Kreu II Prokurori

Neni  24 Funksionet  e prokurorit

(Shtuar pika  “5”  me ligjin  nr.8460, datë 11.2.1999   dhe me ligjin  nr.8813,  datë 13.6.2002)

1.  Prokurori  ushtron  ndjekjen  penale,  bën  hetime,  kontrollon  hetimet  paraprake,  ngre  akuzë  në gjykatë dhe merr  masa për ekzekutimin e  vendimeve  në përputhje  me rregullat  e  caktuara  në këtë  Kod.
2.  Prokurori  ka  të  drejtë  të  mos  fillojë  ose  të  pushojë  procedimin  penal  në  rastet  e  parashikuara  në këtë Kod.
3.  Kur  nuk  është  i  domosdoshëm  ankimi  ose  autorizimi  për  procedim,  ndjekja  penale  ushtrohet kryesisht.
4. Urdhrat dhe udhëzimet  e  prokurorit më të lartë janë  të detyrueshme për prokurorin më  të ulët.
5.  Prokurori  më  i  lartë  ka  të  drejtë  të  vendosë  ndryshimin  ose  shfuqizimin  e  vendimeve  të  marra nga  prokurori më i  ulët me ankim ose kryesisht.

Neni  25 Ushtrimi i  funksioneve  të prokurorit

1. Funksionet e prokurorit  ushtrohen:

a)  në  hetimet  paraprake  dhe  në  gjykimet  e  shkallës  së  parë,  nga  prokurorët  pranë  gjykatave  të shkallës  së parë;
b)  në  gjykimet  e  çështjeve  të  ankimuara,  nga  prokurorët  pranë  gjykatave  të  apelit  dhe    pranë Gjykatës  së Lartë.

2. Prokurori më i  lartë ka  të drejtë të  ushtrojë  kompetencat e prokurorit më të ulët.
3. Në  seancë  gjyqësore prokurori ushtron funksionet e tij me  pavarësi të plotë.

Neni  26 Heqja dorë e prokurorit

1.  Prokurori  ka  për  detyrë  të  heqë  dorë  kur  ekzistojnë  arsye  njëanësie  për  rastet  e  parashikuara  nga neni 17.
2.  Mbi  deklarimin  e  heqjes  dorë  vendosin,  sipas  detyrave  përkatëse,  drejtuesi  i  prokurorisë  pranë gjykatës  së  shkallës  së  parë,  i  prokurorisë  pranë  gjykatës  së  apelit  dhe  Prokurori  i  Përgjithshëm.  Për drejtuesit e prokurorive  vendosin titullarët  e prokurorive të një shkalle  më lart.
3.  Me  vendimin  që  pranon  deklarimin  e  heqjes  dorë,  prokurori  që  ka  hequr  dorë  zëvendësohet  me një  prokuror  tjetër.

Neni  27 Rastet e zëvendësimit  të prokurorit

(Ndryshuar paragrafi I me ligjin  nr.8813,  datë 13.6.2002)

1.  Drejtuesi  i  prokurorisë  vendos  zëvendësimin  e  prokurorit  kur  ekzistojnë  arsye  serioze  që  lidhen me  detyrën,  si  dhe  në  rastet  e  parashikuara  në  nenet  16  dhe  17  paragrafi  i  parë  shkronjat  “a”,  “b”,  “ç”, “d”  dhe “dh”.  Në rastet e tjera prokurori zëvendësohet  vetëm me pëlqimin  e  tij.
2.  Kur  drejtuesi  i  prokurorisë  nuk  vendos,  edhe  pse  janë  rastet  e  parashikuara  në  paragrafin  1, Prokurori i Përgjithshëm urdhëron zëvendësimin e  prokurorit.
3.  Rregullat  e  caktuara  për  heqjen  dorë  dhe  zëvendësimin  e  prokurorit  zbatohen  edhe  për  oficerin e policisë gjyqësore.

Neni  28 Kalimi i akteve  një prokurorie tjetër

1.  Kur  gjatë  hetimeve  paraprake  prokurori    çmon  se  vepra  penale  është  në  kompetencën  e  një gjykate  të  ndryshme  nga  ajo  pranë  së  cilës  ushtron  funksionet  e  tij,  ia  kalon  menjëherë  aktet  prokurorisë pranë  gjykatës kompetente.
2.  Prokurori  që  ka  marrë  aktet,  në  qoftë  se  çmon  se  duhet  të  procedojë  prokuroria  që  ia  ka dërguar  aktet,  njofton  Prokurorin  e  Përgjithshëm,  i  cili,  pasi  shqyrton  aktet,  cakton  se  cila  prokurori duhet të procedojë  dhe njofton prokuroritë e  interesuara.
3.  Veprimet  hetimore  të  kryera  para  kalimit  ose  caktimit  të  bërë  sipas  paragrafit  1  dhe  2,  janë  të vlefshme dhe  mund të përdoren në  rastet dhe në  mënyrat e parashikuara nga  ligji.

Neni  29 Kërkimi i akteve  nga një prokurori tjetër

1.  Kur  prokurori  merr  dijeni  se  pranë  një  prokurorie  tjetër  janë  duke  u  zhvilluar  hetime  paraprake në  ngarkim  të  të  njëjtit  person  dhe  për  të  njëjtin  fakt,  në  lidhje  me  të  cilin  ai  procedon,  njofton  pa vonesë atë prokurori, duke i  kërkuar dërgimin e  akteve.
2.  Prokurori  që  ka  marrë  kërkesën,  kur  nuk  është  dakord  me  të,  informon  Prokurorin  e Përgjithshëm,  i  cili  pasi  të  ketë  marrë  të  dhënat  e  nevojshme,  vendos,  sipas  rregullave,  mbi kompetencën  e  gjykatës  se  cila  prokurori  duhet  të  procedojë  dhe  njofton  prokuroritë  e  interesuara. Prokurorisë së caktuar i dërgohen menjëherë  aktet  nga  prokuroria  tjetër.
3.  Aktet  e  hetimit  paraprak  të  kryera  nga  prokurori  të  ndryshme  janë  të  përdorshme  në  rastet  dhe në  mënyrat e parashikuara  nga  ligji.

  • Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!

Shto një koment

You're using an AdBlock like software. Disable it to allow submit.