Kreu III Mjetet e kërkimit të provës

Seksioni I Këqyrja

Neni  198   
Rastet dhe format e këqyrjes   

1.  Këqyrja  e  personave,  e  vendeve  dhe  e  sendeve  vendoset  nga  organi  procedues  kur  është  e nevojshme të zbulohen gjurmët dhe  pasojat e tjera  materiale të  veprës penale. 
2.  Kur  vepra  penale  nuk  ka  lënë  gjurmë  ose  pasoja  materiale  ose  kur  këto  janë    zhdukur,  kanë humbur,  janë  ndryshuar  a  lëvizur,  organi  procedues  përshkruan  gjendjen  dhe,  kur  është  e  mundur, verifikon  se  si  ka  qenë  ajo  para  ndryshimeve,  si  dhe  merr  masa  që  të  saktësojë  mënyrën,  kohën  dhe shkaqet e ndryshimeve që  mund të kenë   ndodhur. 
3. Organi procedues mund të urdhërojë fotografime,  filmime  dhe çdo veprim tjetër teknik. 

Neni  199   
Këqyrja e personave   

1. Këqyrja bëhet duke  respektuar dinjitetin dhe,  me  sa  është e  mundur, mbrojtjen e atij që këqyret. 
2.  Para  se  të  bëhet  këqyrja,  personit  që  do  të  këqyret  i  bëhet  e  njohur  e  drejta  për  të  kërkuar praninë  e  një  të besuari, me kusht që ky  të mund të gjendet menjëherë dhe  të jetë i përshtatshëm. 
3.  Këqyrja  mund  të  bëhet  edhe  me  anën  e  një  mjeku.  Në  këtë  rast  organi  procedues  mund  të  mos marrë pjesë në  veprimin e  këqyrjes. 
4.  Kur  është  e  nevojshme  për  konstatimin  e  fakteve  që  kanë  rëndësi  për  çështjen,  lejohet  marrja  e gjakut dhe ndërhyrje të tjera trupore, edhe pa  vullnetin e  personit, nëse nuk   ka  rrezik për shëndetin. 

Neni  200   
Këqyrja e kufomës   

1. Këqyrja e  kufomës bëhet nga  organi procedues në prani të  mjekut ligjor. 
2.  Për  të  bërë  këqyrjen  e  kufomës,  gjyqtari  ose  prokurori  mund  të  urdhërojnë  zhvarrimin,  duke njoftuar  një  pjesëtar  të  familjes  së  të  vdekurit  për  të  marrë  pjesë,  me    përjashtim  të  rasteve  kur  kjo pjesëmarrje  mund të dëmtojë  qëllimin e  këqyrjes. 

Neni  201   
Këqyrja e vendeve  dhe e sendeve   

1.  Të  pandehurit  dhe  atij  që  ka  në  dispozicion  vendin  ku  do  të  bëhet  këqyrja  ose  sendin  që  do  të këqyret u dorëzohet në  fillim kopja  e  vendimit për kryerjen e  këqyrjes. 
2.  Në  këqyrjen  e  vendeve,  organi  procedues  mund  të  urdhërojë,  për  arsye  të  motivuara,  që  të pranishmit të mos  largohen para se të  ketë përfunduar këqyrja dhe   t’i kthejë forcërisht ata  që largohen.

Seksioni II Kontrollet

Neni  202   
Kushtet për  kryerjen  e  kontrolleve   

1.  Kur  ka  arsye  të  bazuara  për  të  menduar  se  dikush  fsheh  në  personin  e  tij    prova  materiale  të veprës  penale  ose  sende  që  i  përkasin  veprës  penale  gjykata  merr  vendim  për    kontrollin  personal.  Kur këto sende  ndodhen në një vend të  caktuar, vendoset kontrolli  i  vendit ose banesës. 
2.  Gjykata  që  ka  nxjerrë  vendimin  mund  të  veprojë  vetë  ose  të  urdhërojë  që  veprimi  të  kryhet  nga oficerët e  policisë gjyqësore,  të  caktuar në vendimin  e kontrollit. 
3.  Në  rast  flagrance  ose  në  rast  ndjekje  të  personit  që  është  duke  ikur,  që  nuk  lejojnë    nxjerrjen  e një  vendimi  kontroll,  oficerët  e  policisë  gjyqësore  kryejnë  kontrollin  e    personit  ose  të  vendit,  duke zbatuar rregullat  e caktuara  në nenin 299. 

