Kreu IV I pandehuri

Neni  34 Marrja e cilësisë së të pandehurit

(Shtuar një paragraf në pikën  1, me ligjin  nr. 8460, datë 11.2.1999; shtuar pika  4 me ligjin  nr.8813,  datë 13.6.2002)

1.  Merr  cilësinë  e  të  pandehurit  personi  të  cilit  i  atribuohet  vepra  penale  me  aktin  e  njoftimit  të akuzës,  në  të  cilin  tregohen  të  dhënat  e  mjaftueshme  për  marrjen  si  të  pandehur.  Ky  akt  i  njoftohet  të   pandehurit dhe mbrojtësit  të tij. Kur  pas  marrjes  së  një  personi  si  të  pandehur  dalin  të  dhëna  të  reja  që  ndryshojnë  akuzën  e paraqitur  ose e  plotësojnë atë, prokurori merr  vendim, të cilin  ia  njofton të pandehurit.
2.  Cilësia  e  të  pandehurit  ruhet  në  çdo  gjendje  dhe  shkallë  të  procesit  derisa  të  ketë  marrë  formë  të prerë vendimi i pushimit, i pafajësisë ose i dënimit.
3.  Cilësia  e  të  pandehurit  rimerret  kur  prishet  vendimi  i  pushimit  ose  kur  vendoset  rishqyrtimi  i procesit.
4.  Dispozitat,  që  zbatohen  për  të  pandehurin,  zbatohen  edhe  për  personin  nën  hetim,  me përjashtim  të  rasteve  kur  ky  Kod  parashikon  ndryshe.  Ndaj  këtij  personi  shtrihen  edhe  të  drejtat  dhe garancitë që janë  parashikuar për të pandehurin.

Neni  35 Ndihma që i   jepet  të pandehurit të mitur

1.  Të  pandehurit  të  mitur  i  sigurohet  ndihmë  juridike  dhe  psikologjike,  në  çdo  gjendje  dhe  shkallë të  procedimit,  me  praninë  e  prindit  ose  të  personave  të  tjerë  të  kërkuar  nga  i  mituri  dhe  të  pranuar  nga autoriteti që  procedon.
2.  Organi  procedues  mund  të  kryejë  veprime  dhe  të  përpilojë  akte,  për  të  cilat  kërkohet pjesëmarrja  e  të  miturit,  pa  praninë  e  personave  të  treguar  në  paragrafin  1,  vetëm  kur  një  gjë  e  tillë  është në  interes  të  të  miturit  ose  kur  vonesa  mund  të  dëmtojë  rëndë  procedimin,  por  gjithmonë  në  praninë  e mbrojtësit.

Neni  36 Ndalimi i  përdorimit  si  dëshmi i deklarimeve  të të pandehurit

1. Deklarimet e  bëra  gjatë  procedimit nga  i pandehuri nuk mund të përdoren si dëshmi.

Neni  37 Deklarimet që tregojnë  vetëpërgjegjësi

1.  Kur  para  autoritetit  procedues  një  person,  që  nuk  është  marrë  si  i  pandehur,  bën  deklarime,  nga të  cilat  dalin  të  dhëna  për  inkriminim  në  ngarkim  të  tij,  autoriteti  procedues  ndërpret  pyetjen,  duke  e paralajmëruar  se  pas  këtyre  deklarimeve  mund  të  zhvillohen  hetime  ndaj  tij  dhe  e  fton  të  caktojë  një mbrojtës. Deklarimet e  mëparshme nuk  mund të shfrytëzohen kundër personit që i  ka  bërë.

Neni  37/a Bashkëpunimi me drejtësinë

(Shtuar me ligjin  nr.9276,  datë 16.9.2004, neni 3)

1.  Personi  nën  hetim  ose  i  pandehuri,  që akuzohet  për  një   krim  të  rëndë,  të  kryer  në  bashkëpunim, kur  bashkëpunon  me  prokurorin  dhe  gjykatën,  duhet  të  japë  informacion  të  plotë  dhe  pa  asnjë    rezervë ose  kusht  për  të  gjitha  faktet,  ngjarjet  dhe  rrethanat,  që  shërbejnë  si  prova  vendimtare  për  zbulimin, hetimin, gjykimin dhe parandalimin e  krimeve të  rënda  dhe riparimin e  dëmeve  të shkaktuara  prej tyre. Për dënimin e  tij zbatohen  rregullat e përcaktuara në  nenin 28 të  Kodit Penal.
2.  Kushtet  e  bashkëpunimit  caktohen  në  marrëveshjen  e  mbrojtjes,  të  hartuar  sipas  dispozitave  të posaçme  ligjore për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe  të  bashkëpunëtorëve  të drejtësisë.
3.  Kur  marrëveshja  e  bashkëpunimit  realizohet  gjatë  gjykimit,  gjykata  që  shqyrton  çështjen  vendos uljen  e  masës  së  dënimit  ose  përjashtimin  nga  dënimi,  sipas  nenit  28  të  Kodit  Penal.  Kur  bashkëpunimi realizohet  gjatë  ekzekutimit  të  vendimit  të  dënimit,  bashkëpunëtori  i  drejtësisë  mund  të  kërkojë  nga gjykata  që  e  ka  dënuar  ose  nga  ajo  e  vendit  të  ekzekutimit  ndryshimin  e  dënimit  të  dhënë.  Gjykata vendos  pasi merr  edhe mendimin e  prokurorit.
4.  Marrëveshja  e  bashkëpunimit  mund  të  revokohet  kur  bashkëpunëtori  i  drejtësisë  shkel  kushtet  e përcaktuara  ose bën deklarime të  rreme.

