Like faqes ☞ Prof Asoc Dr Jordan DACI per Avokat Populli 

Kreu I Ekstradimi

Seksioni I Ekstradimi për jashtë shtetit

Neni  488 
Kuptimi i ekstradimit 

1.  Dorëzimi  i  një  personi  një  shteti  të  huaj  për  ekzekutimin  e  një  vendimi  me  burgim  ose  të  një akti që  vërteton procedimin e tij për një vepër penale, mund të bëhet vetëm nëpërmjet ekstradimit. 

Neni  489 
Kërkesa  për  ekstradim 

1. Ekstradimi lejohet vetëm mbi bazën e një kërkese drejtuar Ministrisë së Drejtësisë. 
2. Kërkesës për ekstradim i bashkëngjiten: 
a)  kopja  e  vendimit të dënimit me burgim ose e  aktit të procedimit; 
b)  një  relacion  mbi  veprën  penale  që  i  ngarkohet  personit  për  të  cilin  kërkohet  ekstradimi,  duke treguar kohën dhe  vendin  e kryerjes  së veprës dhe cilësimin ligjor të saj; 
c)  teksti  i  dispozitave  ligjore  që  do  të  zbatohen,  duke  treguar  nëse  për  veprën  për  të  cilën  kërkohet ekstradimi është parashikuar nga  ligji i  shtetit të huaj  dënimi me  vdekje; 
ç)  të  dhënat  individuale  dhe  çdo  informacion  tjetër  të  mundshëm  që  shërben  për  të  përcaktuar identitetin dhe  shtetësinë  e personit, për të cilin  kërkohet ekstradimi. 

3.  Kur  konkurrojnë  disa  kërkesa   ekstradimi,  Ministria  e  Drejtësisë  cakton  radhën  e  shqyrtimit.  Për këtë  qëllim  ajo  mban  parasysh  të  gjitha  rrethanat  e  çështjes  dhe  veçanërisht  datën  e  marrjes  së  kërkesës, rëndësinë  dhe  vendin  e  kryerjes  së  veprës  penale  ose  shtetësinë  dhe  vendbanimin  e  personit  të  kërkuar, si dhe  mundësinë e  një  riekstradimi nga  shteti kërkues. 
4.  Në  qoftë  se  për  një  shkelje  të  vetme  ekstradimi kërkohet  në  të  njëjtën  kohë  nga  shumë  shtete, ai i  jepet  shtetit  ndaj  të  cilit  është  drejtuar  vepra  penale  ose  atij  shteti  mbi  territorin  e  të  cilit  është  kryer vepra. 

Neni  490 
Kushtet e ekstradimit 
(Shtuar fjalët  me ligjin  nr. 99,  datë 31.7.2014) 

1.  Ekstradimi  lejohet  me  kusht  të  shprehur  se  i  ekstraduari  nuk  do  të  ndiqet,  nuk  do  të  dënohet dhe  as  do  t’i  dorëzohet  një  shteti  tjetër  për  një  vepër  penale  që  ka  ndodhur  para  kërkesës  për  dorëzim dhe që është e  ndryshme  nga  ajo për të  cilën është  dhënë  ekstradimi. 
2. Kushtet e  treguara nga  paragrafi 1 nuk merren parasysh: 
a)  kur  pala  dorëzuese  jep  pëlqim  të  shprehur  që  i  ekstraduari  të  ndiqet  edhe  për  një  vepër  penale tjetër dhe  i ekstraduari nuk ka  kundërshtim; 
b)  kur  i  ekstraduari,  edhe  pse  ka  patur  mundësi,  nuk  ka  lënë  territorin  e  shtetit  të  cilit  i  është dorëzuar,  pasi  kanë  kaluar  dyzet  e  pesë  ditë  nga  lirimi  i  tij  ose  pasi  e  ka  lënë  atë  është  kthyer vullnetarisht.

