STUDENTI I SË DREJTËS “ne jemi nën kushtetutën, por kushtetuta është ajo çfarë gjyqtarët thonë se është”. (charles evans hughes)
STUDENTI I SË DREJTËS

Kreu V Veprimtaria e prokurorit

Neni  304 
Veprimtaria hetimore e prokurorit 

1.  Prokurori  drejton  veprimtarinë  hetimore  dhe  kryen  vetë  çdo  veprim  hetimor  që  e  çmon  të nevojshëm. 
2.  Ai  mund  të  kërkojë  nga  policia  gjyqësore  kryerjen  e  veprimeve  të  deleguara  posaçërisht, përfshirë  edhe  marrjen  në  pyetje  të  të  pandehurit  dhe  ballafaqimet,  në  të  cilat  merr  pjesë  i  pandehuri dhe  mbrojtësi  i  tij.  Në  këtë  rast  policia  gjyqësore  respekton  dispozitat  për  caktimin  dhe  pjesëmarrjen  e mbrojtësit në veprimet hetimore. 
3.  Për  veprime  të  veçanta  që  duhen  kryer  në  një  rreth  tjetër,  kur  nuk  mendon  të  procedojë personalisht,  mund  të  delegojë,  sipas  kompetencës  lëndore  përkatëse,  prokurorin  e  atij  rrethi.  Kur  ka arsye  të  ngutshme  ose  shkaqe  të  rëndësishme,  prokurori  i  deleguar  ka  të  drejtë  të  kryejë  me  iniciativën  e tij çdo veprim të domosdoshëm për qëllimet e  hetimit. 

Neni  305 
Marrja përsipër  e hetimeve 

1.  Prokurori  i  Përgjithshëm,  mbi  ankesën  e  të  pandehurit,  të  dëmtuarit  ose  edhe  kryesisht, urdhëron,  me  vendim  të  arsyetuar,  marrjen  përsipër  të  hetimeve  në  qoftë  se  prokurori  i  rrethit  nuk  e ushtron ndjekjen penale  ose nuk  e  pushon atë në  afatin e caktuar. 
2.  Prokurori  i  Përgjithshëm  zhvillon  hetimet  e  domosdoshme  dhe  formulon  kërkesat  e  veta brenda  tridhjetë ditëve  nga  vendimi për marrjen përsipër të hetimeve. 

Neni  306 
Marrëdhëniet  ndërmjet  prokurorive të ndryshme 

1.  Prokuroritë  që  procedojnë  në  hetime  të  lidhura  bashkërendojnë  punën  midis  tyre.  Për  këtë qëllim  shkëmbejnë  akte  dhe  informacione  si  dhe  njoftime  për  udhëzimet  që  i  jepen  policisë  gjyqësore. Ato mund të procedojnë  edhe bashkërisht në kryerjen e veprimeve  të  veçanta. 
2. Hetimet e dy  prokurorive  të ndryshme quhen të lidhura: 

a)  në  rastet  e  bashkimit  të  procedimeve  ose  kur  është  fjala  për  vepra  penale  të  kryera  nga  disa persona  në dëm të njëri-tjetrit; 
b)  kur  prova  e  një  vepre  penale  ose  e  ndonjë  rrethane  të  saj  ndikon  mbi  provën  e  një  vepre  penale tjetër ose të  një  rrethane  tjetër; 
c) kur prova  e  disa  veprave penale  rrjedh,  edhe  pjesërisht, nga  i njëjti burim. 

Neni  307 
Paraqitja vetë për  të bërë deklarime 

1.  Ai  që  ka  marrë  dijeni  se  ndaj  tij  zhvillohen  hetime,  ka  të  drejtë  të  paraqitet  te  prokurori  dhe  të bëjë  deklarime. 
2.  Kur  ai  që  paraqet  vetë  e  kundërshton  faktin  për  të  cilin  procedohet  dhe  lejohet  të  parashtrojë shfajësimet e  tij, veprimi i  kryer barazohet me  marrjen  në  pyetje. 
3. Paraqitja  vetë nuk pengon zbatimin e masave  të sigurimit. 

Neni  308 
Ftesa për  paraqitje 

1. Prokurori  fton personin ndaj të cilit zhvillohen hetime  të paraqitet kur  do ta marrë në  pyetje ose kur duhet të kryejë veprime  që kërkojnë  praninë e  tij. 
2. Ftesa për t’u paraqitur  përmban: 

a) gjeneralitetet ose të  dhëna  të tjera personale  që  vlejnë  për identifikim; 
b) ditën,  orën dhe  vendin  e paraqitjes; 
c) llojin e  veprimit për të cilin  është ftuar; 
ç)  paralajmërimin  se  prokurori  mund  të  urdhërojë  shoqërimin  e  detyrueshëm në  rast  mosparaqitje, pa  patur  pengesë të ligjshme. 

3. Ftesa përmban edhe parashtrimin e  përmbledhur  të faktit që rezulton nga  hetimet e bëra deri në atë çast. 
4.  Ftesa  njoftohet  të  paktën  tri  ditë  para  asaj  që  është  caktuar  për  paraqitje,  me  përjashtim  të rasteve  që për arsye  të mundshme,  prokurori mendon të shkurtojë  afatin. 

