Kreu VIII Përfundimi i hetimeve

Neni  327 
Veprimet e policisë gjyqësore dhe të prokurorit 

1.  Pasi  kryen  veprimet  e  nevojshme  hetimore,  policia  gjyqësore  i  dërgon  aktet  prokurorit  bashkë me një  relacion shpjegues për faktin dhe  provat, si dhe  me  sugjerimet e  veta për mënyrën e përfundimit të hetimeve. 
2.  Prokurori,  pasi  shqyrton  aktet  dhe  sigurohet  që  i  pandehuri  ose  mbrojtësi  është  njohur  me  to vendos, sipas  rastit, pushimin e  çështjes  ose dërgimin e  saj në   gjykatë. 

Neni  328 
Pushimi i çështjes 
(Shtuar pika  1 me ligjin  8460, datë 11.2.1999) 

1. Në  çdo fazë të  procedimit, prokurori vendos  pushimin e  akuzës ose çështjes  kur: 

a) del qartë se fakti nuk ekziston; 
b) fakti nuk parashikohet nga  ligji si vepër penale; 
c)  i  dëmtuari  nuk  ka  bërë  ankim  ose  heq  dorë  nga  ankimi  në  rastet  që  procedimi  fillon  me kërkesën e  tij; 
ç) personi nuk mund të merret si i pandehur ose nuk  mund të dënohet; 
d)  ekziston  një  shkak  që  e  shuan  veprën  penale  ose  për  të  cilin  ndjekja  penale  nuk  duhej  të  fillohej ose nuk  duhet të vazhdojë; 
dh) del se i  pandehuri nuk  e  ka  kryer veprën ose nuk  provohet që e  ka  kryer ai; 
e) me  vendim të formës  së prerë  i pandehuri është  gjykuar për të njëjtën vepër penale; 
ë) i pandehuri vdes; 
f) në rastet e  tjera  të parashikuara me  ligj.

Neni  329 
Ankimi kundër  vendimit të pushimit të çështjes 
(Shtuar pika  1 me ligjin  nr.8460,  datë 11.2.1999,  neni 5; shfuqizuar fjali në pikën 1  me  vendim  të Gjykatës  Kushtetuese nr.5, datë 6.3.2009) 

1.  Kundër  vendimit  të  pushimit  të  akuzës  ose  të  çështjes  mund  të  bëjnë  ankim  në  gjykatën  e  rrethit gjyqësor  i dëmtuari dhe i pandehuri.   
2.  Gjykata,  kur  e  gjen  të  drejtë  ankimin e  të  dëmtuarit  vendos  që  hetimet  të   vazhdojnë,  ndërsa  kur pranon  ankimin  e  të  pandehurit  ndryshon  vendimin  e  pushimit  me  formulim  më  të  favorshëm  për  të pandehurin. 
3.  Kundër  vendimit  të  gjykatës  mund  të  bëhet  ankim  në  gjykatën  e apelit  nga  prokurori,  i  dëmtuari dhe i  pandehuri.   

Neni  330 
Detyrimi i ankuesit me  shpenzimet dhe dëmet 

1.  Kur  pushimi  i  çështjes  bëhet  për  shkak  se  fakti  nuk  ekziston,  personi  i    dëmtuar,  me  ankimin  e të cilit ka  filluar procedimi, ngarkohet me pagimin  e   shpenzimeve të  procedimit të bëra nga  shteti. 
2.  Ankuesi  ngarkohet  edhe  me  shpenzimet  e  bëra  nga  i  pandehuri  dhe  i  padituri  civil,  kur  ata  i kërkojnë këto, si dhe  me shpërblimin e  dëmit. 
3.  Kur  çështja  është  pushuar  për  shkak  të  tërheqjes  së  ankimit,  shpenzimet  i  ngarkohen  ankuesit, përveç  rastit  që  në  aktin  e  tërheqjes  është  parashikuar  me    marrëveshje  që  ato  të  jenë  tërësisht  ose pjesërisht në ngarkim të atij kundër të cilit është bërë  ankimi. 
4.  Shpenzimet  dhe  dëmet caktohen  nga  prokurori.  Kundër  vendimit  të  tij  mund  të  bëjnë  ankim  në gjykatë,  i dëmtuari, i  pandehuri dhe  i padituri civil. 

Neni  331 
Dërgimi i çështjes  në gjykatë 

1.  Kur  ka  prova  të  plota  për  fajësinë  e  të  pandehurit,  prokurori  paraqet  kërkesën  për  gjykimin  e çështjes. 
2. Kërkesa  për gjykim përmban: 

a) gjeneralitetet e të pandehurit  dhe të  dëmtuarit  nga  vepra  penale; 
b) parashtrimin e  faktit, duke  treguar nenet përkatëse të  Kodit Penal; 
c) burimet e provës dhe faktet që ato u referohen; 
ç) datën dhe  nënshkrimin  e prokurorit. 

3. Kërkesa  u njoftohet të  pandehurit dhe të  dëmtuarit.

Neni  332 
Fashikulli  i gjykimit 

1. Kërkesës së prokurorit  për gjykimin e  çështjes  i bashkohen: 

a) aktet që i  përkasin kallëzimit të veprës penale  dhe  kërkesës për pranimin e   padisë civile; 
b) procesverbalet e veprimeve të  papërsëritshme të  kryera nga  policia  gjyqësore dhe  prokurori; 
c) aktet për marrjen e masave  të sigurimit; 
ç)  procesverbalet  e  veprimeve  të  kryera  për  sigurimin  e  provës  dhe  të  atyre  të    plotësuara  jashtë shtetit në bazë  të letërporosisë; 
d) dëshmia  e  penalitetit dhe  dokumente të tjera që lidhen me personalitetin e  të  pandehurit; 
dh)  provat  materiale  dhe  sendet  që  i  përkasin  veprës  penale,  kur  nuk  duhet  të    ruhen  në  vend tjetër;
e) procesverbalet për veprimet e  këqyrjes, njohjes dhe eksperimentit; 
ë) raportet me  shkrim të ekspertëve; 
f)  procesverbalet e provës  të procedimeve të  tjera  të  lidhura; 
g) procesverbalet dhe regjistrimet e  përgjimit të bisedimeve dhe  komunikimeve; 
gj) çdo akt tjetër që parashikohet në ligj. 

2.  Kopjet  e  këtyre  akteve  dhe  provat  e  tjera  të  marra  gjatë  hetimeve  paraprake  qëndrojnë  në fashikullin e  prokurorit.

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!