3.  Ministria  e  Drejtësisë  mund  të  vërë  edhe  kushte  të  tjera  që  i  çmon  të  përshtatshme  pa  tejkaluar parashikimet  e  akteve  ndërkombëtare,  në  të  cilat  Republika  e  Shqipërisë  është  palë  dhe  rezervat  e deklarimet ligjore. 

Neni  491 
Mospranimi i kërkesës  për  ekstradim 

1. Nuk mund të jepet ekstradimi: 

a)  për një vepër me karakter politik ose  kur rezulton që ai kërkohet për qëllime politike; 
b)  kur  ka  arsye  të  mendohet  se  personi  që  kërkohet  do  t’u  nënshtrohet  persekutimeve  ose diskriminimeve  për  shkak  të  racës,  fesë,  seksit,  shtetësisë,  gjuhës,  bindjeve  politike,  gjendjes  personale  a shoqërore  ose  dënimeve  a  trajtimeve  të  egra,  çnjerëzore  a  poshtëruese  ose  veprimeve  që  përbëjnë shkelje  të një  të drejte themelore të  njeriut; 
c)  kur personi që  kërkohet ka  kryer një vepër penale  në  Shqipëri; 
ç)  kur ka  filluar procedimi ose është gjykuar në Shqipëri edhe  pse vepra  është  kryer jashtë shtetit; 
d)  kur  vepra  penale  nuk parashikohet si e  tillë  nga  legjislacioni shqiptar; 
e)  kur për veprën penale  është dhënë  amnisti nga  shteti shqiptar; 
f)  kur  personi i kërkuar është shtetas  shqiptar dhe nuk ka  marrëveshje që të parashikojë ndryshe; 
g) kur është parashikuar ndjekja  penale  ose dënimi sipas  ligjit të shtetit që e  kërkon. 

Neni  492   
Veprimet e prokurorit 

1.  Kur  merr  nga  një  shtet  i  huaj  një  kërkesë  ekstradimi,  Ministria  e  Drejtësisë,  në  qoftë  se  nuk  e refuzon atë, ia  dërgon bashkë  me dokumentet prokurorit pranë  gjykatës  kompetente. 
2.  Prokurori  pasi  merr  kërkesën  urdhëron  paraqitjen  e  të  interesuarit  për  të  bërë  identifikimin  e  tij dhe  për  të  marrë  pëlqimin  eventual  për  ekstradimin.  Të  interesuarit  i  bëhet  e  ditur  se  ka  të  drejtë  të ndihmohet nga  një  mbrojtës. 
3.  Prokurori  u  kërkon  autoriteteve  të  huaja,  nëpërmjet  Ministrisë  së  Drejtësisë,  dokumentacionin dhe informacionin që  çmon të nevojshëm. 
4.  Brenda  tre  muajve  nga  data  kur  ka  ardhur  kërkesa  për  ekstradim,  prokurori  i  paraqet  gjykatës kërkesën për shqyrtim. 
5.  Kërkesa  e  prokurorit  depozitohet  në  sekretarinë  e  gjykatës  bashkë  me  aktet  dhe  sendet  e sekuestruara.  Sekretaria  kujdeset  për  njoftimin  e  personit  për  të  cilin  është  kërkuar  ekstradimi, mbrojtësit  të  tij  dhe  përfaqësuesit  eventual  të  shtetit  kërkues,  të  cilët,  brenda  dhjetë  ditëve,  kanë  të drejtë  të  shikojnë  dhe  të  nxjerrin  kopje  të  akteve,  si  dhe  të  këqyrin  sendet  e  sekuestruara  dhe  të paraqesin memorie. 

