Kreu VI - Caktimi i dënimit

Neni 47 - Mënyra e caktimit të dënimit

          Gjykata cakton dënimin duke respektuar dispozitat e pjesës së përgjithshme të këtij Kodi dhe kufijtë e dënimeve të parashikuar në ligj për veprën penale.
          Në caktimin e dënimit ndaj personit ajo merr parasysh rrezikshmërinë e veprës penale, të autorit të saj, shkallën e fajit, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Neni 48 - Rrethanat lehtësuese

(Shtuar dy paragrafë me ligjin  nr. 144, datë 2.5.2013, neni 5) 

          Lehtësojnë dënimin rrethanat që vijojnë:
          a) Kur vepra është kryer e shtyrë nga motive me vlera pozitive morale e shoqërore;
          b) kur vepra është kryer nën ndikimin e tronditjes psikike të shkaktuar nga provokimi ose veprime të padrejta të viktimës apo të ndonjë personi tjetër;
          c) kur vepra është kryer nën ndikimin e veprimeve apo të udhëzimeve të padrejta të eprorit;
          ç) kur personi që ka kryer veprën tregon pendim të thellë;
          d) kur personi ka zëvendësuar dëmin e shkaktuar nga vepra penale ose ka ndihmuar aktivisht për të zhdukur ose pakësuar pasojat e veprës
penale;
          dh) kur personi paraqitet në organet kompetente pas kryerjes së veprës penale;
          e) kur marrëdhëniet ndërmjet personit që ka kryer veprën penale dhe të dëmtuarit janë normalizuar.

Rrethana lehtësuese e parashikuar në  shkronjën  “a” të paragrafit të parë të këtij neni, nuk lehtëson dënimin kur vepra penale është kryer në rrethanat e parashikuara në shkronjën “j” të nenit 50 të këtij Kodi.
Rrethana lehtësuese, e parashikuar në shkronjën  “e” të paragrafit të parë të këtij neni, nuk lehtëson dënimin e një personi që ka kryer një vepër penale ndaj fëmijëve apo një vepër penale të dhunës në familje. 

Neni 49

          Gjykata, pavarësisht nga rrethanat që përmenden në nenin 48 të këtij Kodi, mund të marrë në konsideratë edhe rrethanat të tjera për sa kohë i quan të tilla që justifikojnë lehtësimin e dënimit.

Neni 50 - Rrethanat rënduese

(Ndryshuar  shkronja “b”, shtuar shkronja “h” dhe “i” me ligjin nr. 8733,  datë 24.1.2001, neni 5;
ndryshuar shkronja “dh” me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 8;
shtuar shkronja “j” me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 6;
shtohet shkronja “ç/1” dhe “e/1” dhe ndryshohet shkronja  “g” dhe “j” me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 6) 

           Rëndojnë dënimin rrethanat që vijojnë:

a) kryerja e veprës i shtyrë nga motive të dobëta;
b) kryerja e veprës për të vënë  para përgjegjësisë ose për të fshehur përgjegjësinë penale  të një tjetri apo për  të shmangur dënimin për një vepër penale tjetër ose për të realizuar, ose për të siguruar për vete a për të tretët fitime pasurore, ose  çdo lloj përfitimi tjetër material;
c) kryerja e veprës penale me egërsi dhe mizori;
ç) kryerja e një krimi pas dhënies së një dënimi për një krim të kryer më parë;
ç/1) kryerja e veprës penale pas vendosjes së personit nën mbikëqyrje elektronike;
d) kryerja e veprimeve që rëndojnë  apo  shtojnë pasojat e veprës penale;
dh) kryerja e veprës penale duke shpërdoruar funksionin publik ose shërbimin fetar;
e) kur vepra  është kryer  kundër fëmijëve, grave shtatzëna ose personave që, për shkaqe të ndryshme, nuk mund të mbrohen;
e/1) kryerja e veprës penale gjatë ose pas dhënies së urdhrave gjyqësorë të mbrojtjes nga dhuna në familje;
f) kur vepra është drejtuar  ndaj  përfaqësuesve të shteteve të tjera;
g) kur vepra është kryer duke përfituar nga marrëdhëniet familjare, të bashkëjetesës, të miqësisë, të mikpritjes;
gj) kryerja e veprës penale në bashkëpunim;
h) kryerja e veprës penale më shumë se një herë;
i) kur vepra është kryer  duke përdorur armë,  municione luftarake, lëndë plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive.
j) kur vepra është kryer e shtyrë nga motive që kanë të bëjnë me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen shëndetësore, predispozicione gjenetike ose aftësinë e kufizuar. 

Neni 51 - Dënimi me burgim për të miturit

          Për të miturit, që në kohën e kryerjes së veprës penale nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç, dënimi me burgim nuk mund të jetë më shumë se gjysma e dënimit që parashikon ligji për veprën penale të kryer.

Neni 52 - Përjashtimi i të miturit nga dënimi

          Gjykata, nisur nga rrezikshmëria e pakët e veprës penale, nga rrethanat konkrete të kryerjes së saj, nga sjellja e mëparshme e të miturit, mund ta përjashtojë atë nga dënimi.
          Në këto raste gjykata mund të vendosë dërgimin e të miturit në një institucion edukimi.

