Seksioni V Vepra penale që rrezikojnë jetën dhe shëndetin nga ndërprerja e shtatzënisë ose mosdhënia e ndihmës

Neni 93 Ndërprerja e shtatzënisë pa pëlqim të gruas

Ndërprerja e shtatzënisë pa pëlqim të gruas, veç rastit kur ndërprerja diktohet nga një shkak shëndetësor i  justifikuar, dënohet me gjobë  ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 94 Ndërprerja e shtatzënisë e kryer në vende dhe nga persona të paautorizuar

Ndërprerja e shtatzënisë e kryer jo në ambiente  spitalore publike apo klinika private të lejuara posaçërisht, ose nga një person që nuk është mjek  ose, tej kohës së lejueshme për ndërprerje veç rastit kur kjo diktohet nga një shkak shëndetësor  i justifikuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim  gjer në dy vjet.    Kur nga vepra  është shkaktuar rrezikimi i jetës  ose vdekja, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 95 Dhënia e mjeteve për ndërprerjen e shtatzënisë

Dhënia e mjeteve që  shërbejnë për ndërprerjen  e shtatzënisë një gruaje  me qëllim që kjo të kryejë vetë ose me ndihmën e ndonjë tjetri ndërprerje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. 

Neni 96 Mjekimi i pakujdesshëm

(Shtuar paragrafi i II me ligjin nr.  8733, datë 24.1.2001, neni14)

Mjekimi i pakujdesshëm i të sëmurëve nga ana e mjekut ose e personelit tjetër mjekësor, si dhe moszbatimi i terapisë ose i porosive të mjekut  nga personeli mjekësor apo farmacist, kur ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të shëndetit, ka rrezikuar jetën e personit ose ka  shkaktuar vdekjen e tij, dënohet me gjobë ose me burgim  gjer në pesë vjet.    Po kjo vepër, kur ka shkaktuar infektimin e të sëmurëve me infeksionin HIV/AIDS, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.

Neni 97 Mosdhënia ndihmë

Mosdhënia e ndihmës, pa shkaqe të arsyeshme  nga ana e personit që me ligj ose për shkak të detyrës detyrohej ta jepte atë, kur si pasojë e saj është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit, rrezikimi i jetës ose vdekja, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 98 Mosdhënia e ndihmës nga kapiteni i anijes

Mosdhënia e ndihmës nga kapiteni i anijes njerëzve që janë duke u mbytur në det ose në ujëra të tjera, kur kjo ndihmë mund të jepej pa rrezik serioz për anijen, ekuipazhin dhe udhëtarët, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në katër vjet.

Neni 99 Shkaktimi i vetëvrasjes

(Ndryshuar fjalët me ligjin nr.  144, datë 2.5.2013, neni 19)

Shkaktimi i vetëvrasjes ose i tentativës së vetëvrasjes të një personi, si rrjedhojë e trajtimit të keq sistematik ose nga sjellje të tjera sistematike që prekin rëndë dinjitetin, të kryera nga personi që e ka në varësi apo nga personi me të cilin ka marrëdhënie familjare ose bashkëjetese, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Pjesa e posaçme

  • 1 votë. Mesatarja e 3.00 të 5.