STUDENTI I SË DREJTËS “ne jemi nën kushtetutën, por kushtetuta është ajo çfarë gjyqtarët thonë se është”. (charles evans hughes)
STUDENTI I SË DREJTËS

Kreu II Kompetencat

Seksioni I Kompetenca lëndore

Neni  74
Kompetencat e gjykatës së rrethit  gjyqësor
(Ndryshuar me ligjin  nr.8813, datë 13.6.2002)
(Ndryshuar me ligjin  nr.9911, datë 5.5.2008)

1.  Gjykata  e  rrethit  gjyqësor  është  kompetente  për  gjykimin  e  veprave  penale,  përveç  atyre  që  i përkasin kompetencës së  gjykatës  për krime të rënda  dhe Gjykatës  së Lartë.

Neni  75
Kompetencat e gjykatës ushtarake
(Ndryshuar me ligjin  nr.8813, datë 13.6.2002)
(Shfuqizuar me ligjin nr.9911, datë 5.5.2008)

Neni  75/a
Kompetencat e gjykatës për krime të rënda
(Shtuar me ligjin  nr.8813,  datë 13.6.2002)
(Ndryshuar me ligjin  nr.9276, datë 16.9.2004)
(Ndryshuar me ligjin  nr.9911, datë 5.5.2008)
(Ndryshuar me  ligjin  nr.145,  datë 2.5.2013)
(Ndryshuar me ligjin  nr. 21, datë 10.3.2014)
(Ndryshuar me ligjin  nr. 99, datë 31.7.2014)

Gjykata  e  krimeve  të  rënda  gjykon  krimet  e  parashikuara  nga  nenet  73,  74,  75,  78/a,  79,  shkronja “ç”,  79/a,  79/b,  79/c,  109,  109/b,  110/a,  111,  128/b,  219,  220,  221,  230,  230/a,  230/b,  231,  232,  233, 234,  234/a,  234/b,  245,  260,  265/a,  265/b,  265/c, 278/a,  282/a,  283/a,  284/a,  287/a,  319,  319/ç,  333, 333/a  dhe 334 të Kodit Penal, duke përfshirë edhe rastet kur  ato janë  kryer nga  të miturit.

Neni  75/b
(Shtuar me ligjin  nr.8813,  datë 13.6.2002)

1.  Gjykata  e  Lartë  shqyrton  rekurset  për  shkelje  të  ligjit  dhe  kërkesat  për  rishikimin  e  vendimeve  të formës  së prerë.
2.  Gjykata  e  Lartë  gjykon  në  shkallë  të  parë,  me  trup  gjykues  të  përbërë  nga  5  gjyqtarë  të  caktuar me  short,  veprat  penale  të  kryera  nga  Presidenti  i  Republikës,  deputetët,  Kryeministri  dhe  anëtarët  e Këshillit  të  Ministrave,  gjyqtarët  e  Gjykatës  Kushtetuese  dhe  gjyqtarët  e  Gjykatës  së  Lartë,  kur  këta  janë në  këto funksione  në kohën  e gjykimit.

Seksioni II Kompetenca tokësore

Neni  76
Rregulla të përgjithshme

1.  Kompetenca  tokësore  përcaktohet,  me  radhë,  nga  vendi  ku  është  kryer  ose  është  tentuar  të kryhet vepra  penale ose vendi  ku ka  ardhur  pasoja.
2.  Në  qoftë  se  vendi  i  treguar  në  paragrafin  1  nuk  dihet,  kompetenca  i  përket,  me  radhë,  gjykatës së vendqëndrimit  ose të  vendbanimit të të  pandehurit.
3.  Në  qoftë  se  as  kështu  nuk  mund  të  përcaktohet  kompetenca,  kjo  i  përket  gjykatës  së  vendit  ku ndodhet prokuroria  që ka  regjistruar e para veprën penale.
4. Rregullat e caktuara  në  paragrafët e mësipërm  zbatohen edhe gjatë hetimit  paraprak.

