Kreu IV Veprimtaria me iniciativë e policisë gjyqësore

Neni 293 
Referimi i veprës  penale  te prokurori 

1.  Me  marrjen  e  njoftimit  për  një  vepër  penale,  policia  gjyqësore,  pa  vonesë,  i  referon  prokurorit, me  shkrim,  elementet  thelbësore  të  faktit  dhe  elementet  e  tjera  që  janë  mbledhur  deri  atëherë.  Ajo njofton,  kur  është  e  mundur,  edhe  gjeneralitetet,  banesën  dhe  çdo  gjë  që  vlen  për  identifikimin  e personit  ndaj  të  cilit  zhvillohen  hetimet,  të  personit  të  dëmtuar  dhe  të  atyre  që  janë  në  gjendje  të tregojnë  rrethanat e faktit.
2. Kur ka  urgjencë dhe në  rastet e krimeve të  rënda,  njoftimi bëhet menjëherë  edhe  me gojë. 
3.  Me  njoftimin,  policia  gjyqësore  tregon  ditën  dhe  orën  në  të  cilën  ka  marrë  dijeni  për  veprën penale.

Neni  294 
Sigurimi i burimeve  të provave 
(Ndryshuar pika  2  me ligjin  nr.9276,  datë 16.9.2004) 

1.  Edhe  pas  referimit  të  veprës  penale  policia  gjyqësore  vazhdon  të  kryejë  funksionet  e  treguara  në nenin  30,  duke  grumbulluar  e  fiksuar  çdo  element  të  vlefshëm  për  rindërtimin  e  faktit  dhe  për individualizimin  e fajtorit. Ajo procedon sidomos: 

a)  për  kërkimin  dhe  fiksimin  e  sendeve  dhe  të  gjurmëve  të  veprës  penale,  si  dhe  për  ruajtjen  e  tyre dhe të  vendit të ngjarjes  për aq kohë  sa  kjo gjë është  e  domosdoshme; 
b) për kërkimin dhe  pyetjen e personave  që janë në  gjendje  të tregojnë  rrethanat e faktit; 
c) për kryerjen e  veprimeve të  caktuara në  nenet vijuese. 

2.  Pas  ndërhyrjes  së  prokurorit,  Policia  Gjyqësore  kryen  të  gjitha  veprimet  e  domosdoshme hetimore,  si dhe  çdo veprim të urdhëruar ose të  deleguar nga  prokurori.   
3.  Policia  gjyqësore,  kur  kryen  veprime  që  kërkojnë  njohuri  të  posaçme  teknike,  mund  të  caktojë ekspertë,  të cilët nuk mund të refuzojnë  detyrën e ngarkuar. 

Neni  294/a   
Veprimet simuluese 
(Shtuar me ligjin  nr.9187,  datë 12.2.2004) 

1.  Oficeri  dhe  agjenti  i  policisë  gjyqësore  ose  personi  i  autorizuar  prej  tyre  mund  të  ngarkohen  për blerje  të  simuluar  të  sendeve,  që  rrjedhin  nga  një  krim  ose  simulim  i  një  akti  korruptiv,  ose  të  kryejnë veprime  të  tjera  simuluese,  për  të  zbuluar  të  dhëna  financiare  ose  pronësie  të  një  personi,  për  të  cilin  ka dyshime  për  kryerjen  e  një  krimi,  duke  fshehur  bashkëpunimin  me  policinë  ose  detyrën  e  tyre  si punonjës  policie. 
2.  Këto  veprime  bëhen  me  autorizimin  e  prokurorit  që  kontrollon  hetimet  ose  të  prokurorit  që  ka në  juridiksion  territorin  ku  do  të  zhvillohet  veprimi.  Pas  kryerjes  së  këtyre  veprimeve,  policia  gjyqësore duhet t’i dorëzojë  prokurorit të gjitha  provat e  mbledhura dhe  një  raport  përmbledhës. 
3.  Nuk  duhet  provokuar  një  akt  kriminal,  duke  shtyrë  një  person  të  kryejë  një  krim,  të  cilin  nuk  do ta  kishte  kryer  po  të  mos  ishte  ndërhyrja  e  policisë.  Kur  vërtetohet  provokimi,  rezultati  nuk  mund  të përdoret. 