Neni  309 
Caktimi dhe ndihma e  mbrojtësit 

1.  I  pandehuri  që  nuk  ka  mbrojtës  njoftohet  nga  prokurori  se  ndihmohet  nga  një  mbrojtës  i caktuar kryesisht. 
2.  Mbrojtësi  i  zgjedhur  ose  i  caktuar  kryesisht  lajmërohet  të  paktën  njëzet  e  katër  orë  përpara  kur procedohet  me  marrje  në  pyetje,  këqyrje  ose  ballafaqim.  Kur  vonesa  mund  të  dëmtojë  lajmërimi  i mbrojtësit bëhet urgjentisht. 
3.  Procesverbalet  e  veprimeve  të  kryera  nga  prokurori  dhe  nga  policia  gjyqësore,  në  të  cilat mbrojtësi  ka  të  drejtë  të  asistojë,  depozitohen  në  sekretarinë  e  prokurorisë  brenda  tri  ditëve  nga  kryerja e veprimit, me të  drejtën  për mbrojtësin që  t’i shqyrtojë dhe  të nxjerrë kopje. 

Neni 310 
Njoftimi i të pandehurit  për  të marrë pjesë në kontrollime e sekuestrime 
(Shtuar paragrafi II  me ligjin  nr.8813,  datë 13.6.2002) 

1.  Prokurori,  kur  do  të  kryejë  kontroll  ose  sekuestrim  njofton  të  pandehurin  që  të  jetë  i  pranishëm së bashku me  mbrojtësin  e zgjedhur  dhe,  kur nuk  e  ka  këtë,  cakton një mbrojtës kryesisht. 
2.  Kur  i  pandehuri  dhe  mbrojtësi  i  tij  janë  njoftuar  rregullisht,  por  nuk  janë  të  pranishëm  pa  shkak të arsyeshëm, caktohet një  mbrojtës  kryesisht. Kjo gjendje pasqyrohet në procesverbalin përkatës. 

Neni  311 
Marrja në pyetje e personit  të pandehur  në një  procedim  të lidhur 

1.  Personi  i  marrë  si  i  pandehur  në  një  procedim  të  lidhur  merret  në  pyetje  nga  prokurori  në format e  parashikuara nga  neni  167. 

Neni  312 
Marrja e të  dhënave 

1.  Prokurori  merr  të  dhëna  nga  personi  i  dëmtuar  dhe  nga  ata  që  mund  të  tregojnë  rrethana  të dobishme për qëllimet e hetimit, duke  zbatuar rregullat e caktuara për marrjen  e dëshmisë. 
2. Thirrja  e  këtyre personave  bëhet me urdhër, i cili  përmban: 

a) gjeneralitetet e personit; 
b) ditën,  orën dhe  vendin  e paraqitjes; 
c)  paralajmërimin  se  prokurori  mund  të  urdhërojë  shoqërimin  e  detyrueshëm  në  rast  mosparaqitje pa  patur  pengesë të ligjshme. 

3. Prokurori urdhëron në  të njëjtën mënyrë  edhe  për thirrjen e përkthyesit  dhe ekspertit. 

Neni  313 
Njohja e personave  dhe  e sendeve 

1.  Kur  është  e  nevojshme,  prokurori  procedon  në  njohjen  e  personave,  të  sendeve  ose  të  çdo gjëje tjetër që  mund të jetë  objekt i perceptimit shqisor. 
2.  Personat,  sendet  dhe  objektet  e  tjera  i  paraqiten  ose  i  tregohen  me  figurë  atij  që  duhet  të  bëjë njohjen. 
3.  Kur  ka  arsye  të  bazuara  për  të  menduar  se  personi  i  thirrur  për  të  bërë  njohjen  mund  të  ketë druajtje  ose  ndikim  tjetër  nga  prania  e  atij  që  duhet  të  njihet,  prokurori  merr  masa  që  veprimi  të  kryhet pa  u parë nga  ai që  duhet të njihet. 

Neni  314 
Caktimi i ekspertit 

1.  Prokurori,  kur  procedon  në  veprime,  për  të  cilat  kërkohen  njohuri  teknike,  mund  të  caktojë ekspert, të cilit i jep detyra. Eksperti nuk mund të refuzojë  detyrën pa  shkaqe të  arsyeshme. 
2. Eksperti mund të autorizohet nga  prokurori që  të  asistojë në  veprime të  veçanta hetimore. 
3.  Kur  verifikimet  teknike  kanë  të  bëjnë  me  persona,  sende  ose  vende,  gjendja  e  të  cilëve  është ndryshuar,  prokurori  lajmëron  të  pandehurin  dhe  mbrojtësin,  të  dëmtuarin  dhe  përfaqësuesin  e  tij  për ditën, orën dhe  vendin ku  do të kryhet veprimi. 

Neni  315 
Dokumentimi i veprimeve  të prokurorit

1. Prokurori mban procesverbal: 

a) për kallëzimet dhe  ankesat e paraqitura  me gojë; 
b)  për këqyrjet, kontrollimet dhe  sekuestrimet; 
c) për marrjen në pyetje  dhe  ballafaqimet me  të pandehurin; 
ç) për të dhënat e marra  nga  personat që tregojnë  rrethana  të dobishme për qëllimet e hetimit; 
d)  për  verifikimet  që  kanë  të  bëjnë  me  persona,  sende  ose  vende,  gjendja  e  të  cilëve  është ndryshuar.

2.  Veprimet  dokumentohen  gjatë  kryerjes  së  tyre  ose  menjëherë  më  pas,  kur  ekzistojnë  rrethana  të pakapërcyeshme që  pengojnë  dokumentimin aty për aty. 
3. Akti që  përmban marrjen në dijeni për veprën penale  dhe dokumentacioni që lidhet me hetimet, si  urdhrat  e  porositë  për  policinë  gjyqësore,  kërkesat  drejtuar  gjykatës,  njoftimet  etj.  ruhen  në  një fashikull të posaçëm në  sekretarinë  e  prokurorisë së bashku me  aktet e ardhura  nga  policia  gjyqësore.

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!