Neni  203   
Kërkesa  e dorëzimit   

1.  Kur  kërkohet  një  send  i  caktuar,  organi  procedues  mund  të  kërkojë  dorëzimin    e  tij.  Në  qoftë  se sendi  dorëzohet, kontrolli nuk bëhet, me përjashtim  të rasteve  kur ai   çmohet i  nevojshëm. 
2.  Për  të  përcaktuar  sendet  që  mund  të  sekuestrohen  ose  për  të  verifikuar    rrethana  të  caktuara  të nevojshme  për  hetimin,  organi  procedues  ose  oficerët  e  policisë  gjyqësore  të  autorizuar  prej  tij,  mund  të kontrollojnë  veprimet, dokumentet dhe  korrespondencën  pranë  bankave. 

Neni  204 
Kontrolli i  personit   

1.  Para  se  të  bëhet  kontrolli  i  personit,  atij  që  do  të    kontrollohet  i  dorëzohet  një    kopje  e  vendimit të  kontrollit,  duke  i  bërë    të  ditur  të  drejtën  për  të  kërkuar  praninë  e  një  personi  të  besuar,  me  kusht  që ai të gjendet shpejt dhe të  jetë i përshtatshëm. 
2. Kontrolli  bëhet duke respektuar dinjitetin dhe mbrojtjen e atij që kontrollohet. 

Neni  205 
Kontrolli i  vendeve   

1.  Të  pandehurit,  kur  është  i  pranishëm,  dhe  atij  që  ka  në  dispozicion  vendin  u  dorëzohet  kopja  e vendimit të kontrollit, duke  i sqaruar të drejtën për të kërkuar praninë  e  një personi të besuar. 
2.  Kur  mungojnë    personat  e  treguar  në  paragrafin  1,  kopja  e  vendimit  i  dorëzohet  një  të  afërmi, një  fqinji  ose një personi që  punon bashkë  me të. 
3.  Organi  procedues  mund  të  kontrollojë  personat  e  pranishëm,  kur  çmon  se    këta  mund  të  fshehin  provën  materiale  ose  sendet  që  i  përkasin  veprës  penale.  Ai  mund  të  urdhërojë  që  të  pranishmit të mos  largohen para se të  mbarojë  kontrolli  dhe  të  kthehen forcërisht ata  që largohen. 

Neni  206 
Koha për  kryerjen  e kontrollit  të  banesës 

1.  Kontrolli  në  një  banesë  ose  në  një  vend  të  mbyllur  ngjitur  me  të  nuk  mund  të  fillojë  para  orës shtatë  dhe  pas  orës  njëzet.  Në  raste  të  ngutshme  organi  procedues  mund  të  urdhërojë  me  shkrim  që kontrolli  të bëhet tej  këtyre caqeve.

Neni  207 
Sekuestrimi gjatë kontrollit   

1.  Sendet  e  zbuluara  gjatë  kontrollit  mund  të  sekuestrohen  duke  respektuar  dispozitat  për sekuestrimet.

Seksioni III Sekuestrimet

Neni  208 
Objekti  i sekuestrimit 

1. Gjyqtari ose prokurori  disponojnë  me vendim të arsyetuar sekuestrimin e  provave materiale dhe të sendeve  që lidhen me  veprën  penale  kur ato janë  të domosdoshme për vërtetimin e  fakteve. 
2.  Sekuestrimin  e  kryen  vetë  ai  që  ka  nxjerrë  vendim  ose  oficerët  e  policisë  gjyqësore  të  deleguar me të njëjtin vendim. 
3. Kopja  e  vendimit të sekuestrimit i dorëzohet të interesuarit, në  qoftë se është i pranishëm. 

