Kreu I Juridiksioni

Neni  69 Juridiksioni  penal

  1. Juridiksioni penal ushtrohet nga  gjykatat penale  sipas  rregullave  të caktuara  në  këtë Kod.
  2. Gjykata penale  shqyrton  gjithçka  që  është e  nevojshme për marrjen e vendimit dhe vendos  sipas rregullave  të caktuara  me  ligj.

Neni  70 Efektet e vendimit  penal për  gjykimin civil dhe  administrativ

  1. Vendimi  penal  i  formës  së  prerë  është  i  detyrueshëm  për  gjykatën  që  shqyrton  pasojat  civile  të veprës vetëm përsa  i përket faktit nëse vepra  penale  është kryer dhe nëse është kryer nga  i gjykuari.
  2. Vendimi  penal  që  zgjidh  rastësisht  një  fakt  që  lidhet  me  një  çështje  civile,  administrative  ose penale  nuk ka  efekt detyrues në asnjë  proces  tjetër.

Neni  71 Pasojat  e procedimit  civil dhe  administrativ për  atë penal

  1. Vendimi  civil  i  formës  së  prerë  është  i  detyrueshëm  për  gjykatën  që  gjykon  çështjen  penale vetëm përsa  i përket faktit  nëse vepra  ka  ndodhur  ose jo, por jo për  fajësinë  e  të pandehurit.
  2. Kur  vendimi  penal  varet  nga  zgjidhja  e  një  mosmarrëveshje  mbi  gjendjen  familjare  ose  mbi shtetësinë,  për  të  cilën  ka  filluar  një  procedim  pranë  gjykatës  kompetente,  gjykata  penale  mund  të vendosë,  edhe  kryesisht,  pezullimin  e  shqyrtimit  gjyqësor  derisa  mosmarrëveshja  të  zgjidhet  me  vendim të formës  së prerë. Pezullimi nuk pengon kryerjen e  veprimeve të  ngutshme.

Neni  72 Mungesa  e juridiksionit

  1. Mungesa  e  juridiksionit  ngrihet,  edhe  kryesisht,  në  çdo  gjendje  dhe  shkallë  të  gjykimit.  Gjykata jep vendim dhe  urdhëron,  kur është rasti, dërgimin e  akteve organit kompetent.
  2. Kur  mungesa  e  juridiksionit  ngrihet  gjatë  hetimeve  paraprake  prokurori  që  procedon  vendos dërgimin e  akteve gjykatës  kompetente për të vendosur.

Neni  73 Mosmarrëveshjet për  juridiksionin

1.  Kur  ka  mosmarrëveshje  për  juridiksionin,  gjykata  që  e  ngre  atë  merr  vendim,  të  cilin  bashkë  me kopjen  e  akteve  të  nevojshme  për  zgjidhjen  e  saj  ia  dërgon  Gjykatës  së  Lartë,  duke  treguar  palët  dhe mbrojtësit.
2. Zbatohen dispozitat e seksionit IV  të kreut II  të këtij titulli. 

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!