Neni  493 
Masat shtrënguese  dhe  sekuestrimet 

1.  Me  kërkesë  të  Ministrisë  së  Drejtësisë,  të  paraqitur  nëpërmjet  prokurorit,  ndaj  personit  për  të cilin  është  kërkuar  ekstradimi  mund  të  merren  masa  shtrënguese  dhe  të  vendoset  sekuestrimi  i  provave materiale dhe  i sendeve që  i përkasin  veprës penale,  për të cilën është kërkuar ekstradimi. 
2.  Në  caktimin  e  masave  shtrënguese  respektohen  dispozitat  e  titullit  V  të  këtij  Kodi,  për  aq  sa mund  të  zbatohen,  duke  mbajtur  parasysh  kërkesat  për  të  garantuar  që  personi  për  të  cilin  është  kërkuar ekstradimi të mos  i shmanget dorëzimit. 
3.  Masat  shtrënguese  dhe  sekuestroja  nuk  vendosen  kur  ka  arsye  të  çmohet  se  nuk  ekzistojnë kushtet për dhënien e një  vendimi në  favor të ekstradimit. 
4.  Masat  shtrënguese  revokohen  kur  brenda  tre  muajve  nga  fillimi  i  ekzekutimit  të  tyre  nuk  ka përfunduar  procedimi  para  gjykatës.  Me  kërkesë  të  prokurorit  afati  mund  të  zgjatet,  por  jo  më  shumë  se një  muaj, kur është e  nevojshme të bëhen verifikime  veçanërisht komplekse. 
5. Kompetenca  për të vendosur  në bazë  të paragrafëve  të mësipërm  i përket gjykatës  së rrethit ose, gjatë procedimit para  gjykatës  së apelit, kësaj të fundit. 

Neni  494 
Zbatimi i përkohshëm i  masave  shtrënguese 

1.  Me  kërkesën  e  shtetit  të  huaj,  të  paraqitur  nga  Ministria  e  Drejtësisë  nëpërmjet  prokurorit  pranë gjykatës  kompetente,  gjykata mund të vendosë përkohësisht një masë shtrënguese para se të  vijë kërkesa e ekstradimit. 
2. Masa  mund të vendoset kur: 
a)  shteti  i  huaj  ka  deklaruar  se  kundër  personit  është  marrë  një  masë  për  kufizimin  e  lirisë personale  ose një vendim  dënimi me  burgim dhe se  ka  ndër mend të  paraqesë kërkesë për ekstradim; 
b)  shteti  i  huaj  ka  paraqitur  të  dhëna  të  hollësishme  për  veprën  penale  dhe  elemente  të mjaftueshme për identifikimin e personit; 
c)  kur ka  rrezik ikjeje. 

3.  Kompetenca  për  të  vendosur  masën  u  takon,  sipas  radhës,  gjykatës  së  rrethit  në  territorin  e  së cilës  personi  ka  vendbanimin,  vendqëndrimin  apo  banesën  ose  gjykatës  së  rrethit  gjyqësor  ku  ai  gjendet. Në  qoftë  se  kompetenca  nuk  mund  të  përcaktohet  në  mënyrat  e  treguara  më  sipër  kompetente  është Gjykata e  Rrethit  Gjyqësor të Tiranës. 
4.  Gjykata  mund  të  vendosë  edhe  sekuestrimin  e  provave  materiale  dhe  të  sendeve  që  i  përkasin veprës penale. 
5.  Ministria  e  Drejtësisë  njofton  shtetin  e  huaj  për  zbatimin  e  përkohshëm  të  masës  shtrënguese dhe të  sekuestros  eventuale. 
6.  Masat  shtrënguese  revokohen  në  qoftë  se  brenda  tetëmbëdhjetë  ditëve  dhe  gjithësesi  në maksimum  dyzet  ditë  nga  njoftimi  i  mësipërm  nuk  vjen  në  Ministrinë  e  Drejtësisë  kërkesa  e  ekstradimit dhe dokumentet që i bashkëlidhen asaj. 

