Kreu V Mbrojtësi i të pandehurit

Neni  48  Mbrojtësi i zgjedhur  nga i pandehuri

1. I pandehuri ka  të drejtë  të zgjedhë  jo më  shumë se dy  mbrojtës.
2.  Zgjedhja  bëhet  me  deklarim  të  bërë  para  organit  procedues  ose  me  akt  të  dhënë  mbrojtësit  ose të dërguar atij rekomande.
3.  Zgjedhja  e  mbrojtësit  për  personin  e  ndaluar,  të  arrestuar  ose  të  dënuar  me  burgim,  derisa  ky person  nuk  e  ka  bërë  vetë  zgjedhjen,  mund  të  bëhet  nga  një  i  afërm  i  tij,  në  format  e  parashikuara  nga paragrafi 2.

Neni  49 Mbrojtësi i caktuar

1.  I  pandehuri  që  nuk  ka  zgjedhur  mbrojtës  ose  që  ka  mbetur  pa  të,  ndihmohet  nga  një  mbrojtës  i caktuar nga  organi që  procedon, në  qoftë se e  kërkon atë.
2.  Kur  i  pandehuri  është  nën  moshën  tetëmbëdhjetë  vjeç  ose  me  të  meta  fizike  a  psikike  që  e pengojnë  për të realizuar  vetë të drejtën e  mbrojtjes, ndihma  nga  një  mbrojtës  është e  detyrueshme.
3.  Këshilli  drejtues  i  dhomës  së  avokatëve  vë  në  dispozicion  të  autoriteteve  proceduese  listat  e avokatëve dhe  vendos  kriteret për caktimin e  tyre.
4.  Gjykata,  prokurori  dhe  policia  gjyqësore,  kur  duhet  të  kryejnë  një  veprim  për  të  cilin parashikohet  ndihma  e  mbrojtësit  dhe  kur  i  pandehuri  është  pa  mbrojtës,  njoftojnë  për  këtë  veprim mbrojtësin e  caktuar.
5.  Kur  kërkohet  prania  e  mbrojtësit  dhe  mbrojtësi  i  zgjedhur  ose  i  caktuar  nuk  është  siguruar,  nuk është paraqitur  ose e  ka  lënë  mbrojtjen, gjykata ose prokurori   cakton si zëvendësues  një  mbrojtës  tjetër, i cili ushtron të  drejtat dhe  merr  përsipër detyrimet e mbrojtësit.
6.  Mbrojtësi  i  caktuar  mund  të  zëvendësohet  vetëm  për  shkaqe  të  përligjura.  Ai  i  pushon funksionet kur  i pandehuri zgjedh mbrojtësin e  tij. 7.  Kur  i  pandehuri  nuk  ka  mjete  të  mjaftueshme,  shpenzimet  e  bëra  për  mbrojtjen  paguhen  nga shteti.

Neni  50 Shtrirja e të  drejtave të të pandehurit te mbrojtësi

1.  Mbrojtësi  ka  të  drejtat  që  ligji  i  njeh  të  pandehurit,  përveç  atyre  që  i  rezervohen  personalisht këtij të fundit.
2.  Mbrojtësi  ka  të  drejtë  të  komunikojë  lirisht  dhe  vetëm  për  vetëm  me  të  ndaluarin,  të  arrestuarin apo  të  dënuarin,  të  njoftohet  paraprakisht  për  kryerjen  e  veprimeve  hetimore  ku  është  i  pranishëm  i pandehuri  dhe  të  marrë  pjesë  në  to,  t’u  drejtojë  pyetje  të  pandehurit,  dëshmitarëve  dhe  ekspertëve,  të njihet me të  gjithë materialin e  çështjes  në përfundim të hetimeve.
3. I pandehuri mund  të zhvleftësojë, me deklarim  të shprehur, veprimin  e  kryer nga  mbrojtësi  para se të  jetë marrë një vendim nga  gjykata lidhur me këtë  veprim.

Neni 51 Zëvendësuesi i mbrojtësit

1.  Mbrojtësi,  në  rastin  e  pengesës  dhe  për  aq  kohë  sa  zgjat ajo,  me  pëlqimin  e të  pandehurit,  mund të caktojë  një zëvendësues.
2. Zëvendësuesi ushtron të drejtat dhe  merr  përsipër detyrimet e mbrojtësit.

Neni  52 Garancitë  për  mbrojtësin

1. Këqyrjet dhe kontrollimet në zyrën e  mbrojtësit  lejohen vetëm:

a  -  kur  ai  ose  persona  të  tjerë  që  zhvillojnë  vazhdimisht  veprimtari  në  të  njëjtën  zyrë  janë  të pandehur dhe vetëm brenda  qëllimeve për të provuar veprën penale që  u atribuohet;
b  -  për të zbuluar gjurmët ose provat materiale të  veprës penale  ose për të kërkuar sende  a  persona të përcaktuar në  mënyrë të posaçme.