Neni  208/a   
Sekuestrimi i të  dhënave kompjuterike 
(Shtuar me ligjin  nr.10 054,  datë  29.12.2008) 

1.  Në  rastin  e  procedimeve  për  veprat  penale  në  fushën  e  teknologjisë  së  informacionit,  gjykata, me  kërkesë  të  prokurorit,  vendos  sekuestrimin  e  të  dhënave  dhe  të  sistemeve  kompjuterike.  Në  këtë vendim,  gjykata  përcakton  të  drejtën  për  të  hyrë,  kërkuar  dhe  marrë  të  dhënat  kompjuterike  në  sistemin kompjuterik,  si  dhe  ndalimin  për  kryerjen  e  veprimeve  të  mëtejshme  apo  sigurimin  e  të  dhënave  ose  të sistemit kompjuterik. 
2.  Kur  ekzistojnë  shkaqe  të  arsyeshme  për  të  menduar  se  të  dhënat  e  kërkuara  kompjuterike  janë memorizuar  në  një  sistem  tjetër  kompjuterik  apo  në  një  pjesë  të  tij  dhe  këto  të  dhëna  janë  në  mënyrë  të ligjshme  të  kapshme  prej  ose  janë  të  disponueshme  nga  sistemi  kompjuterik  fillestar,  që  kontrollohet, gjykata,  me  kërkesë  të  prokurorit,  urdhëron  menjëherë  kërkimin  ose  hyrjen  edhe  në  këtë  sistem kompjuterik. 
3.  Në  zbatim  të  vendimit  të  gjykatës,  prokuroria  ose  oficeri  i  policisë  gjyqësore,  i  deleguar  nga prokurori, merr  masa: 

a)  për  të  ndaluar  kryerjen  e  veprimeve  të  mëtejshme  ose  për  të  siguruar  sistemin  kompjuterik, vetëm të një  pjese të tij ose të  një  mjeti tjetër memorizimi të dhënash; 
b) për të nxjerrë dhe  marrë kopje  të të dhënave  kompjuterike; 
c) për  të  penguar  hyrjen  në  të  dhënat  kompjuterike,  ose  për  t’i  hequr  këto  të  dhëna  nga  sistemet kompjuterike  me të drejtë  hyrjeje; 
ç) për të siguruar paprekshmërinë  e  të dhënave  përkatëse,  të memorizuara. 

4.  Për  zbatimin  e  këtyre  veprimeve,  prokurori  mund  të  urdhërojë  thirrjen  e  një  eksperti,  i  cili  ka njohuri  rreth  funksionimit  të  sistemeve  kompjuterike  apo  të  masave  të  zbatuara  për  mbrojtjen  e  të dhënave  kompjuterike në  të. Eksperti i thirrur  nuk  mund të refuzojë  detyrën  pa  shkaqe  të arsyeshme. 

Neni  209 
Sekuestrimi i korrespondencës 
(Shtesë  në pikën 1  me ligjin  nr.9085,  datë 19.6.2003) 

1. Kur gjykata ka  arsye  të bazuara të mendojë se në  zyrat postare ose telegrafike  gjenden  letra, letra me  vlerë,  zarfa,  pako,  telegrame  dhe  objekte  të  tjera  të  korrespondencës  që  janë  dërguar  nga  i  pandehuri ose  që  i  drejtohen  atij,  qoftë  edhe  me  emër  tjetër  ose  nëpërmjet  një  personi  tjetër,  vendos  sekuestrimin e tyre. 
2.  Kur  sekuestrimin  e  kryen  një  oficer  i  policisë  gjyqësore,  ai  duhet  t’i  dorëzojë  organit  gjyqësor objektet  e  sekuestruara  të  korrespondencës  pa  i  hapur  dhe  pa  u  njohur  me  ndonjë  mënyrë  tjetër  me përmbajtjen e  tyre. 
3.  Objektet  e  sekuestruara  që  nuk  hyjnë  në  korrespondencën  e  sekuestrueshme  i  kthehen  atij  që  i takojnë  dhe nuk mund të  përdoren. 

