STUDENTI I SË DREJTËS “ne jemi nën kushtetutën, por kushtetuta është ajo çfarë gjyqtarët thonë se është”. (charles evans hughes)
STUDENTI I SË DREJTËS

Kreu II Caktimi dhe zbatimi i masave të sigurimit

Neni  244 
Kërkesa  për  caktimin  e  masave  të sigurimit 
(Shtuar pika  3 me ligjin  nr.8813,datë 13.6.2002) 

1.  Masat  e  sigurimit  vendosen  me  kërkesën  e  prokurorit,  i  cili  i  paraqet  gjykatës  kompetente  arsyet ku bazohet kërkesa. 
2.  Edhe  kur  gjykata  deklaron  moskompetencën  e  vet  për  çdo  lloj  shkaku,  në  qoftë  se  janë  kushtet dhe  ekziston  urgjenca  për  marrjen  e  masës  ajo  vendos  marrjen  e  saj  dhe  i  dërgon  aktet  gjykatës kompetente. 
3. Gjykata nuk  mund të  caktojë  një masë sigurimi më të rëndë  se ajo e  kërkuar  nga  prokurori. 

Neni  245 
Vendimi i gjykatës 

1. Vendimi që  cakton masën e  sigurimit përmban: 

a)  gjeneralitetet  e  personit  ndaj  të  cilit  merret  masa  ose  çdo  gjë  tjetër  që  vlen  për  ta  identifikuar  atë dhe,  kur është e  mundshme,  tregimin e  vendit ku ndodhet;
b) parashtrimin përmbledhës  të fakteve, duke treguar nenet e ligjit që konsiderohen të shkelura; 
c) parashtrimin e  shkaqeve  të posaçme  dhe të  të dhënave  që përligjin masën  e  sigurimit;. 
ç)  caktimi  i  kohëzgjatjes  së  masës,  kur  ajo  është  urdhëruar  për  të  garantuar  marrjen  ose  vërtetësinë e provës; 
d) datën, nënshkrimin e kryetarit, të sekretarit  që e  asiston dhe vulën e gjykatës. 

Neni  246 
Zbatimi i masave  të sigurimit 
(Ndryshuar pika  “2” dhe  “6”  me ligjin  nr.8813, datë 13.6.2002)   

1.  Oficeri  ose  agjenti  i  policisë  i  ngarkuar  me  zbatimin  e  vendimit  të  arrestit  i  dorëzon  personit ndaj  të  cilit  është  marrë  masa  kopjen  e  vendimit  dhe  i  bën  të  njohur  të  drejtën  që  të  zgjedhë  një mbrojtës,  njofton  menjëherë  mbrojtjen  e  zgjedhur nga  i  pandehuri  ose  të  caktuar  kryesisht  dhe  mban proçesverbal  për  të  gjitha  veprimet  e  kryera.  Procesverbali  i  dërgohet  gjykatës  që  ka  dhënë  vendimin dhe prokurorit. 
2.  Në  rast  se  dyshohet  për  vërtetësinë  e  vendimit  që  ka  caktuar  masën  e  sigurimit  ose  për vërtetësinë  e  identitetit  të  personit  ndaj  të  cilit  është  dhënë  masa,  oficerët  dhe  agjentët  e  policisë gjyqësore të  ngarkuar nuk  e zbatojnë  atë. 
3. Vendimet për masat e tjera  të sigurimit i njoftohen të  pandehurit nga  gjykata. 
4.  Pas  njoftimit  ose  zbatimit  të  tyre,  vendimet  depozitohen  në  sekretarinë  e  gjykatës  që  i  ka  dhënë. Për depozitimin njoftohen edhe mbrojtësit. 
5.  Kopja  e  vendimit,  me  të  cilin  është  caktuar  një  masë  ndaluese  i  dërgohet  organit  që  është kompetent për të vendosur  caktimin e  një  mase të tillë  në rastet e zakonshme. 
6.  Çdo  dy  muaj  nga  zbatimi  i  vendimit  të  arrestit,  gjykata  që  ka  dhënë  vendimin  duhet  të informohet  nga  prokurori  për  të  arrestuarin.  Informacioni  jepet  me  shkrim  dhe  përmban  të  dhëna  për gjendjen  e  procedimit,  për  pyetjen  e  të  pandehurit  dhe  të  personave  të  tjerë,  për  përshkrimin  e  të dhënave  të  marra  dhe  shoqërohet  me  kopje  të  akteve  të  fashikullit.  Kur  është  rasti,  gjykata  mund  të revokojë ose të zëvendësojë  masën  e sigurimit. 

