Seksioni IX Vepra penale kundër fëmijëve , martesës dhe familjes

Neni 124 Braktisja e fëmijëve të mitur

(Ndryshuar paragrafi I me ligjin  nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 34)

Braktisja e fëmijës nën moshën 16 vjeç nga prindi  ose personi që është i detyruar të kujdeset për të, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Kur nga vepra është shkaktuar dëmtimi i rëndë i  shëndetit ose vdekja e fëmijës, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Neni 124/a Kërkimi ose marrja e shpërblimeve për procedurat e birësimit

(Shtuar me ligjin nr. 9086, datë 19.6.2003, neni 5; pjesa  që parashikon edhe dënimin me  gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me  ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Kërkimi, propozimi, dhënia ose pranimi i shpërblimeve dhe përfitimeve të tjera, për të kryer ose për të mos kryer një veprim, që lidhet me procesin  e birësimit të një të mituri, dënohen me burgim deri në shtatë vjet.

Neni 124/b Keqtrajtimi i të miturit

(Shtuar me ligjin nr. 9859, datë 21.1.2008, neni 2; ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 16; ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin  nr. 144, datë 2.5.2013, neni 30)

Keqtrajtimi fizik ose psikologjik i të miturit nga prindërit, motra, vëllai, gjyshi, gjyshja, kujdestari ligjor ose çdo person që është i detyruar të kujdeset  për të, dënohet me burgim nga tre muaj gjer në dy vjet.

Detyrimi, shfrytëzimi, shtytja ose përdorimi i të miturit për të punuar, për të siguruar të ardhura, për të lypur apo për të kryer veprime që dëmtojnë zhvillimin e tij mendor dhe/ose fizik, apo arsimimin e tij, dënohet me burgim nga  dy deri në pesë vjet.

Kur nga vepra është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit ose vdekja e të miturit, dënohet me burgim nga dhjetë deri në  njëzet vjet.

Neni 125 Mosdhënia e mjeteve për jetesë

Mosdhënia e mjeteve të nevojshme për jetesën  e  fëmijëve, të prindërve ose të bashkëshortit, nga personi që në zbatim  të një vendimi gjyqësor  detyrohet ta japë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 126 Mosnjoftimi i ndryshimit të vendbanimit

Mosnjoftimi brenda një muaji i ndryshimit të  vendbanimit, të interesuarve ose organit të ekzekutimit, nga personi që sipas vendimit gjyqësor detyrohet me dhënien  e mjeteve të nevojshme për jetesë fëmijëve, prindërve ose bashkëshortit të vet, si dhe ai të cilit i janë besuar fëmijët pas zgjidhjes së martesës, përbën kundërvajtje penale  dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Neni 127 Marrja e padrejtë e fëmijës

Marrja e padrejtë e fëmijës, duke e larguar prej  personit që ushtron autoritetin prindëror ose që i është besuar për rritje dhe edukim, si dhe mosdorëzimi i fëmijës prindit tjetër në zbatim të vendimit gjyqësor, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet  me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

Neni 128 Ndërrimi i fëmijëve

Ndërrimi i fëmijëve i bërë me pakujdesi nga personeli ku fëmijët mbahen për rritje, mjekim ose në shtëpi lindjeje, përbën kundërvajtje penale dhe  dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 128/a Fshehja ose  ndërrimi me dashje i fëmijës

(Shtuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 35)

Fshehja ose ndërrimi me dashje  i fëmijës me një tjetër, i kryer nga personeli mjekësor, dënohet me burgim nga tre gjer në tetë vjet.

Neni 128/b  Trafikimi i të miturve

(Ndryshuar me ligjin nr. 9188, datë 12.2.2004, neni  3; shtuar me ligjin nr. 9859, datë 21.1.2008, neni 3; ndryshuar fjalët në paragrafin e parë me ligjin nr. 144,  datë  2.5.2013, neni 31; pjesa që parashikon edhe  dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)

Rekrutimi, shitja, transportimi, transferimi,  fshehja ose pritja e të miturve me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit ose formave të tjera të  shfrytëzimit  seksual, të punës ose shërbimeve të detyruara, skllavërimit ose formave të ngjashme  me skllavërimin, vënies në përdorim ose transplantimit të organeve, si dhe formave të tjera të shfrytëzimit, dënohen me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.

Organizimi, drejtimi dhe financimi i trafikimit  të të miturve dënohen me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më  shumë se një herë, apo shoqërohet me keqtrajtimin dhe detyrimin me dhunë fizike a  psikike të të dëmtuarit, për të kryer veprime të ndryshme, ose sjell pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo  më pak se pesëmbëdhjetë vjet.

Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarit, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm. Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit  të funksionit shtetëror ose shërbimit publik, dënimi me burgim shtohen me ¼ e dënimit të dhënë.

Neni 129 Shtytja e të miturve në krim

Shtytja ose tërheqja e të miturve nën moshën  katërmbëdhjetë vjeç për të kryer krim, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 130 Shtrëngimi apo pengimi për të bashkëjetuar ose për të lidhur  apo zgjidhur martesë

(Ndryshuar me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 32)

Shtrëngimi apo pengimi për të filluar ose vazhduar  bashkëjetesën, ose shtrëngimi për të lidhur apo zgjidhur martesën, përbën kundërvajtje penale  dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Kërkesa e qëllimshme ndaj një të rrituri ose fëmije për të shkuar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim detyrimin e tij për të lidhur martesë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

Neni 130/a Dhuna në familje

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni  17; ndryshuar paragrafi i fundit me  ligjin nr. 144,  datë 2.5.2013, neni 33)

Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues  apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim gjer në dy vjet.

Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, ndaj personit që është bashkëshort, ishbashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin  e integritetit psikik  të tij, dënohet me burgim gjer në tre vjet.

Plagosja e kryer me dashje, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Po këto vepra, të kryera në mënyrë të përsëritur, ose në praninë e fëmijëve, dënohen nga një deri në pesë vjet.

Pjesa e posaçme

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!