Neni  38 Rregulla të përgjithshme për  marrjen në pyetje

1.  I  pandehuri,  edhe  kur  është  me  masë  sigurimi  izoluese  ose  kur  i  është  hequr  liria  për  çdo  lloj shkaku  tjetër,  merret  në  pyetje  i  lirë,  përveç  rasteve  kur  duhen  marrë  masa  për  të  parandaluar  rrezikun  e ikjes  ose të  dhunës.
2.  Nuk  mund  të  përdoren,  as  me  pëlqimin  e  të  pandehurit,  metoda  ose  teknika  për  të  ndikuar  mbi lirinë e  vullnetit  ose për të  ndryshuar aftësinë e  kujtesës e të vlerësimit  të  fakteve.
3.  Para  se  të  ketë  filluar  pyetja,  të  pandehurit  i  shpjegohet  se  ka  të  drejtë  të  mos  përgjigjet  dhe  se edhe  po të mos  përgjigjet,  procedimi do të vazhdojë.

Neni  39 Pyetja në themel

1.  Organi  procedues  i  shpjegon  të  pandehurit,  në  formë  të  qartë  dhe  të  përpiktë,  faktin  që  i atribuohet,  e  njeh  me  provat  që  ekzistojnë  kundër  tij  dhe,  kur    hetimet  nuk  dëmtohen,  i  tregon  burimet e tyre.
2.  Organi  procedues  e  fton  atë  të  shpjegojë  gjithçka  që  çmon  të  dobishme  për  mbrojtjen  e  tij  dhe i bën drejtpërsëdrejti pyetje.
3.  Kur  i  pandehuri  nuk  pranon  të  përgjigjet  kjo  shënohet  në  procesverbal.  Në  procesverbal shënohen, kur është e  nevojshme,  edhe tiparet fizike  dhe shenjat e veçanta eventuale  të të pandehurit.

Neni  40 Verifikimi i identitetit personal të  të pandehurit

1.  Me  paraqitjen  e  të  pandehurit  organi  që  procedon  e  fton  atë  të  deklarojë  gjeneralitetet  dhe gjithçka  tjetër  që  mund  të  vlejë  për  identifikimin  e  tij,  duke  e  paralajmëruar  për  pasojat  që  ka  ai  që refuzon  të  japë  gjeneralitetet  e  tij  ose  kur  i  jep  ato  të  rreme,  me  përjashtim  të  rasteve  kur  ky  deklarim nënkupton vetëfajësi.
2.  Pamundësia  për  t’i  atribuar  të  pandehurit  gjeneralitetet  e  tij  të  sakta  nuk  pengon  kryerjen  e veprimeve nga  ana  e organit procedues, kur është i  sigurt  identiteti fizik i personit.
3.  Gjeneralitetet  e  gabuara  që  i  janë  atribuar  të  pandehurit  ndreqen  me  vendim  të  organit  që procedon.

Neni  41 Verifikimi i  moshës  së të pandehurit

1.  Në  çdo  gjendje  dhe  shkallë  të  procedimit,  kur  ka  arsye  për  të  besuar  se  i  pandehuri  është  i mitur, organi procedues bën verifikimet e nevojshme dhe  kur është rasti urdhëron ekspertimin.
2.  Kur,  edhe  pas  verifikimeve  dhe  ekspertimit,  mbeten  dyshime  për  moshën  e  të  pandehurit, prezumohet se ai është i  mitur.

Neni  42 Verifikime për  personalitetin  e të pandehurit  të  mitur

1.  Organi  procedues  merr  të  dhëna  për  kushtet  e  jetesës  personale,  familjare  dhe  shoqërore  të  të pandehurit  të  mitur  me  qëllim  që  të  sqarojë  përgjegjshmërinë  dhe  shkallën  e  përgjegjësisë,  të  vlerësojë rëndësinë  shoqërore të  faktit si dhe  të caktojë  masa  të përshtatshme penale.
2.  Organi  procedues  mbledh  informacione  nga  personat  që  kanë  patur  marrëdhënie  me  të  miturin dhe dëgjon mendimin  e ekspertëve.