Neni  495 
Arrestimi nga policia gjyqësore 
(Ndryshuar pikat  2 dhe 3 me  ligjin  nr. 8813,  datë 13.6.2002) 

1.  Në  rastet  e  ngutshme,  policia  gjyqësore  mund  të  bëjë  arrestimin  e  personit,  kundër  të  cilit  është paraqitur  kërkesa  për  arrestimin  e  përkohshëm.  Ajo  bën  edhe  sekuestrimin  e  provave  materiale  të veprës penale  dhe të sendeve  që i  përkasin asaj. 
2.  Autoriteti  që  ka  bërë  arrestimin  njofton  menjëherë  prokurorin  dhe  Ministrin  e  Drejtësisë. Brenda  dyzet  e  tetë  orëve  prokurori  e  vë  të  arrestuarin  në  dispozicion  të  gjykatës  në  territorin  e  së  cilës është bërë arrestimi, duke i  dërguar edhe  dokumentacionin përkatës. 
3.  Gjykata,  brenda  dyzet  e  tetë  orëve  nga  arrestimi  e  miraton  atë,  kur  janë  kushtet  ose  vendos lirimin e  të  arrestuarit. Për vendimin  që merr  ajo njofton Ministrin e Drejtësisë. 
4.  Masa  e  arrestit  revokohet  në  qoftë  se  Ministria  e  Drejtësisë  nuk  kërkon,  brenda  dhjetë  ditëve nga  miratimi, mbajtjen  e saj. 
5.  Kopja  e  vendimit  të  dhënë  nga  gjykata  për  masat  shtrënguese  dhe  sekuestrimet,  në  bazë  të këtyre  neneve,  u  njoftohet  prokurorit,  personit  të  interesuar  dhe  mbrojtësit  të  tij,  të  cilët  mund  të  bëjnë ankim në  gjykatën e  apelit. 

Neni  496 
Dëgjimi i personit  ndaj  të cilit është marrë  masë shtrënguese 

1.  Kur  është  zbatuar  një  masë  shtrënguese,  gjykata,  sa  më  shpejt  dhe  sidoqoftë  jo  më  vonë  se  pesë ditë  nga  ekzekutimi  i  masës  ose  nga  vleftësimi  i  saj,  sigurohet  për  identitetin  e  personit  dhe  merr pëlqimin eventual të tij për ekstradimin, duke e  shënuar këtë në  procesverbal. 
2.  Gjykata  i  bën  të  ditur  të  interesuarit  të  drejtën  për  të  patur  mbrojtës  dhe  në  mungesë  të  tij  i cakton  një  mbrojtës  kryesisht.  Mbrojtësi  duhet  të  lajmërohet,  të  paktën  njëzet  e  katër  orë  përpara,  për veprimet e  sipërme dhe  ka  të drejtë të  marrë pjesë në  to. 

Neni  497 
Shqyrtimi i kërkesës për  ekstradim 

1.  Pasi  merr  kërkesën  e  prokurorit  gjykata  cakton  seancën  dhe  njofton,  të  paktën  dhjetë  ditë përpara,  prokurorin,  personin  me  të  cilin  është  kërkuar  ekstradimi,  mbrojtësin  e  tij  dhe  përfaqësuesin eventual të shtetit kërkues. 
2.  Gjykata  merr  të  dhëna  dhe  bën  verifikimet  që  i  çmon  të  nevojshme,  si  dhe  dëgjon  personat  e thirrur  në gjykim. 

Neni  498 
Vendimi i gjykatës 

1.  Gjykata  jep  vendim  në  favor  të  ekstradimit  kur  ka  të  dhëna  të  rëndësishme  fajësie  ose  kur ekziston  një  vendim  dënimi  i  formës  së  prerë.  Në  këtë  rast,  kur  ka  kërkesë  nga  Ministria  e  Drejtësisë,  të paraqitur  nëpërmjet  prokurorit,  gjykata  vendos  paraburgimin  e  personit  që  duhet  të  ekstradohet  dhe  që ndodhet  në  gjendje  të  lirë,  si  dhe  sekuestrimin  e  provave  materiale  dhe  të  sendeve  që  i  përkasin  veprës penale. 
2.  Gjykata  jep  vendim  kundër  ekstradimit  kur  janë  rastet  e  parashikuara  për  mospranimin  e kërkesës së ekstradimit. 
3. Kur gjykata jep vendim  kundër ekstradimit, ekstradimi nuk mund të bëhet. 
4.  Vendimi  kundër  ekstradimit  ndalon  dhënien  e  një  vendimi  të  mëpasshëm  në  favor  të ekstradimit  si  rezultat  i  një  kërkese  të  re  të  paraqitur  për  të  njëjtat  fakte  nga  i  njëjti  shtet,  përveçse  kur kërkesa  mbështetet në  elemente që  nuk kanë  qenë  vlerësuar nga  gjykata. 
5.  Kundër  vendimit  të  gjykatës,  lidhur  me  kërkesën  e  ekstradimit,  mund  të  bëhet  ankim  në gjykatën  e  apelit  nga  personi  i  interesuar,  nga  mbrojtësi  i  tij,  nga  prokurori  dhe  nga  përfaqësuesi  i  shtetit kërkues, sipas  rregullave  të  përgjithshme të  ankimit. 