Neni  210 
Sekuestrimi pranë bankave 
(Shtesë  në pikën 1  me ligjin  nr.9085,  datë 19.6.2003) 

1.  Gjykata  mund  të  vendosë  sekuestrimin  pranë  bankave  të  dokumenteve,  letrave  me  vlerë, shumave  të  depozituara  në  llogari  rrjedhëse  dhe  çdo  gjëje  tjetër,    edhe  nëse  gjenden  në  kasetat  e sigurisë,  kur  ka  arsye  të  bazuara  për  të  menduar  se  ato  kanë  lidhje  me  veprën  penale,  edhe  kur  nuk  i përkasin  të  pandehurit  ose  kur  nuk  janë  në  emër  të  tij.  Në  raste  të  ngutshme  ky  vendim  mund  të  merret nga  prokurori. 

Neni  211 
Detyrimi i  dorëzimit dhe ruajtja e sekretit 

1.  Personat  e  detyruar  për  ruajtjen  e  sekretit  profesional  ose  shtetëror  detyrohen  t’i  dorëzojnë menjëherë  organit  procedues  aktet  dhe  dokumentet,  edhe  në  origjinal,  dhe  çdo  gjë  tjetër  që  ruhet  pranë tyre  për  shkak  të  detyrës,  shërbimit  ose  profesionit,  përveç  kur  deklarojnë  se  është  sekret  shtetëror  ose sekret  që  lidhet  me  detyrën  a  profesionin  e  tyre. Në  rastin  e  fundit  bëhen  verifikimet  e  nevojshme  dhe kur del që  deklarimi është i pabazuar, organi procedues  urdhëron sekuestrimin. 
2.  Kur  sekreti  shtetëror  konfirmohet  nga  organi  kompetent  dhe  prova  është  thelbësore  për zgjidhjen e  çështjes, organi procedues vendos marrjen e provës.
3.  Kur  brenda  tridhjetë  ditëve  nga  kërkesa  organi  kompetent  nuk  jep  konformimin  e  sekretit, organi procedues urdhëron sekuestrimin.

Neni  212 
Kundërshtimi  i vendimit të sekuestrimit 

1.  I  pandehuri,  personi  tek  i  cili  janë  sekuestruar  sendet  dhe  ai  që  ka  të  drejtën  e  kërkimit  të  tyre, mund të bëjnë  ankim në gjykatë kundër vendimit të  sekuestrimit. 
2. Ankimi nuk e  pezullon  zbatimin e vendimit. 

Neni  213 
Kopjet e dokumenteve të sekuestruara 

1.  Organi  procedues  mund  të  urdhërojë  nxjerrjen  e  kopjeve  të  akteve  dhe  të  dokumenteve  të sekuestruara, duke kthyer  origjinalet dhe kur origjinalet duhet të mbahen urdhëron sekretarinë të  lëshojë kopje  të vërtetuar. 
2.  Në  çdo  rast  personi  ose  zyra  pranë  të cilit  është  bërë  sekuestrimi  ka  të  drejtë  të  ketë  një  kopje  të procesverbalit të sekuestrimit. 
3.  Kur  dokumenti  i  sekuestruar  bën  pjesë  në  një  vëllim  ose  në  një  regjistër,  nga  i  cili  nuk  mund  të ndahet  dhe  organit  procedues  i  duhet  origjinali,  vëllimi  ose  regjistri  qëndron  në  dispozicion  të  organit procedues. Sekretari i organit procedues  u lëshon të interesuarve,  kur ata  i kërkojnë, kopje,  ekstrakte ose vërtetime  të pjesëve të vëllimit a  të regjistrit  që nuk  i janë  nënshtruar sekuestrimit.

Neni  214 
Ruajtja e sendeve  të sekuestruara 

1.  Sendet  e  sekuestruara  ruhen  në  sekretari.  Kur  kjo  nuk  është  e  mundur  ose  e  përshtatshme, organi procedues urdhëron që  ato të ruhen në një  vend tjetër, duke përcaktuar mënyrën e ruajtjes. 
2.  Gjatë  veprimit  të  dorëzimit,  ruajtësi  paralajmërohet  për  detyrimin  e  ruajtjes  dhe  të  paraqitjes  së sendeve  kur  kërkohen  nga  organi  procedues,  si  dhe  për  dënimin  e  parashikuar  nga  ligji  penal  për  atë  që shkel detyrimin e ruajtjes. 