Neni 52/a Përjashtimi ose ulja e dënimit për bashkëpunëtorët e drejtësisë dhe viktimat

(Shtuar me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 7)

Personi, që ka premtuar ose ka dhënë shpërblim ose përfitime të tjera, sipas neneve 164/a, 244, 244/a, 245, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c dhe 328 të këtij Kodi mund të përfitojë përjashtim nga vuajtja e dënimit ose ulje të tij, nëse bën kallëzim  dhe jep ndihmesë në procedimin penal të këtyre veprave. Në dhënien e vendimit, gjykata mban  parasysh edhe kohën kur është bërë kallëzimi, ardhjen ose jo të pasojave të veprës.

Personi i dëmtuar nga veprat penale,  që lidhen  me trafikimin e personit, mund të përfitojë përjashtimin nga dënimi, për kryerjen e veprave penale gjatë periudhës  së trafikimit dhe në masën që ka qenë i detyruar t’i kryejë ato veprime apo mosveprime të kundërligjshme.

Personi që ka kryer njërën nga veprat penale që  kanë lidhje me trafikun  e narkotikëve, armëve apo municioneve, trafikimin e personave ose për  vepra penale  të kryera nga organizata kriminale, që bashkëpunon dhe ndihmon organet e ndjekjes penale  në luftën kundër tyre ose, sipas rastit, në zbulimin e personave të tjerë, që kryejnë krime  të tilla, nuk mund të dënohet më tepër se gjysma e dënimit të parashikuar për veprën e kryer prej tij.  Në raste të veçanta, kur konkurrojnë edhe rrethana lehtësuese në favor të tij, ky person mund të përjashtohet nga dënimi. 

Neni 53 - Ulja e dënimit nën kufijtë e parashikuar nga ligji

(Shtuar fjalët me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 8)

         Gjykata, në raste të veçanta, kur çmon që vepra  dhe autori i saj paraqesin rrezikshmëri të pakët dhe janë të pranishme disa nga rrethanat lehtësuese, dhe nuk është e pranishme asnjë rrethanë rënduese ka të drejtë të caktojë një dënim nën minimumin ose një lloj  dënimi më të butë se ai që parashikon dispozita përkatëse.

Neni 54 - Pranimi i pagimit të gjobës

          Për kundërvajtjet penale për të cilat, veç gjobës, parashikohet njëkohësisht dënimi me burgim, gjykata, me kërkesën e autorit të kundërvajtjes penale mund të pranojë që ai të paguajë aty për aty një shumë të hollash në favor të buxhetit të shtetit, e barabartë me gjysmën e maksimumit të gjobës të parashikuar për kundërvajtjet penale në Pjesën e Përgjithshme të këtij Kodi.
          Kërkesa mund të paraqitet në çdo fazë të gjykimit deri përpara dhënies së vendimit përfundimtar të shkallës së parë.
          Kur gjykata nuk pranon kërkesën, jep dënimin për veprën e kryer.
          Pranimi i kërkesës nuk lejohet për personat që më parë janë dënuar edhe për kundërvajtje penale.

Neni 55 - Caktimi i dënimeve për disa vepra penale

(Shtuar paragrafi i dytë me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 9;
 Ndryshuar  paragrafi  i  dytë  me  ligjin  nr.  135/2015,  datë  5.12.2015)

          Kur veprimet ose mosveprimet përmbajnë elementët e disa veprave penale, si dhe kur personi ka kryer disa vepra penale për të cilat nuk është dhënë akoma vendim, gjykata më parë cakton dënimin për çdo vepër penale dhe  në përfundim jep një dënim të vetëm, që përbëhet nga dënimi më i rëndë i shtuar.

Dënimi  më i rëndë i shtuar  përbëhet nga shuma e përgjithshme e dënimeve për secilën vepër penale në rastin kur personi  ka kryer një krim kundër jetës me dashje,   me përdorim pa leje  të armëve luftarake dhe  municionit,  ose vepra penale  me qëllime terroriste, korrupsion  pasiv ose vepra penale kundër të miturve.

Dënimi më i rëndë i shtuar nuk mund të kapërcejë shumën e përgjithshme të dënimeve të caktuara veç e veç, as kufirin më të lartë  të parashikuar për llojin e dënimit të dhënë.

Kur gjykata çmon se kryerja e shumë veprave penale nuk tregon rrezikshmëri të madhe të fajtorit, mund të japë si dënim përfundimtar dënimin më të rëndë që ka caktuar për një nga veprat penale.

Neni 56 - Bashkimi i dënimeve

          Kur i dënuari, para vuajtjes së plotë të dënimit, dënohet për një vepër penale të kryer para dhënies së vendimit, zbatohen rregullat e nenit të mësipërm dhe pjesa e vuajtur e dënimit llogaritet në dënimin e ri.
          Kur i dënuari, pas dhënies së vendimit, por para vuajtjes së plotë të dënimit, kryen një vepër penale të re, gjykata bën bashkimin e dënimit të ri me pjesën e mbetur të dënimit të mëparshëm, duke ndjekur rregullat e parashikuara nga neni 55 i këtij Kodi.

Neni 57 - Llogaritja e paraburgimit

(Ndryshuar paragrafi i III me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 6)

          Koha e paraburgimit llogaritet në dënimin me burgim ose me gjobë, si dhe në detyrimin për kryerjen e një pune në interes publik si më poshtë:
          Një ditë paraburgim baras me një ditë e gjysmë burgim.
          Një ditë paraburgim baras me 5 mijë lekë gjobë.
          Një ditë paraburgim baras me tetëmbëdhjetë orë pune në interes publik.

Pjesa e posaçme

  • 1 votë. Mesatarja e 5.00 të 5.