Kreu III Arrestimi në flagrancë dhe ndalimi

Neni  251   
Arrestimi në flagrancë   

1.  Oficerët  dhe  agjentët  e  policisë  gjyqësore  kryejnë  detyrimisht  arrestimin  e  cilitdo  që  kapet  në flagrancë për një krim me  dashje, të kryer ose të  mbetur  në tentativë, për të cilin ligji  cakton dënimin me burgim jo më të  ulët në maksimum se pesë vjet. 
2.  Oficerët  dhe  agjentët  e  policisë  gjyqësore  kanë  të  drejtë  të  arrestojnë  cilindo  që  kapet  në flagrancë për një krim me  dashje, të kryer ose të  mbetur  në tentativë, për të cilin ligji  cakton dënimin me burgim  jo  më  të  ulët  në  maksimum  se  dy  vjet  ose  për  një  vepër  penale  të  kryer  nga  pakujdesia,  për  të cilën ligji  cakton dënimin  me  burgim jo më të  ulët në maksimum se dhjetë  vjet.
3.  Kur  lind  nevoja  e  domosdoshme,  për  shkak  të  rëndësisë  së  faktit  ose  të  rrezikshmërisë  së subjektit,  e  motivuar  me  akt  të  veçantë,  oficerët  dhe  agjentët  e  policisë  gjyqësore  kanë  të  drejtë  të arrestojnë  cilindo që  kapet në  flagrancë, edhe kur  nuk janë  kushtet e pikës  2. 
4.  Në  rastet  e  parashikuara  nga  paragrafi  1,  çdo  person  është  i  autorizuar  të  kryejë  arrestimin  në flagrancë  për  krimet  që  ndiqen  kryesisht.  Ai  që  ka  kryer  arrestimin  duhet  të  dorëzojë  menjëherë  të arrestuarit  në policinë  gjyqësore,  e  cila  mban procesverbal për dorëzimin dhe  i jep një kopje  të tij. 

Neni  252 
Gjendja e flagrancës 

1.  Është  në  gjendje  flagrance  ai  që  është  kapur  në  kryerje  e  sipër  të  veprës  penale  ose  ai  që menjëherë  pas  kryerjes  së  veprës  ndiqet  nga  policia  gjyqësore,  nga  personi  i  dëmtuar  ose  nga  persona  të tjerë ose që  është kapur me sende  dhe prova e  materiale,  nga  të cilat duket se ka  kryer veprën penale. 

Neni  253 
Ndalimi i  të dyshuarit  për  një krim 

1.  Kur  ka  shkaqe  të  bazuara  për  të  menduar  se  ka  rrezik  ikjeje,  prokurori  urdhëron  ndalimin  e personit  që  dyshohet  për  një  krim,  për  të  cilin  ligji  cakton  dënimin  me  burgim  jo  më  të  ulët  në maksimum se dy  vjet. 
2.  Policia  gjyqësore  kryen  ndalimin  me  inciativën  e  vet  kur  nuk  është  e  mundur,  për  shkak  të gjendjes  së ngutshme,  të pritet urdhri i prokurorit. 

Neni  254 
Moslejimi i arrestimit  dhe ndalimit  në rrethana  të caktuara 

1.  Arrestimi  ose  ndalimi  nuk  lejohet  kur  nga  rrethanat  e  faktit  del  se  veprimi  është  bërë  gjatë kryerjes  së  një  detyre  ose  gjatë  ushtrimit  të  një  të  drejte  të  ligjshme  ose  kur  ekziston  një  shkak padënueshmërie. 

Neni  255 
Detyrat e policisë gjyqësore në rastet  e arrestimit  ose  ndalimit 
(Ndryshuar pika  “1” me ligjin  nr.8813,  datë 13.6.2002)

1.  Oficerët  dhe  agjentët  e  policisë  gjyqësore  që  kanë  kryer  një  arrestim  ose  ndalim  ose  kanë  marrë në  dorëzim  të  arrestuarin,  njoftojnë  menjëherë  prokurorinë  e  vendit  ku  është  kryer  arrestimi  ose ndalimi.  Ata  i  bëjnë  të  ditur  të  arrestuarit  ose  të  ndaluarit  se  nuk  ka  asnjë  detyrim  të  bëjë  deklarata  dhe në  qoftë  se  do  të  flasë,  çfarëdo  që  ai  thotë,  mund  të  përdoret  ndaj  tij  në  gjykim.  Oficerët  dhe  agjentët  e policisë  gjyqësore  i  bëjnë  të  ditur  të  ndaluarit  ose  të  arrestuarit  edhe  të  drejtën  që  ai  ka  për  të  zgjedhur mbrojtës  dhe  njoftojnë  menjëherë  mbrojtësin  e  zgjedhur  ose,  kur  është  rasti,  atë  të  caktuar  nga prokurori. 
2. Oficerët dhe agjentët e  policisë gjyqësore e  vënë të  arrestuarin ose të  ndaluarin në dispozicion të prokurorit, në  dhomat e paraburgimit, sa  më shpejt, nëpërmjet dërgimit të procesverbalit përkatës. 
3.  Kur  i  arrestuari  ose  i  ndaluari  është  i  sëmurë  ose  i  mitur,  prokurori  mund  të  urdhërojë  që  ai  të mbahet në ruajtje në  banesën e  tij ose në  një  vend tjetër të ruajtur. 
4.  Policia  gjyqësore,  me  pëlqimin  e  të  arrestuarit  ose  të  ndaluarit,  duhet  të  lajmërojë  pa  vonesë familjarët. Kur  i arrestuari ose i  ndaluari është i mitur  lajmërohet detyrimisht prindi ose kujdestari.

