Kreu I Masat e sigurimit personal

Seksioni I Rregulla të përgjithshme

Neni  227 
Ndarja e masave të sigurimit  personal 

1. Masat e sigurimit personal  ndahen në masa  shtrënguese dhe  masa ndaluese. 

Neni  228 
Kushtet për  caktimin  e  masave  të sigurimit  personal

1.  Askush  nuk  mund  t’u  nënshtrohet  masave  të  sigurimit  personal  në  qoftë  se  në  ngarkim  të  tij nuk ekziston një dyshim i  arsyeshëm, i bazuar në prova. 
2.  Asnjë  masë  nuk  mund  të  zbatohet  kur  ka  shkaqe  padënueshmërie  ose  të  shuarjes  së  veprës penale. 
3. Masat e sigurimit personal vendosen: 

a) kur  ekzistojnë shkaqe  të  rëndësishme që  vënë  në rrezik marrjen ose vërtetësinë  e  provës; 
b) kur  i pandehuri  është larguar ose ekziston rreziku që  ai të largohet; 
c)  kur  për  shkak  të  rrethanave  të  faktit  dhe  personalitetit  të  të  pandehurit  ka  rrezik  që  ai  të  kryejë krime të rënda  ose të  të njëjtit  lloj  me atë për të cilin  procedohet. 

Neni  229 
Kriteret për  caktimin  e  masave  të sigurimit  personal 

1.  Në  caktimin  e  masave  të  sigurimit  gjykata  mban  parasysh  përshtatshmërinë  e  secilës  prej  tyre me shkallën e nevojave  të  sigurimit që duhen marrë në  rastin konkret. 
2.  Çdo  masë  duhet  të  jetë  në  raport  me  rëndësinë  e  faktit  dhe  me  sanksionin  që  parashikohet  për veprën  penale  konkrete.  Mbahen  parasysh  edhe  vazhdimësia,  përsëritja,  si  dhe  rrethanat  lehtësuese  dhe rënduese të  parashikuara  nga  Kodi Penal
3.  Kur  i  pandehuri  është  i  mitur  gjykata  mban  parasysh  kërkesën  për  të  mos  ndërprerë  proceset edukative konkrete. 

Neni  230 
Kriteret e veçanta për  caktimin  e  masës  së arrestit në burg    

1.  Arresti  në  burg  mund  të  vendoset  vetëm  kur  çdo  masë  tjetër  është  e  papërshtatshme  për  shkak të rrezikshmërisë së veçantë të  veprës dhe të pandehurit.
2.  Nuk  mund  të  vendoset  arresti  në  burg  ndaj  një  gruaje  që  është  shtatzënë  ose  me  fëmijë  në  gji, ndaj  një  personi  që  ndodhet  në  gjendje  shëndetësore  veçanërisht  të  rëndë  ose  që  ka  kaluar  moshën shtatëdhjetë  vjeç  ose  një  personi  toksikoman  apo  të  alkoolizuar,  për  të  cilin  zbatohet  një  program terapeutik në  një  institucion të posaçëm. 
3.  Në  rastet  e  parashikuara  në  pikën  2  arresti  në  burg  mund  të  vendoset  vetëm  kur  ka  shkaqe  të një  rëndësie  të veçantë për krimet që  dënohen jo më  pak në  maksimum se dhjetë  vjet burgim. 
4. Të miturit nuk mund të arrestohen kur  akuzohen për kundërvajtje penale.

Neni  231   
Zëvendësimi ose bashkimi i masave  të sigurimit  personal   

1.  Në  rast  shkelje  të  detyrimeve  që  lidhen  me  një  masë  sigurimi,  gjykata  mund  të  vendosë zëvendësimin  ose  bashkimin  me  një  masë  tjetër  më  të  rëndë,  duke  mbajtur  parasysh  rëndësinë,  motivet dhe  rrethanat  e  shkeljes.  Për  shkeljen  e  detyrimeve  që  lidhen  me  një  masë  ndaluese,  gjykata  mund  të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me  një  masë  shtrënguese.