Neni  499 
Disponimi për  ekstradimin 

1.  Ministria  e  Drejtësisë  disponon  për  ekstradimin  brenda  tridhjetë  ditëve  nga  data  që  vendimi  i gjykatës  ka  marrë  formë  të  prerë.  Me  mbarimin  e  këtij  afati,  edhe  kur  nuk  është  disponuar  nga  Ministri, personi për të cilin  është kërkuar ekstradimi,   në qoftë se është i burgosur, lirohet. 
2. Personi lirohet edhe  në rast refuzimi të kërkesës së  ekstradimit. 
3.  Ministria  e  Drejtësisë  i  komunikon  shtetit  kërkues  vendimin  dhe,  kur  ky  është  pozitiv,  vendin  e dorëzimit  dhe  datën  nga  fillimi  i  së  cilës  do  të  jetë  e  mundur  të  veprohet.  Afati  i  dorëzimit  është pesëmbëdhjetë  ditë  nga  data  e  caktuar  dhe  me  kërkesë  të  arsyetuar  të  shtetit  kërkues  mund  të  zgjatet edhe  pesëmbëdhjetë  ditë  të  tjera.  Kur  ka  shkaqe  që  nuk  varen  nga  palët,  mund  të  caktohet  një  datë tjetër dorëzimi, por gjithmonë duke  u zbatuar afatet  e caktuara  në këtë  paragraf. 
4.  Vendimi  i  ekstradimit  e  humbet  fuqinë  dhe  i  ekstraduari  lirohet  kur  shteti  kërkues  nuk  vepron, në  afatin e caktuar,  për marrjen në dorëzim të të ekstraduarit. 

Neni  500 
Pezullimi i  dorëzimit 

1.  Ekzekutimi  i  ekstradimit  pezullohet  kur  i  ekstraduari  duhet  të  gjykohet  në  territorin  e  shtetit shqiptar  ose  duhet  të  vuajë  një  dënim  për  vepra  penale  të  kryera  para  ose  pas  asaj  për  të  cilën  është dhënë  ekstradimi.  Por,  Ministria  e  Drejtësisë  pasi  dëgjon  autoritetin  procedues  kompetent  të  shtetit shqiptar  ose  atë  të  ekzekutimit  të  dënimit,  mund  të  urdhërojë  dorëzimin  e  përkohshëm  në  shtetin kërkues  të personit që duhet ekstraduar, duke përcaktuar afatet dhe mënyrën  e veprimit. 
2. Ministria  mund të bjerë dakord që dënimi i mbetur  të vuhet në shtetin kërkues. 

