STUDENTI I SË DREJTËS “ne jemi nën kushtetutën, por kushtetuta është ajo çfarë gjyqtarët thonë se është”. (charles evans hughes)
STUDENTI I SË DREJTËS

Kreu III Kushtet e procedimit

Neni  288 
Autorizimi 
(Ndryshuar me ligjin  nr. 21, datë 10.3.2014) 

1.  Në  rastet  e  arrestit,  heqjes  së  lirisë  në  çfarëdolloj  forme,  ushtrimit  të  kontrollit  personal  ose  të banesës  së  deputetit,  gjyqtarit  të  Gjykatës  Kushtetuese,  gjyqtarit  të  Gjykatës  së  Lartë  apo  gjyqtarit, prokurori bën kërkesë në  organin përkatës. 
2.  Kërkesa  për  autorizim  paraqitet  nga  prokurori  kur  ekziston  një  dyshim  i  arsyeshëm  i  mbështetur në  prova  dhe  kur  plotësohen  kushtet  ligjore  të  parashikuara  në  Kodin  e  Procedurës  Penale  për  arrestin ose  për  heqjen  e  lirisë  në  çfarëdolloj  forme  apo  për  ushtrimin  e  kontrollit  personal  ose  të  banesës  ndaj subjekteve  të  parashikuara  në  pikën  1  të  këtij  neni.  Kërkesa  për  autorizim  shoqërohet  me  një  relacion, ku prokurori parashtron  provat dhe  argumentet ligjore për kërkesën e  paraqitur. 
3.  Kur  subjekti  i  parashikuar  në  pikën  1  të  këtij  neni  është  arrestuar  në  flagrancë  ose  ndaluar, autorizimi kërkohet menjëherë dhe, sidoqoftë,  para seancës së vlerësimit.

Neni  289 
Ndalimi për  të kryer veprime 
(Ndryshuar  pika  1  me ligjin  nr. 21, datë 10.3.2014) 

1.  Deri  në  dhënien  e  autorizimit,  për  personat  e  parashikuar  në  nenin  288  nuk  lejohet  arrestimi  ose heqja  e  lirisë  në  çfarëdolloj  forme,  ushtrimi  i  kontrollit  personal  ose  të  banesës,  pa  autorizimin  e  organit përkatës. 
2.  Kur  procedohet  ndaj  disa  personave,  për  disa  nga  të  cilët  është  i  nevojshëm  autorizimi  dhe dhënia  e  këtij  vonohet,  mund  të  procedohet  vetëm  kundër  të  pandehurve  për  të  cilët  autorizimi  nuk është i  nevojshëm. 

Neni  290 
Rrethanat që nuk lejojnë fillimin  e procedimit 

1.  Procedimi  penal  nuk  mund  të  fillojë  dhe,  në  qoftë  se  ka  filluar,  duhet  të  pushojë  në  çdo  gjendje të procedimit, kur: 

a) personi ka  vdekur; 
b) personi është i papërgjegjshëm ose nuk  ka  mbushur moshën për përgjegjësi penale; 
c) mungon ankimi i të  dëmtuarit  ose ai e  tërheq ankimin; 
ç) kur fakti  nuk parashikohet nga  ligji si vepër penale ose kur del qartë që  fakti  nuk ekziston; 
d) vepra  penale  është shuar; 
dh) është dhënë  amnisti; 
e) në  të gjitha  rastet e tjera  të parashikuara nga  ligji.

Neni  291 
Vendimi për  mosfillimin e procedimit 

1.  Kur  ekzistojnë  rrethanat  që  nuk  lejojnë  fillimin  e  procedimit,  prokurori  jep  vendim  të  arsyetuar për mosfillimin e  procedimit. 
2.  Vendimi  u  njoftohet  menjëherë  atyre  që  kanë  bërë  kallëzim  ose  ankim,  të  cilët  mund  ta kundërshtojnë atë në  gjykatë, brenda  pesë ditëve  nga  njoftimi i vendimit. 

Neni  292 
Rifillimi i ndjekjes penale 

1.  Vendimi  i  mosfillimit  të  procedimit,  i  pushimit  ose  i  pafajësisë,  të  dhënë  për  shkak  të  mungesës së ankimit për procedim ose të  kërkesës  së autorizimit për procedim, nuk  pengojnë  ushtrimin  e  ndjekjes penale  për  të  njëjtin  fakt  dhe  kundër  të  njëjtit  person,  në  qoftë  se  më  pas  bëhet  ankimi,  jepet  autorizimi ose zhduket kushti personal që  e  bënte të  domosdoshëm autorizimin.

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!