Seksioni VI Krime seksuale

Neni 100 Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 15; ndryshuar fjalët në paragrafin e dytë dhe të tretë me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 20)

Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me fëmijë të mitur, që nuk ka arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç ose me  të miturën që nuk ka arritur pjekurinë seksuale, dënohet me burgim nga shtatë gjer  në pesëmbëdhjetë vjet.
Kur marrëdhënia seksuale ose homoseksuale kryhet  në bashkëpunim, më shumë se një herë ose me dhunë, ose kur i janë shkaktuar fëmijës së  dëmtuar pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në  njëzet e pesë vjet, dënohet me burgim jo më pak se njëzet e pesë vjet.
Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e fëmijës  së mitur dënohet me  burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm

 

Neni 101 Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 16)

Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale, me dhunë, me fëmijë të mitur në moshën katërmbëdhjetë gjer në  tetëmbëdhjetë vjeç dhe që  ka arritur pjekurinë seksuale, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Kur marrëdhënia seksuale ose homoseksuale, me  dhunë, kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose kur fëmijës së  dëmtuar i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e fëmijës  së mitur dënohet me  burgim jo më pak se njëzet vjet.

Neni 102 Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura

(Ndryshuar paragrafi i I, II me ligjin  nr. 8733, datë 24.1.2001 dhe neni 17; ndryshuar paragrafi i parë me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 21)

Kryerja e marrëdhënieve seksuale me dhunë, me të rritura ose midis bashkëshortëve apo bashkëjetuesve, pa pëlqimin e njërit prej tyre,  dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Kur marrëdhënia seksuale me dhunë kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose kur të dëmtuarës i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e të dëmtuarës, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 102/a Marrëdhëniet homoseksuale me dhunë me të rritur

(Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 18;  ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 10)

Kryerja e marrëdhënieve homoseksuale me dhunë  me të rritur dënohet me  burgim nga tre gjer në shtatë vjet.

Kur marrëdhënia homoseksuale me dhunë kryhet  në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose kur të dëmtuarit i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e të dëmtuarit dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet. 

Neni 103 Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 19)

Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale, duke përfituar nga pazotësia fizike ose mendore e personit të dëmtuar ose, nga vendosja në  gjendje të pandërgjegjshme, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Kur marrëdhënia seksuale ose homoseksuale kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose kur personit të dëmtuar i shkaktohen pasoja  të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga shtatë gjer në  pesëmbëdhjetë vjet.
Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e personit të dëmtuar dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet. 

Neni 104 Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me kërcënim me përdorimin e armës

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 20)

Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale, duke kërcënuar personin e dëmtuar për përdorim aty për aty të armës, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 105 Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 21)

Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar marrëdhëniet e varësisë ose të detyrës, dënohet me  burgim gjer në tre vjet. 

Neni 106 Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 22)

Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale ndërmjet prindit dhe fëmijës, vëllait dhe motrës, ndërmjet vëllezërve, motrave, ndërmjet personave të tjerë që janë gjini në vijë të drejtë ose me persona që ndodhen në raporte kujdestarie ose  të birësimit, dënohet me burgim gjer në shtatë vjet. 

Neni 107 Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale në vende publike

(Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 23; shtuar neni 107/a me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 22)

Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale në vende publike ose në ambiente të ekspozuara nga vështrimi i njerëzve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. 

Neni 107/a Dhuna seksuale

Ushtrimi i dhunës seksuale, nëpërmjet kryerjes së  veprimeve me natyrë seksuale në trupin  e një personi tjetër  me objekte, përbën vepër  penale dhe dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim, kundër disa personave, më shumë se një herë, ose kundër fëmijëve të moshës katërmbëdhjetë deri në  tetëmbëdhjetë vjeç dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Kur kjo vepër kryhet ndaj  një të mituri që nuk  ka arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç apo një të mituri që nuk ka arritur pjekurinë seksuale, pavarësisht nëse kryhet me dhunë apo jo, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet.

Kur kjo vepër ka sjellë si pasojë vdekjen ose  vetëvrasjen e të dëmtuarit dënohet me burgim jo më pak se njëzet e pesë vjet. 

Neni 108 Vepra të turpshme

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë  24.1.2001, neni 24; ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 11; shtuar paragrafët me ligjin  nr. 144, datë 2.5.2013, neni 23)

Kryerja e veprave të turpshme me të mitur që  nuk kanë arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç, dënohet me  burgim nga tre gjer në shtatë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet ndaj një të mituri që  nuk ka arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç, me të cilin autori ka marrëdhënie  familjare, dënohet  me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet. 

Përfshirja e qëllimshme si dëshmitar, në veprime me natyrë seksuale, e një të mituri që nuk ka arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç apo i një të mituri  që nuk ka arritur pjekurinë seksuale, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Propozimi i bërë nga një i rritur, me çdo mjet ose formë, për të takuar një të mitur që nuk ka arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç apo një të mitur që nuk ka  arritur pjekurinë seksuale, me qëllim kryerjen e ndonjërës nga veprat penale të parashikuara në këtë seksion apo në seksionin VIII të kreut II të këtij Kodi,  përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Neni 108/a Ngacmimi seksual

(Shtuar neni 108/a me ligjin  nr. 144, datë 2.5.2013, neni 24)

Kryerja e sjelljeve me natyrë seksuale, që cenojnë dinjitetin e një personi, me çdo mjet ose formë, duke krijuar një mjedis kërcënues, armiqësor, degradues, poshtërues ose ofendues, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim  nga një deri në pesë vjet.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim, kundër disa personave, më shumë se një herë, ose kundër fëmijëve, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet. 

Pjesa e posaçme

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!