Kreu VI Sigurimi i provës

Neni  316 
Rastet e sigurimit  të provës 

1.  Gjatë  hetimeve  paraprake,  prokurori  dhe  i  pandehuri  mund  të  kërkojnë  nga    gjykata  që  të procedohet me sigurimin e provës në këto raste: 

a) në marrjen e dëshmisë  së një personi, kur ka arsye të  bazuara për të  menduar se ai nuk mund  të pyetet në shqyrtimin gjyqësor  për shkak sëmundjeje ose  pengesë tjetër serioze; 
b)  në  marrjen  e  dëshmisë,  kur  ka  arsye  të  bazuara  për  të  menduar  se  personi    mund  të  jetë  objekt dhune,  kanosje  ose  premtimi  për  t’i  dhënë  para  ose  përfitime  të    tjera  me  qëllim  që  të  mos  bëjë  dëshmi ose të  bëjë dëshmi të gënjeshtërt; 
c) në  pyetjen  e të  pandehurit  për faktet që  kanë  të bëjnë  me përgjegjësinë  e  të  tjerëve, kur ekziston një  nga  rrethanat e parashikuara nga  shkronjat “a”  dhe  “b”; 
ç) në  ballafaqimin  ndërmjet personave  që para prokurorit kanë  bërë deklarime  kundërthënëse,  kur ekziston një  nga  rrethanat e parashikuara nga  shkronjat “a” dhe   “b”; 
d)  për  një  ekspertim  apo  eksperiment  gjyqësor,  kur  prova  ka  të  bëjë  me  një    person,  një  send  a  një vend,  gjendja  e  të  cilëve  mund  të  pësojë  ndryshime  të  pashmangshme.  Ekspertimi  mund  të  kërkohet edhe  kur  është  rasti  që  po  të  bëhet  gjatë    shqyrtimit  gjyqësor  do  të  sillte  një  pezullim  të  gjykimit  mbi gjashtëdhjetë ditë; 
dh)  në  një  paraqitje  për  njohje,  kur  për  arsye  të  veçanta  nuk  mund  të  shtyhet  veprimi  deri  në shqyrtimin gjyqësor. 

Neni  317 
Kërkesa  për  sigurimin  e  provës 

1.  Kërkesa  për  sigurimin  e  provës  paraqitet  brenda  afateve  për  përfundimin  e    hetimeve  dhe përmban: 

a) provën që duhet  marrë  dhe rëndësinë e  saj për vendimin gjyqësor; 
b) personat ndaj të  cilëve  procedohet për faktet objekt prove; 
c) rrethanat që nuk lejojnë  që marrja  e  provës  të shtyhet për në shqyrtimin  gjyqësor. 

2.  Kërkesa  e  bërë  nga  prokurori  tregon  edhe  mbrojtësit  e  personave  të    interesuar  në  bazë  të paragrafit  1, shkronja  “b”,  personin e  dëmtuar dhe mbrojtësin e   tij. 
3. Dispozitat e paragrafit  1 dhe  2 respektohen me  pasojë  mospranimi. 
4. Prokurori mund të vendosë zgjatjen e  hetimeve  paraprake për qëllimet e   sigurimit të provës.   

Neni  318 
Kërkesa  e personit  të dëmtuar 

1. Personi i dëmtuar mund t’i drejtohet prokurorit  që  ai të  kërkojë sigurimin e  provës.   
2.  Kur  nuk  e  pranon  kërkesën,  prokurori  merr  vendim  të  arsyetuar  dhe  vë  në    dijeni  personin  e dëmtuar, i cili mund të bëjë ankim në  gjykatë.   
3.  I  dëmtuari  akuzues  mund  t’i  kërkojë  gjykatës  që  të  procedojë  në  sigurimin  e    provës  para  fillimit të gjykimit. 

