Seksioni VII Vepra penale kundër lirisë së personit

Neni 109 Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 25;  shtuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 10; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë,  si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit me qëllim  për të fituar pasuri ose çdo lloj përfitimi tjetër, për të përgatitur krijimin e kushteve lehtësuese për  kryerjen e një krimi, për të ndihmuar fshehjen ose largimin e autorëve ose bashkëpunëtorëve në kryerjen e një krimi, për t’iu shmangur dënimit, për të detyruar realizimin e kërkesave a kushteve të caktuara, për qëllime politike ose çdo qëllim tjetër, dënohet me  burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Po kjo vepër e kryer ndaj të miturit nën moshën 14 vjeç dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.

Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit ose e të  miturit nën moshën 14 vjeç, i paraprirë ose i shoqëruar me tortura fizike ose psikike, kur është  kryer kundër disa personave ose më shumë se një herë, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet dhe, kur është shkaktuar vdekja, me burgim të përjetshëm.

Neni 109/a Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit në rrethana lehtësuese

(Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 26)

Kur personi i rrëmbyer ose i mbajtur peng lirohet vullnetarisht para mbarimit të shtatë ditëve nga rrëmbimi ose mbajtja peng, pa e arritur qëllimin e krimit dhe, kur  ndaj personit nuk është ushtruar torturë ose dëmtime të tjera të shëndetit,  dënohet me burgim nga tre gjer në pesë vjet.

Neni 109/b Shtrëngimi me anë të kanosjes  ose dhunës për dhënien  e pasurisë

(Shtuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 11; pjesa  që parashikon edhe  dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me  ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për të  kryer ose mos kryer një veprim të caktuar, për të fituar padrejtësisht pasuri ose çdo lloj përfitimi  tjetër, për vete ose për  të  tretë, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet duke përdorur a kërcënuar me përdorimin e armës, torturës, akteve çnjerëzore e poshtëruese që kanë shkaktuar dëmtime të shëndetit, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen, dënohet me burgim të përjetshëm.

Neni 109/c Zhdukja me forcë

(Shtuar me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 25)

Zhdukja me forcë, nëpërmjet arrestimit, burgimit, rrëmbimit ose çdo forme tjetër heqjeje lirie të personit, nga funksionarët publikë apo nga persona  që veprojnë me autorizimin, mbështetjen ose miratimin e tyre, shoqëruar me mospranimin e faktit  të heqjes së lirisë apo me fshehjen e fatit të personit ose vendit në të cilin ndodhet ai, duke i mohuar ndihmën  dhe mbrojtjen e nevojshme, sipas ligjit, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Eprori që:

a) ka dijeni që vartës të vendosur nën autoritetin dhe kontrollin e tij efektiv po  kryejnë ose do të kryejnë zhdukje me forcë,  ose nuk merr  parasysh të  dhëna dhe informacione që  e tregojnë qartë këtë fakt;
b) ushtron përgjegjësinë dhe kontrollin e tij efektiv mbi veprimtaritë me të cilat është lidhur zhdukja me forcë; apo
c) nuk ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe  të arsyeshme që janë në kompetencën e tij për të penguar ose ndëshkuar personin që jep autorizimin, mbështetjen dhe miratimin e zhdukjes me forcë, ose për t’ia dërguar çështjen organeve kompetente të ndjekjes penale,  dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Kur kjo vepër kryhet kundër fëmijëve, grave  shtatzëna ose personave që, për shkaqe të ndryshme, nuk mund të mbrohen, apo shoqërohet me vuajtje të rënda fizike, kryhet në bashkëpunim, kundër disa personave ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.

Kur kjo vepër ka sjellë si pasojë vdekjen e personit, dënohet me  burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Marrja e paligjshme e fëmijëve që janë subjekt i  një zhdukjeje me forcë, ose e fëmijëve, babai, nëna ose përfaqësuesi ligjor i të cilëve është bërë subjekt i një zhdukjeje me forcë, apo e fëmijëve të lindur gjatë periudhës së zhdukjes me  forcë, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Neni 110 Heqja e paligjshme e lirisë

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin  nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 27)

Heqja e paligjshme e lirisë  së personit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Kur kjo vepër shoqërohet me  vuajtje të rënda  fizike, kryhet në bashkëpunim, kundër disa personave ose më shumë se një herë, dënohet me  burgim nga tre gjer në shtatë vjet.