Neni  77
Kompetencat për  veprat  penale të kryera jashtë  shtetit

1.  Në  qoftë  se  vepra  është  kryer  tërësisht  jashtë  shtetit,  kompetenca  përcaktohet,  me  radhë,  nga vendi  i  qëndrimit,  i  banimit,  i  arrestimit  ose  i  dorëzimit  të  të  pandehurit.  Kur  ka  shumë  të  pandehur, procedon  gjykata  që është  kompetente për numrin më të  madh  të tyre.
2.  Në  qoftë  se  nuk  mund  të  përcaktohet  në  mënyrat  e  treguara  në  paragrafin  1  kompetenca  i përket gjykatës së vendit ku ndodhet prokuroria  që ka  regjistruar e para veprën  penale.
3.  Në  qoftë  se  vepra  penale  është  kryer  pjesërisht  jashtë  shtetit,  kompetenca  përcaktohet  në  bazë të rregullave  të përgjithshme të  kompetencës tokësore.

Neni  78
Kompetenca për  procedimin  e gjyqtarëve  dhe prokurorëve

1.  Procedimet,  në  të  cilat  një  gjyqtar  ose  prokuror  merr  cilësinë  e  të  pandehurit  ose  të  personit  të dëmtuar  nga  vepra  penale,  që  sipas  normave  të  këtij  kreu  do  të  ishin  në  kompetencën  e  një  gjykate  të rrethit,  ku  gjyqtari  ose  prokurori  ushtron  funksionet  e  tij  ose  i  ushtronte  në  momentin  e  ngjarjes,  janë në  kompetencën e  gjykatës  që ka  kompetencën lëndore dhe  ndodhet në qendrën e  një  rrethi tjetër më të afërt,  me  përjashtim  të  rasteve  kur  në  këtë  rreth  gjyqtari  ose  prokurori  ka  ardhur  më  pas  për  të  ushtruar funksionet  e  tij.  Në  rastin  e  fundit  është  kompetente  gjykata  e  një  rrethi  tjetër  më  të  afërt  me  atë,  në  të cilën gjyqtari ose prokurori ushtronte funksionet e tij  në  momentin e  kryerjes  së veprës penale.

Seksioni III Kompetenca për shkak të bashkimit të procedimeve të lidhura

Neni  79
Rastet e bashkimit  të procedimeve
(Ndryshuar me ligjin  nr.8813, datë 13.6.2002)

1.Organi procedues mund të vendosë bashkimin e  procedimeve:

a)  kur  vepra  penale  për  të cilën  zhvillohet  procedimi  është  kryer  nga  disa  persona  në  bashkëpunim ndërmjet tyre ose kur disa  persona  në mënyrë të pavarur  kanë  shkaktuar veprën;
b) kur  një  person akuzohet për disa  vepra  penale;
c)  kur  një  person  akuzohet  për  disa  vepra,  nga  të  cilat  një  pjesë  janë  kryer  për  të  realizuar  ose  për të mbuluar të tjerat ose për t’i siguruar fajtorit apo të  tjerëve përfitime të  paligjshme ose mosdënimin.

Neni  80
Bashkimi i  procedimeve  që janë në kompetencë të gjykatave të ndryshme
(Ndryshuar me ligjin  nr.8813, datë 13.6.2002)

1.  Në  rastet  e  procedimeve  të  lidhura  ndërmjet  tyre  dhe  që  nuk  mund  të  ndahen,  nga  të  cilat  një ose  disa  janë  kompetencë  e  gjykatës  për  krimet  e  rënda  dhe  procedurat    e  tjera  në  kompetencë  të gjykatave të  tjera  të shkallës së parë, kompetente është gjykata  e  krimeve  të rënda.
2.  Në  rastet  e  procedimeve  të  lidhura  ndërmjet  tyre  dhe  që  nuk  mund  të  ndahen,  nga  të  cilat  një ose  disa  janë  në  kompetencë  të  gjykatave  të  shkallës  së  parë  dhe  të  tjerat  në  kompetencë  të  Gjykatës  së Lartë,  kompetente është kjo e  fundit.