Neni  294/b   
Punonjësi i policisë  i infiltruar 
(Shtuar me ligjin  nr.9187,  datë 12.2.2004) 

1.  Për  qëllimet  e  zbulimit  të  krimeve  të  rënda,  oficeri  i  policisë  gjyqësore,  me  autorizimin  e prokurorit,  mund  të  futet  në  përbërjen  e  një  grupi  kriminal  për  të  individualizuar  pjesëtarët  e  grupit  dhe për  të  mbledhur  të  dhënat  e  nevojshme  për  hetimin,  duke  fshehur  bashkëpunimin  me  policinë  ose detyrën e  vet si punonjës  policie. 
2.  Punonjësi  i  policisë  i  infiltruar  nuk  duhet  të  provokojë  një  akt  kriminal,  i  cili,  pa  ndërhyrjen  e  tij, nuk do të ishte kryer. Kur  vërtetohet provokimi, rezultati nuk mund të përdoret. 
3.  Autorizimi  i  prokurorit  duhet  të  përcaktojë  afatin  e  infiltrimit,  që  mund  të  zgjatet  nga  prokurori deri  në  gjashtë  muaj  dhe  hapësirën  e  lejueshme  për  punonjësin  e  infiltruar,  duke  treguar,  sipas  rastit, veprimet e  paligjshme që  mund të kryejë ai, pa  rrezikuar jetën e  të tjerëve. 
4. Punonjësi i policisë  i infiltruar mund të pyetet si dëshmitar. 

Neni  295 
Identifikimi  i personit  ndaj të cilit  zhvillohen  hetimet 

1.  Për  identifikimin  e  personit  ndaj  të  cilit  zhvillohen  hetimet  policia  gjyqësore  kryen  të  gjitha veprimet e  nevojshme,  duke  përfshirë edhe  rilevimet daktiloskopike, fotografike  dhe antropometrike. 
2.  Kur  ai  refuzon  të  identifikohet  ose  jep  gjeneralitete  apo  dokumente  identifikimi  që  dyshohet  se janë  të  rreme,  policia  gjyqësore  e  shoqëron  në  zyrat  e  saj  dhe  e  mban  atje  për  aq  kohë  sa  është  e domosdoshme për identifikimin, por jo më  tepër se dymbëdhjetë orë. 
3. Për shoqërimin dhe  lirimin vihet menjëherë në dijeni prokurori. 

Neni  296 
Të dhëna mbi  personin  ndaj të cilit  zhvillohen hetimet

1.  Oficerët  e  policisë  gjyqësore  marrin  të  dhëna  nga  personi  ndaj  të  cilit  zhvillohen  hetimet  në praninë  e  detyrueshme  të  mbrojtësit  të  tij.  Kur  mbrojtësi  nuk  është  gjetur  ose  nuk  është  paraqitur, policia  gjyqësore kërkon nga  prokurori që  të caktojë  një  mbrojtës  tjetër. 
2.  Në  vendin  e  ngjarjes  ose  në  veprat  penale  të  dukshme  oficerët  e  policisë  gjyqësore,  edhe  pa praninë  e  mbrojtësit,  mund  të  marrin  nga  personi  ndaj  të  cilit  zhvillohen  hetimet,  qoftë  edhe  i  arrestuar në  flagrancë ose i ndaluar,  të dhëna  të nevojshme për vazhdimin e  hetimeve. 
3.  Policia  gjyqësore  mund  të  marrë  deklarata  nga  personi  ndaj  të  cilit  zhvillohen  hetimet,  por  nuk lejohet  përdorimi  i  tyre  në  gjykim,  me  përjashtim  të  rastit  kur  kundërshtohet  përmbajtja  e  deponimit  të bërë para gjykatës. 

Neni  297 
Marrja e të dhënave  të tjera 

1.  Policia  gjyqësore  merr  të  dhëna  nga  personat  që  mund  të  tregojnë  rrethana  të  dobishme  për qëllimet e hetimit. 
2. Zbatohen dispozitat e neneve  155  deri 160. 