Neni  319 
Paraqitja e kërkesës   

1.  Kërkesa  për  sigurimin  e  provës  depozitohet  në  sekretarinë  e  gjykatës  bashkë  me  sendet  e dokumentet e mundshme.  Ajo u njoftohet palëve  dhe personave  të  interesuar  nga  ai që  e ka  bërë.   
2.  Brenda  dy  ditëve  nga  njoftimi  i  kërkesës,    prokurori  dhe  i  pandehuri  mund  të    paraqesin argumente  lidhur  me  bazueshmërinë  e  kërkesës,  të  depozitojnë sende  dhe dokumente,  si  dhe  të tregojnë  fakte të tjera dhe  persona  të tjerë të interesuar. 
3.  Prokurori  mund  të  kërkojë  nga  gjykata  shtyrjen  e  afatit  për  sigurimin  e    provës  së  kërkuar  nga  i pandehuri,  kur  zbatimi  i  veprimit  do  t’i  sillte  dëm  marrjes  së  provës.  Gjykata  vendos  mbi  kërkesën  pasi dëgjon të pandehurit dhe  mbrojtësin e  tij. 

Neni  320 
Disponimi mbi  kërkesën për  sigurimin  e  provës
(Shtuar një paragraf pas pikës “1”  me ligjin nr.8813,  datë 13.6.2002) 

1.  Brenda  dy  ditëve  nga  ardhja  e  përgjigjes  për  marrjen  e  njoftimit  për  kërkesën  për  sigurimin  e provës, gjykata merr  vendim, me të cilin  pranon ose  rrëzon kërkesën për sigurimin e provës. Kundër  vendimit  mund  të  bëhet  ankim  në  gjykatën  e  apelit  brenda  5  ditëve.  Gjykata  e  apelit  e shqyrton ankesën brenda  10 ditëve  nga  dorëzimi i akteve në  këtë  gjykatë. 
2. Me vendimin që  pranon kërkesën gjykata cakton: 

a) objektin e provës  brenda  kufijve  të kërkesës; 
b) personat e interesuar për marrjen e provës  sipas  kërkesës; 
c)  datën  e  seancës,  e  cila  nuk  mund  të  kalojë  një  afat  më  të  gjatë  se  dhjetë  ditë  nga  data  e  dhënies së vendimit. 

3. Kur i pandehuri, prania  e  të cilit është e  domosdoshme për sigurimin e  provës,  nuk paraqitet pa një  shkak të ligjshëm, gjykata urdhëron shoqërimin e  tij të  detyrueshëm. 
4.  Kur  ekzistojnë  arsye  të  ngutshme  dhe  sigurimi  i  provës  nuk  mund  të  kryhet  në    rrethin  e gjykatës  kompetente,  kjo  e fundit mund të delegojë  gjykatën  e vendit ku  mund të merret prova. 

Neni  321 
Marrja e provës 

1.  Seanca    për  marrjen  e  provës  zhvillohet  me  pjesëmarrjen  e  domosdoshme  të    prokurorit  dhe  të mbrojtësit të të  pandehurit. Ka  të drejtë të  marrë pjesë edhe  përfaqësuesi i të  dëmtuarit. 
2.  I  pandehuri  dhe  i  dëmtuari    kanë  të  drejtë  të  marrin  pjesë  kur  duhet  të  pyetet  një  dëshmitar  ose një  person tjetër. Në rastet e tjera ata mund të marrin pjesë me   autorizim paraprak të gjykatës. 
3.  Ndalohet  marrja  e  provave  mbi  faktet  që  kanë  të  bëjnë  me  persona  që  nuk  përfaqësohen  nga mbrojtësit në seancë. 
4.  Procesverbali,  sendet  dhe  dokumentet  e  marra  për  sigurimin  e  provës  i dërgohen  prokurorit. Mbrojtësit kanë  të drejtë t’i shikojnë  ato dhe të nxjerrin kopje të  tyre. 

Neni  322 
Përdorimi i provave të  marra 

1.  Provat  e  marra  sipas  rregullave  të  këtij  kreu  mund  të  përdoren  në  shqyrtimin    gjyqësor  vetëm ndaj të pandehurve, mbrojtësit e të cilëve kanë  asistuar në marrjen e  tyre. 
2.  Vendimi  i  dhënë  mbi  bazën  e  një  prove  të  marrë  sipas  rregullave  të  këtij  kreu,    në  të  cilin  i dëmtuari  nuk  ka  qenë  në  gjendje  të  marrë  pjesë,  nuk  sjell  pasoja  përveçse kur  vetë  i  dëmtuari  ka  pranuar qoftë edhe në heshtje.

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!