Neni  215 
Vulosja  e sendeve  të sekuestruara 

1.  Sendet  e  sekuestruara  sigurohen  me  vulën  e  organit  procedues  ose,  në  varësi  nga  natyra  e sendeve, me mjete të  tjera  të përshtatshme që  tregojnë  se ato ruhen për nevojat e drejtësisë. 
2.  Organi  procedues  nxjerr  kopje  të  dokumenteve  dhe  fotografi  ose  riprodhime  të  tjera  të  sendeve të  sekuestruara  që  mund  të  ndryshojnë  ose  që  ruhen  me  vështirësi,  të  cilat  i  bashkon  me  aktet  dhe urdhëron ruajtjen e  tyre në  sekretari. 
3.  Për  sendet  që  mund  të  ndryshojnë,  organi  procedues  urdhëron,  sipas  rastit,  tjetërsimin  ose asgjësimin e  tyre. 

Neni  216 
Heqja dhe vënia e vulave 

1.  Organi  procedues,  kur  do  që  të  heqë  vulat,  verifikon  nëse  ato  janë  të  cenuara  ose  jo  dhe  kur konstaton  ndryshimin  e  tyre  mban  procesverbal.  Pasi  kryhet  veprimi  për  të  cilin  është  bërë  e  nevojshme heqja  e  vulave, sendet e  sekuestruara vulosen përsëri, duke vënë  pranë vulës  datën e  veprimit. 

Neni  217 
Kthimi i sendeve të sekuestruara   

1.  Kur  nuk  është  e  nevojshme  mbajtja  e  sekuestros  për  qëllime  prove,  sendet  e  sekuestruara  i kthehen  atij  që  i  takojnë  edhe  para  se  të  merret  vendimi  përfundimtar.  Kur  është  e  nevojshme,  organi procedues  urdhëron të sillen sendet e kthyera. 
2.  Gjykata  mund  të  disponojë  që  kthimi  i  sendeve  të  mos  bëhet  kur,  me  kërkesën  e  prokurorit  ose të paditësit civil,  duhet të  mbahet sekuestrimi për të siguruar padinë  civile. 
3.  Pasi  vendimi  merr  formë  të  prerë,  sendet  e  sekuestruara  i  kthehen  atij  që  i  takojnë,  përveç rasteve  kur  vendoset konfiskimi. 

Neni  218   
Rregullat  për  kthimin e sendeve të sekuestruara   

1. Gjykata vendos kthimin e  sendeve  të sekuestruara kur  nuk ka  dyshim për përkatësinë  e  tyre. 
2.  Kur  sendet  janë  sekuestruar  pranë  një  të  treti,  kthimi  nuk  mund  të  urdhërohet  në  dobi  të  të tjerëve, pa  u dëgjuar i treti  nga  gjykata. 
3.  Gjatë  hetimeve  paraprake,  kthimi  i  sendeve  të  sekuestruara  urdhërohet  nga  prokurori.  Kundër këtij urdhri të interesuarit  mund të bëjnë  ankim në gjykatë.

Neni  219   
Disponimet në  rast moskthimi   

1.  Pas  një  viti  nga  dita  që vendimi  ka  marrë  formë  të  prerë,  në  qoftë  se  kërkesa  e  kthimit  nuk  është paraqitur  ose  nuk  është  pranuar,  gjykata  që  ka  dhënë  vendimin  urdhëron  që  paratë  dhe  letrat  me  vlerë të  depozitohen  në  bankë,  në  një  llogari  të  veçantë.  Për  sendet  urdhërohet  shitja  e  tyre,  por  kur  ato  kanë interes  shkencor  ose vlera arti, u kalohen institucioneve përkatëse. 
2.  Shitja  mund  të  urdhërohet  edhe  para  afatit  të  treguar  në  paragrafin  1,  kur  sendet  nuk  mund  të ruhen pa  rrezik prishjeje  ose pa  shpenzime të  mëdha.
3. Shuma  e  fituar nga  shitja  derdhet në bankë,  në llogari të veçantë.

