Kreu VII Afatet e përfundimit të hetimeve

Neni  323 
Afati i hetimeve  paraprake 

1.  Brenda  tre  muajve  nga  data  në  të  cilën  emri  i  personit  që  i  atribuohet    vepra  penale  është shënuar  në  regjistrin  e  njoftimit  të  veprave  penale,  prokurori  vendos  dërgimin  e  çështjes  në  gjyq  ose pushimin ose pezullimin e  saj. 
2.  Kur  është  i  nevojshëm  autorizimi  i  procedimit,  ecja  e  afatit  pezullohet  nga    çasti  që  bëhet kërkesa  deri në  ditën kur autorizimi i vjen prokurorit. 

Neni  324 
Zgjatja e afatit
(Shtuar  një paragraf në pikën  “2”  me ligjin nr.8460,  datë 11.2.1999) 

1. Prokurori mund ta zgjasë afatin e  hetimeve për një kohë deri në  tre muaj. 
2.  Zgjatje  të  mëtejshme,  secila  për  një  kohë  jo  më  shumë  se  tre  muaj,  mund  të    bëhen  nga prokurori  në  rastet  e  hetimeve  komplekse  ose  të  pamundësisë  objektive  për    t’i  përfunduar  ato  brenda afatit  të zgjatur. Kohëzgjatja  e  hetimeve paraprake nuk  mund të kalojë   dy vjet. Tej  afatit  2-vjeçar,  në  raste  të  jashtëzakonshme,  afati  i  hetimit  mund  të  zgjatet  vetëm  me  miratim të  Prokurorit  të  Përgjithshëm  deri  në  1  vit,  për  çdo  zgjatje  jo  më  shumë  se  tre  muaj,  pa  cenuar  afatet  e kohëzgjatjes së paraburgimit.     
3. Vendimi për zgjatjen e  afatit  të hetimeve  u njoftohet të pandehurit dhe të   dëmtuarit. 
4. Veprimet hetimore të  kryera  pas  mbarimit të afatit nuk mund të përdoren.

Neni  325 
Ankimi për  zgjatjen e afatit  të hetimeve 

1.  I  pandehuri  dhe  i  dëmtuari  kanë  të  drejtë,  brenda  dhjetë  ditëve  nga  njoftimi,  të  bëjnë  ankim  në gjykatën  e rrethit kundër vendimit të prokurorit për  zgjatjen  e afatit  të hetimeve. 
2.  Ankesa    shqyrtohet  nga  gjykata  brenda  dhjetë  ditëve,  duke  u  dëgjuar  i    pandehuri,  mbrojtësi,  i dëmtuari dhe prokurori. 
3.  Kur  gjykata  pranon  ankesën,  hetimet  nuk  mund  të  vazhdojnë  ose  vazhdojnë  vetëm  për  një  afat të caktuar nga  ajo. 
4. Kundër vendimit të gjykatës  mund të bëhet ankim, i cili nuk pezullon  zbatimin  e tij. 

Neni  326 
Pezullimi i  hetimeve 

1.  Kur  nuk  njihet  autori  i  veprës  penale  ose  kur  i  pandehuri  vuan  nga  një    sëmundje  e  rëndë  që ndalon hetimin e mëtejshëm, prokurori vendos  pezullimin e   hetimeve. 
2. Pezullimi i hetimeve vendoset pasi të jenë  kryer të gjitha  veprimet  e mundshme. 
3. Hetimi i pezulluar rifillon me  vendim të prokurorit. 

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!