Like faqes ☞ Prof Asoc Dr Jordan DACI per Avokat Populli 

Kreu II Letërporositë ndërkombëtare

Seksioni I Letërporositë nga jashtë shtetit

Neni 505 
Kompetencat e Ministrisë së Drejtësisë 

1. Ministria e Drejtësisë vendos që t’i jepet rrugë letërporosisë së një autoriteti të huaj për komunikimet, njoftimet dhe për marrjen e provave, përveçse kur çmon se veprimet e kërkuara rrezikojnë sovranitetin, sigurimin ose interesa të rëndësishme të shtetit. 
2. Ministria nuk i jep rrugë letërporosisë kur del e qartë se veprimet e kërkuara janë të ndaluara shprehimisht nga ligji ose kur vijnë në kundërshtim me parimet themelore të rendit juridik shqiptar. Ministria nuk i jep rrugë letërporosisë edhe kur ka arsye të bazuara për të menduar se konsideratat lidhur me racën, fenë, seksin, kombësinë, gjuhën, bindjet politike apo gjendjen shoqërore mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin e procesit, si dhe kur nuk del që i pandehuri të ketë shprehur lirisht pëlqimin e tij për letërporosinë. 
3. Në rastet kur letërporosia ka si objekt thirrjen e një dëshmitari, të një eksperti a të një të pandehuri para autoritetit gjyqësor të huaj, Ministria e Drejtësisë nuk i jep rrugë letërporosisë kur shteti kërkues nuk jep garancinë e duhur për paprekshmërinë e personit të thirrur. 
4. Ministria ka të drejtë të mos i japë rrugë letërporosisë kur shteti kërkues nuk jep garancinë e duhur të reciprocitetit. 

Neni 506 
Procedimi gjyqësor 
(Shtuar dhe ndryshuar me ligjin nr. 99, datë 31.7.2014) 

1. Letërporosia e huaj nuk mund të vihet në ekzekutim pa u marrë më parë vendimi në favor i gjykatës së vendit ku duhet të procedohet. 
2. Prokurori i rrethit, pasi merr aktet nga Ministria e Drejtësisë, paraqet kërkesën në gjykatë brenda 5 ditëve nga paraqitja e akteve nga Ministria e Drejtësisë. 
3. Gjykata disponon ekzekutimin e letërporosisë me vendim brenda 10 ditëve nga paraqitja e kërkesës. 
4. Ekzekutimi i letërporosisë nuk pranohet: 

a) kur janë rastet që Ministria e Drejtësisë nuk i jep rrugë letërporosisë, në përputhje edhe me parashikimet e akteve ndërkombëtare, në të cilat Republika e Shqipërisë është palë dhe rezervat e deklarimet ligjore; 
b) kur fakti për të cilin procedon autoriteti i huaj nuk parashikohet nga ligji shqiptar si vepër penale. 

Neni 507 
Ekzekutimi i letërporosive 

1. Në vendimin e ekzekutimit të letërporosisë caktohet trupi gjykues që do të kryejë veprimin e kërkuar. 
2. Për kryerjen e veprimeve të kërkuara zbatohen normat e këtij Kodi, përveç rasteve kur duhet të respektohen rregulla të veçanta të kërkuara nga autoriteti gjyqësor i huaj, të cilat nuk vijnë në kundërshtim me parimet e rendit juridik të shtetit shqiptar. 

Neni 508 
Thirrja e dëshmitarëve që kërkohen nga autoriteti i huaj 

1. Thirrja e dëshmitarëve që kanë vendqëndrimin ose vendbanimin në territorin e shtetit shqiptar për t’u paraqitur në autoritetin gjyqësor të huaj, i dërgohet prokurorit të rrethit përkatës, i cili merr masa për njoftimin duke vepruar si në rastin e njoftimit të të pandehurit në gjendje të lirë.

Seksioni II Letërporositë për jashtë shtetit

Neni  509 
Dërgimi i letërporosive autoriteteve të huaja 

1.  Letërporositë  e  gjykatave  dhe  prokurorive,  të  drejtuara  autoriteteve  të  huaja  për  njoftimet  dhe marrjen e  provave,  i dërgohen Ministrisë së Drejtësisë,  e  cila  merr  masa për t’i nisur  ato. 
2.  Kur  çmon  se  mund  të  rrezikohet  sigurimi  ose  interesat  e  tjera  të  rëndësishme  të  shtetit, Ministria urdhëron, brenda  tridhjetë ditëve  nga  marrja  e  letërporosisë,  që kësaj  të mos  i jepet rrugë. 
3.  Ministria  i  komunikon  autoritetit  procedues  që  ka  bërë  kërkesën  datën  e  marrjes  së  saj  dhe nisjen e letërporosisë ose urdhrin për të mos  i dhënë rrugë  letërporosisë. 
4.  Në  rastet  e  ngutshme,  autoriteti  procedues  mund  të  vendosë  nisjen  direkt,  duke  informuar Ministrin e  Drejtësisë. 

Neni  510 
Paprekshmëria e personit  të thirrur 

1.  Personi  i  thirrur  në  bazë  të  letërporosisë,  kur  paraqitet,    nuk  mund  t’i  nënshtrohet  kufizimit  të lirisë personale  për fakte që  kanë  ndodhur  para njoftimit për t’u paraqitur. 
2.  Paprekshmëria  e  parashikuar  në  paragrafin  1  pushon  kur  dëshmitari,  eksperti  a  i  pandehuri, duke  patur  mundësinë  nuk  është  larguar  nga  territori  i  shtetit  shqiptar,  me  kalimin  e  pesëmbëdhjetë ditëve  nga  momenti  kur  prania  e  tij  nuk  kërkohet  më  nga  autoriteti  gjyqësor  ose  kur,  pasi  është  larguar, është kthyer vullnetarisht. 

Neni  511 
Vlera e akteve  të marra  me letërporosi 

1.  Kur  shteti  i  huaj  ka  vënë  kushte  për  përdorshmërinë  e  akteve  të  kërkuara,  autoriteti  procedues shqiptar  është  i  detyruar  t’i  respektojë,  në  qoftë  se  ato  nuk  vijnë  në  kundërshtim  me  ndalimet  e  caktuara nga  ligji. 

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!