Kreu II Apeli

Neni  422 
E drejta e apelit 

1.  Prokurori,  i  pandehuri  dhe  palët  private  mund  të  apelojnë  vendimet  e  gjykatës  së  shkallës  së parë.

Neni  423 
Apeli kundërshtues 

1.  Pala  që  nuk  ka  bërë  ankim  brenda  afatit  mund  të  bëjë  apel  kundërshtues  brenda  pesë  ditëve  nga dita  kur ka  marrë njoftimin për apelin e  palës  tjetër. 
2. Apeli kundërshtues  paraqitet dhe njoftohet sipas  rregullave  të përgjithshme  për ankimet. 
3.  Apeli  kundërshtues  i  prokurorit  nuk  ka  efekt  për  bashkëtëpandehurin  joapelues  që  nuk  ka  bërë apel. 
4.  Apeli  kundërshtues  e  humbet  fuqinë  në  rast  mospranimi  për  shqyrtim  të  apelit  të  palës  tjetër ose të  heqjes dorë prej  tij. 

Neni  424 
Gjykata kompetente 
(Shtuar pika  “3”  me ligjin  nr.8813, datë 13.6.2002)
(Ndryshuar pika  3  me ligjin  nr.9085,  datë 19.6.2003)
(Shfuqizuar pika  2 me ligjin  nr.9911,  datë 5.5.2008) 

1. Mbi apelin e  bërë  kundër vendimeve  të  gjykatës  së rrethit gjyqësor  vendos  gjykata  e apelit. 
2.  Shfuqizuar. 
3.    Për  ankimin  e  bërë  kundër  vendimeve  të  gjykatës  për  krimet  e  rënda  vendos  gjykata  e  apelit  për krimet e rënda. 

Neni  425   
Kufijtë e shqyrtimit  të çështjes   

1.  Gjykata  e  apelit  e  shqyrton  çështjen  në  tërësi  dhe  nuk  kufizohet  vetëm  me  shkaqet  e  paraqitura në  ankim.  Ajo  shqyrton  edhe  pjesën  që  u  takon  bashkëtëpandehurve  që  nuk  kanë  bërë  ankim  brenda kufijve  që referojnë  shkaqet e  ngritura  në ankim. 
2. Kur apelues  është prokurori, gjykata  e  apelit: 

a)  mund  t’i  japë  faktit  një  cilësim  juridik  më  të  rëndë,  të  ndryshojë  llojin  ose  ta  rrisë  masën  e dënimit, të ndryshojë  masat e  sigurimit dhe të  marrë çdo masë tjetër që urdhëron ose lejon ligji; 
b)  mund  t’i  japë  dënim  atij  që  është  deklaruar  i  pafajshëm,  t’i  japë  pafajësi  për  një  shkak  të ndryshëm nga  ai që  pranohet në vendimin e  apeluar,  të marrë masat e  treguara  në shkronjën “a”; 
c) mund të zbatojë,  të ndryshojë ose të  përjashtojë dënimet plotësuese dhe  masat e sigurimit. 

3.  Kur  apelues  është  vetëm  i  pandehuri,  gjykata  nuk  mund  të  caktojë  një  dënim  më  të  rëndë,  të zbatojë  një  masë  sigurimi  më  të  rëndë,  t’i  japë  pafajësisë  një  shkak  më  pak  të  favorshëm  nga  ai  i vendimit të apeluar. 

Neni  426   
Veprimet paraprake të  gjykimit   

1.  Kryetari  i    kolegjit  të  gjykatës  së  apelit  urdhëron  thirrjen  e  të  pandehurit,  paditësit  civil  dhe  të paditurit  civil,  si  dhe  të  mbrojtësve  e  të  përfaqësuesve  të  tyre.  Afati  i  paraqitjes  nuk  mund  të  jetë  më  i vogël  se dhjetë  ditë. 
2.  Urdhri  i  thirrjes  është  i  pavlefshëm  kur  i  pandehuri  nuk  është  identifikuar  në  mënyrë  të  sigurtë ose kur  nuk është saktësuar vendi, dita dhe  ora  e paraqitjes.         

