Kreu VIII - Shuarja e ndjekjes penale , të dënimeve dhe mosekzekutimi i tyre

Neni 66 - Parashkrimi i ndjekjes penale

Nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar:

a) njëzet vjet për krimet që parashikojnë dënim jo më të ulët se dhjetë vjet burgim ose dënim tjetër më të rëndë;

b) dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim nga pesë gjer në dhjetë vjet burgim;

c) pesë vjet për krimet që parashikojnë dënim gjer në pesë vjet burgim ose gjobë;

ç) tre vjet për kundërvajtjet penale që para shikojnë dënim gjer në dy vjet burgim;

d) dy vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim me gjobë.

Neni 67 - Mosparashkrimi i ndjekjes penale

Nuk i nënshtrohen parashkrimit të ndjekjes penale krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit.

Neni 68 - Parashkrimi i ekzekutimit të dënimit

Vendimi i dënimit nuk ekzekutohet kur nga dita që ka marrë formë të prerë kanë kaluar:

a) njëzet vjet për vendimin  që përmban dënim pesëmbëdhjetë gjer në njëzetepesë vjet burgim;
b) dhjetë vjet për vendimin që përmban dënim pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet burgim;
c) pesë vjet për vendime që përmbajnë dënim me burgim gjer në pesë vjet ose dënime të tjera
më të lehta.

Neni 69 - Rehabilitimi

Quhen të padënuar:

a) ata që janë dënuar me burgim për një kohë gjer në gjashtë muaj ose me çdo dënim tjetër më të lehtë dhe që gjatë dy vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale;
b) ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga gjashtë muaj gjer në pesë vjet dhe që gjatë pesë vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale;
c) ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga pesë gjer në dhjetë vjet dhe që gjatë shtatë vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale;
ç) ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga dhjetë gjer në njëzet e pesë vjet dhe që gjatë dhjetë vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale.

Neni 70 - Falja

Me aktin e faljes organi kompetent përjashton tërësisht apo pjesërisht personin nga vuajtja e dënimit të dhënë me një vendim gjyqësor ose bën zë vendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të butë.

Neni 71 - Amnistia

Me aktin e amnistisë organi kompetent përjashton nga ndjekja penale, nga vuajtja tërësisht apo pjesërisht e dënimit ose bën zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të butë.

Amnistia shtrihet për ato vepra penale të kryera deri një ditë para shpalljes së saj, veç rastit kur në aktin përkatës vendoset ndryshe.

Neni 72 - Zbatimi i dispozitave të pjesës së përgjithshme

Dispozitat e pjesës së përgjithshme të këtij Kodi zbatohen edhe për veprat penale të tjera të parashikuara si të tilla nga ligje të veçanta.

Pjesa e posaçme

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!