Neni  81
Kufijtë e bashkimit  në rastin e veprave  penale të kryera nga të miturit

1.  Kur  disa  nga  procedimet  e  lidhura  ndërmjet  tyre  i  përkasin  kompetencës  së  gjykatës  së zakonshme  dhe  të  tjerat  gjykatës  që  shqyrton  çështjet  me  të  mitur,  kompetente  për  të  gjitha  procedimet është kjo e  fundit, përveç  rasteve  kur gjykata  çmon se ato duhen veçuar.
2. Kur i pandehuri në  kohën e gjykimit është madhor, por  një  ose disa  vepra  i  ka  kryer kur  ka  qenë i mitur, çështja  gjykohet nga  gjykata që  shqyrton çështjet me të mitur.

Neni  82
Kompetenca tokësore e  përcaktuar  nga lidhja e  procedimeve

1.  Kompetenca  tokësore  për  procedimet  e  lidhura,  për  të  cilat  disa  gjykata  kanë  të  njëjtën kompetencë  lëndore,  i  përket  gjykatës  kompetente  për  veprën  penale  më  të  rëndë  dhe  në  rast  se  veprat janë  njëlloj  të rënda, gjykatës  kompetente për veprën që është regjistruar e para.
2. Krimet  konsiderohen  më  të  rënda  se  kundërvajtjet.  Ndërmjet  krimeve  ose  ndërmjet kundërvajtjeve  konsiderohet  më  e  rëndë  vepra  penale  për  të  cilën  parashikohet  dënim  maksimal  më  i lartë  ose,  kur  maksimumet  janë  të  barabarta,  dënimi  minimal  më  i  lartë.  Në  qoftë  se  parashikohen dënime  me  burgim  dhe  me  gjobë,  dënimi  me  gjobë  merret  parasysh  vetëm  atëherë  kur  dënimet  me burgim janë  të barabarta. 

Seksioni IV Disponimet për shkak të moskompetencës

Neni  83
Moskompetenca

1. Moskompetenca  lëndore ngrihet, edhe  kryesisht, në çdo gjendje e  shkallë të  procesit.
2.  Moskompetenca  tokësore  dhe  ajo  që  rrjedh  nga  bashkimi  i  procedimeve  për  shkak  lidhje,  mund të ngrihet ose të  kundërshtohet, vetëm para se të  ketë  filluar shqyrtimi gjyqësor.

Neni  84
Moskompetenca e shpallur  gjatë hetimeve  paraprake

1.  Kur  gjatë  hetimeve  paraprake  ose  në  përfundim  të    tyre  prokurori  konstaton  moskompetencën e vet për çdo lloj shkaku vendos dërgimin e  akteve prokurorit pranë  gjykatës  kompetente.

Neni  85
Moskompetenca e shpallur  në gjykimin  e shkallës  së parë

1.  Në  qoftë  se  në  gjykimin  e  shkallës  së  parë  gjykata  çmon  se  procedimi  është  në  kompetencën  e një  gjykate  tjetër,  shpall  me  vendim  moskompetencën  e  vet  për  çdo  lloj  shkaku  dhe  urdhëron  dërgimin e akteve  gjykatës  kompetente.

Neni  86
Vendimi i gjykatës së apelit  dhe Gjykatës  së Lartë mbi  kompetencën

1.  Gjykata  e  apelit,  kur  konstaton  se    gjykata  e  shkallës  së  parë  nuk  ka  qenë  kompetente,  prish vendimin e  apeluar dhe e  dërgon çështjen në  gjykatën kompetente.
2.Vendimi  i  Gjykatës  së  Lartë  mbi  kompetencën  është  i  detyrueshëm,  përveç  rasteve  kur  dalin fakte  të  reja  që  çojnë  në  një  përcaktim  të  ndryshëm  juridik,  nga  i  cili  bëhet  kompetente  një  gjykatë  më  e lartë.

Neni  87
Provat e marra nga  gjykata jokompetente

1. Mosrespektimi i dispozitave mbi kompetencën nuk sjell pavlefshmërinë  e  provave  të marra.
2.  Deklarimet  e  bëra  para  gjykatës  që  nuk  ka  pasur  kompetencë  lëndore,  në  qoftë  se  përsëriten, mund të përdoren vetëm  për kundërshtim të përmbajtjes së deponimit.