Neni  247 
Kërkimi i personit që nuk gjendet 

1.  Kur  personi  ndaj  të  cilit  është  marrë  masa  nuk  gjendet,  oficeri  ose  agjenti  i  policisë  gjyqësore mban procesverbal,  në të  cilin tregon kërkimet e bëra  dhe ia  dërgon  atë gjykatës  që ka  dhënë  vendimin. 
2. Kur gjykata  çmon se kërkimet janë  bërë të  plota,  deklaron ikjen e personit. 
3.  Me  aktin  që  deklaron  ikjen,  gjykata  i  cakton  personit  që  ka  ikur  një  mbrojtës  dhe  urdhëron  që  të depozitohet në sekretari kopja  e  vendimit me të cilin është caktuar masa  e  zbatuar. 
4. Me të  ikurin barazohet,  për çdo efekt, i larguari nga  vendi ku ruhet. 
5.  Për  të  lehtësuar  kërkimin  e  personit  të  ikur,  gjykata  mund  të  urdhërojë  përgjimin  e  bisedave telefonike  dhe të  formave  të tjera të komunikimit. 

Neni  248 
Marrja në pyetje e personit  të arrestuar 

1.  Jo  më  vonë  se  tri  ditë  nga  zbatimi  i  masës,  gjykata  e  merr  në  pyetje  personin  për  të  cilin  ka vendosur  arrestin në  burg  ose në  shtëpi. 
2.  Nëpërmjet  marrjes  në  pyetje gjykata  verifikon  kushtet  e zbatimit  të  masës  së  arrestit  dhe  nevojat e sigurimit. Kur  këto kushte nuk ekzistojnë, gjykata  vendos  revokimin ose zëvendësimin e  masës. 
3.  Në  pyetjen  e  të  arrestuarit  marrin  pjesë  prokurori  dhe  mbrojtësi,  të  cilët  lajmërohen  nga sekretaria  e  gjykatës.
4.  Kur  pyetja  e  të  arrestuarit  duhet  të  bëhet  në  gjykatën  e  një  rrethi  tjetër,  gjykata  kërkon  që  pyetja të bëhet nga  një gjyqtar i asaj gjykate. 

Neni  249 
Ankimi kundër  masave  të sigurimit 
(Ndryshuar pikat  “1”,  “3”,  “5”, “9”  me ligjin  nr.8813,  datë 13.6.2002) 

1.  Brenda  dhjetë  ditëve  nga  zbatimi  ose  njoftimi  i  vendimit  të  gjykatës,  në  bazë  të  të  cilit  është marrë  ose  është  refuzuar  një  masë  sigurimi,  prokurori,  i  pandehuri  ose  mbrojtësi  i  tij  mund  të  bëjnë ankim në  gjykatën më  të lartë. 
2. Për të pandehurin e  ikur afati fillon të ecë  nga  data  e  njoftimit të bërë sipas  nenit 141. 
3.  Kërkesa  paraqitet  në  sekretarinë  e  gjykatës  që  ka  dhënë  vendimin  e  ankimuar,  e  cila  detyrohet që  brenda  5 ditëve të  dorëzojë aktet në gjykatën që  do të shqyrtojë ankimin. 
4.  Data  e  caktuar  për  seancën  i  njoftohet  prokurorit,  të  pandehurit  dhe  mbrojtësit  të  tij  të  paktën tri ditë  përpara. 
5. Kërkesa  shqyrtohet brenda  10 ditëve  nga  marrja  në  dorëzim e akteve. 
6.  Gjykata  vendos,  sipas  rastit,  shfuqizimin,  ndryshimin  ose  miratimin  e  vendimit,  edhe  për  arsye të ndryshme nga  ato që janë  parashtruar ose nga  ato që tregohen në  pjesën  arsyetuese të  vendimit. 
7.  Kur  vendimi  nuk  shpallet  ose  nuk  zbatohet  brenda  afatit  të  caktuar,  akti  në  bazë  të  të  cilit  është marrë masa  shtrënguese e  humbet fuqinë. 
8.  Kundër  vendimit  të  gjykatës  së  apelit  mund  të  bëhet  rekurs  për  shkelje  të  ligjit  në  Gjykatën  e Lartë.
9.  Me  kalimin  e  gjashtë  muajve  nga  zbatimi  i  vendimit  të  arrestit,  i  pandehuri  dhe  mbrojtësi  i  tij mund të bëjnë  ankim në gjykatën më  të lartë. 
10. Gjykata  e Lartë vendos  brenda  pesëmbëdhjetë ditëve  nga  marrja  e  akteve. 

Neni  250 
Llogaritja e afateve  të kohëzgjatjes së masave   

1. Efektet e paraburgimit fillojnë  të ecin nga  çasti i arrestimit ose i  ndalimit. 
2.  Kur  i  pandehuri  është  paraburgosur  për  një  vepër  penale  tjetër,  efektet  e  masës  fillojnë  të  ecin nga  dita  në të  cilën  është njoftuar vendimi. 
3. Efektet e masave të  tjera  fillojnë  të ecin nga  çasti në të  cilin  vendimi është i  njoftuar. 
4.  Kur  ndaj  një  të  pandehuri  janë  dhënë  disa  vendime  që  caktojnë  të  njëjtën  masë  për  të  njëjtin fakt, afatet fillojnë  të  ecin  nga  dita  në të  cilën  është zbatuar ose njoftuar i pari.

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!