Neni  298 
Kontrollimet 

1.  Në  rast  flagrance  ose  në  rast  ndjekje  të  personit  që  është  duke  ikur  oficerët  e  policisë  gjyqësore kryejnë  kontrollin  e  personit  ose  të  lokalit  kur  kanë  arsye  të  bazuara  të  mendojnë  se  mbi  personin gjenden  të  fshehura  sende  ose  gjurmë  të  veprës  penale  që  mund  të  zhduken  a  të  humbasin  ose  që  këto sende  a  gjurmë ndodhen  në  një vend të  caktuar ose  atje ku gjendet personi nën hetim ose i  ikur. 
2.  Kur  duhet  të  kryhet  një  ndalim,  të  ekzekutohet  një  vendim  arresti  ose  një  vendim  dënimi  me burgim,  oficerët  e  policisë  gjyqësore  mund  të  bëjnë  kontrollin  e  personit  ose  të  lokalit,  kur  ekzistojnë kushtet  e  treguara  në  paragrafin  1  dhe  ka  arsye  të  veçanta  urgjence  që  nuk  lejojnë  nxjerrjen  e  një vendimi  kontrolli.  Kur  vonesa  mund  të  dëmtojë  përfundimin  e  suksesshëm  të  hetimeve,  kontrolli  i banesës mund të bëhet edhe  jashtë kohës  së parashikuar në nenin 206.
3.  Procesverbali  i  veprimeve  të  kryera  i  dërgohet  pa  vonesë,  por  jo  më  vonë  se  dyzet  e  tetë  orë, prokurorit  të  vendit  ku  është  bërë  kontrolli,  i  cili  brenda  dyzet  e  tetë  orëve  vijuese  vleftëson kontrollimin.

Neni  299 
Marrja e  plikove dhe e korrespondencës 

1.  Kur  është  e  nevojshme  për  qëllimet  e  procedimit  që  të  merren  pliko  të  vulosura  ose  të  mbyllura me  ndonjë  mënyrë  tjetër,  oficeri  i  policisë  gjyqësore  ia  dërgon  ato  prokurorit  të  paprekura  për  sekuestro eventuale.  Në  qoftë  se  ka  shkaqe  të  bazuara  për  të  menduar  se  plikot  përmbajnë  të  dhëna  që  mund  të humbasin  për  shkak  të  vonesës,  oficeri  i  policisë  gjyqësore  informon  me  mjetin  më  të  shpejtë prokurorin, i  cili mund të  autorizojë  hapjen  e menjëhershme. 
2.  Për  letrat,  zarfat,  pakot,  vlerat  monetare  e  pasurore,  telegramet  ose  mjetet  e  tjera  të korrespondencës,  për  të  cilat  lejohet  sekuestroja,  oficerët  e  policisë  gjyqësore,  në  raste  të  ngutshme, urdhërojnë  atë  që  kryen  shërbimin  postar  të  pezullojë  dërgimin.  Në  qoftë  se  brenda  dyzet  e  tetë  orëve nga  urdhri  i  policisë  gjyqësore  prokurori  nuk  vendos  sekuestron,  objektet  e  korrespondencës  dërgohen në  destinacion. 

Neni  299/a 
Ruajtja e përshpejtuar  dhe mirëmbajtja e të dhënave kompjuterike 
(Shtuar me ligjin  nr. 10 054,  datë  29.12.2008) 

1.  Prokurori  mund  të  urdhërojë  ruajtjen  e  përshpejtuar  të  të  dhënave  kompjuterike  të  caktuara, duke  përfshirë  të  dhënat  e  trafikut,  kur  ka  shkaqe  të  mjaftueshme  për  të  besuar  se  të  dhënat  mund  të humbasin, dëmtohen ose ndryshohen. 
2.  Në  rastin  kur  të  dhënat  kompjuterike  janë  në  zotërim  ose  në  kontroll  të  një  personi,  prokurori mund  ta  urdhërojë  këtë  person  t’i  ruajë  dhe  t’i  mirëmbajë  këto  të  dhëna  kompjuterike,  për  një  periudhë deri  në  90  ditë,  me  qëllim  zbulimin  dhe  nxjerrjen  e  tyre.  Ky  afat,  për  shkaqe  të  arsyeshme,  mund  të zgjatet vetëm një  herë. 
3.  Personi  i  ngarkuar  për  ruajtjen  dhe  mirëmbajtjen  e  të  dhënave  kompjuterike  detyrohet  të  mbajë sekret procedurat dhe veprimet e  kryera, sipas pikës 2 të këtij  neni, deri në  përfundim të hetimeve. 

Neni  299/b 
Ruajtja e përshpejtuar dhe zbulimi i pjesshëm i  të dhënave  kompjuterike 
(Shtuar me ligjin  nr. 10 054,  datë 29.12.2008) 

Personi  i  ngarkuar  me  ruajtjen  e  përshpejtuar  të  të  dhënave  të  trafikut  detyrohet  të  marrë  të gjitha  masat  e  nevojshme,  për  të  garantuar  se  të  dhënat  e  ruajtura  janë  të  vlefshme,  pavarësisht  nëse  një apo  më  tepër  dhënës  shërbimesh  kanë  qenë  të  përfshirë  në  transmetimin  e  komunikimit,  si  dhe  t’i sigurojë  prokurorisë  ose  oficerit  të  policisë  gjyqësore,  të  autorizuar,  zbulimin  e  një  sasie  të  mjaftueshme të  të  dhënave  të  trafikut,  në  mënyrë  që  të  mundësohet  identifikimi  i  dhënësit  të  shërbimit  dhe  shtegu, nëpërmjet të cilit komunikimi është transmetuar. 