Neni  220   
Shpenzimet për  sendet  e sekuestruara   

1.  Shpenzimet  që  nevojiten  për  ruajtjen  e  sendeve  të  sekuestruara  përballohen  nga  shteti,  i  cili  ka preferenca  ndaj çdo  kreditori tjetër për shumat e depozituara  nga  sendet dhe  vlerat e pakthyera. 

Seksioni IV Përgjimet

(Ndryshuar titulli me ligjin nr.9187, datë 12.2.2004)

Neni  221   
Kufijtë e lejimit 
(Ndryshuar me ligjin  nr.9187, datë 12.2.2004)    

1. Përgjimi i komunikimeve të  një  personi ose të  një  numri telefoni me  telefon, faks, kompjuter ose me  mjete  të  tjera  të  çdo  lloji,  përgjimi  i  fshehtë  me  mjete  teknike  i  bisedave  në  vende  private,  përgjimi me  audio  dhe  video  në  vende  private  dhe  regjistrimi  i  numrave  të  telefonit,  hyrës  dhe  dalës,  lejohen vetëm kur procedohet: 

a)  për  krimet  e  kryera  me  dashje,  për  të  cilat  parashikohet  dënim  me  burgim  jo  më  pak,  në maksimum, se shtatë vjet; 
b) për kundërvajtjet penale të  fyerjes  e  të kanosjes, të kryera  me mjete të  telekomunikimit. 

2.  Përgjimi  i  fshehtë  fotografik,  filmik  ose  me  video  i  personave  në  vende  publike  dhe  përdorimi  i pajisjeve  gjurmuese  të  vendndodhjes  lejohen  vetëm  kur  procedohet  për  krime  të  kryera  me  dashje,  për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak,  në  maksimum, se dy  vjet. 
3. Përgjimi mund të urdhërohet kundër: 

a) të dyshuarit  për  kryerjen e një vepre penale; 
b) personit që dyshohet se  merr  ose transmeton komunikime  nga  i dyshuari; 
c) personit që merr  pjesë në  transanksione  me të dyshuarin; 
ç)  personit,  vëzhgimi  i  të  cilit  mund  të  çojë  në  zbulimin  e  vendndodhjes  ose  të  identitetit  të  të dyshuarit. 

4. Rezultati i përgjimit është i vlefshëm për të gjithë  komunikuesit. 
5.  Përgjimi  parandalues  rregullohet  me  ligj  të  veçantë.  Rezultatet  e  tij  nuk  mund  të  përdoren  si provë. 

Neni  222 
Vendimi për  lejimin  e përgjimit 
(Shtuar paragrafi  I  dhe pika  III  me ligjin  nr.8813,datë 13.6.2002) 
(Shtuar  paragrafi II  dhe III  në pikën 1  dhe paragrafi i  II  në pikën 3,  me ligjin  nr.9187,  datë 12.2.2004)
 

