Seksioni VIII Vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit

Neni 113 Prostitucioni

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 12)

Ushtrimi i prostitucionit dënohet me gjobë  ose me burgim gjer në tre vjet. Dhënia e shpërblimit për përfitim personal të  prostitucionit dënohet me  gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 114 Shfrytëzimi i prostitucionit

(Ndryshohet titulli dhe shfuqizohet paragrafi II me ligjin nr. 8279,  datë 15.1.1998, neni 2; ndryshuar me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 28)

Shtytja, ndërmjetësimi ose marrja shpërblim për  ushtrimin e prostitucionit dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet me të mitur,  ndaj disa personave, me persona  me  të cilët ekzistojnë lidhje të afërta gjinie, krushqie, kujdestarie, apo  duke përfituar nga raportet zyrtare, ose kryhet në bashkëpunim apo më shumë se një herë, ose nga persona të ngarkuara me funksione shtetërore dhe publike, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 114/a Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese

(Shtuar me ligjin nr. 8279, datë 15.1.1998, neni 2, pika 6 dhe paragrafi  i fundit ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 29; shfuqizuar me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48 )

Neni 114/b Trafikimi i femrave

(Ndryshuar me ligjin nr. 9188, datë  12.2.2004, neni 2; shfuqizuar me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Neni 115 Mbajtja e lokaleve për prostitucion

Mbajtja, shfrytëzimi, financimi, dhënia me qira  e lokaleve për ushtrim të prostitucionit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Neni 116 Homoseksualizmi

(Shfuqizuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 31)

Neni 117 Pornografia

(Shtuar paragrafi i dytë me ligjin nr.  9859, datë 21.1.2008, neni 1; ndryshuar me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013,  neni 29)

Prodhimi, shpërndarja, reklamimi, importimi,  shitja e botimi i materialeve pornografike në mjediset ku ka fëmijë, me  çdo mjet ose formë, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me burgim deri në dy vjet.

Prodhimi, importimi, ofrimi, vënia në dispozicion, shpërndarja, transmetimi, përdorimi ose posedimi i pornografisë së  fëmijëve, si dhe krijimi  i aksesit në mënyrë të  vetëdijshme në të, me çdo mjet ose formë, dënohet me burgim  nga tre deri në dhjetë vjet.

Rekrutimi, përdorimi, shtrëngimi, ose bindja e një fëmije,  për të marrë pjesë në shfaqje pornografike, ose marrja pjesë në shfaqje pornografike  që përfshijnë fëmijët, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Neni 118 Dhunimi i varreve

Dhunimi i varrezave, varreve, nxjerrja  e kufomës,  si dhe vjedhja e sendeve që mund të ndodhen në to, si dhe çdo veprim tjetër që ul respektin  ndaj të vdekurve, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 119 Fyerja

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.  8733, datë 24.1.2001, neni 32; ndryshuar me ligjin  nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 13)
Fyerja e qëllimshme e personit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion lekë. 
Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa  personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë.

Neni 119/a Shpërndarja e materialeve raciste ose ksenofobike nëpërmjet sistemit kompjuterik

(Shtuar me ligjin nr. 10 023,  datë 27.11.2008, neni 13)
Ofrimi në publik ose shpërndarja e qëllimshme  publikut, nëpërmjet sistemeve kompjuterike, e materialeve me përmbajtje raciste  ose ksenofobike përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Neni 119/b Fyerja me motive racizmi ose ksenofobie nëpërmjet sistemit kompjuterik

(Shtuar me ligjin nr. 10 023,  datë 27.11.2008, neni 13)
Fyerja e qëllimshme publike, nëpërmjet sistemit  kompjuterik, që i bëhet një personi, për shkak të përkatësisë etnike, kombësisë, racës apo fesë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me  gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Neni 120 Shpifja

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.  8733, datë 24.1.2001, neni 33; ndryshuar me ligjin  nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 14)

Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një  milion e pesëqind mijë lekë.
Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa  personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë.

Neni 121 Ndërhyrje të padrejta në jetën private

Vendosja e aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim të fjalëve ose të figurave, dëgjimi, regjistrimi ose transmetimi i fjalëve, fiksimi, regjistrimi ose transmetimi i figurave, si dhe ruajtja për publikim apo publikimi i këtyre të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës private të personit pa pëlqimin e tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 121/a Përndjekja

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 15)

Kërcënimi ose ngacmimi i personit me anën e veprimeve të përsëritura, me qëllimin për t’i shkaktuar  një gjendje të vazhdueshme dhe të rëndë  ankthi apo frike për sigurinë vetjake, të një të afërmi ose të një personi, me të cilin ka lidhje shpirtërore, apo për ta detyruar të ndryshojë mënyrën e tij të jetesës, dënohet me burgim nga  gjashtë muaj gjer në katër vjet.

Kur kjo vepër kryhet nga ish-bashkëshorti, ish-bashkëjetuesi apo personi  që ka pasur lidhje shpirtërore me të dëmtuarin, dënimi rritet me një të tretat e dënimit të dhënë. Kur kjo vepër kryhet ndaj të miturit, gruas shtatzënë ose një personi të pazotë për t’u mbrojtur, si dhe kur kryhet nga një person i maskuar ose  shoqërohet me mbajtjen ose me përdorimin e armëve, dënimi rritet deri në një të dytën e dënimit të dhënë.

Neni 122 Përhapja e sekreteve vetjake

Përhapja e një sekreti që  i  përket jetës private të  një personi nga ai që e siguron atë për shkak të detyrës ose të profesionit, kur detyrohet të mos e përhapë pa qenë i autorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Po kjo  vepër, e kryer me qëllim fitimi ose për  të dëmtuar një person tjetër, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 123 Pengimi ose shkelja e fshehtësisë së korrespondencës

Kryerja me dashje e veprimeve të tilla si asgjësimi, mosdorëzimi, hapja dhe leximi i letrave apo çdo korrespondencë tjetër, si dhe ndërprerja ose vënia nën kontroll, dëgjimi i bisedave telefonike, telegrafike ose i çdo mjeti tjetër telekomunikimi,  përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim gjer në dy vjet.

Pjesa e posaçme

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!