Kreu I Rregulla të përgjithshme

Neni  407   
Rastet dhe mjetet  e ankimit   

1.  Ligji  cakton  rastet  në  të  cilat  vendimet  dhe  urdhrat  e  gjykatës  mund  të  ankimohen,  si  dhe  mjetin e ankimit. 
2.  Ankimi  i  urdhrave  të  gjykatës,  kur  nuk  parashikohet  ndryshe  nga  ligji,  mund  të  bëhet  vetëm  me ankimin kundër vendimit. 
3. Mjetet e ankimit janë: apeli,  rekursi në  Gjykatën  e  Lartë dhe  kërkesa  për rishikim. 
4.  E  drejta  e  ankimit  i  takon  vetëm  atij  që  ligji  ia  njeh  shprehimisht.  Kur  ligji  nuk  bën  dallim ndërmjet palëve, kjo e drejtë i  takon secilës  prej tyre. 
5. Kur ankimi bëhet në gjykatën jokompetente, ajo ia  dërgon aktet gjykatës  kompetente. 

Neni  408 
Ankimi i prokurorit 

1.  Prokurori  i  rrethit  dhe  prokurori  pranë  gjykatës  së  apelit  mund  të  bëjnë  ankim  në  rastet  e caktuara  nga  ligji,  pavarësisht  nga  kërkesa  që  ka  bërë  në  seancë  përfaqësuesi  i  prokurorisë.  Prokurori pranë  gjykatës së apelit mund të bëjë  ankim pavarësisht nga  ankimi ose mendimi i prokurorit të rrethit. 
2.  Ankimi  mund  të  bëhet  edhe  nga  prokurori  i  seancës,  i  cili  në  këtë  rast  mund  të  marrë  pjesë  në gjykatën  e apelit me autorizimin e  prokurorit pranë  kësaj gjykate. 

Neni  409 
Ankimi i të dëmtuarit akuzues 

1.  I  dëmtuari  akuzues  mund  të  bëjë  ankim,  vetë  ose  nëpërmjet  përfaqësuesit  të  tij,  si  për  efekte penale,  ashtu dhe për ato civile. Ai mund ta tërheqë  ankimin e  bërë nga  përfaqësuesi.

Neni  410 
Ankimi i të pandehurit 
(Ndryshuar pika  “2” me ligjin nr.8813,  datë 13.6.2002)
(Shfuqizuar pjesërisht pika  2  me vendim  të Gjykatës Kushtetuese nr.15,  datë 17.4.2003)
  

1.  I  pandehuri  mund  të  bëjë  ankim  vetë  ose  nëpërmjet  mbrojtësit  të  tij.  Kujdestari  i  të  pandehurit mund të bëjë  çdo  ankim që i  takon të pandehurit. 
2.  Kundër  vendimit  të  dhënë  në  mungesë,  mbrojtësi  mund  të  bëjë  ankim  vetëm  kur  është  i  pajisur me një  akt përfaqësimi të lëshuar në format e  parashikuara nga  ligji. 
3.  I  pandehuri  mund  ta  tërheqë  ankimin  e  bërë  nga  mbrojtësi  i  tij,  por  kur  ai  nuk  ka  zotësinë juridike  për të vepruar duhet të merret edhe pëlqimi  i kujdestarit. 
4. Ankimi i të  pandehurit  kundër dënimit penal ose  pafajësisë i  shtrin  efektet e veta edhe në pjesën e  vendimit  që  cakton  detyrimin  për  kthimin  e  pasurisë,  shpërblimin  e  dëmit  dhe  pagimin e  shpenzimeve procedurale. 

Neni  411 
Ankimi i  paditësit  civil  dhe të paditurit  civil 

1.  Paditësi  civil  mund  të  bëjë  ankim  kundër  pikave  të  vendimit  të  dënimit  që  kanë  të  bëjnë  me padinë  civile  dhe në rastin e vendimit të pafajësisë vetëm për efektet e përgjegjësisë civile. 
2.  I  padituri  civil  mund  të  bëjë  ankim  kundër  disponimit  të  vendimit  që  kanë  të  bëjnë  me përgjegjësinë  e  të  pandehurit  civil  për  kthimin  e  pasurisë,  shpërblimin  e  dëmit  dhe  shpenzimet procedurale. 

Neni  412 
Forma e ankimit 

1.  Ankimi  bëhet  me  akt  të  shkruar,  në  të  cilin  tregohen  vendimi  i  ankimuar,  dita  e  tij,  gjykata  që  e ka  dhënë,  si dhe  pikat e vendimit që kundërshtohen, shkaqet e ankimit dhe  çfarë kërkohet. 

Neni  413 
Paraqitja e ankimit 

1.  Akti  i  ankimit  paraqitet  në  sekretarinë  e  gjykatës  që  ka  dhënë  vendimin  e  ankimuar.  Sekretari  i gjykatës  shënon  në  të  ditën  kur  merr  aktin  dhe  personin  që  e  paraqet,  e  bashkon  me  aktet  dhe,  kur  i kërkohet, lëshon vërtetimin e marrjes. 
2.  Palët  private,  mbrojtësit  dhe  përfaqësuesit,  mund  ta  paraqesin  aktin  e  ankimit  edhe  në sekretarinë  e  gjykatës  së  vendit  ku  ata  ndodhen  ose  pranë  një  nëpunësi  konsullor  jashtë  shtetit.  Në  këto raste, akti dërgohet menjëherë në sekretarinë e  gjykatës  që ka  dhënë vendimin. 
3.  Akti  i  ankimit  mund  të  dërgohet  me  postë  rekomande  në  sekretarinë  e  gjykatës  që  ka  dhënë vendimin.  Sekretari  i  gjykatës  shënon  në  zarf  ditën  e  marrjes  dhe  e  bashkëngjit  atë  me  aktet.  Ankimi quhet i bërë në datën  e dërgimit të aktit me postë rekomande.