1.  Me  kërkesën  e  prokurorit  ose  të  të  dëmtuarit  akuzues,  gjykata  autorizon  përgjimin  me  vendim të  motivuar  për  rastet  e  lejuara  me  ligj,  kur  ai  është  i domosdoshëm  për  vazhdimin  e  hetimeve  të  filluara dhe  kur  ka  prova  të  mjaftueshme  për  vërtetimin  e  akuzës.  Kundër  vendimit  të  gjykatës  që  refuzon kërkesën mund të bëhet ankim i veçantë. Përgjimi  në  vende  publike,  regjistrimi  i  numrave  të  telefonit,  hyrës  dhe  dalës,  si  dhe  përdorimi  i pajisjeve  gjurmuese të  vendndodhjes  autorizohen nga  prokurori. Kur  njëri  nga  dy  personat  që  do  të  përgjohen  është  i  gatshëm  të  kryejë  dhe  të  regjistrojë  veprimin përkatës,  sipas  marrëveshjes  me  oficerin  e  policisë  gjyqësore,  veprimi  është  i  lejuar  me  autorizim  të prokurorit. 
2.  Kur  ka  arsye  të  bazuara  për  të  menduar  se  nga  vonesa  mund  t’i  vijë  një  dëm  i  rëndë  hetimeve, prokurori  vendos  përgjimin  me  akt  të  motivuar  dhe  njofton  gjykatën  menjëherë,  por  jo  më  vonë  se njëzet  e  katër  orë.  Gjykata  brenda  dyzet  e  tetë  orëve  nga  vendimi  i  prokurorit  bën  vleftësimin  me vendim  të  arsyetuar.  Kur  vleftësimi  nuk  bëhet  në  afatin  e  caktuar,  përgjimi  nuk  mund  të  vazhdojë  dhe rezultatet e tij nuk mund të përdoren. 
3.  Vendimi  për  përgjimin  tregon  mënyrën  e  kryerjes  dhe  kohëzgjatjen  e  veprimeve,  e  cila  nuk mund  t’i  kalojë  pesëmbëdhjetë  ditët.  Ky  afat,  me  kërkesë  të  prokurorit,  mund  të  zgjatet  nga  gjykata  sa herë  është  e  nevojshme,  për  një  periudhë  prej  20  ditësh  kur  procedohet  për  krime  dhe  40  ditësh  kur procedohet për krime të  rënda. Në  vendimin  e  gjykatës  për  përgjimin  e  fshehtë,  fotografik  ose  me  video,  ose  për  përgjimin  e bisedave  në vende  private  mund të autorizohet oficeri i policisë gjyqësore ose  specialisti i kualifikuar për të  hyrë  në  këto  vende,  në  mënyrë  të  fshehtë,  duke  vepruar  në  përputhje  me  vendimin.  Ky  autorizim duhet të zbatohet brenda  15 ditëve. 
4. Për kryerjen e  përgjimit,  prokurori vepron vetë ose me  anën  e një oficeri të  policisë gjyqësore.
5. Në  regjistrin që mbahet në prokurori  shënohen  aktet që  urdhërojnë, autorizojnë, vleftësojnë  ose zgjasin përgjimet, si dhe  fillimin e mbarimin e  veprimeve të  çdo përgjimi. 

Neni  222/a   
Ankimi kundër  vendimit që pranon  përgjimin 
(Shtuar me  ligjin  nr.9187,  datë 12.2.2004) 

1.  Kundër  vendimit  që  pranon  përgjimin  mund  të  bëhet  ankim  brenda  10  ditëve  nga  i  interesuari që  ka  ardhur  në dijeni të përgjimit, për shkelje  të kritereve të  parashikuara në nenin 221. 
2.  Ankimi  shqyrtohet  nga  gjykata  e  apelit  ose  nga  Prokurori  i  Përgjithshëm  në  rast  se  autorizimi është  dhënë  nga  prokurori.  Kur  ankimi  gjendet  i  drejtë,  gjykata  e  apelit  ose  Prokurori  i  Përgjithshëm shfuqizojnë  aktin që  autorizon përgjimin dhe  urdhërojnë  fshirjen e  çdo materiali të marrë nga  përgjimi. 

Neni  223 
Veprimet e përgjimit 
(Ndryshuar pika  1  me ligjin  nr.8813,datë 13.6.2002)
(Shtuar paragrafi 1/1  me ligjin nr.9187,  datë 12.2.2004)  
 