Neni  300 
Verifikimet e ngutshme  në vend 

1.  Oficerët  dhe  agjentët  e  policisë  gjyqësore  marrin  masa  që  gjurmët  dhe  sendet  që  i  përkasin veprës  penale  të  fiksohen  e  të  ruhen  dhe  që  gjendja  e  vendngjarjes  dhe  e  sendeve  të  mos  ndryshojnë para ndërhyrjes  së prokurorit, kur ai  ka  njoftuar se do të  marrë pjesë. 
2.  Kur  ka  rrezik  që  gjurmët  dhe  sendet  të  ndryshojnë  ose  të  humbasin  dhe  prokurori  nuk  mund  të ndërhyjë  urgjentisht,  oficerët  e  policisë  gjyqësore  kryejnë  veprimet  hetimore  të  domosdoshme  dhe,  kur është rasti, sekuestrojnë  provat materiale dhe  sendet  që lidhen me veprën  penale.

Neni  301 
Vleftësimi i sekuestros 

1.  Kur  vë  sekuestron,  sipas  nenit  300,  policia  gjyqësore  shënon  në  procesverbal  shkakun  dhe  i dorëzon  një  kopje  të  aktit  personit,  të  cilit  i  janë  sekuestruar  sendet.  Procesverbali  i  dërgohet  pa  vonesë dhe sidoqoftë jo më  vonë  se dyzet e tetë  orë, prokurorit të vendit ku është zbatuar sekuestroja. 
2.  Prokurori,  brenda  dyzet  e  tetë  orëve  të  ardhshme,  me  vendim  të  motivuar  vleftëson  sekuestron, në  qoftë  se  ekzistojnë  kushtet,  ose  vendos  kthimin  e  sendeve  të  sekuestruara.  Kopja  e  vendimit  i njoftohet  personit  të  cilit  i  janë  sekuestruar  sendet.  Kundër  tij  mund  të  bëhet  ankim  në  gjykatë  brenda dhjetë  ditëve  nga  i  pandehuri  dhe  mbrojtësi  i  tij,  nga  personi  të  cilit  i  janë  sekuestruar  sendet  dhe  ai  që ka  të drejtë t’i kthehen ato. Ankimi nuk pezullon  zbatimin e sekuestros. 

Neni  302 
Ndihma e  mbrojtësit 

1.  Mbrojtësi  i  personit  ndaj  të  cilit  zhvillohen  hetimet  ka  të  drejtë  të  asistojë,  pa  patur  të  drejtën  që të  lajmërohet  që  më  parë,  në  kontrollimet  dhe  verifikimet  e  ngutshme  në  vend,  përveç  rasteve  të  hapjes së menjëhershme të  plikos  të autorizuar nga  prokurori. 

Neni  303 
Dokumentimi i veprimeve  të policisë gjyqësore 

1. Policia  gjyqësore dokumenton, qoftë edhe në formë të  përmbledhur, të gjitha  veprimet e  kryera. 
2. Policia  gjyqësore mban  procesverbal për: 

a) kallëzimet dhe  ankimet  e paraqitura  me gojë; 
b) të dhënat përmbledhëse dhe  deklarimet e  marra  nga  personi ndaj të cilit zhvillohen hetimet; 
c)  të  dhënat  e  marra  nga  personat  që  mund  të  tregojnë  rrethana  të  dobishme  për  qëllimet  e hetimit;
ç) këqyrjet, njohjet, kontrollimet dhe  sekuestrimet; 
d)  aktet  për  identifikimin  dhe  njohjen  e  personit  ndaj  të  cilit  zhvillohen  hetimet,  për  marrjen  e plikove  ose të  korrespondencës dhe për vënien e  sekuestros; 
e) veprimet hetimore  të deleguara nga  prokurori. 

3.  Dokumentacioni  i  veprimeve  të  policisë  gjyqësore,  provat  materiale  dhe  sendet  që  lidhen  me veprën penale vihen në dispozicion të prokurorit.

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!