Neni  43 Verifikimet për  përgjegjshmërinë e të pandehurit

1.  Kur  ka  arsye  të  çmohet  se  për  shkak  të  sëmundjes  mendore  të  shkaktuar  pas  ngjarjes  i pandehuri  nuk  është  në  gjendje  të  marrë  pjesë  me  vetëdije  në  procedim,  gjykata  vendos,  edhe  kryesisht, ekspertimin.
2.  Gjatë  kohës  që  vazhdon  ekspertimi,  gjykata,  me  kërkesën  e  mbrojtësit,  merr  provat  që  mund  të çojnë  në pafajësinë  e  të pandehurit, dhe  kur vonesa  paraqet rrezik, çdo provë  tjetër të kërkuar nga  palët.
3.  Kur  nevoja  e  përcaktimit  të  përgjegjshmërisë  del  gjatë  hetimeve  paraprake,  ekspertimi  urdhërohet  nga  prokurori  kryesisht  ose  me  kërkesën  e  të  pandehurit  apo  të  mbrojtësit  të  tij.  Ndërkohë prokurori  kryen  vetëm  veprimet  që  nuk  kërkojnë  pjesëmarrjen  e  vetëdijshme  të  të  pandehurit.  Kur vonesa  paraqet rrezik, mund të merren prova  vetëm  në rastet e parashikuara  për sigurimin e  provës.

Neni  44 Pezullimi i  procedimit  për  shkak të papërgjegjshmërisë  së të pandehurit

1.  Kur  del  se  gjendja  mendore  e  të  pandehurit  është  e  tillë  që  pengon  pjesëmarrjen  e  vetëdijshme në  procedim,  organi  që  procedon  merr  vendim  për  pezullimin  e  procedimit,  por  gjithnjë  kur  nuk  duhet të  merret  vendim  pafajësie  ose  pushimi.  Me  vendimin  e  pezullimit  organi  që  procedon  i  cakton  të pandehurit një kujdestar të posaçëm,  të cilit i jepen  të drejtat e përfaqësuesit ligjor.
2.  Kundër  vendimit  të  pezullimit  mund  të  bëhet  rekurs  në  Gjykatën  e  Lartë  nga  prokurori,  i pandehuri ose mbrojtësi i tij.
3.  Pezullimi  nuk  pengon  organin  procedues  që  të  marrë  prova  që  mund  të  çojnë  në  pafajësinë  e  të pandehurit  dhe  kur  vonesa  paraqet  rrezik,  çdo  provë  tjetër  të  kërkuar  nga  palët.  Në  veprimet  që  duhet të  kryhen  rreth  personit  të  të  pandehurit,  si  dhe  në  ato  ku  i  pandehuri  ka  të  drejtë  të  jetë  i  pranishëm merr  pjesë kujdestari i posaçëm i tij.

Neni  45 Revokimi i vendimit të  pezullimit

1.  Vendimi  i  pezullimit  revokohet  kur  del  se  gjendja  mendore  e  të  pandehurit  lejon  pjesëmarrjen  e vetëdijshme në  procedim  ose kur  i  pandehuri duhet të deklarohet i pafajshëm apo çështja  të pushohet.

Neni  46 Masat mjekësore të detyrueshme

1.  Në  çdo  rast  kur  gjendja  mendore  e  të  pandehurit  tregon  se  ai  duhet  të  kurohet,  gjykata,  vendos, edhe  kryesisht shtrimin e  të pandehurit në një  institucion psikiatrik.
2.  Kur  është  vendosur  ose  duhet  vendosur  masa  mjekësore  e  detyrueshme  për  të  pandehurin, gjykata urdhëron që i  pandehuri të  ruhet në një  institucion psikiatrik.
3.  Gjatë  hetimeve  paraprake,  prokurori  i  kërkon  gjykatës  të  vendosë  për  shtrimin  e  të  pandehurit në  një  institucion  psikiatrik  dhe  kur  vonesa  paraqet  rrezik,  urdhëron  shtrimin  e  përkohshëm  deri  në marrjen e  vendimit nga  gjykata.

Neni  47 Vdekja e të pandehurit

1.  Kur  rezulton  vdekja  e  të  pandehurit,  organi  procedues,  në  çdo  gjendje  e  shkallë  të  procedimit, pasi dëgjon mbrojtësin, vendos  pushimin e  çështjes.
2.  Vendimi  nuk  pengon  ushtrimin  e  ndjekjes  penale  për  të  njëjtin  fakt  dhe  kundër  të  njëjtit  person, kur më pas  vërtetohet se ai nuk ka  vdekur.

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!