Neni  414 
Njoftimi i ankimit 

1.  Akti  i  ankimit  u  njoftohet  prokurorit,  të  pandehurit  dhe  palëve  private  nga  sekretaria  e  gjykatës që  ka  dhënë  vendimin.

Neni  415 
Afatet e ankimit 

1.  Afati  për  të  bërë  ankim  është  dhjetë  ditë.  Ky  afat  fillon  nga  dita  e  nesërme  e  shpalljes  ose njoftimit të vendimit. 
2.  Ai  që  ka  bërë  ankim  ka  të  drejtë  që  deri  pesë  ditë  para  seancës  të  paraqesë  në  sekretarinë  e gjykatës  që do  të shqyrtojë  çështjen, arsye  të tjera që  lidhen me ankimin. 
3.  Afatet  e  parashikuara  nga  ky  nen  nuk  mund  të  zgjaten  për  asnjë  shkak,  përveç  rasteve  të parashikuara me  ligj. 

Neni  416 
Shtrirja e ankimit 

1.  Ankimi  i  bërë  nga  një  i  pandehur,  kur  nuk  bazohet  vetëm  në  motive  personale,  vlen  edhe  për  të pandehurit e tjerë. 
2. Ankimi i bërë nga  i pandehuri vlen edhe për të paditurin civil. 
3. Ankimi i të  pandehurit civil  vlen për të  pandehurin edhe për efektet penale. 

Neni  417 
Pezullimi i ekzekutimit 

1.  Ekzekutimi  i  vendimit  të  ankimuar  pezullohet  deri  në  përfundimin  e  gjykimit  në  gjykatën  e apelit.  Në  rastet  e  rekursit  ose  të  kërkesës  për  rishikim,  vendimi  mund  të  pezullohet  me  urdhër, përkatësisht, të Kryetarit  të Gjykatës  së Lartë ose të  gjykatës  së rrethit gjyqësor. 
2. Ankimet kundër vendimeve që  lidhen me  lirinë  personale  nuk kanë  efekt  pezullues. 

Neni  418 
Heqja dorë nga ankimi 

1.  Prokurori  që  ka  bërë  ankimin  mund  të  heqë  dorë  prej  tij  deri  në  fillimin  e  shqyrtimit  gjyqësor, kurse  heqja  dorë  nga  prokurori  pranë  gjykatës  që  shqyrton  ankimin  mund  të  bëhet  deri  para  fillimit  të diskutimit përfundimtar. 
2.  I  pandehuri  dhe  palët  private  mund  të  heqin  dorë  nga  ankimi  edhe  nëpërmjet  mbrojtësit  ose përfaqësuesit. 
3.  Deklarata  për  heqjen  dorë  paraqitet  në  format  dhe  mënyrat  e  parashikuara  për  paraqitjen  e ankimit, sipas  rastit, në  gjykatën që  ka  dhënë vendimin ose në  gjykatën që  shqyrton ankimin. 

Neni  419 
Dërgimi i akteve 

1.  Gjykata  që  ka  dhënë  vendimin  i  dërgon,  brenda  dhjetë  ditëve,  gjykatës  që  do  të  shqyrtojë çështjen, aktet e procedimit dhe ankimin. 

Neni  420 
Mospranimi i ankimit 

1. Ankimi nuk pranohet: 

a) kur  është bërë nga  ai që  nuk është i legjitimuar; 
b) kur  vendimi është i paankimueshëm;
c)  kur  nuk  janë  respektuar  dispozitat  për  formën,  paraqitjen,  dërgimin,  njoftimin  dhe  afatin  e ankimit; 
ç) kur është hequr dorë nga  ankimi. 

2. Mospranimi mund të deklarohet, edhe kryesisht, në çdo gjendje dhe  shkallë  të procedimit. 
3.  Vendimi  i  mospranimit  i  njoftohet  atij  që  ka  bërë  ankimin  dhe  kundër  tij  mund  të  bëhet  rekurs në  Gjykatën së Lartë. 

Neni  421 
Detyrimi  me shpenzimet 

1.  Me  vendimin  që  rrëzon  ose  deklaron  të  papranueshëm  ankimin,  pala  private  që  e  ka  bërë detyrohet për shpenzimet  e procedimit. 
2.  Bashkëtëpandehurit  që  kanë  marrë  pjesë  në  gjykim  detyrohen  me  shpenzimet  solidarisht  me  të pandehurin që  ka  bërë ankimin. 
3.  Në  gjykimet  e  ankimit  vetëm  për  interesa  civile,  pala  private  gjyqhumbëse  detyrohet  me shpenzimet. 

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!

Shto një koment

You're using an AdBlock like software. Disable it to allow submit.