, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Neni 137/a Vjedhja e rrjetit të komunikimeve elektronike

(Shtuar me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 34)

Vjedhja e rrjetit të komunikimeve elektronike  dënohet me burgim deri në tre vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë, ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me  burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Neni 138 Vjedhja e veprave të artit e kulturës

Vjedhja e veprave të artit e kulturës dënohet me  gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Vjedhja e veprave të artit e kulturës me rëndësi  kombëtare dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Neni 138/a Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës

(Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 39)

Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi në  kundërshtim me ligjin i veprave të artit dhe të kulturës, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim  tjetër, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më  shumë se një herë, ose sjell pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë gjer  në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 139 Vjedhja me dhunë

Vjedhja e pasurisë e shoqëruar me përdorim dhune dënohet me burgim  nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 140 Vjedhja me armë

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë  24.1.2001, neni 40; ndryshuar me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 11)

Vjedhja e pasurisë, e shoqëruar me mbajtjen  e armëve dhe municioneve luftarake ose me përdorimin e tyre, dënohet me burgim  nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 141 Vjedhja me pasojë vdekjen

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 79)

Vjedhja e pasurisë, kur është shoqëruar me dhunime që kanë sjellë vdekjen e personit, dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet ose me burgim të përjetshëm

Neni 141/a Trafikimi i mjeteve motorike

(Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 41)

Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi  në kundërshtim me ligjin, i mjeteve motorike të vjedhura, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim  tjetër, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më  shumë se një herë, ose sjell pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 142 Sigurimi i mjeteve për vjedhje

Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për  të vjedhur pasurinë dënohet me gjobë  ose me burgim gjer në tre vjet.

Pjesa e posaçme

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!