Kreu II Marrja dijeni për veprën penale

Neni  280 
Marrja dijeni për  veprën  penale 

1.  Prokurori  dhe  policia  marrin  dijeni  për  veprën  penale  me  iniciativën  e  vet  dhe  me  njoftimin  e bërë nga  të tjerët.

Neni  281 
Kallëzimi nga nëpunësit publikë 

1.  Nëpunësit  publikë,  të  cilët  gjatë  ushtrimit  të  detyrës  ose  për  shkak  të  funksioneve  a  të  shërbimit të  tyre,  marrin  dijeni  për  një  vepër  penale  që  ndiqet  kryesisht,  detyrohen  të  bëjnë  kallëzim  me  shkrim edhe  kur nuk është individualizuar personi të cilit i  atribuohet vepra  penale. 
2. Kallëzimi i paraqitet prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore. 
3.  Kur,  gjatë  një  procedimi  civil  ose  administrativ,  zbulohet  një  fakt  që  përbën  vepër  penale  që ndiqet kryesisht, organi përkatës bën kallëzim te prokurori. 
4.  Kallëzimi  përmban  elementet  thelbësore  të  faktit,  burimet  e  provës,  gjeneralitetet,  banimin  dhe çdo  gjë  tjetër  që  vlen  për  identifikimin  e  personit  të  cilit  i  atribuohet  fakti,  të  personit  të  dëmtuar  dhe  të atyre që  janë në  gjendje të  sqarojnë rrethanat e faktit. 

Neni  282 
Kallëzimi nga personeli  mjekësor 

1.  Personeli  mjekësor  që  është  i  detyruar  ligjërisht  të  bëjë  kallëzim  duhet  ta  paraqesë  atë  brenda dyzet  e  tetë  orëve  dhe  t’ia  dërgojë  prokurorit  ose  çdo  oficeri  të  policisë  gjyqësore  të  vendit  ku  ka  kryer ndërhyrjen  ose  ka  dhënë  ndihmën  dhe  kur  ka  rrezik  nga  vonesa,  oficerit  të  policisë  gjyqësore  më  të afërt. 
2.  Kallëzimi  nga  personeli  mjekësor  tregon  personin  të  cilit  i  është  dhënë  ndihma  dhe,  kur  është  e mundur,  gjeneralitetet,  banimin  e  tij  dhe  çdo  gjë  tjetër  që  vlen  për  ta  identifikuar,  si  dhe  rrethanat  e faktit, mjetet me  të cilat është kryer dhe pasojat që ka  shkaktuar. 
3.  Kur  disa  persona  kanë  dhënë  ndihmën  e  tyre  mjekësore  për  të  njëjtin  rast,  të  gjithë  janë  të detyruar të bëjnë  kallëzim,  me të drejtë që  të përpilojnë  dhe të  nënshkruajnë  një akt të vetëm. 

Neni  283 
Kallëzimi nga ana e shtetasve 

1.  Çdo  person  që  ka  marrë  dijeni  për  një  vepër  penale  që  ndiqet  kryesisht  duhet  ta  kallëzojë  atë. Në rastet e caktuara  me ligj kallëzimi është i  detyrueshëm.
2.  Kallëzimi  i  paraqitet  prokurorit  ose  një  oficeri  të  policisë  gjyqësore  me  gojë  ose  me  shkrim, personalisht  ose nëpërmjet përfaqësuesit. 
3.  Kallëzimet  anonime  nuk  mund  të  përdoren,  me  përjashtim  të  rasteve  të  parashikuara  nga  neni 195.

Neni  284 
Ankimi 
(Ndyshuar pika  I  me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002) 

1.  Për  veprat  penale  të  parashikuara  nga  nenet    89,  102  paragrafi  i  parë,  105,  106,  130,  239,  240, 241,  243,  264,  275  dhe  318  të  Kodit  Penal,  ndjekja  penale  mund  të  fillojë  vetëm  me  ankimin  e  të dëmtuarit,  i cili mund ta  tërheqë  atë në  çdo fazë  të procedimit. 
2.  Ankimi  bëhet  nga  i  dëmtuari  te  prokurori  ose  në  policinë  gjyqësore  me  anën  e  një  deklarate,  në të  cilën  personalisht  ose  nëpërmjet  përfaqësuesit  të  posaçëm,  shfaqet  vullneti  që  të  procedohet  në  lidhje me një  fakt të parashikuar  nga  ligji si vepër penale. 
3.  Kur  ankimi  bëhet  me  gojë  procesverbali  që  mbahet  për  këtë  qëllim  nënshkruhet  nga  ankuesi ose përfaqësuesi i tij. 
4. Ai që  merr  ankimin sigurohet për identitetin e ankuesit dhe i  dërgon aktet  prokurorit. 
5. Për rastet e parashikuara nga  neni  59, ankimi bëhet në  gjykatë nga  i dëmtuari akuzues. 

Neni  285 
Heqja dorë nga e  drejta  e ankimit 

1.  Heqja  dorë  nga  e  drejta  e  ankimit  bëhet  personalisht  ose  nëpërmjet  përfaqësuesit  me  deklaratë të  nënshkruar  ose  me  gojë  para  prokurorit  ose  një  oficeri  të  policisë  gjyqësore,  i  cili  mban  procesverbal të nënshkruar detyrimisht  nga  deklaruesi.
2. Heqja  dorë me  afat ose me  kusht nuk është e  vlefshme. 
3. Në  të njëjtën deklaratë  mund të bëhet heqja  dorë  edhe  nga  padia  civile. 

Neni  286 
Tërheqja e ankimit 

1.  Tërheqja  e  ankimit  bëhet  personalisht  ose  nëpërmjet  përfaqësuesit  me  deklaratë  të  paraqitur  në organin që  procedon. 
2.  Tërheqja  e  ankimit  mund  të  bëhet  në  çdo  fazë  të  procedimit,  gjersa  vendimi  i  gjykatës  nuk  ka marrë formën e  prerë. 
3.  Shpenzimet  e  procedimit  janë  në  ngarkim  të  atij  që  tërheq  ankimin,  përveçse  kur  në  aktin  e tërheqjes  është  parashikuar,  me  marrëveshje,  që  ato  të  jenë  tërësisht  ose  pjesërisht  në  ngarkim  të  atij kundër të cilit është bërë ankimi. 

Neni  287 
Regjistrimi i njoftimit të  veprave  penale 

1.  Prokurori  shënon  në  regjistër  çdo  njoftim  të  veprës  penale  që  i  vjen  ose  që  ka  marrë  me iniciativën  e  vet  dhe  në  të  njëjtën  kohë  ose  nga  momenti  në  të  cilin  rezulton,  emrin  e  personit  të  cilit  i atribuohet vepra  penale. 
2.  Ndalohet  publikimi  i  regjistrimeve  të  bëra  deri  në  marrjen  si  të  pandehur  të  personit  që  i atribuohet vepra  penale. 

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!