Neni 110/a  Trafikimi i personave të rritur

(Shtuar me ligjin 8733, datë 24.1.2001, neni 28; ndryshuar me ligjin nr. 9188, datë 12.2.2004, neni 1; ndryshuar titulli, fjalët në paragrafin e parë dhe paragrafi i tretë dhe shtuar paragrafi i  dytë me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 26; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Rekrutimi, transportimi, transferimi, fshehja ose pritja e personave nëpërmjet kërcënimit ose përdorimit të forcës apo formave të tjera të shtrëngimit, rrëmbimit, mashtrimit, shpërdorimit të detyrës ose përfitimit nga gjendja shoqërore, fizike  apo psikike ose dhënies apo marrjes së pagesave ose përfitimeve për të marrë pëlqimin e personit që kontrollon një person tjetër, me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit të të tjerëve ose formave të tjera të shfrytëzimit seksual, të punës ose shërbimeve të detyruara,  të skllavërimit ose formave të ngjashme me skllavërimin, të vënies në përdorim ose transplantimit të organeve, si dhe formave të tjera të shfrytëzimit, si brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, dënohen me  burgim nga tetë deri në  pesëmbëdhjetë vjet.

Kur kjo vepër kryhet ndaj një personi të rritur të gjinisë femërore dënohet me burgim nga dhjetë deri në  pesëmbëdhjetë vjet.

Organizimi, drejtimi dhe financimi i trafikimit  të personave dënohen me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim, më shumë  se një herë, shoqërohet me keqtrajtimin dhe detyrimin me  dhunë fizike a psikike ndaj të dëmtuarit, për të kryer veprime të ndryshme,  sjell pasoja të rënda për shëndetin, ose rrezikon jetën e tij, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.

Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarit, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.

Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit  të funksionit shtetëror ose shërbimit publik, dënimi me burgim shtohen me ¼ e dënimit të dhënë.

Neni 110/b Përfitimi apo përdorimi i shërbimeve  të ofruar nga personat e trafikuar

(Shtuar me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013)

Përfitimi apo përdorimi i shërbimeve të ofruar  nga personat e trafikuar, apo i shërbimeve që janë objekt i shfrytëzimit nga trafikimi, duke pasur dijeni që  personi është i trafikuar, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

Kur kjo vepër kryhet ndaj një fëmije dënohet  me  burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Neni 110/c Veprimet që lehtësojnë trafikimin

(Shtuar me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013)

Falsifikimi, zotërimi ose sigurimi i dokumentit  të identitetit, i pasaportave, i vizave ose i dokumenteve të tjera të udhëtimit apo mbajtja, heqja, fshehja, dëmtimi ose shkatërrimi i tyre, që kanë shërbyer për trafikimin e personave të rritur,  por pa pasur dijeni për këtë fakt, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga dy  deri në pesë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë, apo është kryer nga personi që ka për detyrë të lëshojë letërnjoftimin, pasaportën, vizën apo dokumentin e udhëtimit, ose ka mundësuar trafikimin e fëmijëve, dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet.

Po kjo vepër, kur ka sjellë  pasoja të rënda,  dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

Neni 111 Rrëmbimi i avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera

Zotërimi dhe vënia nën  kontroll e avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera të transportit ku ndodhen njerëz, duke përdorur dhunë ose me kërcënim me armë a mjete të tjera, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 112 Dhunimi i banesës

Hyrja ose qëndrimi në banesën e tjetrit pa pëlqim  të tij përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj. Kur vepra është kryer me dhunë ose me kërcënim  për përdorim të armës përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. 

Pjesa e posaçme

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!