Seksioni II Masat shtrënguese

Neni  232 
Llojet  e masave  shtrënguese 

1. Masat shtrënguese janë: 

a) ndalimi i daljes jashtë shtetit; 
b) detyrimi për t’u paraqitur  në policinë  gjyqësore; 
c) ndalimi dhe  detyrimi për qëndrimin në  një  vend të caktuar; 
ç) garancia  pasurore; 
d) arresti në  shtëpi; 
dh) arresti në  burg; 
e) shtrimi i përkohshëm në një spital psikiatrik. 

Neni  233 
Ndalimi i  daljes  jashtë shtetit   

1.  Me  vendimin  që  urdhëron  ndalimin  e  daljes  jashtë  shtetit  gjyqtari  urdhëron  të  pandehurin  të mos  largohet nga  territori shtetëror  shqiptar pa autorizimin e  tij. 
2.  Gjykata  cakton  detyrat  e  nevojshme  për  të  siguruar  zbatimin  e  vendimit  dhe  për  të  ndaluar përdorimin e  pasaportës e të dokumenteve të  tjera  identifikuese të  vlefshme  për daljen jashtë shtetit. 

Neni  234 
Detyrimi për  t’u  paraqitur  në policinë gjyqësore 

1.  Me  vendimin  për  paraqitjen  në  policinë  gjyqësore,  gjykata  urdhëron  të  pandehurin  të  paraqitet në  një  zyrë të caktuar të policisë gjyqësore. 
2.  Gjykata  cakton  ditët  dhe  orët  e  paraqitjes,  duke  mbajtur  parasysh  punën  dhe  vendbanimin  e  të pandehurit. 

Neni  235 
Ndalimi dhe detyrimi i  qëndrimit  në një vend  të caktuar

1.  Me  vendimin  që  disponon  ndalimin  e  qëndrimit,  gjykata  urdhëron  të  pandehurin  të  mos qëndrojë në  një  vend të  caktuar dhe  të mos  shkojë  atje pa  autorizimin e  tij. 
2.  Me  vendimin  që  disponon  detyrimin  e  qëndrimit,  gjykata  urdhëron  të  pandehurin  të  mos largohet  pa  autorizimin  e saj  nga  territori  i  komunës  ose  bashkisë  ku  qëndron  zakonisht.  Kur,  për  shkak të  personalitetit të të pandehurit ose të  kushteve  të terrenit, qëndrimi në  këtë vend nuk garanton nevojat e sigurimit, detyrimi i qëndrimit mund të urdhërohet në territorin e  një  komune  ose bashkie  tjetër.
3.  Kur  vendos  detyrimin  e  qëndrimit,  gjykata  tregon  organin  e  policisë  të  cilit  i  pandehuri  duhet  t’i paraqitet  pa  vonesë  dhe  të  deklarojë  vendin  ku  do  të  caktojë  banesën  e  vet.  Gjykata  mund  të  urdhërojë të pandehurin t’u deklarojë organeve  të policisë oraret dhe  vendet ku mund të  gjendet çdo ditë. 
4.  Për  urdhrat  e  gjykatës  njoftohet  organi  i  policisë  që  të  mbikëqyrë  respektimin  dhe  t’i  raportojë prokurorit çdo shkelje. 

Neni  236
Garancia pasurore 
(Ndryshuar me ligjin  nr.8813,datë 13.6.2002) 

1.  Garancia  pasurore  është  depozitimi  në  bankë  i  një  shume  të  hollash  të  caktuara  nga  gjykata,  e cila  do të kalojë  në dobi të  shtetit, nëse i  pandehuri nuk paraqitet në organin procedues. 
2.  Paraprakisht  gjykatës  i  paraqitet  një  deklaratë  e  nënshkruar  nga  i  pandehuri  ose  një  person  tjetër që  meriton  besim,  me  të  cilën  ata  deklarojnë  se  pranojnë  të  depozitojnë  në  bankë  shumën  e  caktuar  nga gjykata. 
3.  Pas  paraqitjes  së  dokumentit  të  depozitimit  të  shumës  dhe  pas  dëgjimit  të  prokurorit,  gjykata urdhëron zbatimin e vendimit. 
4. Në  rast mosparaqitjeje  shuma  e  depozituar  kalon  me vendim të gjykatës  në  dobi të shtetit.   