Neni  427 
Përsëritja e shqyrtimit  gjyqësor   

1.  Kur  një  palë  kërkon  rimarrjen  e  provave  të  administruara  në  shqyrtimin  gjyqësor  të  shkallës  së parë  ose  marrjen  e  provave  të  reja,  gjykata  në  qoftë  se  çmon  se  një  gjë  e  tillë  është  e  nevojshme,  vendos përsëritjen tërësisht ose pjesërisht të shqyrtimit gjyqësor. 
2.  Për  provat  që  zbulohen  pas  gjykimit  të  shkallës  së  parë  ose  të  atyre  që  dalin  aty  për  aty,  gjykata vendos, sipas  rastit, marrjen ose jo të  tyre. 
3. Përsëritja  e  shqyrtimit  gjyqësor  vendoset edhe kryesisht kur  gjykata e  çmon  të domosdoshme. 
4.  Gjykata  vendos  përsëritjen  e  shqyrtimit  gjyqësor  kur  vërtetohet  se  i  pandehuri  nuk  ka  marrë pjesë në  shkallë  të parë, sepse nuk  ka  marrë dijeni ose nuk  ka  mundur  të paraqitet për shkaqe ligjore. 
5.  Për  përsëritjen  e  shqyrtimit  gjyqësor,  të  vendosur  në  bazë  të  paragrafëve  të  mësipërm, procedohet  menjëherë  dhe  kur  kjo  nuk  është  e  mundur,  shqyrtimi  gjyqësor  shtyhet  për  një  afat  jo  më  të gjatë se dhjetë  ditë. 

Neni  428 
Vendimi i gjykatës  së  apelit 

1. Gjykata  e apelit, pasi shqyrton çështjen, vendos: 

a)  lënien në  fuqi të  vendimit; 
b)  ndryshimin e vendimit; 
c)  prishjen  e  vendimit  dhe  pushimin  e  çështjes  kur  janë  rastet  që  nuk  lejojnë  fillimin  ose vazhdimin e  procedimit ose kur  nuk vërtetohet fajësia  e  të pandehurit; 
ç)  prishjen  e  vendimit  dhe  kthimin  e  akteve  gjykatës  së  shkallës  së  parë  kur  nuk  janë  respektuar dispozitat  që  lidhen  me  kushtet  për  të  qenë  gjyqtar  ose  ndihmësgjyqtar  në  çështjen  konkrete,  me numrin  e  gjyqtarëve  dhe  ndihmësgjyqtarëve  që  është  i  domosdoshëm  për  formimin  e  kolegjeve  të caktuara  në këtë  Kod, me  ushtrimin e  ndjekjes  penale  nga  prokurori dhe  pjesëmarrjen e  tij në  procedim, me  pjesëmarrjen  e  përfaqësuesit  të  të  dëmtuarit  akuzues  dhe  të  mbrojtësit  të  të  pandehurit,  me  shkeljen e  dispozitave  për  paraqitjen  e  akuzave  të  reja,  si  dhe  në  çdo  rast  kur  në  dispozita  të  veçanta  është parashikuar pavlefshmëria  e  vendimit. 

Neni  429 
Kthimi i akteve  gjykatës  së shkallës së parë 

1.  Kur  vendoset  sipas  pikës  “ç”  të  nenit  428,  gjykata  e  apelit  urdhëron  dërgimin  e  akteve  një kolegji  tjetër të së njëjtës  gjykatë  apo të gjykatës  më të afërt.   
2.  Kur  nuk  është  bërë  rekurs  në  Gjykatën  e  Lartë,  fashikulli  me  aktet  i  dërgohet  gjykatës  që  ka dhënë  vendimin. 

Neni  430 
Disponimet lidhur  me ekzekutimin  e detyrimit  civil 

1. Me kërkesën e  paditësit  civil, gjykata e  apelit mund të vendosë për ekzekutimin e  përkohshëm të detyrimit  kur  gjykata  e  shkallës  së  parë  nuk  është  shprehur  ose  e  ka  refuzuar  kërkesën.  Ajo  mund  të vendosë,  gjithashtu,  pezullimin  e  ekzekutimit  të  detyrimit  kur  ka  rrezik  që  të  ndodhë  një  dëm  i  rëndë dhe i  pandreqshëm. 

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!

Shto një koment

You're using an AdBlock like software. Disable it to allow submit.