Neni  88
Masat e sigurimit  të vendosura nga gjykata jokompetente

1.  Masat  e  sigurimit  të  vendosura  nga  gjykata,  e  cila  në  të  njëjtën  kohë  ose  më  vonë  shpallet jokompetente  për  çdo  lloj  shkaku,  i  humbasin  efektet,  në  qoftë  se  brenda  dhjetë  ditëve  nga  marrja  e akteve,  gjykata  kompetente nuk  vendos  për masën e  sigurimit. 

Seksioni V Mosmarrëveshjet për kompetencat

Neni  89
Rastet e mosmarrëveshjeve

1.  Ka  mosmarrëveshje,  në  çdo  gjendje  a  shkallë  të  procedimit,  kur  dy  a  më  shumë  gjykata  në  të njëjtën  kohë  marrin  ose  nuk  pranojnë  të  marrin  për  shqyrtim  të  njëjtën  akuzë,  që  i  atribuohet  të  njëjtit person.
2. Mosmarrëveshjet në fazën e  hetimit paraprak  zgjidhen  nga  prokurori më i  lartë.
3.  Gjatë  hetimeve  paraprake  nuk  mund  të  parashtrohet  mosmarrëveshja  e  bazuar  në  arsyet  e kompetencës territoriale  për shkak lidhjeje  të procedimeve.

Neni  90
Parashtrimi i  mosmarrëveshjes

1. Mosmarrëveshja  mund  të  parashtrohet  nga  prokurori  pranë  njërës  prej  gjykatave  në mosmarrëveshje  ose  nga  i  pandehuri  dhe  palët  private.  Parashtrimi  paraqitet  në  sekretarinë  e  njërës  prej gjykatave  në  mosmarrëveshje,  me  kërkesë  të  shkruar  e  të  motivuar,  të  cilës  i  bashkohet  dokumentacioni i nevojshëm.
2.  Gjykata  që  ngre  çështjen  e  mosmarrëveshjes  merr  vendim,  me  të  cilin  i  paraqet  Gjykatës  së Lartë kopjen e akteve  të nevojshme për zgjidhjen  e saj,  duke  treguar palët dhe  mbrojtësit.
3. Gjykata që ka  dhënë vendimin, njofton menjëherë gjykatën në  mosmarrëveshje.

Neni  91
Zgjidhja e mosmarrëveshjes

1.  Mosmarrëveshjet  zgjidhen  nga  Gjykata  e  Lartë  me  vendim.  Gjykata  merr  të  dhënat,  aktet  dhe dokumentet që i  çmon të  nevojshme.
2.  Vendimi  u  komunikohet  menjëherë  gjykatave  në  mosmarrëveshje,  prokurorive  përkatëse,  të pandehurit dhe palëve private.

Seksioni VI Bashkimi dhe ndarja e çështjeve

Neni  92
Bashkimi i çështjeve

1.  Bashkimi  i  çështjeve  që  qëndrojnë  në  të  njëjtën  gjendje  dhe  shkallë  para  të  njëjtës  gjykatë  mund të vendoset, kur  nuk dëmtohet shpejtësia  e  zgjidhjes së tyre:

a) në rastet e  parashikuara  nga  neni  79;
b)  në rastet e veprave  penale  të kryera nga  disa  persona  në dëm të njëri-tjetrit; 
c)    në  rastet,  kur  prova  e  një  vepre  penale  ose  e  një  rrethane  të  saj  ndikon  mbi  provën  e  një  vepre penale  tjetër ose të  një  rrethane  të saj.