Neni  501 
Zgjerimi i ekstradimit  të dhënë dhe riekstradimi 

1.  Në  rast  kërkese  të  re  të  ekstradimit,  të  paraqitur  pas  dorëzimit  të  të  ekstraduarit  dhe  që  ka  si objekt  një  vepër  penale  të  ndodhur  para  dorëzimit,  të  ndryshme  nga  ajo  për  të  cilin  ekstradimi  është dhënë,  respektohen  për  aq  sa  janë  të  zbatueshme,  dispozitat  e  këtij  kreu.  Kërkesës  duhet  t’i bashkëlidhen  deklaratat  e  të  ekstraduarit,  të  bëra  përpara  një  gjyqtari  të  shtetit  kërkues  për  zgjerimin  e ekstradimit. 
2. Gjykata procedon  në  mungesë të  të ekstraduarit. 
3.  Nuk  ka  vend  për  gjykim  në  qoftë  se  i  ekstraduari,  me  deklaratat  e  parashikuara  në  paragrafin  1, ka  pranuar zgjerimin e  ekstradimit 
4.  Dispozitat  e  sipërme  zbatohen  edhe  në  rastin  kur  shteti,  të  cilit  i  është  dorëzuar  personi,  kërkon pëlqimin për riekstradimin e  po këtij personi në  një  shtet tjetër. 

Neni  502 
Kalimi tranzit 

1.  Kalimi  tranzit  përmes  territorit  të  shtetit  shqiptar  i  një  personi  të  ekstraduar  nga  një  shtet  në tjetrin,  autorizohet,  me  kërkesën  e  këtij  të  fundit,  nga  Ministria  e  Drejtësisë,  në  qoftë  se  kalimi  tranzit nuk prek sovranitetin, sigurimin ose interesa  të tjera shtetërore. 
2. Kalimi tranzit nuk autorizohet: 
a) kur  ekstradimi është dhënë  për fakte që  nuk parashikohen si vepra  penale nga  ligji shqiptar; 
b) kur  janë  rastet e parashikuara nga  neni  491,  paragrafi 1; 
c)  kur  është  fjala  për  një  shtetas  shqiptar,  për  të  cilin  ekstradimi  në  shtetin  që  ka  kërkuar  kalimin tranzit nuk do të jepej. 

3.  Autorizimi  nuk  kërkohet  kur  kalimi  tranzit  bëhet  në  rrugë  ajrore  dhe  nuk  parashikohet  zbritje në  territorin  shqiptar.  Por,  kur  ndodh  zbritja,  zbatohen  për  aq  sa  pajtohen,  dispozitat  për  masat  e sigurimit. 

Neni  503 
Shpenzimet e ekstradimit

1.  Shpenzimet  e  bëra  në  territorin  shqiptar  mbulohen  nga  pala  shqiptare,  kur  nuk  ka  marrëveshje tjetër. 

Seksioni II Ekstradimi nga jashtë shtetit

Neni  504 
Kërkesa  për  ekstradim 

1. Ministria  e  Drejtësisë është kompetente që  t’i kërkojë  një  shteti të huaj ekstradimin e  një  personi të  proceduar  ose  të  dënuar  penalisht,  ndaj  të  cilit  duhet  të  ekzekutohet  një  masë  që  kufizon  lirinë personale.  Për  këtë,  prokurori  pranë  gjykatës  në  territorin  e  së  cilës  procedohet  ose  është  dhënë  vendim dënimi,  i  bën  kërkesë  Ministrisë  së  Drejtësisë,  duke  i  dërguar  aktet  dhe  dokumentet  e  nevojshme.  Kur nuk e  pranon kërkesën,  Ministria njofton autoritetin  që  e  ka  bërë atë.
2.  Ministria  e  Drejtësisë  është  kompetente  të  vendosë  në  lidhje  me  kushtet  e  vëna  eventualisht  nga shteti  i  huaj  për  të  dhënë  ekstradimin,  kur  ato  nuk  vijnë  në  kundërshtim  me  parimet  themelore  të  rendit juridik shqiptar. Autoriteti procedues detyrohet të respektojë  kushtet e pranuara. 
3.  Ministria  e  Drejtësisë  mund  të  vendosë,  për  qëllimet  e  ekstradimit,  kërkimin  jashtë  shtetit  të personit të proceduar ose të  dënuar dhe arrestimin e  tij të përkohshëm. 
4.  Paraburgimi  jashtë  shtetit,  si  rrjedhojë  e  një  kërkese  ekstradimi  të  paraqitur  nga  shteti  shqiptar, llogaritet në  kohëzgjatjen e  paraburgimit, sipas  rregullave  të  caktuara  në titullin V të  këtij Kodi. 

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!