Neni  237 
Arresti  në shtëpi 

1.  Me  vendimin  e  arrestit  në  shtëpi,  gjykata  urdhëron  të  pandehurin  të  mos  largohet  nga  banesa  e tij ose nga  një  vend i  caktuar ku ai  banon, kurohet  ose mbahet me asistencë. 
2.  Kur  është  e  nevojshme,  gjykata  i  vë  kufizime  ose  ndalime  të  pandehurit  për  të  komunikuar  me persona  të tjerë, me  përjashtim të atyre që  bashkëjetojnë  me atë. 
3.  Prokurori  dhe  policia  gjyqësore  kontrollojnë  respektimin  e  urdhrave  që  i  janë  dhënë  të pandehurit. 4. Për kohëzgjatjen e  arrestit në shtëpi vlejnë  rregullat e caktuara  për paraburgimin. 
5. Koha  e  qëndrimit në  arrest  në shtëpi  llogaritet në  caktimin e  dënimit. 

Neni  238 
Arresti  në burg 

1.  Me  vendimin  e  arrestit  në  burg,  gjykata  urdhëron  policinë  gjyqësore  që  ta  kapë  të  pandehurin dhe  ta  çojë  menjëherë  në  një  institut  paraburgimi  për  të  qëndruar  aty  në  dispozicion  të  autoritetit procedues. 2. Koha  e  paraburgimit llogaritet në  caktimin e  dënimit. 

Neni  239 
Shtrimi i përkohshëm  në një spital psikiatrik 

1.  Kur  personi  që  duhet  arrestuar  është  i  sëmurë  mendërisht  dhe  për  këtë  shkak  përjashtohet  ose pakësohet  shumë  zotësia  e  të  kuptuarit  ose  e  vullnetit,  gjykata  në  vend  të  paraburgimit  mund  të urdhërojë  shtrimin  e  përkohshëm  në  një  institucion  psikiatrik,  duke  caktuar  masat  e  nevojshme  për  të parandaluar rrezikun e  ikjes. 
2. Shtrimi nuk mund të vazhdojë kur  rezulton se i  pandehuri nuk është më  i sëmurë mendërisht.

Seksioni III Masat ndaluese

Neni  240 
Llojet  e masave  ndaluese 

1. Masat ndaluese janë: 

a) pezullimi i ushtrimit të një detyre a  shërbimi publik; 
b) ndalimi i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive  të caktuara  profesionale  ose afariste. 

Neni  241 
Kushtet e zbatimit  të masave  ndaluese 

1.  Masat  ndaluese  mund  të  zbatohen  vetëm  kur  procedohet  për  vepra  penale,  për  të  cilat  ligji cakton dënim me  burgim  më të lartë në  maksimum  se një vit.

Neni  242 
Pezullimi i  ushtrimit  të  një detyre a shërbimi publik 

1.  Me  vendimin  që  disponon  pezullimin  e  ushtrimit  të  një  detyre  a  shërbimi  publik,  gjykata  i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që  lidhet me to. 
2. Kjo masë nuk zbatohet  ndaj personave  të zgjedhur sipas  ligjit elektoral. 

Neni  243 
Ndalimi i  përkohshëm  i  ushtrimit të veprimtarive  të caktuara profesionale ose afariste 

1.  Me  vendimin  që  disponon  ndalimin  për  të  ushtruar  profesione  ose  detyra  të  caktuara  drejtuese në  persona  juridikë,  gjykata  e  ndalon  përkohësisht  të  pandehurin,  plotësisht  ose  pjesërisht,  të  ushtrojë veprimtaritë që  lidhen me  to.

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!