Kreu VI Masat e sigurimit pasuror

Seksioni I Sekuestroja konservative

Neni  270 
Kushtet dhe efektet e masës 

1.  Kur  ka  arsye  të  bazuara  për  të  menduar  se  nuk  ka  garanci  për  pagimin  e  dënimit  me  gjobë,  të shpenzimeve  të  procedimit  dhe  të  çdo  detyrimi  ndaj  pasurisë  së  shtetit,  prokurori  kërkon  sekuestron konservative  të  pasurisë  së  luajtshme  ose  të  paluajtshme  të  të  pandehurit  ose  të  shumave  a  sendeve  që të tjerët i detyrohen atij, në caqet që ligji lejon sekuestrimin e  tyre. 
2.  Paditësi  civil  mund  të  kërkojë  sekuestron  konservative  të  pasurisë  së  të  pandehurit  ose  të  të paditurit civil,  kur janë  arsyet e parashikuara në paragrafin 1. 
3. Sekuestroja  e  vendosur  me kërkesën e  prokurorit është e  vlefshme edhe për  paditësin civil. 

Neni  271 
Vendimi i gjykatës për sekuestron 

1. Sekuestroja  konservative vihet  me vendim të gjykatës  kompetente. 
2.  Kur  është  dhënë  vendim  në  shkallë  të  parë,  sekuestroja  vihet  para  se  aktet  t’i  dërgohen  gjykatës së apelit. 
3.  Sekuestroja  zbatohet  nga  përmbaruesi  gjyqësor  në  mënyrat  e  përcaktuara  nga  Kodi  i  Procedurës Civile.
4.  Efektet e sekuestros  pushojnë  kur vendimi i  pafajësisë ose i  pushimit  të çështjes  ka  marrë formë të prerë. 

Neni  272 
Oferta për  garantimin  e  detyrimit 

1.  Kur  i  pandehuri  ose  i  padituri  civil  ofron  një  mjet  të  përshtatshëm  ligjor  për  të  garantuar detyrimin  (peng,  dorëzani,  kapar,  hipotekë),  gjykata  nuk  e  vë  sekuestron  konservative  ose  e  revokon  atë dhe cakton mënyrën  e ekzekutimit  të detyrimit. 
2.  Kur  oferta  propozohet  bashkë  me  kërkesën  e  ankimit,  gjykata  revokon  sekuestron  në  qoftë  se çmon se oferta e  garantimit është në  përpjesëtim me  vlerën e sendeve të  sekuestruara.

Neni  273 
Ekzekutimi i  masës  së sekuestros 

1.  Sekuestroja  konservative  shndërrohet  në  sekuestro  të  ekzekutueshme  kur  merr  formë  të  prerë vendimi  i  dënimit  me  gjobë  apo  ai  i  detyrimit  të  të    pandehurit  dhe  të  paditurit  civil  me  shpërblimin  e dëmit. 
2.  Ekzekutimi  i  detyrueshëm  i  pasurisë  së  sekuestruar  bëhet  në  mënyrat  e  parashikuara  nga  Kodi  i Procedurës  Civile.  Nga  të  ardhurat  e  shitjes  së  pasurisë  së  sekuestruar  dhe  nga  ato  të  mjeteve  të  ofruara për  garantimin  e  detyrimit,  paguhen,  sipas  radhës,  shumat  që  i  takojnë  paditësit  civil  për  shpërblimin  e dëmit  dhe  shpenzimet  gjyqësore,  dënimet  me  gjobë,  shpenzimet  e  procedimit  dhe  çdo  shumë  tjetër  në favor të shtetit.

Seksioni II Sekuestroja preventive

Neni  274 
Objekti i sekuestros preventive 
(Ndryshuar pika  2  me ligjin  nr.9085,  datë 19.6.2003) 

1.  Kur  ka  rrezik  që  disponimi  i  lirë  i  një  sendi  që  lidhet    me  veprën  penale  mund  të  rëndojë  ose  të zgjasë  pasojat  e  saj  ose  të  lehtësojë  kryerjen  e  veprave  penale  të  tjera,  me  kërkesën  e  prokurorit,  gjykata kompetente urdhëron sekuestrimin e  tij me vendim të arsyetuar. 
2.  Sekuestroja  mund  të  vendoset  edhe  për  sendet,  produktet  e  veprës  penale  dhe  çdo  lloj  pasurie tjetër që  lejohet të konfiskohet, sipas  nenit 36 të Kodit Penal.
3.  Kur  ndryshojnë  kushtet  e  zbatimit,  gjykata,  me  kërkesën  e  prokurorit  ose  të  të  interesuarit,  e heq sekuestron. 

Neni  275 
Humbja e fuqisë  së sekuestros 

1.  Me  vendimin  e  pafajësisë  ose  të  pushimit  të  çështjes,  gjykata  ose  prokurori  urdhëron  që  sendet e  sekuestruara  t’i  kthehen  atij  që  i  takojnë,  kur  nuk  duhet  të  urdhërojë  konfiskimin  e  tyre  sepse  kanë shërbyer  ose  ishin  të  destinuara  për  të  kryer  një  vepër  penale  ose  sepse  kanë  qenë  prodhim  ose  përfitim  nga  vepra  penale. 
2.  Kur  është  dhënë  vendimi  i  dënimit,  efektet  e  sekuestros  vazhdojnë  në  rast  se  është  vendosur konfiskimi i  sendeve  të sekuestruara. 
3.  Sendet  e  sekuestruara  nuk  kthehen  kur  gjykata  vendos  që  të  mbahet  sekuestroja  për  garantimin e kredive. 

Neni 276 
Ankimi kundër  vendimit 

1.  Kundër  vendimit  për  vënien  ose  mosvënien  e  sekuestros  cilido  që  ka  interes  mund  të  bëjë ankim.
2.  Kërkesa  e  ankimit  paraqitet  brenda  dhjetë  ditëve  nga  dhënia  e  vendimit  ose  nga  dita  që  i interesuari ka marrë dijeni  për  sekuestron e vënë. 
3. Kërkesa  paraqitet në sekretarinë  e  gjykatës  që ka  dhënë  vendimin. 
4. Ankimi nuk pezullon zbatimin e masës. 
5.  Mbi  kërkesën  e  ankimit  vendos  gjykata  e  apelit  brenda  pesëmbëdhjetë  ditëve  nga  marrja  e akteve.   
6. Gjykata vendos, sipas  rastit, shfuqizimin, ndryshimin ose miratimin e  vendimit të ankimuar.
7.  Kur  vendimi  nuk  shpallet  ose  nuk  zbatohet  brenda  afatit  të  caktuar,  vendimi  për  vënien  e sekuestros  e  humbet fuqinë.

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!