2.  Para  se  të  bëjë  këqyrjen,  kontrollimin  ose  sekuestrimin  në  zyrën  e  një  mbrojtësi,  organi procedues  njofton  këshillin  drejtues  të  dhomës  së  avokatëve  me  qëllim  që  një  anëtar  i  tij  të  ketë mundësinë  që  të  jetë  i  pranishëm  në  veprimet.  Në  çdo  rast  një  kopje  e  aktit  i  dërgohet  këshillit  drejtues të dhomës  së avokatëve.
3.  Këqyrjet,  kontrollimet  dhe  sekuestrimet  në  zyrat  e  mbrojtësve  i  bën  gjyqtari  personalisht,  kurse gjatë hetimeve  paraprake  ato i bën prokurori në  bazë të  një  vendimi  autorizues  të gjykatës.
4.  Nuk  lejohet  përgjimi  i  bisedimeve  ose  i  komunikimit  të  mbrojtësve  dhe  të  asistentëve  të  tyre,  as ndërmjet  njëri-tjetrit  dhe as  me personat që ata mbrojnë.
5. Ndalohet çdo formë kontrolli  e  korrespondencës ndërmjet të pandehurit dhe mbrojtësit të tij.
6.  Rezultatet  e  këqyrjeve,  të  kontrollimeve,  të  sekuestrimeve,  të  përgjimeve  të  bisedave  ose  të komunikimit,  të  kryera  në  shkelje  të  dispozitave  të  mësipërme,  përveç  paragrafit  2,  nuk  mund  të përdoren.

Neni  53 Biseda e mbrojtësit  me  të pandehurin  e paraburgosur

1.  Personi  i  arrestuar  në  flagrancë  ose  i  ndaluar  ka  të  drejtë  të  flasë  me  mbrojtësin  menjëherë  pas arrestimit ose ndalimit.
2.  I  pandehuri  i  paraburgosur  ka  të  drejtë  të  flasë  me  mbrojtësin  e  tij  që  në  momentin  e ekzekutimit të masës së sigurimit.

Neni  54 Mbrojtja e disa  të pandehurve  nga një mbrojtës

1.  Mbrojtja  e  disa  të  pandehurve  mund  të  merret  përsipër  nga  një  mbrojtës  i  përbashkët,  me  kusht që  midis  të pandehurve  të  mos  ketë papajtueshmëri interesash.
2.  Organi  procedues  kur  konstaton  papajtueshmërinë  e  interesave  të  të  pandehurve  e  deklaron  atë me vendim dhe bën  zëvendësimet e  nevojshme.

Neni 55 Mospranimi, dorëheqja  ose revokimi i mbrojtësit

1.  Mbrojtësi  që  nuk  pranon  detyrën  që  i  është  besuar  ose  që  heq  dorë  prej  saj  njofton  menjëherë organin procedues dhe atë  që e  ka   caktuar.
2. Mospranimi ka  efekt që  nga  çasti kur  i komunikohet organit procedues.
3.  Dorëheqja  nuk  ka  efekt  derisa  pala  të  ndihmohet  me  një  mbrojtës  të  besuar  të  ri  ose  me  një mbrojtës  të  caktuar  kryesisht  dhe  të  ketë  mbaruar  afati  që  mund  t’i  jetë  dhënë  mbrojtësit  zëvendësues për t’u njohur me aktet dhe provat.
4. Dispozita  e paragrafit  3  zbatohet edhe  në rastin e revokimit.
5.  Heqja  dorë  e  përfaqësuesit  të  paditësit  dhe  të  të  paditurit  civil  nuk  pengon  në  asnjë  rast vazhdimin e  procedimit.

Neni  56 Përgjegjësia për  lënien  ose refuzimin  e mbrojtjes

1.  Organi  procedues  i  referon  këshillit  drejtues  të  dhomës  së  avokatëve  rastet e  lënies  së  mbrojtjes, të  refuzimit  të  mbrojtjes  dhe  të  shkeljes  nga  ana  e  mbrojtësve  të  detyrave  të  besnikërisë  dhe ndershmërisë.
2.  Këshilli  drejtues  i  dhomës  së  avokatëve  ka  të  drejtë  të  marrë  masa  disiplinore  në  rastin  e  lënies së mbrojtjes ose të  refuzimit të mbrojtjes të caktuar kryesisht.
3. Kur këshilli drejtues  i quan të përligjura  lënien ose refuzimin, për shkak të  shkeljes  së të  drejtave të  mbrojtjes,  masa  disiplinore  nuk  jepet  edhe  në  qoftë  se  shkelja  e  të  drejtave  të  mbrojtjes  nuk  është njohur nga  gjykata.

Neni  57 Afati për  mbrojtësin  zëvendësues

1.  Në  rastet  e  dorëheqjes,  të  revokimit  dhe  të  papajtueshmërisë  së  interesave  të  të  pandehurve, mbrojtësit  të  ri  të  të  pandehurit  ose  atij  që  është  caktuar  si  zëvendësues,  u  jepet  një  afat  i  përshtatshëm për t’u njohur me aktet dhe provat.

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!

Shto një koment

You're using an AdBlock like software. Disable it to allow submit.