STUDENTI I SË DREJTËS “ne jemi nën kushtetutën, por kushtetuta është ajo çfarë gjyqtarët thonë se është”. (charles evans hughes)
STUDENTI I SË DREJTËS

Kreu IV Gjykimet e posaçme

Seksioni I Gjykimi i drejtpërdrejtë

Neni  400 
Rastet e gjykimit  të drejtpërdrejtë 
(Ndryshuar pika  “1” me ligjin nr. 8813, datë 13.6.2002)

1.  Kur  i  pandehuri  është  arrestuar  në  flagrancë,  prokurori  mund  ta  paraqesë  në  gjykatë,  brenda dyzet e tetë orëve,  kërkesën për  vleftësimin e  arrestit dhe gjykimin  e njëkohshëm. 
2.  Në  qoftë  se  arrestimi  vleftësohet  i  drejtë  dhe  nuk  ka  nevojë  për  hetime  të  tjera,  procedohet menjëherë  në  gjykim,  ndërsa  kur  ai  nuk  gjendet  i  bazuar  aktet  i  kthehen  prokurorit.  Por  edhe  në  rastin  e fundit, kur i pandehuri dhe  prokurori japin pëlqimin gjykata procedon  në  gjykimin e  drejtpërdrejtë.   
3.  Prokurori  mund  të  procedojë  në  gjykimin  e  drejtpërdrejtë  edhe  ndaj  të  pandehurit  që  gjatë marrjes  në  pyetje  ka  pohuar  dhe  fajësia  e  tij  është  e  qartë.  Në  këtë  rast  i  pandehuri  thirret  për  t’u paraqitur  brenda  pesëmbëdhjetë ditëve  nga  data  e  regjistrimit të veprës penale. 
4.  Kur  vepra  penale,  për  të  cilën  kërkohet  gjykimi  i  drejtpërdrejtë  lidhet  me  vepra  penale  të  tjera, për  të  cilat  mungojnë  kushtet  për  këtë  lloj  gjykimi,  procedohet  ndaras  për  veprat  e  tjera  dhe  ndaj  të pandehurve  të  tjerë,  përveçse  kur  kjo  ndarje  dëmton  hetimet.  Kur  bashkimi  është  i  domosdoshëm zbatohen rregullat e  gjykimit të zakonshëm. 

Neni  401 
Përgatitja e gjykimit  të drejtpërdrejtë 

1.  Kur  çmon  se  duhet  të  procedojë  në  gjykim  të  drejtpërdrejtë,  prokurori  urdhëron    paraqitjen  në seancë të  të pandehurit. Kur  ai është i lirë afati për t’u paraqitur  nuk mund të jetë më  i vogël  se tri ditë. 
2. Urdhri bashkë  me afatet përkatëse dërgohen në  sekretarinë e  gjykatës.   
3.  Mbrojtësit  i  njoftohet  pa  vonesë  data  e  gjykimit  nga  prokurori.  Ai  ka  të  drejtë  të  shikojë  dhe  të nxjerrë kopje  të dokumentacionit që  lidhet me hetimet e zhvilluara. 

Neni  402 
Zhvillimi i gjykimit  të drejtpërdrejtë 

1. Gjatë  gjykimit të drejtpërdrejtë zbatohen dispozitat e kreut për shqyrtimin gjyqësor. 
2.  Prokurori,  i  pandehuri  dhe  paditësi  civil  mund  të  paraqesin  gjatë  shqyrtimit  gjyqësor  prova  të tjera. 
3.  I  pandehuri  ka  të  drejtë  të  kërkojë  një  afat  për  të  përgatitur  mbrojtjen  deri  në  tri  ditë.  Në  këtë rast shqyrtimi gjyqësor  shtyhet deri në seancën e  re,  që  bëhet pas  mbarimit të  afatit. 
4.  I  pandehuri  mund  të  kërkojë  gjykimin  e  shkurtuar.  Gjykata,  pasi  merr  mendimin  e  prokurorit dhe  e  gjen  të  drejtë  kërkesën,  vendos  vazhdimin  e  gjykimit,  duke  respektuar  rregullat  e  caktuara  për gjykimin e  shkurtuar. Në të kundërtën vazhdon  gjykimin e  drejtpërdrejtë.

Seksioni II Gjykimi i shkurtuar

Neni  403 
Kërkesa  për  gjykimin  e  shkurtuar 

1.  I  pandehuri  ose  përfaqësuesi  i  tij  i  posaçëm  mund  të  kërkojnë  që  çështja  të  përfundohet  derisa të mos  jetë filluar shqyrtimi gjyqësor. 
2.  Kërkesa  bëhet  me  shkrim,  kurse  në  seancë  formulohet  me  gojë.  Kërkesa  me  shkrim depozitohet në sekretarinë  e  gjykatës  të paktën tri ditë para datës  së caktuar për seancën. 

Neni  404 
Disponimet e gjykatës  për  kërkesën 
(Shfuqizuar pika  “2”  me ligjin nr.8813,  datë 13.6.2002)

1.  Kur  gjykata  çmon  se  çështja  mund  të  zgjidhet  në  gjendjen  që  janë  aktet,  vendos  gjykimin  e shkurtuar. Në të  kundërtën refuzon kërkesën. 

Neni  405 
Seanca e gjykimit  të shkurtuar 

1.  Seanca  gjyqësore  zhvillohet  me  pjesëmarrjen  e  prokurorit,  të  të  pandehurit  dhe  mbrojtësit  të  tij, si dhe  të palëve  private. 
2. Gjykata bën verifikimet  lidhur me legjitimimin e  palëve. 
3. Kur mbrojtësi  i të  pandehurit nuk është i  pranishëm,  gjykata  cakton si zëvendësues  një  mbrojtës tjetër.
4.  Kur  i  pandehuri  nuk  paraqitet  në  seancë  për  arsye  të  përligjura,  gjykata  cakton  datën  e  seancës së re dhe  urdhëron që  të lajmërohet i pandehuri. 
5. Pasi lexohet  kërkesa  e të  pandehurit, kryetari deklaron të hapur diskutimin. 
6.  Prokurori  parashtron  në  mënyrë  sintetike  rezultatet  e  hetimeve  paraprake  dhe  shfaq  mendim për kërkesën e  të pandehurit. 
7. Kur paditësi civil  nuk e  pranon gjykimin e  shkurtuar, padia  civile  nuk gjykohet. 

Neni  406 
Vendimi 
(Ndryshuar pika  “1” me ligjin 8813,  datë 13.6.2002) (Ndryshuar pika  “1” me ligjin nr.145, datë 2.5.2013)   

1.  Kur  jep  vendim  dënimi  gjykata  e  ul  dënimin  me  burgim  ose  gjobë  me  një  të  tretën.  Dënimi  me burgim të përjetshëm  zëvendësohet me tridhjetë e  pesë vjet burgim. 
2. Kur ka  kërkesë,  gjykata  vendos  edhe për padinë  civile. 
3. Kundër vendimit të gjykatës  mund të bëjnë  ankim prokurori dhe  i pandehuri. 
4. Respektohet për aq sa  janë  të pajtueshme dispozitat e kreut III  të  këtij titulli.

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!