1.  Veprimet  e  përgjimit  mund  të  kryhen  vetëm  me  anën  e  pajisjeve  të  instaluara  në  vende  të caktuara,  të  autorizuara e  të kontrollura  nga  prokurori i rrethit.
1/l.  Kur  njëri  nga  kushtet  e  përgjimit  nuk  ekziston  më,  oficeri  i  policisë  gjyqësore  njofton menjëherë  prokurorin,  i  cili  urdhëron  ndalimin  e  përgjimit  dhe  vë  në  dijeni  gjykatën,  kur  urdhri  është dhënë  nga  gjykata. 
2.  Komunikimet  e  përgjuara  regjistrohen  dhe  për  veprimet  e  kryera  mbahet  procesverbal.  Në procesverbal transkriptohet përmbajtja  e  komunikimeve të  përgjuara. 
3.  Procesverbalet  dhe  regjistrimet  i  dorëzohen  menjëherë  prokurorit  dhe  brenda  pesë  ditëve  nga mbarimi  i  veprimeve  ato  depozitohen  në  sekretari  bashkë  me  aktet  që  kanë  urdhëruar,  autorizuar, vleftësuar  dhe  zgjatur  përgjimin.  Kur  nga  depozitimi  mund  të  dëmtohen  hetimet,  gjykata  autorizon prokurorin që  ta shtyjë depozitimin deri në  përfundimin e  hetimeve  paraprake. 
4.  Mbrojtësit  dhe  përfaqësuesit  e  palëve  lajmërohen  menjëherë  për  depozitimin  në  sekretari  dhe për  të  drejtën  që  kanë  për  të  shqyrtuar  aktet  e  për  të  dëgjuar  regjistrimet.  Gjykata,  pasi  dëgjon prokurorin  dhe  mbrojtësit,  vendos  për  heqjen  e  regjistrimeve  dhe  të  procesverbaleve,  përdorimi  i  të cilave  ndalohet. 
5.  Gjykata  urdhëron  transkriptimin  e  plotë  të  regjistrimeve  që  duhen  marrë.  Transkriptimet  futen në  fashikullin e  gjykimit.  Mbrojtësit mund të nxjerrin kopje të  transkriptimeve. 

Neni  224 
Ruajtja e dokumentacionit 
(Shtuar pika  2 me ligjin  nr.9187,  datë 12.2.2004) 

1.  Procesverbalet  dhe  regjistrimet  ruhen  pranë  prokurorisë  që  ka  urdhëruar  përgjimin  derisa vendimi  të  marrë  formë  të  prerë,  me  përjashtim  të  atyre  që  ndalohet  përdorimi.  Por,  kur  ky dokumentacion  nuk  është  i  nevojshëm,  të  interesuarit  mund  të  kërkojnë  asgjësimin  e  tij.  Mbi  këtë kërkesë  vendos  gjykata  që  ka  bërë  vleftësimin  e  përgjimit.  Asgjësimi  bëhet  nën  kontrollin  e  gjyqtarit  dhe për veprimin mbahet procesverbal. 
2.  Kur  prokurori  vendos  pushimin  e  çështjes,  duhet  të  njoftojë  për  këtë  vendim,  me  shkrim, gjykatën.  Gjykata  vendos  për  asgjësimin  e  procesverbaleve  dhe  regjistrimeve  në  afatin  e  caktuar  prej  saj dhe  vë  në  dijeni  personin  e  përgjuar.  Me  kërkesë  të  prokurorit,  ky  njoftim  mund  të  mos  bëhet  në  rastet kur ka  rrezik për jetën ose  shëndetin e  të tjerëve, ose  kur vihet në  rrezik një  hetim i nisur. 

Neni  225 
Përdorimi i  rezultateve të përgjimit  në procedimet e tjera
(Ndryshuar me ligjin  nr.8813,datë  13.6.2002) 

1.  Rezultatet  e  përgjimit  mund  të  përdoren  në  procedime  të  tjera  vetëm  kur  janë  të  domosdoshme për  hetimin  e  krimeve.  Në  këto  raste,  procesverbalet  dhe  regjistrimet  e  përgjimeve  depozitohen  pranë organit tjetër që procedon. 

Neni  226 
Ndalimi i  përdorimit 

1.  Rezultatet  e  përgjimit  nuk  mund  të  përdoren  kur  janë  bërë  jashtë  rasteve  të  lejuara  nga  ligji  ose kur nuk janë  respektuar dispozitat e këtij  seksioni. 
2.  Nuk  mund  të  përdoren përgjimet  e  bisedave  ose  të  komunikimeve  të  atyre  që  janë  të  detyruar të ruajnë  sekretin  për  shkak  të  profesionit  apo  detyrës,  me  përjashtim  të  rasteve  kur  këta  persona  kanë deponuar mbi të njëjtat fakte ose i  kanë  përhapur në  ndonjë  mënyrë tjetër. 
3.  Gjykata  urdhëron  asgjësimin  e  dokumentacionit  të  përgjimeve  që  ndalohet  të  përdoren,  me përjashtim të rasteve  kur përbëjnë  provë materiale. 

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!