Neni  93
Ndarja e çështjeve

1.  Ndarja  e  çështjeve  vendoset,  edhe  kryesisht,  vetëm  kur  nuk  dëmtohet  vërtetimi  i  fakteve,  në këto raste:
a)  kur  për  një  a  më  shumë  të  pandehur  ose  për  një  a  më  shumë  akuza  është  vendosur  pezullimi  i procedimit;
b)  kur  një  a  më  shumë  të  pandehur  nuk  janë  paraqitur  në  gjyq  për  shkak  të  pavlefshmërisë  së  aktit të thirrjes, të padijenisë pa  faj për aktin e  thirrjes  ose për shkak të pengesave  të  ligjshme;
c)  kur  një  a  më  shumë  mbrojtës  nuk  janë  paraqitur  në  gjyq    për  shkak  të  moslajmërimit  ose  për shkak të pengesave të  ligjshme;
ç)  kur  për  një  a  më  shumë  të  pandehur  ose  për  një  a  më  shumë  akuza  hetimi  gjyqësor  është  i plotë,  kurse për të pandehurit e tjerë ose për akuzat  e tjera është e  nevojshme të  kryhen veprime të  tjera.

2.  Përveç  rasteve  të  parashikuara  nga  paragrafi  1  ndarja  mund  të  vendoset  edhe  me  marrëveshje  të palëve, kur  gjykata  e  çmon të dobishme për qëllimet e shpejtësisë së gjykimit.

Seksioni VII Transferimi i çështjes

Neni  94
Shkaqet  e transferimit
(Ndryshuar me ligjin  nr.8813, datë 13.6.2002)

1.  Në  çdo  gjendje  dhe  shkallë  të  gjykimit,  kur  siguria  publike  ose  liria  e  vullnetit  të  personave  që marrin  pjesë  në  proces  cenohen  nga  situata  të  rënda  lokale,  të  cilat  mund  të  dëmtojnë  zhvillimin  e gjykimit  dhe  që  nuk  mund  të  mënjanohen  në  mënyra  të  tjera,  Gjykata  e  Lartë,  mbi  kërkesën  e  motivuar të prokurorit pranë  gjykatës  që procedon  ose të  të pandehurit, ia  transferon çështjen një gjykate tjetër.

Neni  95
Kërkesa  e transferimit

1.  Kërkesa  e  transferimit  depozitohet,  bashkë  me  dokumentet  që  lidhen  me  të,  në  sekretarinë  e gjykatës  kompetente dhe  u njoftohet brenda  shtatë  ditëve palëve të  tjera.
2. Kërkesa  e  të  pandehurit nënshkruhet personalisht  ose nga  një  përfaqësues  i  tij i posaçëm.
3.  Gjykata  ia  dërgon  menjëherë  Gjykatës  së  Lartë  kërkesën  bashkë  me  dokumentet  dhe  vërejtjet eventuale.
4.  Mosrespektimi  i  formave  dhe  i  afateve  të  parashikuara  nga  paragrafët  1  dhe  2  është  shkak  për mospranimin e  kërkesës.

Neni  96
Pasojat  e kërkesës

1.  Paraqitja  e  kërkesës  së  transferimit  nuk  pezullon  gjykimin,  por  gjykata  nuk  mund  të  përfundojë çështjen derisa  të mos  jetë  vendosur  për pranimin ose rrëzimin e   kërkesës.
2.  Gjykata  e  Lartë  mund  të  vendosë  pezullimin  e  gjykimit.  Pezullimi  nuk  pengon  kryerjen  e veprimeve të  ngutshme.

Neni  97
Vendimi mbi  kërkesën  e transferimit

1.  Gjykata  e  Lartë,  pasi  merr  të  dhënat  e  nevojshme,  vendos  në  dhomën  e  këshillimit,  pa pjesëmarrjen e palëve.
2.  Vendimi  që  pranon  kërkesën  i  njoftohet  gjykatës  që  procedonte  dhe  asaj  që  i  është  caktuar  për ta  gjykuar.  Gjykata  që  procedonte  ia  kalon  menjëherë  aktet  gjykatës  që  është  caktuar  dhe  urdhëron  që vendimi i Gjykatës së Lartë t’u njoftohet prokurorit,  të pandehurit dhe palëve  private.
3.  Gjykata  e  caktuar  nga  Gjykata  e  Lartë  deklaron  me  vendim  nëse  dhe  në  ç’pjesë  veprimet  e kryera i ruajnë  efektet. 

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!