Neni  256 
Marrja në pyetje e të arrestuarit  ose  të ndaluarit 

1.  Prokurori  merr  në  pyetje  të  arrestuarit  ose  të  ndaluarin  në  prani  të  mbrojtësit  të  zgjedhur  ose  të caktuar  kryesisht.  Ai  i  njofton  të  arrestuarin  ose  të  ndaluarit  faktin  për  të  cilin  procedohet  dhe  arsyet  e marrjes  në  pyetje,  duke  i  treguar  të  dhënat  në  ngarkim  të  tij  dhe,  kur  nuk  i  shkaktohet  dëm  hetimeve, edhe  burimet. 

Neni  257 
Rastet e lirimit  të  menjëhershëm të të arrestuarit ose  të ndaluarit 

1.  Kur  del  e  qartë  se  arrestimi  ose  ndalimi  është  bërë  për  shkak  se  është  ngatërruar  personi  ose nuk  janë  respektuar  kërkesat  e  ligjit  ose  kur  masa  e  arrestit  ose  e  ndalimit  e  ka  humbur  fuqinë  për  shkak të  shkeljes  së  afatit  të  kërkesës  për  vleftësimin  e  masës,  prokurori  urdhëron,  me  vendim  të  motivuar,  që i  arrestuari  ose  i  ndaluari  të  lirohet  menjëherë.  Në  këto  raste  lirimi  urdhërohet  edhe  nga  oficeri  i  policisë gjyqësore,  i cili njofton menjëherë prokurorin e  vendit ku është kryer arrestimi ose ndalimi. 

Neni  258 
Kërkesa  e vleftësimit  të arrestimit  ose  ndalimit
(Ndryshuar pika  1  me ligjin nr.8813,  datë 13.6.2002) 

1.  Kur  nuk  urdhëron  lirimin  e  menjëhershëm,  prokurori,  brenda  dyzet  e  tetë  orëve  nga  arrestimi ose  ndalimi,  kërkon  vleftësimin  e  masës  në  gjykatën  e  vendit  ku  është  kryer  arrestimi  ose  ndalimi. Mosrespektimi i këtij afati bën  që  arrestimi ose ndalimi të  humbasë fuqinë. 
2. Gjykata  cakton seancën  e  vleftësimit sa  më shpejt duke lajmëruar prokurorin dhe  mbrojtësin. 

Neni  259 
Seanca e vleftësimit 
(Shtuar pika  “2”,  ndryshuar  pikat “3” e “4”,”5”  me ligjin  nr.8813,  datë 13.6.2002) 

1.  Seanca  e  vleftësimit  zhvillohet  me  pjesëmarrjen  e  domosdoshme  të  prokurorit  dhe  të mbrojtësit.  Kur  mbrojtësi  i  zgjedhur  ose  i  caktuar  kryesisht  nuk  është  gjetur  ose  nuk  është  paraqitur, gjykata  cakton si zëvendësues  një  mbrojtës  tjetër. 
2.  Prokurori  tregon  shkaqet  e  arrestimit  ose  të  ndalimit.  Pas  kësaj  gjykata  dëgjon  të  arrestuarin  ose të  ndaluarin  dhe  mbrojtësin  ose  vetëm  këtë  të  fundit,  kur  i  arrestuari  a  i  ndaluari  ka  refuzuar  të paraqitet. Provat e  marra  në  këtë seancë  konsiderohen si të marra  në gjykim. 
3.  Kur  del  se  arrestimi  ose  ndalimi  janë  bërë  në  mënyrë  të  ligjshme,  gjykata  merr  vendim  për vleftësimin  e  masës.  Kundër  vendimit  të  gjykatës  mund  të  bëhet  apel  në  gjykatën  më  të  lartë  nga prokurori  dhe  i  arrestuari  ose  i  ndaluari  dhe,  kur  ka  kërkesë  nga  prokurori,  gjykata  cakton  masën  e sigurimit. 
4.  Kur  arrestimi  ose  ndalimi  nuk  është  i  ligjshëm,  gjykata  vendos  lirimin  e  menjëhershëm  të  të arrestuarit  ose  të  ndaluarit.  Kundër  vendimit  mund  të  bëhet  apel  ose  rekurs  i  drejtpërdrejtë  nga prokurori. 
5.  Arrestimi  ose  ndalimi  e  humbet  fuqinë  kur  vendimi  i  gjykatës  për  vleftësimin  nuk  është  shpallur brenda  dyzet  e  tetë  orëve  të  ardhshme  nga  çasti  në  të  cilin  kërkesa  e  prokurorit  është  paraqitur  në gjykatë. 

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!